Skicë për një monografi, në 70-vjetorin e lindjes
Në vend të hyrjes
Profesor Françesko Altimari është njëri prej studiuesve më të mëdhenj të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili vjen nga provinienca arbëreshe e Italisë. Ai shquhet për kërkimet e tij në disa fusha dhe metodologjinë bashkëkohore të studimit:
a. Për krijimin e institucioneve akademike e të qendrave kërkimore-shkencore të studimeve shkencore, përfshirë këtu edhe kolanave për botimin e trashëgimisë arbëreshe, drejtimin e tyre në studimin e gjuhës shqipe, për institucionalizimin dhe përdorimin e arbërishtes shekullore në institucionet publike të vendbanimet arbëreshe, për ridimensionimin e kulturës arbëreshe me theks të veçantë Pararilindjen Kombëtare në Itali dhe vendin e saj në kulturën shqiptare, si dhe për metodologjinë bashkëkohore në trajtimin e temave të mëdha historiko-gjuhësore;
b. Për hulumtimin, mbledhjen dhe regjistrimin integral të fondit të gjallë të gjuhës arbëreshe, për studimin e brendshëm të zhvillimit historiko-gjuhësor të arbërishtes së shkruar (kryesisht strukturën gramatikore), elementet e toponimisë, aspektet sociolinguistike të arbërishtes në hapësirat arbëreshe, frazeologjinë e arbërishtes, aspektet krahasimtare të tyre në raport me italishten, si dhe për mbrojtjen e shqipes standarde, në vitet e fundit kur ajo u diskutua në raport me zhvillimet dhe ndryshimet politike e ideologjike të kohës sonë;
c. Për botimin integral të autorëve dhe veprave të letërsisë arbëreshe, studimin themeltar e të organizuar të autorëve dhe veprave të trashëgimisë arbëreshe: Jul Varibobën, Zef Seremben, Jeronim De Radën etj., si dhe për metodologjinë bashkëkohore të studimit të veprës letrare të Naim Frashërit.
Parë në tërësinë e ndihmesave të tij, ai është pasardhës i bardëve të gjuhësisë arbëreshe nga bardi i studimeve arbërore Antonio Guxeta e Emanuele Giordanos në fushë të leksikografisë arbëreshe te Françesko Solano në fushë të mësimdhënies; pasardhës i Profesor Çabejt në fushë të studimit të gjuhësisë arbëreshe si një njësi homogjene dhe në raport me gjuhët fqinje; si dhe pasardhës i Profesor Jup Kastratit në përpjekjen e tij të jashtëzakonshme për hulumtimin dhe botimin integral të letërsisë arbëreshe.
Personalitet i shquar i botës arbëreshe
Françesko ALTIMARI (Shën – Mitër, Kalabri, 1955–) është profesor universitar dhe filolog i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Në Shën – Mitër të Kalabrisë kreu Kolegjin e Shën-Adrianit, ndërsa studimet e larta në fushë të filologjisë klasike i mbaroi në Universitetin e Kalabrisë, në vitin 1978.
Prej vitit 1980 “punoi në Katedrën e albanologjisë të Universitetit të Kalabrisë: në fillim si lektor, më pas si kërkues, drejtor Departamenti, president i degës së gjuhëve të huaja, anëtar i Senatit Akademik dhe zëvendësrektor. Ishte njëkohësisht përgjegjës i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Universitar Oriental të Napolit. Ka themeluar dhe ka mbajtur kurset universitare të albanologjisë në Universitetin e Leçes, në atë të Triestes në Universitetin e Milanos “Cattolica, në institucionet akademike në Itali, Gjermani, Kosovë e Shqipëri[1]. Në disa prej këtyre institucione ishte edhe korordinator i studimeve të doktoratës apo anëtar komisionesh shkencore dhe madje bartës projektesh kërkimore e shkencore për studimet filologjike e botimet arbëreshe.
Në këtë rrjedhë kohore prej rreth pesë dekadash ka ligjëruar lëndët: Dialektet shqipe të Italisë Jugore, Filologji shqipe, Filologji dhe gjuhësi ballkanike, Gjuha dhe kultura shqiptare, Dialogu ndërkulturor duke i përplotësuar edhe ato formime arsimore, akademike e kërkimore-shkencore, të cilat përgjithësisht ju kanë munguar universiteteve shqiptare në Prishtinë e Tiranë etj.
Interesat e tij kërkimore janë zhvilluar nga letërsia te filologjia, si dhe nga gjuhësia shqipe te filologjia ballkanike, pa përjashtuar zonën italiane si hapësirë dhe si ndërndikim. Rezultatet e tij në filologjinë shqiptare, paraqesin një orientim të ri metodologjik me theks të veçantë filologjinë në përgjithësi dhe leksikografinë në veçanti. Në jetën shkencore ai ka promovuar dhe koordinuar projektin Arkivi Leksikografik Arbëresh (ALEA), si dhe ka punuar për krijimin e një banke informacioni mbi trashëgiminë leksikore, si të atyre që janë vjelë nga tekstet e shkruara ashtu edhe ato që janë qëmtuar në Koloninë Arbëreshe të shqipes në Itali.
Në këtë rrjedhë angazhimesh, kërkimesh, studimesh, sintezash e botimesh ai ka kulmuar me Projektin Opera omnia të Jeronim De Radës në 12 vëllime (2005-2018), ndërsa studime e vepra shkencore nga fusha e filologjisë shqiiptare, ballkanike dhe asaj të krahasuar ka botuar në revista dhe botime të specializuara, jo vetëm në Itali po edhe në Shqipëri, Kosovë, Europë e Amerikë. Po në këto vende ai ka marrë pjesë dhe lexuar kumtesa në konferenca shkencore, ndërsa studimet e tij i ka botuar veç tjerash në revistat autoritative Studime filologjike, Studia albanica, Gjuha jone dhe Dialektologjia shqiptare (Tiranë), Zjarri (Itali), Albanica (SHBA) dhe Gjurmime albanologjike (Kosovë) etj. Do kujtuar po këtu edhe drejtimin prej tij të revistës albanologjike Res albanicae, të botuar nga Fondacioni i Universitetit “Francesco Solano” dhe të themeluar në vitin 2012.
Gjatë kësaj periudhe prej katër dekadash Françesko Altimari, përveq studimeve e kumtesave ka botuar edhe shumë vepra shkencore, qofshin ato autoriale, qofshin ato nga pozita e drejtuesit. Le të theksojmë këtu disa nga veprat e tij në gjuhën italiane fillimisht: “Studi sulla letteratura albanese della “Rilindja”, 1984; “L’esilio della parola – La minoranza linguistica albanese in Italia” Pizë, 1986 (bashkautor); “Studi linguistici arbëreshë”, 1988; “I dialetti italo-albanesi”Romë, 1994 (bashkautor); “Scripta minora albanica” Rende, 1994; po edhe në gjuhën shqipe: “Vëzhgime gjuhësore dhe letrare arbëreshe”, Prishtinë, 2002; Rruga e Arbërit (Studime filologjike dhe kritiko – letrare midis botës arbëreshe dhe botës shqiptare), “Naimi”, Tiranë, 2015 dhe Studia linguistica italo-albanica. Arbërishtja në kontekstin gjuhësor ballkanik dhe italian. vol. 51, p. 1-248, Prishtinë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2014.
Në anë tjetër posaqërisht të rëndësishme shkencore e ndihmesës së tij në fushë të filologjisë është përdorimi i metodave bashkëkohore filologjike për botimin kritik të bardëve të letërsisë së Rilindjes Kombëtare dhe teksteve të literaturës arbëreshe të shekullit XIX-XX, sikur është përgatitja dhe botimi kritik i poemës së Naim Frashërit “Bagëti’e bujqësia” me përkthimin italisht dhe konkordancat leksikore (Rende, 1994), përgatitja dhe botimi i vëllimit të parë të “Veprave” të J. De Radës “I Canti Premilosaici – Këngët para Millosaut (1833–1835)”, si dhe botimi kritik me përkthim italisht dhe konkordanca leksikore (Katanxaro, 2005). Kemi parasysh këtu edhe vëllimin “Testi folcloristici di Falconara Albanese pubblicati nella rivista “La Calabria” (1888–1902)”, (Rende, 1995 bashkautor), si dhe themelimin e kolanës së botimeve autoritative “Studime dhe tekste të albanistikës” (1990) e “Klasikë të letërsisë arbëreshe” (2005).
Portretin individual dhe përmasën intelektuale e shkencore të Françesko Altimarit, mbase më së miri e kanë paraqitur Mateo Mandala[2] dhe Profesor Rexhep Qosja, prej të cilit po e sjellim një fragment nga ditarët e tij: “Sa herë vjen në Kosovë, në Seminar më sjell ndonjë prej veprave të autorëve arbëreshë të shekujve të përparmë. Françeskoja më ka ndihmuar shumë rreth sigurimit të veprave dhe shkrimeve të Jeronim de Radës gjatë punës sime në Historinë e letërsisë shqipe – Romantizmi. (…) Françesko Altimari është njëri prej arbëreshëve më të veçantë që vijnë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare: i veçantë për nga dhuntia shkencore, i veçantë për nga kultura e tij e gjerë dhe i veçantë edhe për përkushtimin e tij ndaj traditës letrare dhe kulturore kombëtare në përgjithësi[3].
Në nderim të punës së tij prej drejtuesi e kërkuesi shkencor shumë institucione kulturore, arsimore, akademike e qeveritare vendore dhe ndërkombëtare (Itali, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj.) e kanë vlerësuar dhe nderuar me çmime të jashtëzakonshme[4]. Sot mund të themi se Profesor Françesko Altimari është njëri prej studiuesve më të mëdhenj të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili vjen nga provinienca arbëreshe e Italisë.
Institucionalizimi i studimeve arbëreshe
Profesor Françesko Altimari me punën e tij jetësore shquhet edhe për krijimin e institucioneve akademike e të qendrave kërkimore-shkencore të studimeve shkencore, përfshirë këtu edhe kolanave për botimin e trashëgimisë arbëreshe, drejtimin e tyre në studimin e gjuhës shqipe, institucionalizimin dhe përdorimin e arbërishtes shekullore në institucionet publike në vendbanimet arbëreshe, ridimensionimin e kulturës arbëreshe me theks të veçantë Pararilindjen Kombëtare në Itali dhe vendin e saj në kulturën shqiptare, si dhe për metodologjinë bashkëkohore në trajtimin e temave të mëdha historiko-gjuhësore.
Nëse në rrafshin e parë, Profesor Altimari shquhet për projektet e zhvilluara brenda hapësirës ballkanike, ndërsa në rrafshin e dytë kërkimet dhe orientimet e tij shkojnë më tej, qfarë janë ato që financohen prej fondeve të Bashkimit Europian. Parë në tërësinë e aktiviteteve të tij bota shkencore albanologjike është unike në vlerësimin e kontributit të tij në tri fusha:
a) Ndihmesën e tij për hulumtimin, regjistrimin e gjuhës dhe kulturës italo-shqiptare, një traditë kjo e rrënjosur para fillimit të Rilindjes Kombëtare në Shqipëri, e cila mund të konsiderohet edhe si një pararilindje shqiptare europiane. Profesor Altimari duket sikur lidhi pikërisht këtë traditë me shekullin XX, për faktin se ndryshe nga bashkëkohësit e tij të cilët merreshin me kërkimin dhe popullarizimin e e gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptsare, ai punoi shumë në mbrojtjen dhe promovimit të saj.
b) Altimari punoi shumë jo vetëm në mbledhjen dhe botimin e njësive gjuhësore dhe kulturës arbërore e asaj greke në Itali, po edhe në studimin krahsues e botimin e saj si një traditë e përbashkët e sjellë nga Greqia e Shqipëria dhe e ruajtur në Itali.
c) Ndihmesa e tretë që në thelbin e saj ka ruajtur vazhdimësinë sado modeste të një periudhe prej dy shekujsh është ajo e themelimit të Bibliotekës Elektronike dhe botimit të teksteve letrare arbëreshë (1999), që më shumë se një korpus a një amëz e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe paraqet një model të punës edhe për institucionet shkencore kombëtare në Shqipëri, Kosovë e sidomos në Maqedoni, Gerqi e Mal të Zi.
Brenda kësaj iniciative hyn edhe projekti i tij i madh, i pa përsëritshëm në hapësirën shqiptare dhe atë albanologjike: Biblioteka Elektronike e Vendbanimeve Arbëreshe (BESA 1) e realizuar midis viteve 2005 dhe 2009, në kuadër të POR Calabria 2000-2006, si dhe Projekti VATRA — për dialogun ndërkulturor midis Italisë dhe Ballkanit i paraqitur në Marrëveshjen e Programit Kornizë, një program ky i mbështetur nga qeveria italiane për bashkëpunim me vendet e Ballkanit (APQ-Ballkans), në periudhën 2010-2011 për të përkrahur procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi.
Ndihmesë posaçërisht e çmuar e ndihmesave të tij jashtëzakonisht të nderusara janë orientimi dhe përgatitja e tezave universitare të mbi 200 studiuesve ndëer arbëreshët, shqiptarët dhe në rajon. Profesor Altimari do të mbahet mend nga shumë breza universitarësh për mentorimin e kujdeshëm e të sukseshëm të shumë projekteve nga fusha e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe në raport edhe ne gjuhën, letërsinë e kulturën e rajonit.
Hulumtimi dhe studimi i arbërishtes së sotme në raport me zhvillimin historik të gjuhëve të Ballkanit dhe Italisë
Ndihmesa e Profesor Françesko Altimarit shquhet për hulumtimin, mbledhjen dhe regjistrimin integral të fondit të gjallë të gjuhës arbëreshe, për studimin e brendshëm të zhvillimit historiko-gjuhësor të arbërishtes së shkruar (kryesisht strukturën gramatikore në tekstet e shkruara), elementet e toponimisë, aspektet sociolinguistike të arbërishtes në hapësirat arbëreshe, frazeologjinë e arbërishtes, aspektet krahasimtare të tyre në raport me greqishten, latinishten e italishten, si dhe për mbrojtjen e shqipes standarde, në vitet e fundit kur ajo diskutohej në raport me zhvillimet e reja ndërkombëtare, ndryshimet politike e ideologjike të kohës sonë etj. Si të tilla, studimet e tij mbulojnë dijet mbi dialektet arbëreshe, sociolinguistikën, onomastikën, gjuhët në kontakt, fjalorët, fonetikën e fonologjinë, etnolinguistikën, morfologjinë, leksikun, sintaksën etj.
Kërkimet e tij do parë në dy rrafshe: në rrafshin e parë, duke u ndalur kryesisht në zhvillimin e brendshëm të arbërishtes, prandaj edhe duke i rimarr disa çështje të karakterit historik, sikur është studimi “Mbi arbërishten e Italisë – vështrim i përgjithshëm”; ndërsa në rrafshin e dytë, duke i parë ato zhvillime qoftë nga një qasje e re metodologjike, qoftë duke u nisur nga një kërkim krejt i ri.
Janë me shumë interes studimet për të kryerën e “supozimit” të arbërishtes dhe për formimin e habitores të shqipes; për të ashtuquajturën e ardhme arbëreshe kam+lidhore: romantizëm italian apo arkaizëm ballkanik; mbi pikëpamjet e Selman Rizës për paskajoren, për disa ndikime të greqishtes në fjalëformimin foljor të arbërishtes së Italisë; për një qasje të historisë së dialektologjisë arbëresh; për punën e Eqrem Çabejt në studimin e dialekteve të arbëreshëve të Italisë etj.
Një dimension të ri paraqesin studimit e arbërishtes në raport me italishten. Në gjuhësinë shqiptare kishim mjaft studime të lidhjes së shqipes së sotme në raport me arbërishten, greqishten e italishten, po nuk kishim shumë, për të mos thënë ato i takonin kryesisht shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX, ndërsa studimet e Profesor Altimarit sjellin një pamje të re jo vetëm të karakterit hulumtues po edhe metodologjik, e historiko-gjuhësor. Fjala është për tekstet arbëreshe të Kalabrisë e të Siçelisë në veprat e Hervás-it, studimin mbi huazimet nga italishtja dhe nga dialektet italo – romane në sistemin foljor të arbërishtes; trajtesën gjurmë onomastike arbëreshe në komunitetin kalabrez të Jacarisë dhe analizën brilante mbi proverbat meteorologjike të arealit arbëresh. Shpresojmë që dy studimet e fundit të bëhen boshti përkatësisht zgjatimi i veprave monografike në fushë të onomastik dhe frazeologjisë historike, me shumë rëndësishëm dhe interes në studimet shqiptare. Prej shembujve dhe analizave krahasuese që ka sjellë Profesor Altimari nuk është vështirë te përfundimet në të cilat kishte ardhur Profesor Çabej në vitet ’60, kur pati shtruar tezën e homogjenitetit të onomastikës historike shqiptare[5]. Gjejmë këtu edhe një listë emrash, patronimesh, ojkonimesh e toponimesh arbëreshe të shek. XVI-XVII dhe përgjegjëset e sotme të tyre ndër arbëreshët po edhe hapësirës tjetër të kolonive historike të arvanitasve në Greqi dhe hapësirën ku jetojnë sot historikisht shqiptarët: Barci: Barçi, Bideri: Bideri, Braile: Braille, Brescia: Bresha, Buscio: Busho, Masci: Mashi, Buscia: Buzha, Dara: Dara, Figlia: Filia, Greco: Gerko, Peta: Peta, Sciallis: Shallis, Scurto: Shkurt, Spata: Spata (Greqi) etj[6].
Në vitet e stuhishme të kalimit nga diktatura komuniste në demokracinë e brishtë europiane, Françesko Altimari u angazhua edhe për disa çështje gjuhësore të cilat mëtohej të zhvilloheshin kryesisht nën ombrellën partiake. Në këtë diskutim pothuajse krejt papritmas u angazhua forcërisht Profesor Altimari, i cili sikur shprehet Profesor Valter Memisha, në kumtesën e tij “shpalosi vizionin e shkencëtarit, mendjeftohtësinë e analistit, korrektësinë e vlerësuesit, aftësinë e parashtruesit dhe zotësinë e argumentuesit”[7]. Duke qenë disa herë pjesëmarrës i konferencave shkencore në hapësirën shqiptare, ku diskutohej për çështje të ndryshme, porse probleme i standardit të shqipes rimerrej në margjinat e tyre, kam vënë re se ma sa butësi e bindje (Françesko Altimari) dhe me sa rreptësi e vendosmëri (Matteo Mandala) i kundërshtonte propozimet shumë herë margjinale, që duhet të qonin “te standardi i ri shqipes”. Ata, këmbëngulnin me forcë dhe me koncepte qytetarie evropiane para se gjithash për “ngritjen e prestigjit të shqipes standarde”, si dhe “certifikimin e saj” përballë simotrave të Europës së Bashkuar[8].
Studimi i letërsisë së romantizmit shqiptar: De Rada, Naim Frashëri
Ajo që kemi vënë re në tri dekadat e fundit tek studimet e letërsisë arbëreshe nga Françesko Altimari, para se gjithash ka të bëjë me ridimensionimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në dy përbërës të rëndësishëm: shkollën e parë shqipe dhe fillimin e Rilindjes Kombëtare. Në rrafshin e parë, mendonte Profesor Altimari kemi të bëjmë jo me shkollën shqipe të 7 marsit 1987, po me vitin 1744[9], pra me dokumentin e parë shqip të At Gjergj Guxetes, dërguar Vatikanit, për të vazhduar me Seminaret Arbëreshe. Në këtë drejtim ne i japim plotësisht të drejtë Profesor Altimarit. Si mund të heshtet për një zhvillim kaq i fuqishëm intelektual, kërkimor e shkencore, një vetëdije kaq e lartë e arbëreshëve, botimeve dhe institucioneve arsimore në Itali, e të mos kenë pasur ndikim fare në hapësirën shqiptare, qoftë edhe vetëm në Jug të Shqipërisë apo vetëm në pjesën bregdetare (Shkodër, Durrës, Lezhë, Vlorë, Sarandë etj.
Një përbërës tjetër i këtij ridimensionimi të kulturës shqiptare dhe frymës romantike e nacionale evropiane ka të bëjë me fillimet e romantizmit shqiptar. Mendoj se ky projektim e fillimeve të romantizmit shqiptar, të cilin e ka kundërshtuar Profesor Altimari, ka të bëjë me pikëpamjet e shkollës austro-hungareze për fillimet e Rilindjes Kombëtare, të cilat i ka projektuar në raport edhe me popujt tjerë (serbë e malazezë) etj.: Naum Veqilhargji/ Vuk Karaxhiqi/ Konstantin Kristoforidhi; Jeronim De Rada, Naim Frashëri e Gjergj Fishta/ Njegoshi, Branko Radiçeviq/ Zef Serembe; Jovan Jovanoviq Zmaj/ Ndre Mjeda etj., sado, sikur e ka vënë re prej vitesh Rexhep Qosja[10], as me vëllimin, as me përmbajtjen, as me vlerat artistike e estetike shkrimtarët serbë e malazezë të letërsisë së romantizmit nuk i arrijnë shkrimtarët shqiptarë bashkëkohës.
Në letërsinë arbëreshe ashtu si në asnjë nga fushat tjera të kërkimit ai ka rimarrë disa tema të cilat i ka njohur historiografia letrare shqiptare, si: Miti i Skënderbeut në letërsinë e shkruar të arbëreshëve të Italisë, figura e Skënderbeut në një ‘Rapsodi’ të De Radës dhe në letërsinë gojore, “Rapsoditë” arbëreshe përballë letërsisë romantike evropiane, balada arbëreshe e Konstandinit dhe Garentinës – lidhjet e saj me traditat e popujve të tjerë të Lindjes.
Profesor Altimari, ndryshe nga pjesa më e madhe e studiuesve të letërsisë arbëreshe është shquar për shikimin integral të letërsisë arbëreshe edhe me një nga veprat e tij më të rëndësishme botimin kritik të poemës së Naim Frashërit “Bagëti’e bujqësia” me përkthimin italisht dhe konkordancat leksikore[11]. Vetëm pak kohë pas botimit të dy monografive më të mira për Naim Frashërin (Dhimitër S. Shuteriqi, 1982 dhe Rexhep Qosja, 1986), dalja në dritë e vepërs së Françesko Altimarit (1994) shënonte një ngjarje të re në filologjinë shqiptare. Nëse në monografinë e Dhimitër S. Shuteriqit jeta dhe vepra e Naim Frashërit shihej në sfondin e përgjithshëm të dijes shqiptare për Naim Frashërin dhe veprën e tij, ndërsa në monografinë e Rexhep Qosjes dija shkencore për veprën letrare të Naim Frashërit ngritej në përmasat të larta të mendimit historiko-letrar, teoriko-letrar, gjuhësor e stilistik, në monografinë e Franqesko Altimarit hapej një pamje e re e filologjisë shqiptare, me arritje mjaft modeste deri atëherë. Botimi i Bagëti’ e bujqësisë nga Altimarit, nuk u prit gjerësisht nga filologjia shqiptrare, pasu ajo u botua në gjuhën italiane, por mund të them se ajo pati një njohje, një pritje dhe një vlerësim kulminant nga specialistët e gjuhësisë shqiptare në Tiranë.
Françesko Altimari dhe Matteo Mandala janë shquar përmbi të gjithë bashkëkohësit për botimin integral të autorëve dhe veprave të letërsisë arbëreshe, për studimin themeltar e të organizuar të autorëve dhe veprave të trashëgimisë arbëreshe, si dhe për metodologjinë bashkëkohore të studimit të veprës gjuhësor, historike, letrare e kulturore të tyre. Profesor Altimari më parë se sa të botonte Opera Omnia të Jeronim de Radës[12], në ato përmasa shkencore që nuk është bërë më parë, ka botuar Këngët e Milosaos, një botim ky kritik i tre versioneve të shtypura (1836, 1847, 1873) dhe i versionit të katërt të dorëshkrimit (1896); Këngët para Milosaike [1833-1835]. Tregimet e para poetike të Jeronim de Radës, botim kritik dhe përkthim në italisht nga Francesco Altimari), botimin kritik dhe përkthimin italisht të këngëve të para të Milosave (1998).
Studimet deradiane në korpusin e bibliografisë shkencore, historike e kulturore të tij zënë një vend të veçantë. Le të kujtojmë këtu studimin gjithëpërfshirës Arbëreshët për Rilindjen e Shqipërisë, trajtesën “Arbëri i imagjinuar” në gjeografinë poetike të De Radës, sintezën filologjike mbi strukturën e dyfishtë të “Këngëve të Milosaut” dhe studimi i pazakonshëm në filologjinë shqiptare vetëpërkthimi në veprat letrare arbëreshe: rasti i Jeronim de Radës.
Përfundime
Profesor Françesko Altimari është njëri prej studiuesve më të mëdhenj të gjuhësisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cili vjen nga provinienca arbëreshe e Italisë. Ai shquhet për kërkimet e tij në fushë të gjuhësisë dhe letërsisë, me theks të veçantë kulturën arbëreshe, si dhe metodologjinë bashkëkohore të studimit.
Parë në tërësinë e ndihmesave të tij, ai është pasardhës i bardit të gjuhësisë arbëreshe Antonio Guxetës, Emanuele Giordanos në fushë të leksikografisë arbëreshe e Françesko Solanos në fushë të organizimit të mësimdhënies; pasardhës i Profesor Çabejt në fushë të studimit të gjuhësisë arbëreshe si një njësi homogjene dhe në raport me gjuhët fqinje; si dhe pasardhës i Profesor Jup Kastratit në përpjekjen e tij për hulumtimin dhe botimin integral të letërsisë arbëreshe.
[1] Të gjitha të dhënat e karakterit biografik për Profesor Françesko Altimarin janë mbështetur fillimisht në njësinë enciklopedike të Profesor Gjovalin Shkurtajt botuar në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, Vëllimi I, Tiranë, 2008, f. , ndërsa janë plotësuar më tej edhe me studimin e tij Figurë e dalluar e albanologjisë dhe e profesoratit të sotëm arbëresh, në Studiuesit italianë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, “Studime shqiptare” 7. Shkodër, 1997, f. 71. Më tej, studimi ynë është plotësuar me biografinë dhe bibliografinë e tij edhe nga të dhënat e botuara në veprat e tij dhe në faqet zyrtare akademike, në radhë të parë: https://www.unical.it/storage/teachers/francesco.altimari/?lang=en.
[2] Shih, Matteo Mandalà, “Edhe 100!”, in STUDIME në nderim të Prof. Francesco Altimarit me rastin e 60-vjetorit të lindjes / Studi In onore del Prof. Francesco Altimari in occasione del 60° compleanno Omaggio a Francesco Altimari, Tiranë, 2015, ff. 5-15.
[3] Shih, Rexhep Qosja, Dëshmitar në kohë historike 1984-1985, Ditar, V, Toena, Tiranë, 2014, f. 270.
[4] Mes mirënjohjeve të shumta gjendet edhe ajo e Ministrisë së Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Propozimin e ndarjes së Mirënjohjes e pata bërë unë dhe Mirënjohja ju dha për Projektin BESA.
[5] Shih, Eqrem Çabej, Die Herkunftafrage der albanischen Kolonien in Italien im Lichte vornehmlich der Sprache und der Eigennamen (Çështja e periudhës së ngulimeve arbëreshe të Italisë në dritën kryesisht të gjuhës e të emrave vetiakë), “proceding of the Eigtth international Congress of Onomastic Sciences”, Paris, 1966, ff. 70-81.
[6] Shih, Françesko Altimari Studia linguistica italo-albanica. Prishtinë, 2014, ff. 203-215.
[7] Shih, Valter Memisha, Akademik Francesco Altimari për shqipen standarde, në “Edhe 100!”, in Vep. e cit. f. 409.
[8] Shih, Valter Memisha, Vep. e cit. f. 419.
[9] Shih, Françesko Altimari, Jeronim de Rada dhe roli i tij në rilindjet arbëreshe dhe zanafilla e rilindjes kombëtare shqiptare, Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Prishtinë, 2014. Shih gjerësisht edhe studimin Napoli, vatër e rëndësishme e Rilindjes arbëreshe dhe shqiptarët (shek.. XVIII-XIX) in Një rilindje para Rilindjes. Konferencë shkencore ndërkombëtare albanologjike, Gjirokastër, 2014. ff. 33-66.
[10] Shih, Rexhep Qosja, Populli i ndaluar, Prishtinë, 2010 (bot. p. 1990), ff. 287-295.
[11] Shih, Françesko Altimari, Naim Frashëri, Bagëti’ e Bujqësija (I pascoli e i campi), Introduzione, edizione critica, traduzione italiana e concordanza a cura di F. Altimari, Centro editoriale e librario Università degli studi della Calabria, Rende, 1994.
[12] Shih, Françesko Altimari, Jeronim de Rada, VEPRA LETRARE, I, Këngët para Millosaut. I canti premilosaici (1833-1835). Sprovat e para poetike të Jeronim de Radës. Botim kritik e proces italisht nga Francesco Altimari. vëll. I, ff. 7-347, Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Tiranë 2014; De Rada, VEPRA LETRARE, II, Këngët e Millosaut – I Canti di Milosao Botim kritik i tri varianteve (1836, 1847, 1873) gjuhën nga Francesco Altimari. vëll. II, ff. 5-332, Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Tiranë 2014.

