More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBlerina Suta: Për një poetikë krahasimtare në studimet shqipe: perspektiva historiko-letrare e...

    Blerina Suta: Për një poetikë krahasimtare në studimet shqipe: perspektiva historiko-letrare e Ali Xhikut

    Lexo këtu pjesën e parë.

    Pjesa e dytë: Alternativa materialiste e qasjes historiko-letrare në veprën “Një pasqyrë e Shqipërisë letrare 1945-1961”

    I konceptuar në tri blloqe të rëndësishme, ky vëllim i Ali Xhikut, botuar nga Akademia e Shkencave (Tiranë 2022), i qaset instalimit të realizmit socialist në tri këndvështrime: së pari si një rindërtim kronologjik dhe i problematizuar i sektorëve skajshmërisht të polarizuar të raportit letërsi-ideologji; së dyti, si një trajtim i çështjeve më të përgjithshme teorike me të cilat u mor mendimi letrar shqiptar; dhe së fundmi, si historishkrim në formën e një boce historiko-letrare të zhvillimit të gjinive në këtë periudhë.

    Duke ndjekur hullinë e metodologjisë kritiko-materialiste të konsoliduar edhe në sprovat e mëparshme, autori përvijon transformimin që “realizmi socialist” -jo rrymë, por “metodë”- (kategori e turbullt lidhur me “parapëlqime intuitive”), i bëri prodhimit letrar në Shqipërinë e pasluftës, si në pikëpamje të ‘vizionit’ mbi botën, të “rrafshët dhe të thjeshtëzuar”, ashtu dhe në pikëpamje të zhvillimit gjinor, krahasuar me trashëgiminë e viteve 1930.

    I bindur se analiza e “ndryshimit të mënyrave të jetësimit të një gjinie të dhënë” është rruga e duhur e historianit për të mënjanuar “trysnitë e politikës dhe të shijeve të kohës së tij”, Ali Xhiku ka dëshmuar distancën e duhur emocionale nga epoka relativisht e afërt, për të rindërtuar hap pas hapi, me mjetet e kritikës historiko-letrare, faktin e imponimit të një metode “letrare” që do t’i shërbente “pushtetit politik”. (f. 111).

    Nuk mungojnë në këtë histori letërsie deklaratat metakritike për metodën e historishkrimit, që duhet të synojë domethënien e tekstit, si përgjigje ndaj prirjes bashkëkohore të lulëzimit të pamjeve strukturaliste, të papranueshëm kur vëzhgimet mbi stilin e poetit “kujtojnë se mund të abstragojnë dhe kthejnë në skema teknikat e krijimit të së bukurës, duke kaluar shpejt dhe pa vëmendjen e duhur mbi fluksin e mendimeve dhe të ndjesive të tij […*]” (f. 171).

    Ky pohim shkon në të njëjtin rrafsh me parimin se historia e letërsisë mund të shkruhet duke u nisur vetëm nga një parim bazik pune që shkon nga “lënda” te “përfundimi”, përdorur në metodën krahasimtare të veprës Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe (1555-1944).

    I ndërgjegjshëm që një studim i tillë mund të marrë domethënie vetëm në formën e një “gjykimi kritik”, autori zbulon haptazi dhe me vetëdije intelektuale, qysh në parathënie, sfidën dhe natyrën delikate të studimit të një epoke, që përcjell konflikt të fortë dhe ndjeshmëri në një vend si Shqipëria ku motivet politike “për të jetësuar një doktrinë, refuzonin prerazi çdo pikëpamje dhe çdo krijimtari tjetër” dhe imponoheshin si i vetmi qëndrim “vërtet shkencor”.

    Rrafshi dokumentar dhe sistematizues i këtij vëllimi, sendërton hap pas hapi itinerarin e instalimit të realizmit socialist në Shqipëri.

    Njohja e lexuesit të sotëm me përmasën që mori ashpërsia e censurës në raport me ndikimin që mund të kishin pasur “izmat” e letërsisë perëndimore tek autorët, qasje në thelb e ndryshme me atë të etërve te marksizmit- është një operacion i vazhdueshëm në këtë “pasqyrë” dhe njëherësh i nevojshëm.

    Imitimi i prurjeve teorike të shkollës ruse, përndiqet nga Xhiku në radhë të parë në rrafsh të ‘gjuhës’ kritike, që shoqëroi vendosjen e metodës së realizmit socialist, semantika e të cilës zhvendoset nga kategoritë burimore marksiste (të Marksit edhe Engelsit) drejt skajeve ideologjike të modelit sovjetik, i cili i “mekanizon hapur” ato.

    Evidentimi në mënyrë të saktë i 1947, viti kur u përdor termi “realizëm socialist”, i përkthyer prej termit rus si tregues i “një letërsie tjetër” (f. 37), shoqërohet me përshkrimin e tjetërsimit në përdorim të termit “romantizëm” apo “letërsi klasike universale”, në funksion të një “letërsie të standardizuar” e cila për Xhikun, “dëshmon qartë  me vepra patetiko-entuziaste […] dëmin që i bëhet cilësisë artistike të veprave”. (f. 44).

    Materiali i pasur që shoqëron këtë historik, përfshin forumet dhe kongreset partiake, të cilat shoqëroheshin nga forume paralele dhe ndihmëse të organeve të krijuara për shkrimtarët.

    Përdorimi i sloganeve të njohura të barazisë dhe lirisë, për të justifikuar instalimin e diktaturës së proletariatit, i ndryshuan kahje parimeve të realizmit dhe të vërtetës në art, duke mos qenë më në shërbim të natyrës së veçantë të artit.

    Idetë e Hegelit për të bukurën në art, receptimi i tyre prej Engelesit, nuk penguan krerët e qeverisë të nisur prej pragmatizmit të “cenonin prirjen e natyrshme të letërsisë për t’u shfaqur dhe për të ekzistuar si realitet i së bukurës”. (f. 115).

    Vendimet e Konferencës së III-të të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, (1950), ku theksohet se “në qoftë se me gjithë përpjekjen t’onë, s’do mund të kuptojnë dhe, nënë këtë maskë, do përpiqen të pengojnë udhën t’onë, të jenë të sigurt se puna ose lufta jonë do t’i eliminojë”, (f. 28), shpërfaqin para lexuesit të sotëm përmasën e vërtetë të egërsisë që do të marrë pushteti, “shprehje të luftës së klasave”.

    Lidhja e shkrimtarëve, nga një organizatë gjithëpërfshirëse e autorëve më të mirë do shndërrohet në një organizatë vegël e pushtetit të Partisë, me përjashtimin nga radhët e saj të figurave të demokratëve progresistë, si: V. Prennushi, E Haxhiademi, Dh Pasko.

    Përshkrimi i klimës dyshuese, apo “kundërshtuese” ndaj pikëpamjeve partiake për letërsinë, duke iu referuar fatit të K. Trebeshinës, M. Ndojës dhe M. Myftiut, sqarojnë përfundimisht se ky i ashtuquajtur “grup i vogël”, i vënë në shënjestër të censurës dhe të organeve kontrolluese të partisë, nuk botoi asgjë nga pikëpamjet e tij (që me gjasa mund të gjendet në formë epistolarësh), duke mos mbërritur, në fakt, të jenë disidentë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

    Rrafshi teoriko-estetik i kategorive të prekura nga metoda e realizmit socialist përfshijnë të vërtetën dhe të bukurën në art, kanonin e së shkuarës, përdorimin në funksion të ideologjisë të gjinive letrare, poezisë, prozës, romanit dhe dramës, deri te përdorimi i metrit të vargut të lirë si poetikë.

    “Vullneti jashtëletrar” dhe “thjeshtëzimi i së bukurës”, janë dy çështje që plotësojnë njëra-tjetrën nga pikëpamja e evoluimit historik dhe teorik të mendimit letrar shqiptar ndër vitet 1945-1961, kur u ndalua dhe në mënyrë të pandërgjegjshme çdo prodhim tjetër letrar që nuk ndiqte normat e realizmit socialist.

    Së pari, raporti me traditën në Shqipëri u thjeshtëzua dhe krejt ndryshe nga koncepti leninist i dy kulturave (në vlerësimin që Lenini i bëri veprës së Tolstoit, përfaqësues i shtresës fisnike), marrëdhëniet midis trashëgimisë dhe letërsisë së paskëtajme  u bënë “krejt politike”.

    Ndonëse e sipërfaqshme, rindërtohet panorama letrare para viteve `44, me aftësinë e saj receptuese të modeleve dhe llojeve letrare (ndonëse shpesh me “ndjesi gjysmë të pavetëdijshme e të pavërejtura më parë”), të poezisë subjektive, të prozës që shfaqte në pak kohë tipare të lexueshme kompozicionale dhe modele gjinore nga më të ndryshmet.

    Tradita letrare me autorë si Fishta e Konica, të vlerësuar deri në vitin 1945, filluan të përmbysen në ’46, siç shënon një kronikë e “Botës së Re”, 1946, që i quan ata “tradhtarë”.

    Poezia lirike shfaqet si më dinamikja në këtë panoramë. Kur studiuesi Xhiku, veç përfundimit, jo të lodhshëm sipas tij, “për të provuar se poezia shqipe e asaj kohe ishte gati-gati një kantatë patetike të rinjsh të ekzaltuar”, hyn në specifika nënllojore të realizimit të saj, siç bëhet fjalë për parapëlqimin e metodës për poezinë rrëfyese (poemat epiko-lirike e baladat), ai, jo vetëm specifikon zhvillimin gjinor në funksion të receptimit evokativ të ndjesive të luftës, por përgatit edhe thyerjen e këtij modeli që do prodhohet në kushtet e burgut dhe internimit.

    Braktisja e nivelit të poezisë lirike të traditës (Naimi, Lasgushi, Migjeni) e largoi në mënyrë të pariparueshme poezinë shqipe prej ‘unit’ subjektiv, duke krijuar një lirike “të pazakontë” të kolektivitetit, të ekzaltimit të përdorimit të shumësit, me fjalor të ngushtuar e figura si: apostrofi, simboli, hiperbola – shënjues të ideologjisë dhe moralit që po luftonte për një betejë tashmë të nisur.

    Rasti i vargut të lirë, është rasti më ekstrem i atyre që Xhiku quan “paradigma të ideokracisë”:  pamja politike e përqasjes midis vargjeve, pavarësisht shembullit të Majakovskit apo Migjenit, tregon qartë sa larg kishte shkuar paranoja e partisë në pushtet, në emër të frikës nga “kozmopolitizmi që po kërcënonte thelbin kombëtar të poezisë shqipe.” (f. 93)

    Interesante për brezat e rinj të lexuesve dhe studiuesve bëhet përfytyrimi i një realiteti, ku lirika e dashurisë i kishte lënë vendin një poezie të “ngjitur” aq shumë pas politikës së ditës, sa u kujtua vetëm pas 8-9 vjetësh se qe “mashkullorizuar” ca si tepër (f. 138): u desh të vijnë vitet ‘60 që poezisë shqipe t’i kthehet motivi i dashurisë me Kadarenë e të tjerë, vite që njohën gjithashtu edhe lirikën e unit meditativ.

    Përshkrimi gjithashtu i dinamikës së debatit letrar të iniciuar nga politika për të disiplinuar

    konfliktin mes të vjetërve dhe të rinjve, na sjell pamje mjaft interesante të rrugës se si letërsia shqipe, pavarësisht diktaturës, gjeti drejtimin e pakthyeshëm të shtratit të saj të natyrshëm, duke shfrytëzuar traditën migjeniane dhe modelin e Majakovskit (Kadare, Arapi, Agolli, Dh. Qiriazi), si dhe duke kultivuar figura të mendimit, si metafora, format moderne të poemës së thellë në mendim.

    Rasti i poezisë shqipe është i rëndësishëm për të dëshmuar sesi fosilizimi dhe në funksion të vetë ideologjisë së partisë solli lindjen fill pas kësaj, të një letërsie që nuk i qëndronte raportit vasal letërsi-ideologji, tregues i vitalitetit të procesit letrar dhe gjallimit të saj jashtë grilave të natyrës jashtëletrare.

    Proza e shkurtër ashtu si ajo e gjatë u sakrifikuan, pavarësisht ndonjë fenomeni të veçantë, siç ishte proza moderne e Petro Markos.

    Objekt i rëndësishëm i arsyetimit të Xhikut për gjininë rrëfimtare është kategoria krijuese e heroit ideal, “tipikes” në letërsi, kategori mjaft e debatuar dhe në kritikën letrare post-komuniste në Europë, si faktor që ngjyros tiparin letrar të veprës.

    Kalimi nga letërsia e angazhuar në letërsi politike do të përfshijë, në radhë të parë, personazhin, të krijuar sipas një modeli moral e antropologjik të heroit të ri, model që synonte njësim të realitetit jashtë veprës me realitetin brenda saj, me pasojë dhunimin e natyrës së “veçanësishme” të veprës.

    Duke ndërhyrë në specifikën e letërsisë, vërtetësia (besueshmëria) e personazhit, siç dihet në përputhje me gjasën dhe nevojën brenda veprës, do të kërkohet jashtë saj, dhe specifikisht ‘tipi’ do të gjendet te sasia e shfaqjes së një tipari, duke dëmtuar rëndë fantazinë e shkrimtarit.

    Pamundësia e dramës për të ngritur kokë për shkak të ndërhyrjeve arbitrare, mbyllin panoramën e pasqyrës letrare shqiptare në vitet ‘45-‘61, me përfundimin e rëndësishëm se në ato vite në Shqipëri ka munguar debati letrar publik, duke ftuar studiuesit të hulumtojnë arkivave të censurës (së shtëpive botuese dhe organeve partiake të kontrollit) për të kuptuar realisht panoramën e prodhimit letrar në atë periudhë, fenomen, jo vetëm shqiptar.

    Perspektiva e gjykimit kritik të historishkrimit, tipar kryesor i kësaj vepre, është dhe veçantia që transmeton ajo në raport me vepra të tjera të vlefshme për instalimin e realizmit socialist, të botuara në këto vitet e fundit.

    Autori dëshmon aftësi analitike të thella të historisë kulturore të Shqipërisë moderne dhe të shtresave të psikologjisë kolektive kur pranon se “ardhja e realizmit socialist ishte një proces jo fort i vështirë” për Shqipërinë, e cila pranoi menjëherë të kontrollohej nga diktatura e proletariatit.

    Rasti i Shqipërisë, unik, jashtë çdo modeli, rezulton si goditje in exstremis e “letërsisë si vetëqenie” prej “kontrollit dhe direktivave partiake me udhëzime, orientime e vendime të posaçme” të zhdanovizmit.

    Ndryshe nga ç’ndodhi me letërsinë ruse, të cilës iu deshën 20 vjet ose me atë jugosllave, që e shmangi zhdanovizmin brenda pak kohësh, koncept leninist i diktaturës së proletariatit si “autoritet i papenguar nga ligjet, absolutisht i pakufizuar nga çfarëdo rregulloreje dhe i mbështetur drejtpërdrejt në forcë” (Lenin, Shteti dhe Revolucioni, 1917), u pranua pa filtra dhe mëdyshje të shumta në realitetin shqiptar; së dyti, sërish, vetëm shqiptar është fenomeni i “kohëzgjatjes së madhe të ndikimit shtetëror mbi letërsinë”.

    Mungesa e disidencës në Shqipëri, ofron në këtë pikëvështrim, një lëndë që mund të analizohet për kohën e gjatë të ngurtësimit të metodës së realizmit socialist, larg stinëve të ‘shkrirjes’ që vetë modeli rus (dhe ai i vendeve fqinjë si Jugosllavia) pati njohur.

    Shkruar pas tridhjetë vjetësh tranzicion, pikëmbërritje e një arsyetimi dhe hezitimi të gjatë sistematizues, kjo vepër karakterizohet nga një reflektim i thellë teorik për mënyrën se si funksioni letrar, cilësi e posaçme e veprës letrare, do të pësojë, në realitetin shqiptar të viteve ‘45-‘61, një ngrirje e një denatyrim të thelbit të saj të qenësishëm, natyrës semantike.

    Kjo ‘pasqyrë’ përmbush një boshllëk në fushën e shkencave humane shqiptare, ende nën veprimin rrafshues të epokës se diktaturës së proletariatit dhe të gjykimit po aq rrafshues të tranzicionit të gjatë post-komunist.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË