More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFrano Kulli: Përtej keqnjohjes e keqkuptimit të Kanunit

    Frano Kulli: Përtej keqnjohjes e keqkuptimit të Kanunit

    Shënime rreth librit “Doke dhe tradita- një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër Kanunet Shqiptare” të dr. Gelanda Shkurtajt

    Qysh në fillesë të tekstit të saj, kur nënvizon se: Leka nuk është krijuesi i kanunit e se emërtimi vjen si influencë e fortë e princit në Lekët (krahinë në Malësinë e Madhe), autorja e librit “Doke dhe tradita- një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër kanunet shqiptare”, dr. Gelanda Shkurtaj na bën me dije një konstatim serioz për ta orientuar lexuesin e dëshiruar drejt kuptimit të saktë të thelbit të tij.

    Kanuni, i Lek Dukagjinit është përmbledhja e normave zakonore,  që ka rregulluar jetën e jetesën e popullit të maleve atje ku ka funksionuar. Me siguri , normat  zakonore kanë ekzistuar edhe përpara se “princi i përfolur” Lekë Dukagjini [perifrazim sipas titullit të monografisë së T. Ç] të kishte arrit në atë stad të emrit të tij sa ti  mveshej atij Kanuni i një krahine të të gjërë e të rëndësishme dhe administrimit të jetesës së banorëve arbër të atyre trojeve. Kurse etnografi e antropologu At Shtjefen Gjeçovi e përjetësoi  si një vepër konstituive, me kodifikimin që i bëri. I botuar , pastaj në vitin 1933, 4 vjet mbasi ai kishte ndërruar jetë, nga bashkëvëllezërit e provincës françeskane shqiptare, nën përkujdesjen e mikut të afërt fort, Poetit Kombëtar Gjergj Fishta, ka përshkuar rrugën e diskursit publik me kuptime e moskuptime, a me keqkuptime e me anatema gjithashtu, çka e ka thirrë kurdoherë në nevojë hulumtimin e interpretimin e tij. Sidomos përreth dilemës: kanuni-normë zakonore apo normë ligjore. Apo të dyja bashkë. Dhe këtu futemi në thelbin e trajtesës që autorja Shkurtaj e ka si lajtmotivin e veprës së saj. Ndryshe prej studiuesve e hulumtuesve pararendës, të cilët qëndruan në rrafshin e sipërm , konstatues e pohues pa hyrë në interpretime të normave e nyjeve të Kanunit. Edhe vëzhgues seriozë të antropologjisë së shqiptarëve si Franc Nopça, Edith Durham, Giusseppe Valentini apo Ernesto Cozzi nuk u ndalën në interpretime juridike të nyjeve të Kanunit. Ata mblodhën të dhëna, i publikuan e i lanë ndër libra si dëshmitë studimore më të besueshme antropologjike, po nuk i interpretuan juridikisht ato. Ndërsa autorja Shkurtaj, shfaqet mjaft e interesuar në njohjen e thellë të këtyre normave të kanunit të Lekë Dukagjinit, në radhë të parë, po edhe të 6 kanuneve të tjera më pak, si ai i Skënderbeut, Pukës, Dibrës, Lumës, Bendës (Malësisë së Tiranës) dhe i Labërisë pak më tepër. Tek ky i fundit sidomos, ajo kërkon të gjejë modelin e qasjes në sipërmarrjen e vet studimore tek studiuesi i shquar, prof. Ismet Elezi, i cili, siç shprehet autorja:” jep një panoramë të përgjithëshme në lidhje me të drejtën penale të shqiptarëve, duke e vendosur Kanunin në dimensionin e një korpusi normash, të cilat kanë vlerë nga konteksti i një të drejte pozitive…si një grup normash juridike që kanë përbërë në njëfarë mënyre kushtetutën dhe përmbledhjen e të gjitha kodeve të malësorëve.Dhe qasja është interpretimi jo vetëm doksor, antropologjik, po, për më tepër juridik, çka i shkon më për shtat edhe formimit parësor të Dr. Shkurtajt dhe këtu ajo vendos piketat e studimit të saj. Autorja perdor konceptin e legjislatorit (popullit) për kanunin. E kjo është edhe risia e plotpërputhëshme me këndvështrimin që ajo zgjedh për trajtimin e çeshtjeve që parashtron. Gjithnjë në kërkim të zgjidhjes së dilemës, normë zakonore  apo normë ligjore, duke iu referuar për këtë edhe prurjeve më të spikatura të teorive e shkollave europiane të antropologjisë e sociologjisë me përfaqësues si Max Ëeber apo Émile Durkheim e të tjerë.

    Në këtë rrafsh logjik e shkencor ajo operon duke sjellë gjithnjë krahasime me korpuse ligjore e kushtetuese të vendeve të zhvilluara. Njëri nga shembujt e shumtë krahasues, është ai i shpikjes e përdorimit të gijotinës në Francën e fundshekullit 18, për ekzekutimin e dënimit me vdekje. Ajo erdhi si shpikje mbasi forcat kundërshtuese shfaqën ankesën se me vdekjen e menjëherëshme, që aplikohej deri atëhere,  i dënuari nuk e vuante meritueshëm atë që duhej të vuante për krimin që kishte bërë. Dhe kështu u shpik makina ekzekutuese e vrasjes – gijotina që të dënurit ia sillte vdekjen disi më të ngadaltë e për pasojë vuajtjen më të madhe. Kurse në Kanù një formë dënimi e gjakmarrjes, është ngujimi. Një formë krejt e ndryshme por mjaft e përvuajtshme.

    Sikundërse një veçori përbën respekti për kufomën e vrarë për këtë shkak (gjakmarrjes). Pas vrasjes, kufomën duhet ta kthesh me fytyrë nga qielli dhe në rast se dorasi (vrasësi) nuk e bën këtë për rrethana të rastit, të parit njeri, që takon në rrugë ia kërkon këtë gjë, si detyrim i tij, pra i vrasësit, në rrespekt të kufomës. Një rregull ky i pandeshur në raste e vende të tjera. Që bashkë me të tjerë rregulla të korpusit të gjakmarrjes synojnë pezullimin e parandalimin e fenomenit e jo cytjen e përsëritjen  e pandalesë të tij. Ose si “rregullator i shoqërisë fisnore”, siç e konsideron Max Ëeber, i cituar në këtë libër.

    Ndërmjet kuptimit dhe keqkuptimit (termi i huazuar nga titulli i librit të Nd. Dedajt) rëndesën më të madhe përgjatë kohëve e ka pasë zënë dhe e zë  roli i gruas, sidomos në trajtesën e fenomenit të gjakmarrjes. Pikëndalesë ngërç është Nyja njizet e nandë e cila titullohet “Grueja asht shakull per me bájtë” dhe teksti i nyjës vijon: “Grueja njifet si calikë per me bajtë sa të jetë në derë të burrit, se prindja s’hjekin dore prej sojet, e ndalin per vedi e mbi vedi të përgjegjmen per té, por edhe me lypë arsye, me ba me e gjetë gjá

    Në libër ajo merret në mbrojtje duke e kundërshtuar qëndrimin abuziv që i është bërë e i bëhet ende sot si reminishencë e së shkuarës, (sidomos në kohën revolucionare të luftës kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare) trajtimit të gruas nga kanuni si një qenie pak mbi shtazën, se ajo nuk vleka më shumë, përveç se me bajtë. Ose, interpretimi edhe në kohët e reja e ende sot, si një mall në duart e mashkullit. Dhe këtu zë fill edhe kumti që autorja e ndesh si “shuplakë” diku në zyrat policore të Italisë europiane, kur shërbente si konsulente ligjore në ato zyra: “vajzat shqiptare na kanë thënë se shfrytëzimi i tyre në rrugët e Italisë bëhet, pasi ,sipas Kanunit tuaj, femra është një mall në duart e mashkullit dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë me të, ta shesë, ta blejë dhe ta vërë edhe si një mall në rrugë…” Dhe ky kumt, sa i pavërtetë aq edhe poshtnues, nuk ka mbërrijtë vetvetishëm atje. Atje e këtu e kemi përcjellë vetë ne shqiptarët , me keqkuptimin e madh e të paprerë që kemi shfaq e shfaqim për kanunin.

      Shpesh , në mënyrë banale është barazuar bajta me mbartjen e një barre dru në mal a një barre dushk për bagëtitë. Pa njohur aspak jo kuptimin e figurshëm, jo e jo, po as kuptimin e drejtpërdrejt të fjalëve të përdorurë në këtë nye të Kanunit. Unë besoj se keqkuptimi i paragjykuar zë fill te mos njohja e kuptimit të këtyre dy fjalëve-emra sinonim: shakull, që në fjalorët e shqipesshpjegohetlëkurë sqapi a dhie e punuar si thes, për të vënë brenda bulmet (djathë, gjalpë, gjizë) dhe calikëkacek,rrëshek, rrëshiq, lëkurë dhie që përdoret për të mbajtur vaj, verë, gjalpë. Madje, e gjejmë të shpjeguar edhe në “Fjalorin e “Bashkimit”- (Fialuer i rii i Sheypes- Perbâam prei Shochniiet t’ Bashhkimit, 1908).

    Siç shihet, edhe në kuptimin e parë emrat e përdorur në këtë nyje të kanunit, janë mjete që mbartin gjallësi, mbartin ushqimet bazë që mbarështojnë jetën e vijimësinë e saj. Pra, grueja, në derë të burrit është “shakulli” a “caliku” që mbart jetën (fëmijën), ripërtëritjen e saj e ndaj për këtë ajo është e paprekëshme prej gjakmarrjes. “Me e gjetë gjá gruen, per faj të burrit, prindja e kësaj lypin arsye me kanù”, dhe duke nënvizuar këtë nye nga Kanuni, dr. Shkurta, argumenton se: Fakti i dhënies llogari përpara familjes së gruas, parashikuar në kanun, edhe në rastin e mardhënies adultere (kurorëprishjes apo tradhëtisë bashkëshortore), që gjithsesi konsiderohej një turp i madh është tregues i interesit dhe rolit që ajo kishte në shoqëri”. Pra “Grueja s’bjen në gjak”- “Grueja l’shon në gjak prinden”, na fton të kuptojmë parekshmërinë e gruas. E në saje të kësaj paprekshmërie gati hyjnore, në rastin e gjakmarrjes, kur burrit i duhej me u ngujue, pra mos me mujtë me dalë jashtë shtëpie, atëhere gruas i binte kjo barra e rëndë e barrëve, e e të bajtunës. Unë, mendoj se më shumë se shenjë inferioritetit është sanksion preventivues, parandalues i vrasjes së gruas; më shumë se nënçmim është vlerësim që ligjëron me të gjitha mënyrat doksore mbrojtjen e gruas , të femrës, në përgjithësi. Jemi në lëmin e vlerësimit të gjakmarrjes jo si luftë, por si një mënyrë dhënie drejtësie, siç e çmon antropologu Nebi Bardhoshi i sjellë shpesh si referencë në libër. Në këtë qasje, mendoj vijnë edhe sanksionet që ka Kanuni në gjakmarrje kur në ndërmendje është gruaja.

    Libri shtjellon, shpesh deri edhe në imtësi, elemente të Kanunit të Lek Dukagjinit, duke rrokur  edhe plot trajtesa të të tjera fushave që janë objekt i tij, gjithnjë me ndalesë preferenciale te qasja juridike e nyjeve të tij, e ballafaqimi me  të drejtën shtetnore ose “ecja në dy binarë paralelë” me të. Ballafaqjet (krahasimet) merren që nga koha e Turqisë apo më vonë me vendetta-n [hakmarrjen, gjakmarrjen] italiane dhe deduksionet që përftohen lënë gjurmë besimplote në shijen e lexuesit për rrokje e trajtimin me mjaft kompetencë të korpusit delikat të dokeve e traditave tona….

     Theks e vëmendje në libër merr gjithashtu edhe ecuria vetëreformuese e tij. Si p.sh momenti që cilësohet edhe këtu se: në kanunin e vjetër , gjakmarrja mbyllej me vrasjen e dorasit “gjaku për gisht”, shënohet në Kanù dhe jo sikurse del më pas në variantin më të ri që çeshtja mbetet e pambyllur, se bishtnon në derivate të tjera. Imzot Ernesto Cozzi e ka një shpjegim për këtë ndryshim: “Dispozitat e herëshme të kanunit të maleve, shkruan ai në “Studime etnologjike të Shqipnisë së epërme” janë të ndikueme prej fesë e prej të përpjekunit me qytetin shumë ma tepër në Malësinë e Madhe se sa në të Voglen, [Dukagjini, Pulti, Shoshi; Shllaku] ku kanuni e ruejti me lehtësi formen e vet të herëshme, ndonëse edhe këtu paraqet shumë motërzime, që kanë ardhë me kalimin e kohës.” Ndaj edhe në ndihmë të tij (kanunit) vijnë edhe  forma e mënyra të tjera, të mbinatyrëshme si Beja, p.shnjë institut juridik, siç e konsideron autorja që gjindet në të shtatë kanunet. Ose shkuesia e dorzanía një tjetër institut juridik i gjakmarrjes (nye 134 e 136 i Kanunit të L.D), të cilat erdhën në nevojë atëherë kur mbyllja e gjakmarrjes e tejkaloi vrasjen e dorasit.

    Në përfundim të këtyre radhëve po ritheksoj se libri është , sa një kontribut serioz në ndërmendjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit, po aq edhe një ftesë e hapur për albanologë e juristë për t’u thelluar në të ardhmen në një aset kaq të çmuar të trashëgimisë sonë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË