Në trashëgiminë poetike të Martin Camajt bën pjesë edhe poezia « Shi mbi lumë », një poezi antologjike dhe krejt e përsosur e shkrimit poetik modern, që përvijon qartësisht artin magjik dhe mjeshtërinë e poetit, derdhur bujarisht në këtë situatë ku i thuret himn dhe lavdi natyrës. Kjo poezi shënon njërin prej kulmeve në shkrimin poetik, njëherit përbën një kurorë kushtuar natyrës, ku si rrallëkund në poezinë shqipe bashkëkohore, shpalosen ndjesitë më të holla poetike. Poezia e natyrës mbart dy shenjëzime letrare:
– Natyrën e vendlindjes, si gjurmë dhe prekël, si ndjesi dhe formësimin estetik.
– Natyrën me përmasat më përfaqësuese, e vendlindjes dhe atdheut të munguar, si përgjëratë poetit.
Poezia « Shi mbi lumë », poezia emblemë dhe me tipologjinë e shprehjes, shpërfaq shenjat dhe esencën e artit të Camajt. Në materien e vargjeve, përmblidhen në një të vetme bukuria e natyrës së ashpër shqiptare, që i a përzgjon dhe fanit vendlindjen e lënë pas krahësh, si një përjetim i thekur, lëshur në një çast pikant, teksa ashpërsia e maleve përkulet dhe përthyhet përpara pikërrave të shiut, çka shkakton mrekullimin e heroit lirik përpara kësaj thyerje bukuroshe, me simfoninë magjike të natyrës së larme. Kodet estetike, shenjuara si metaforikë e zgjeruar, si realitet letrar imediat, i prekshëm dhe krejt i çatrafillosur, në shkëlqimin lëbyrës dhe ndriçimtar të magjisë së natyrës dhe të artit të Camajt…
Poeti i lumit
Vargjet e poezisë “Shiu Mbi Lum”, si vjershërim dhe përftesave stilistikore, mirazhet dhe vegimet e shumta, i vënë Martin Camajt breroren e poetit të lumit në letrat shqipe. Ky dimension dhe atribut i poetit të lumit si vendlindje dhe simbol, si sinor dhe lundër shpëtimtare, buron prej faktit se askush sa Camaj, nuk ka mund me mbërri ta shpërfaq ndjesinë mbi lumin nën rrebeshin e shiut. Shumëkush, përpara tij dhe njëkohshëm me të, ka aspiruar që t’i këndojë lumit, duke e shndërruar lumin në njërin prej toposëve të poetikës së shkrimit të poezisë shqipe, askush gjer më tani, në një poezi të vetme, në një vargëzim aq të përsosur, të një toposi ekzistencial, siç është lumi, nuk ia ka mbërritur që ta shpalos bukurinë e lumit kaq mrekullisht sa Camaj. Lumi i tij, pra lumi i poetit të magjishëm Martin Camaj, tashmë lumi si simbol dhe monument natyre, lëvizje dhe frymim, me bukurinë e përftuar, farfurinë e pranishme si reliev dhe shenjë e natyrës dinamike, melodinë tronditëse që e përcjell, teknikën shkrimore muzikale, vetiu shpërndërrohet në një lum mitik, në një lum të paprekshëm dhe të përjetshëm, në një lum që i theyn dhe kapërcen sinoret përndarëse kohore dhe hapësinore. Format rrezatuese dhe përndritëse të lumit, të mbytur nën rrebeshin e shiut, si shenjë dhe frymë, janë gjurmë të kërkimit poetik. Kryen e vendit, e zë lumi nën pushtetin e shiut, i cili me pikërrat e pandërprera e mbështjellë dhe rretheqarkon natyrën me një vello shiritash dritëzuese. Ky çast i frymëzimit të plotë poetik, i ngacmimit dhe valës kreative, e pështjellëzon lumin me një veshtull të habitshëm përrallor, derdhur në mirazhet e pikërrave të shiut, që lëvaren në pambarimësi, të lara gjithashtu edhe nën ethet e ftohta të vjeshtës. Padyshim, mirazhet e shiut, përndezin në shpirtin e poetit, si dhe të lexuesit të kësaj poezie, adhurimin për natyrën e vendlindjes. Prej shiut, që bie me vërtik dhe zhurma të fuqishme, i urti lum, i cili zakonisht lëviz nën paqëtimin e vetë, në kërkim të një fati që mbytet në dete dhe oqeane, jo shumë kohë më parë, tashmë fryhet dhe rrëmben gjithçka, e sall: “në qiellin e vrantë lëviz nji kalë”, siç ligjëron magjishëm poeti tashmë, pra gjithsesi shkretimi nuk e ka fshirë botën anekandes, gjithshkafi nuk është tretur dhe bërë fir, duke ta rrëmbushur sërish shpirtin me drithërima dhe pezulli. Ngjashmëria e mjedisit përqark me lumin, në shi dhe vezullime, në rrebesh dhe të ftohmë, si një simbolikë e fshehtë dhe me adresim letrar, në zgripin e tmerrit, zbulohet tek thirrma e poetit: “Ujë a ba gjethi”, thirrmë përkthekuese, e cila përplotëson dhe skalit pamjen e shkatërrimit bukurosh që e ka pru shiu me rrebeshin e frikshëm. Qetima, lëvizëse dhe përplitëse, përplot zhurmë dhe ankth, ka pushtuar gjithçka dhe mbretërimi sundimtar i pikëlave të shiut, kthehet në makth dhe kënaqësi të veçantë. Në makthin e dëshiruar për ta prekur dhe kallëxuar tragjikën e shiut, mbase i detyruar prej rrethanave, të natyrës dhe mallit të vendlindjes, ai ndalet dhe përsjellë në kujtesë bukurinë e shiut. Këto forma ekzistenciale të natyrës, të natyrës së kudogjendshme, si shenjë konkrete dhe universale, të asaj natyrës së vendlindjes, të lënë mbas krahëve me padëshirën e tij, të lënë me buzën në vaji prej dhimbës krenare dhe tronditëse, të natyrës në anën e tmerrit dhe ashpërsisë, ravizojnë shiun dhe lumin si dy simbole jetëdhënëse, dy simbolika që e tonifikojnë poetikën. Shiu, me pikërrat e veta, të buta apo zhurmuese, në verë apo dimër, e përtrin dhe e rilind prej motesh dhe shekujsh lumin. Ky i fundit, pra lumi si pasqyra ku shiu zbulon fytyrën dhe pushtetin e ashpër, mbase shkatërrimin dhe përtrimjen, njëherit, ia krijon shkasin për ta shpërqëndruar rrjedhën normale të gjarpërit me pikëla shiu, pa të cilin jeta dhe stinët do të dukeshin të shkrumbosura. Magjia e lumit të Camajt, e lumit real dhe poetik, pra e magjisë letrare të kësaj poezie, e lumit të trazuar dhe paqedashës, e lumit që nuk resht kurrë së ecuri. Në frymën e poezisë së natyrës, atmosferë dhe shprehësi letrare, të përngjan ndocaherë me magjiken e poezisë së liqerit, realizuar me art dhe madhështi nga poeti thinosh L. Poradeci, në vargjet e poezisë “Poradeci”. Poezia e natyrës, si perëndim i vagëlluar mu në sipërfaqen e rrafshët të liqenit, në çastin e mbramë kur dita dhe nata, dielli dhe hëna, perëndimi dhe errësira përplasen dhe puthen, pa dijeninë e tyne dhe çmendurisht, endur prej poetit të natyrës dhe dashurisë, siç edhe njihet dhe përcillet përgjithësisht, të cilës ia ndjejmë duhmën dhe përsosjen letrare sa herë ta lexojmë. Po kaq natyra si gurgullimë heshtake e pikave të shiut dhe plot bubullima mbi lumin e dallgëzuar, me lumin vraparak dhe përplotë vrundullima, e derdhur mjeshtërisht nga Camaj, shpërfaqet në format më të papritura letrare. Në të dyja rastet ka gjetur mjeshtrat e fjalës letrare, duke përmbushur një boshëtirë dhe hapësirë të pashfrytëzuar në letrat shqipe në lëvrimin e poezisë së lumit (vetvetiu të natyrës), jo thjesht si topos poetik.
Pikëpërkime letrare autorësh
Në rastin e dy poezive antologjike, kushtim natyrës së bukur shqiptare, të dy prej mjeshtërave të poezisë shqipe, pavarësisht kohës dhe hapësirës, pavarësisht variantit shkrimor, njëherit nga të paktat që formatohen në letrat shqipe, në kuptimin artistik, pra të poezisë “Poradeci” të Llazar Gushos dhe “Shi mbi Lum” të Martin Camajt, ku përveç shtratit të përbashkët të lëvrimit të temës së natyrës, madje edhe të adhurimit të vendlindjes gjer në marrëzi, preken disa pikëpërkime të habitshme, të kumteve dhe kumbimeve poetike, të veçanta letrare:
A – Kënga e ujit, si bukuri përrallore që ta mbush, zbraz dhe përpush shpirtin në këngëtime të befta e plotë shkëlqim, e ku rrezatimet e përskuqura të perëndimit diellor, përzihen me zhurmërimat verbuese të rrebeshit të shiut, i cili përshkon stinët e vjeshtës dhe të pranverës, nganjëherë edhe të dimrit të egër, si një makth që ngacmon dhe nxit të dy poetët, të kohëve dhe hapësirave të ndryshme, që të këndojnë me venerim e përkushtim për natyrën dhe vendlindjen.
B – Kënga e ujit të ëmbël, lëngut fyrmë e jetëdhënës, të liqerit dhe lumit, si shenjë e përjetimeve reale dhe ideale të lidhjes së fortë me vendlindjen dhe me atdheun, mbase të lidhjes së pazgjidhshme të secilit poet dhe krijues, me tokën dhe truallin ku u pati rënë koka, të larmisë së natyrës dhe të universit poetik të secilit poet.
C – Kënga e vallëzimit të piklave të ujit, të ujit të njelmët që vezullitet papra, si dy gjeratore të rrezëllimeve të perëndimeve diellore dhe të rrebeshit të shiut, dy grimat e qasjes së përveçuar të jetës së amshmit të natyrës, ku pipëlima e natës, që bashkohet dhe ndahet me perëndimin, kontraston me zhurmërimën dhe fëshfëritjejn e shiut të rrëmbyer, e shiut parverak, të cilat skicojnë tiparet e natyrës shqiptare. Kemi dy momente nga më të bukurit, në çastin e perëndimit të diellit dhe të rrebeshit të shiut. Padyshim, në bukurinë që përcjellin vargjet e secilës poezi, megjithë nuancat e ndryshme, luan rol edhe arti dhe mjeshtëria artistike e dy poetëve. Paralelet, e prekshme dhe fondamentale, ndërmjet dy poetëve, midis dy teksteve poetikë, të qëmtimit dhe shenjimit të përveçuar të letrares, skicimi dhe vizatimi gjer në gdhendje i linjave të natyrës, prania e melodisë tingullore dhe zhurmuese, tek Camaj, dhe heshturake dhe përpëlitëse tek Poradeci. Këto dy poezi, sa ç’janë të ngjashme si frymë dhe shprehësi, aq janë të largëta si teknikë shkrimore dhe shprehësi:
– Poezia “Poradeci” e Lasgushit, më e bukura e shkruar prej tij, që i kushtohet natyrës së vendlindjes së tij, Pogradecit, edhe pse me strukturë dhe teknikë klasike, është shkruar me vargje të thyera, të cilat i kanë dhënë poezisë një ritmikë të beftë. Poezia “Shiu mbi lum” e Camajt, nga më të spikaturat e tij në gjithë pentagramin poetik, tashmë të veriut dhe alpeve shqiptare, realizohet me strofa katërshe, të sfondit klasik, por njëherit ajo sendërton një cak të poezisë moderne, si tipologji dhe mendësi shkrimore.
– Poezia “Poradeci” matarohet me anë të vargut me gjashtëmbëdhjetë rrokje, ose me tetërrokëshin e dyzuar, një varg që hasim si gjurmë parake tek P. Budi dhe, në periudhën e Rilindjes tek N. Frashëri. Poezia « Poradeci » , për natyrën e vendlindjes, është ndërtuar nga një varg i prejardhur nga vatra e tetërrokëshit, që përbën vatrën kryesore të shqiptimit poetik të letrave shqipe, në krijimtarinë gojore dhe të kultivuar. Poezia “Shiu mbi lum” shpaloset me vargun dhjetërrokësh, një varg i bardhë dhe i pranishëm në poetikën e shqipes gojore, këtu vjen si një pasurim i teknikave shkrimore.
– Poezia “Poradeci”, në thelb dhe në parashtrim, në sipërfaqe dhe në brendësi të vargjeve, ka në qendër perëndimin e diellit, më gjurmët e hijedritave të përthyerjeve ditënatësore. Nga ana tjetër poezia “Shiu mbi Lum”, vendos në epiqendër çastin e rrebeshit të shiut, një çast i ndryshëm me të parin, pra poetikës lasgushiane, me rrebeshin e shiut vraparak, të cilat i shkojnë për shtat natyrave lirike dhe dramatike. Përafëritë ndërmjet dy poetëve, të dallueshëm në përzgjedhjen e çasteve dhe të poetikave, mjaft të ngjashëm në magjinë letrare, që e sendërtojnë, pra sidomos të teksteve poetikë, si shenjëzim ky i artit të pranishëm, si dhe ndryshueshmëria shkrimore mes dy poezive, ravizon artin dhe magjinë shkrimore të secilit poet. Nisur vetëm nga këto dy poezi, e para me natyrën e liqerit të vështjellë me rrezatimin e diellit që perëndon, po ashtu natyrën e lumit, të larë nën rrebeshin e shiut, vjeshtak apo i çdo stine qoftë, pra « Poradeci » e Lasgush Poradecit, si poet i shpallur liqerit, dhe « Shi mbi Lum » e Martin Camajt, si poet i lumit, mund të themi se kjo dyshe fatlume në arealin e poezisë shqipe, veçams të shekullit të njëzet, përfaqëson dy penat të ndritura të letrave shqipe, në lëvrimin e motivit të natyrës, padyshim të natyrës shqiptare, që rrezaton më përtej caqeve të dheut amë, madje duke qarkëzuar universin e këngëtimit poetik mbi natyrën universale.
Simfonia e papërsëritshme e gjumit
Atmosfera artistike, që përçojnë vargjet e poezisë “Shiu mbi lum”, çka bën që veshët dhe shpirti të kridhet në shungullima, me tërësinë e vetë si poezi, por edhe me oazet e pranishëm, të cilat sendërtojnë një simfoni të çuditshme dhe rrënqethëse, një simfoni marroke të moteve dhe stinëve, që si kryetingull ka piklat e shiut. Në këtë situatë të kontrastimit të fortë, të butësisë dhe ashpërsisë, lakonizmit dhe përgjithësimit, vjen këngëtimi i bukurisë së vrazhdë të natyrës në këtë pamje. Melodia e simfonisë së mrekullishme dhe të kombinuar ndërmjet pauzave dhe zhurmërimës, heshtimit dhe bubullimave, vetëtimave dhe territ, të shiut bredharak dhe lodërtar, i cili shkakton, në trup e shpirt një shkrehje, një përgjumje kapitëse, mbase një ikje në botën e përmallimit të natyrës së larme dhe të çuditshme. Pra, në kuptimin real dhe ireal, letrar dhe piktoresk, poezia e Camajt sendërton simfoninë e gjumit të thellë, e gjumit kapëlues, që ta galdon dhe zbukuron trupin dhe shpirtin, ku gati fshihet e gjithë bota përqark dhe ekziston vetëm tingëllima dhe melodika e shiut ritmik. Kjo simfoni, e larme dhe me ritëm të përveçëm, e tingujve të përzierë, rrjedh shpejt në kodrat dhe malet, rrëpirat dhe humnerat e shumta, mandej duke përçuar tek qenia njerëzore, pra tek njeriu, më shumë paqëtimin harmonik, ndonëse shpesh janë të pranishme edhe shenjat e mungesës së harmonisë.
A – Në vargun: “e pikat e shiut po bijnë mbi lum”, ku në mënyrë lakonike vizatohet një univers formal dhe funksional, i aktit të rënies së shiut, ku nuk merret vesh se në cilën stinë dhe në cilin mot po ngjet kjo gjëmë e dëshiruar, pavarësisht frikës dhe ankthit, si një tregues i shprazjes së lirë të natyrës, por edhe i mrekullimit të njeriut, me dëshirë dhe pa dëshirë, përballë kësaj pamje të rrebeshit të pikave, e sidomos vlaga që lë në nënvetëdijen e poetit, të cilat mrekullisht krijojnë muzikën tingullore dhe ritmike. Në substancën poetike, është thelbësore të vihet re ritmi i vargut, që të fanit një ritëm trumpete që po fashitet, madje i një trumpete me zhurmërima britmash dhe heshtimi, që gjithnjë e më shumë largohet prej aty drejt një mjegulle dhe reshë pa konture. Në këtë ikje të pashpallur, trokëllima e pikërrave të shiut, e ngjashme me ritmikën e trumpetës në largim të pashmangshëm, të pushton dëshiri për t’u shtrirë, në kraharorin e gjumit të thellë.
B – Në këtë vështrim vargu tjetër, po kaq prekës: “shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”, që fiton peshë specifike, organizuese dhe shprehëse, letrare dhe ndjesore, që ta paqëton shpirtin dhe gjithçkafin, e realitetit natyror dhe shpirtëror. Ky varg, nga më thelbësorit i poezisë për të prekur poetikën e shiut, vendos barazpeshën ndërmjet përgatitjes për t’u shtrirë dhe situatës së përgjumjes. Vargu i dytë, më tepër dëshmon pasojën, çastin e pashmangshëm, kur tingujtë melodikë dhe ritmikë, ta zatetin shtatin dhe arsyen, e pa e kuptuar ia beh gjumi dhelatar dhe përtritës, të mbytur në melodinë e trokëllimave të pikërrave të shiut, me kurbën e rrebeshit dhe gurgullimës. Kombinimi i të dy vargjeve, si rimë e alternuar (e këmbyer), në strofën e parë plazmon parapërgatitjen e simfonisë së gjumit. Kurse, si prani e tekstit poetik, veçmas në strofën e dytë të poezisë së lumit, nga gërshetimi i tyre shpërfaqet kulmi i simfonisë, një melodi paqëtuese dhe shtriqëse, si tonifikim i ritmit të pikave të shiut me ledhatimin e përgjumjes kapitëse. Në të tretën strofë të kësaj poezie, veçan për mënyrën e përjetimit dhe të sendërtimit poetik, zbulon kapitjen e plotë të njeriut dhe gjithçkaje përqark prej gjumit, lodërtar dhe dredharak, pra prej ndarjes së përkohshme nga jeta. Kuptohet se rima e alternuar (e këmbyer), është tregues dhe shenjë e tharmit klasik, porse bashkëkohorja dhe modernia në poezinë e Camajt, përgjithësisht, gjendet më së pari në frymimin e ri, mbase në formësimin e brendshëm të materies poetike, si një esenecë shkrimore dhe artistike e tjetërsojshme. Një aspekt tjetër i prekshëm melodik, padyshim i pranishëm në të trija strofat e kësaj poezie, ku skicohet lumi nën rrebeshin e shiut, vjeshtak dhe bredharak, madje duke u plasuar si një element formësues artistik, është edhe rima e alternuar (e këmbyer) ndërmjet vargut të parë dhe atij të tretë. Përftimi i simfonisë së gjumit, formalisht dhe estetikisht, preket vetëm si përfytyrim melodik, me zhurmërima të ndryshme, si një simfoni e akorduar mirë, por që shpesh e më shpesh edhe çakordohet dhe shprishet. Leximi shqiptimor, një mënyrë e hershme dhe moderne e lexmit të letrares, si tekst poetik, në prozë a dramatikë, herë me bërtima, herë me ca psherëtima lebetie dhe tmerri, i fjalëve dhe pauzave të secilit varg dhe strofë, i shoqëruar me tonalitet shprehës që e nxjerr më në pah shenjimin tingullor, të kërkuar dhe të shenjuar artistikisht nga poeti, i cili anon më së shumti nga simfonia, liriko-epike, që përkund shpresat dhe ëndrrat njerëzore, derdhur magjishëm në vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”.
Shkallëzim zbritës
Mjeti themelor, letrar dhe përçues i vlerave, i sendërgjimit të poezisë “Shiu mbi Lum”, është shkallëzimi i ndryshueshëm, mbase u shpëndërruar në një mënyrë efikase e sendërtimit poetik. Vihet re, tre strofat e poezisë së shiut dhe lumit, e poezisë së lumit, strukturojn një shkallëzim të qartë zbritës:
A – Poeti, i mallit dhe natyrës, i dheut dhe vendlindjes, teksa shprehet në vargun: “Mjegulla nga bjeshka ulet ngadalë”, i cili jep dëshminë e shkallëzimit poetik, si përvijim i udhës së zbritjes, që të përkujton linjat e holla piktorike, si dhe shkallëzimit që përputhet vetiu edhe me shkakun e shiut, pra me mjegullën, që mrekullisht dhe artistikisht parapërgatit sjellë edhe pasojën, rrebeshin e mëpastajmë.
B – Strofa e dytë e kësaj poezie, pasohet nga vargu: “Ujë a ba gjethi e teshat e blegës”, e sidomos ky varg i fundit, më tepër mesianik në frymë dhe shprehësi, i cili paraqet kozmogoninë e shiut, parajsën e pikërrave, në një ditë shiu me rrebesh. Pamja që ofron poezia, e ndërrueshme dhe përplot finesë, e përplotëson kuadrin e natyrës në përmbysje të vazhdueshme, mbase në një transformim tejet tronditës.
C – E treta strofë e poezisë me shi që lëshohet mbi lumin e vendlindjes, që lëshohet në dimër a vjeshtë, me vërtik dhe rrapëllima, ku qysh në krye të saj shpaloset mjedisi ku edhe luhen këto vezullime natyrore dhe ndjesinash të përndezuna poetike: “Në votër flaka po del krandeve”, duke zbuluar pamjen e plotë nga brenda të shtëpisë, ku jeta gati po fiket, kur bota jashtë vatrës më tepër fashitet. Përjashta, aty ku jeta e natyrës ekziston gjithmonëejetës, edhe nën thundrën e shiut dhe të vrundujve të dallgëve të lumit, sundon shkretimi frikësjellës dhe kolovitet një makth i parrëfyeshëm. Në mjedisin natyror dhe njerëzor, nënshtruar nga rrebeshi i shiut, e pas pak bri zjarrit, duke shijuar melodinë ritmike të pikave të shiut, poezia “Shiu mbi Lum” vjen me gjetje poetike, vargëzim të papritur dhe figurshmëri të ngjeshur letrare, të ngjashme me poetikën e Lasgushit tek poezia « Poradeci », por edhe me dallimet e shumta, që e shpërndërrojnë tekstin në një dukuri poetike të mëvetësishme.
Prania e heroit lirik
Vargjet e kësaj poezie, skicojnë portretin e heroit lirik të integruar si një prani e figurimit të letrares. Prania e tij spikatet në vargjet e kësaj poezie, me të cilat vizaton lumin e fryrë dhe zemërak, veçan perden e shiut dhe të rrebeshit të frikshëm. Nga njëra anë kemi natyrën me bukurinë e ashpër, ku edhe zbulohet relievi i përthyer i malit që rrëzohet vetiu në shtratin e lumit, pra natyra e larë në vezullimin e litarëve të shiut. Në anën tjetër heroi lirik, përjetues dhe meditativ, që avitet si një piktor mjeshtër ase si poet këngëtar, duke të ndërmendur aksiomin e Lesingut: “… se piktura është një poezi që hesht, ndërsa poezia është një pikturë që flet…”. Heroi lirik i kësaj poezie, ashtu si dhe tjetërkund në poetikën e Camajt, pavarësisht gjinive dhe llojeve letrarë të lëvruar prej tij, ku vetëm brenda një poezie kushtuar natyrës së vendlindjes, veçmas në ditën e rrebeshit të shiut është ndërshtënë edhe prania e heroit lirik. Nën trokun e pikërrave të shiut, që lëshon tinguj dhe melodi të këndshme, melodi tronditëse dhe të pëlqyeshme, trupi dhe shpirti i qenies lëkundet në përgjumje dhe shpërgjumje. Në përgjumjen ledhatare dhe fatlume të simfonisë së shiut, të simfonisë ku tingujtë dhe ngjyrat përzihen dhe përplasen kaq liksht, e natyrshëm përkundesh në krahët e gjumit paqesjellës dhe truplehtësues. Kjo prekël e shtrenjtë, e ngjashme me frymën dhe ëndrrën, hyjnoren dhe tokësoren e përjetësisë, pra vendlindja e dashur, atdheu i lënë diku larg, jo prej dëshire, po prej përzënies së përdhuntë.
Përpushje stilistike autoriale
Vargjet e poezisë “Shiu mbi Lum”, përveç harmonisë ritmike, tronditëse dhe plot ngjyra, si dhe tonalitetin muzikal, dëshmojnë praninë e mjeteve stilistike unike:
– Metafora e vendlindjes, si atribut identifikues dhe shenjues, shpirtëror dhe dëshmi e tipareve që bart secili individ dhe komunitet, si mal dhe lumë, breg dhe pyll, mjedis dhe qenie, ku i pari, pra mali shenjon forcën, ndërsa lumi shenjtëron lëvizjen e pandërprerë, si dinamikë, si ftohmë dhe shi, si bashkëshoqërues të dy tipareve të mëparshme.
– Metafora e lumit, me ujë të njelmët, të mbytur nën rrebeshin e shiut dhe trokëllimave melodike, të mbështjellur më vellonë e bukur të pikërrave të shiut që ka mbërthyer botën anekandes dhe e ngjyen dhe përthyen me gjurmë ekzistence jetën e gjithshkafit.
– Metaforika e shpirtit, të dashurur në atë vend të perëndishëm, mbase ca më fortë e shpirtit të mërguar padrejtësisht në dhe të huaj, e shpirtit që vuan, lëngon dhe krenohet për bukuritë rrezëllitëse të lumit, e shiut të rrëmbyeshëm dhe malit të lartë.
– Metafora e shiut që bie pa pra dhe me vërtik, e trokëllimat e tij jehojnë anekand botës, e mandej jehon ca më tepër në lebetima të natyrës së mbështjellur në krahët e shiut, e cila shpërhapet anë e përreth gjithë planetit.
– Metafora e mjegullës, me ngjyrimin e vet gri, e mjegullës së tejdukshme dhe të larë me pikërrat e shiut, e cila bart me vete shansin dhe mundësinë e pikave të shiut, zbukuron me tisin e hirtë malet dhe lumin, ku shfaqen pamjet përrallore dhe fantastike.
– Metafora e gjethit, e gjethit si pemë e goditur dhe përkëdhelur nga shiu dhe bora, era dhe ftohma, e gjethit të rrëzuar nga vjeshta dhe vrullimi i shiut.
– Metafora e votrës, patjetër e votrës si djep dhe anije fluturimi, e votrës si jetë dhe amshim, mbase si epiqendër e universit të vendlindjes. Vatra, në mbamendjen shqiptare dhe në vetëdijen e poetit, shpërfaqet si ngrehina e përjetësisë, madje edhe si caku i vetëm i qëndresës së njeriut, pavarësisht ku gjellin, si liqeni paqëtues i mikut dhe vetë Zotit, si fryma nga ku merr udhë ekzistenca dhe vetë mbijetesa e njeriut, më përtej rrathëve kohorë dhe hapësinorë.
Kontrasti i klithmës poetike
Materia e poezisë “Shiu mbi Lum”, tekst ritmik dhe melodik. Kjo klithmë, shpirtërore dhe poetike, lartohet duke patur si themel kontrastin ndërmjet dy gjendjesh:
A – Nga njëra anë shiu dhe lumi, të cilët kalamenden në zemëratën e habitshme, të endur poetikisht. Ashpërsia e rrebeshit të shiut, dihet se prehet dhe mbytet në lum, aty pranshëm, mbytet si përheri, se ka qenë jeta. Peshë specifike dhe letrare në realizimin e tablosë së plotë të natyrës, së transformuar nën vellonë e rrebeshit të shiu, si në vargun: “e pikat e shiut po bijnë mbi lum”, që krijon koloritin melodik dhe zhurmues, ku sërish harmonia pilikundet nën ethet e mungesës së harmonisë.
B – Në anën tjetër ndjenjat dhe mendimet e heroit lirik, ngarkesën e subjektivitetit, e përndezjes lirike të heroit lirik, e bart vargu: “shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”, i cili rretheqarkon fundin e secilës strofë të kësaj poezie, madje me një ritëm të thekur trompete.
Poezia “Shiu mbi Lum”, një tekst antologjik, hynë në ato vlera të rralla si krijime të shkrimtarit, por edhe të letërsisë shqipe bashkëkohore, formaton nivelin më të lartë poezishkrimor për adhurimin e natyrës së vendlindjes, natyrës së kapërthyer nën ethet e shiut, e prekshme kjo në shprehësinë e artikuluar dhe ritmikën poetike të endjes së poetikës së lumit.