More
    KreuLetërsiShënime mbi libraOrin Maxhari: Kushti njerëzori rikthimit tek “Hamleti”

    Orin Maxhari: Kushti njerëzori rikthimit tek “Hamleti”

    “… nëse çdo shfaqje e shkruar gjatë gjithë historisë së botës befasisht do të zhdukej, dhe vetëm “Hamleti” të mbijetonte, gjithë teatrot e botës do të shpëtonin. Të gjithë mund të vendosnin në skenë “Hamletin” dhe të ishin të suksesshëm…”

    – Vsevolod Meyerhold

    “Hamleti” i Uilliam Shekspirit, është një ndër ato vepra të veçanta të cilave u rikthehesh po aq shpesh sa edhe vetë trupat teatrale që i vendosin ato në skenë. Kjo pasi nuk ka nevojë për skenë që të luhet. Hamleti përmes trashëgimtarëve të tij, ka krijuar çdo mundësi për vënien e ngjarjeve aq të njohura në lëvizje përpara gjithë botës, e sidomos përpara syve tanë këtu në Shqipëri. Madje është pikërisht Ismail Kadare i cili në sprovën e tij “Hamleti, princi i vështirë” e vë në dukje këtë ngjashmëri. Sipas tij sado të largëta të kenë qenë Elsinori i Danimarkës me tokat shqiptare, qëllimet e hamletëve të tyre mbeten të njëjtë. Shkurtimisht: “Raporti i njeriut me teatralitetin ngjan i pashmangshëm, si në bjeshkët e vetmuara me borë, si në qendrat metropolitane.”

    Ai duket se ndërton brenda saj një lloj “kronike” historike të popullit shqiptar përmes akteve të tragjedisë. Duke filluar që nga vetë motivet e Hamletit për vrasjen e Klaudit (marrja e hakut për një vrasje tjetër), të cilat nuk janë edhe aq të largëta nga ato të hamletoidëve (gjaksve) shqiptar sipas kanuneve të tyre. Në fund duke përfunduar me shfaqen e “Hamletit” për herë të parë në teatrin e Prishtinës (shfaqur këtu jo në rendin e tyre kronologjik).

    Me një vëmendje të veçantë tek shekulli XX. Sepse sipas fjalëve të tij: “Ky ka qenë shekulli i krimit, i çmendurisë, i maskave e i dyfytyrësisë së pafund, kështu që “Hamleti”, më fort se çdo dramë tjetër, shëmbëllente fytyrën e tij,” Dhe në të vërtetë tmerret e hasura në këtë periudhë nuk mund të krahasohen me asnjë tjetër. Këtë mund ta dëshmojmë vetë ne shqiptarët, dora e parë, me përvojën tonë nën diktaturën socialiste (të cilës do ti rikthehem së shpejti)…

    Kur më njoftuan për vënien e“Hamletit” nga teatri “Metropol” u gëzova tej mase. Për mua kjo do të ishte hera e parë që e shihja atë me sytë e mi (deri tani vetëm sa e kisha lexuar si vepër). Ndonëse unë kritik teatri nuk jam, disa pjesë të caktuara të këtij realizimi unik të veprës më lanë shumë përshtypje. Këtu ne padyshim kemi të bëjmë me një “Hamlet” modern. Dhe nga çdo ndryshim i mundshëm, ai që më joshi më shumë ishte kalimi i personazhit të Polonit në një femër (Polonia) dhe përdorimi i saj i vazhdueshëm i telefonit për të regjistruar princin e Danimarkës. Ishte e padyshimtë se përgjimi si mjet për mbarëvajtjen e një regjimi totalitar bënte pjesë në kolazhin e temave që formojnë “Hamletin”, por këtu ai merrte përmasa të “pashmangshme”. 

    Në retrospekt, kjo shfaqe në Tiranë nuk mund të realizohej ndryshe. Ky ishte kryeqyteti i vendit të cilit qindra të huaj i referoheshin ende si Koreja e veriut europiane. Ndërrimi thuajse i përditshëm i qeverive nën “demokracinë” e viteve 1920, grushtet e shtetit dhe monarkia jetëshkurtër u jepnin komunistëve të porsaardhur në pushtet arsye të shumta për tu shqetësuar për vetë jetëgjatësinë e tyre. Kështu “përgjimi si mjet për të nënshtruar masat”mund të shihej vetëm si një hap i pashmangshëm, njësoj si nevoja e Polonit për të përgjuar me telefon Hamletin bashkëkohor.

    Një version tjetër i tragjedisë i cili e ilustron më së miri karakterin totalitar të tij (atë më të kapshmin për ne shqiptarët), është filmi “Hamlet” i vitit 1964 nga Grigori Kozintsev. Duke u referuar produksioneve më të hershëm të veprës, ai u shpreh se ato për pjesën më të madhe të kohës e “injoronin” aspektin politik të veprës, i cili sipas tij mund të ketë qenë ndër më të rëndësishmit. Elsinori i tij shfaqet përpara nesh në një trajtë tërësisht të re. Si një qytet i tërë, i populluar, por edhe njëkohësisht i nënshtruar. Kjo i mundësonte polonëve të tjerë të qytetit hijen e nevojshme për të kryer punën e tyre. Ndjesi të ngjashme më kujton edhe “Turjela” nga Saimir Gongo. Në të një shkrimtar, njeri i njohur mirë me artet si vetë Hamleti, gjithashtu vendoset në lojë nga polonët e partisë. Ndonëse këtu fatin e keq në fund e pëson vetëm ai.

    Gjithësesi ne nuk kemi përse të fiksohemi vetëm tek pushteti ose hakmarrja për të zbuluar rrënjët hamletiane. Si përmendet edhe në titull, rikthimi tek “Hamleti” është një kusht njerëzor. Në këtë trajtë, edhe i pashmangshëm. Nuk janë vetëm anglofonët, ata që flasin vetë gjuhën e Hamletit, të cilët nuk i largohen dot. Ne të gjithë përballemi me “Hamletin” së paku dy herë në jetët tona (nga një herë për se cilën prej dy formave që ai ka).

    Secili prej nesh, fillimisht ndesh “hamletin teorik” në shkollë. Aty ne mësojmë se për ç´bëhet fjalë në të, tematikat e tij, filozofitë e shumë gjëra të tjera. Por duhet të vijë një moshë më e maturuar që ne të përballemi në mënyrë të mirfilltë me “hamletin në praktikë”. Ne të gjithë dyshojmë, hezitojmë, dhe prej mendimeve kundërshtuese paralizohemi dhe kalojmë gjithashtu në mosveprim. Mbase gabimisht ose kur jemi të hutuar kryejmë edhe ndonjë sjellje të padëshiruar. Kështu duke zhvilluar “praktikën tonë hamletiane”. Në fund të fundit a nuk është monologu i tij më i famshëm (Të rrosh a të mos rrosh) njëkohësisht edhe një ndër pyetjet filozofike më të rëndësishme, ose në rastin e Albert Kamy “e vetmja pyetje” ? Në këtë rast, mendoj se pyetja e francezit duhet rifrazuar. Më e përshtatshme në kontekstin tonë do të ishte pyetja “Të rrosh e të bëhesh Hamlet, o të mos rrosh e t’i shmangesh Hamletit?”

    Piktura kryesore: Edwin Austin Abbey, The Play Scene in Hamlet, 1897

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË