Dy bukuritë
Ajo që ka thënë Platoni për të bukurën, vazhdimisht i ka shtyrë njerëzit të mendojnë. Gjithashtu, ai ka dalluar dy tipa të bukurisë: bukurinë që kapet nga shqisat dhe bukurinë që kapet nga intelekti. Ai ka thënë se bukuria që kapet nga shqisat është një grackë, sepse, që bukuria të ketë kuptim, duhet që kuptimi t’i paraprijë bukurisë, me qëllim që t’ia hapë rrugën. Mirëpo kur sundon shqisorja, kur kuptimin e prodhon shqisorja, asnjë kuptim nuk është në gjendje që të vijë e të hedhë dritë mbi bukurinë, meqenëse mund të prodhojë kuptim çdo formë e shqisores, me kusht që ajo të jetë shqisore. Gjithashtu nuk duhet ta keqinterpretojmë Platonin. Duke thënë se bukuria që kapet nga intelekti, qëndron më lart se bukuria që kapet nga shqisat, Platoni nuk është nisur nga urrejtja ndaj shqisores, por ka dashur të shpëtojë këtë të fundit. Ilustrim i këtij qëndrimi është shkalla e bukurisë te Banketi. Sa më shumë që shtohet kuptimi, aq më shumë shtohet dehja nga bukuria. Kjo provon, se mendimi jo vetëm nuk e zhduk pasionin, por përkundrazi i jep mundësi të shpërthejë më me vrull. Mendimtarët që erdhën pas Platonit, nuk kanë gabuar lidhur me këtë çështje. Tek ideali platonian, ata nuk kanë parë një arratisje në një botë të çmishëruar, por përkundrazi kanë parë forcën lëvizëse të pasionit. Kjo gjë shpjegon rëndësinë që pati platonizmi në kulturën oborrtare (khr. Denis de Rougemont, Dashuria dhe Perëndimi, Plon, 1970) (ashtu dhe në humanizmin e Rilindjes.
Bertrand Vergely
Platoni (427 – 347 para Krishtit)
Nga REPUBLIKA
Tani a dëshiron që, duke u mbështetur në këta shembuj, të kërkojmë të marrim vesh se çfarë mund të jetë imituesi?
Po deshe, tha ai.
Kështu, ka tri lloje shtretërish: një shtrat që ekziston në natyrën e gjërave dhe për të cilin mund të themi, mendoj, se Zoti është autori i tij, përndryshe kush do të ishte?…
Sipas mendimit tim, nuk do të ishte askush tjetër.
Një shtrat i dytë është ai që bën marangozi.
Po.
Dhe një i tretë është shtrati që bën piktori, apo jo?
E zëmë se është kështu.
Kështu, piktori, marangozi, Zoti janë tre persona që kanë në dorë krijimin e këtyre tri lloje shtretërish.
Po, tri lloje.
Dhe Zoti, qoftë se nuk ka dashur të veprojë ndryshe, qoftë se ka qenë i detyruar nga ndonjë domosdoshmëri për të bërë në natyrë vetëm një shtrat, ka bërë vetëm atë që realisht është shtrati, por dy shtretër të kësaj natyre apo disa shtretër, Zoti nuk i ka prodhuar kurrë dhe nuk do t’i prodhojë.
Përse? Pyeti ai.
Sepse po të bënte vetëm dy, prej tyre do të shfaqej një i tretë, forma e të cilit do të riprodhohej nga ata dy të tjerët dhe shtrati real do të ishte pikërisht ky, nuk do të ishin dy të tjerët.
Ke të drejtë.
Mendoj se Zoti duke e ditur këtë gjë dhe duke dashur të jetë realisht krijuesi i një shtrati real dhe të mos jetë fabrikuesi i një shtrati të veçantë, ka krijuar këtë shtrat unik për nga natyra.
Me sa duket po.
Pra, a dëshiron ta quajmë Zotin krijuesin e natyrshëm të këtij objekti apo të quajmë me ndonjë emër tjetër të ngjashëm?
Kjo do të jetë e drejtë, tha ai, sepse Zoti ka krijuar natyrën e këtij objekti dhe të të gjitha gjërave të tjera.
Po marangozin? A do ta quajmë atë punëtorin që bën shtratin apo jo?
Po.
Po piktorin, a do ta quajmë punëtorin dhe krijuesin e këtij objekti?
Aspak.
ARTI ËSHTË INTENSIFIKIM I REALES
Kur u dha autonomi shkencës, moralit dhe estetikës, Kanti zhvilloi një filozofi të kulturës, duke synuar që të tregonte se kishte disa mënyra për ta trajtuar realitetin. Kur e bëri këtë gjë, ai krijoi një konceptim të ri për unitetin e mendjes njerëzore, duke u bazuar te ndryshimi dhe vuri në dukje se kultura që i diferencon aftësitë e ndryshme të njeriut, është gjithashtu ajo që i bashkon. Ernst Cassirer-i që e quan veten si trashëgimtar të Kantit, e vazhdoi projektin e tij për ta konsideruar filozofinë si mendim për kulturën. Kjo gjë e shtyn të bënte dallimin midis mitit, artit, ligjërimit dhe shkencës. Kështu, artin dhe shkencën i ndan një hendek, meqenëse shkenca kërkon ta abstragojë botën reale, përkundrazi, që të mund ta njohë atë, arti kërkon ta bëjë sa më të kapshme nga shqisat, me qëllim që t’i japë një ndjeshmërie kolektive. Sidoqoftë, ndonëse janë të kundërt, arti dhe shkenca bashkohen me njëri-tjetrin, sepse të dy eksplorojnë një botë reale që nuk është as vetëm abstrakte, as vetëm e vetëm konkrete, sepse para së gjithash dhe kurdoherë ajo duhet të zbulohet, duhet të eksplorohet, duhet të imagjinahohet. Këtu e ka burimin e vërteta e veçantë e artit, e cila qëndron te ndihma që na jep për të deshifruar realen përmes intensifikimit që i bën asaj.
B. Vergely
Ernst Cassirer (1874-1945)
Nga ESE PËR NJERIUN
Si të gjitha format e tjera simbolike, arti nuk është riprodhim i thjeshtë i një realiteti të dhënë, të gatshëm. Ai është një nga rrugët që të shpien te një vizion objektiv për gjërat dhe për jetën njerëzore. Ai nuk është imitim, por është zbulim i realitetit. Megjithatë natyra që zbulojmë përmes artit, nuk është ajo për të cilën na flet dijetari. Ligjërimi dhe shkenca janë dy mënyrat kryesore që na japin mundësi të krijojnë dhe të përcaktojmë konceptet tona për botën e jashtme. Ne duhet t’i klasifikojmë perceptimet e shqisave dhe t’i mendojmë në formën e nocioneve të përgjithshme dhe të rregullave universale, me qëllim që t’u japim një domethënie objektive. Një klasifikim i tillë është rezultat i një përpjekjeje të vazhdueshme drejt thjeshtëzimit. Në të njëjtën mënyrë vepra e artit parakupton një veprim të tillë kondesimi dhe përqëndrimi (koncentrimi). Kur Aristoteli deshi të përkufizonte atë që e dallonte realisht poezinë nga historia, ai ngulmoi te metoda. Ai thotë se një dramë paraqet një aksion unik (mia praxis) që formon në vetvete një tërësi të plotë, që ka tërë unitetin organik të një krijese të gjallë; kurse historiani nuk duhet të shikojë me vërejtje një aksion të vetëm, por duhet të shikojë me vërejtje një periudhë të vetme dhe të gjitha ngjarjet që u kanë ndodhur një njeriu të vetëm apo disa njerëzve gjatë kësaj periudhe, sado të pavarura që mund të kenë qenë ato ngjarje.
Në këtë kuptim, si e bukura ashtu dhe e vërteta mund të karakterizohet me të njëjtën formulë klasike dhe të thuash se ato janë “një unitet brenda diversitetit”. Por në të dy rastet, nuk vihet theksi mbi të njëjtin aspekt. Ligjërimi dhe shkenca janë paraqitje të përmbledhura të botës reale. Arti është intensifikim i reales. Ligjërimi dhe shkenca mbështeten tek i njëjti proces abstragimi. Artin mund ta paraqesim si një proces të vazhdueshëm konkretizimi. Përshkrimi shkencor i një objekti të dhënë niset nga një numër i madh vëzhgimesh që në pamje të parë formojnë një konglomerat të paqëndrueshëm faktesh të shpërndara. Por sa më shumë që të shkojmë përpara, aq më shumë këto dukuri të veçanta kanë prirje për të marrë një formë të përcaktuar dhe për të ndërtuar një të tërë sistematike. Shkenca kërkon tiparet thelbësore të një objekti të dhënë, nga të cilat mund të nxirren cilësitë e tij të veçanta. Në qoftë se një kimist di numrin atomik të një elementi, ai zotëron një tregues që i jep mundësi të njohë me saktësi strukturën dhe përbërjen e tij. Nga ky numër, ai mund të nxjerrë të gjitha veçoritë karakteristike të elementit. Mirëpo arti nuk e njeh këtë lloj thjeshtëzimi konceptual dhe këtë lloj përgjithësimi deduktiv. Ai nuk kërkon cilësitë apo shkaqet e gjërave, por na jep mundësi që me intuitën tonë të marrim me mend format. Megjithatë nuk është fjala për një përsëritje të thjeshtë të diçkaje që tashmë ka ekzistuar. Arti është një zbulim i vërtetë, autentik.
Përktheu: Anton Papleka