Kreu Letërsi Bibliotekë Milan Jazbec: Rrobat e reja të diplomatit

Milan Jazbec: Rrobat e reja të diplomatit

Përktheu Jola Tasellari

Nga dhomat presidenciale

Presidenti ishte i qetë dhe i rezervuar. S’ka ngjarë ndonjëherë e kundërta, sepse gjithnjë ka qenë i tillë. Zëri i tij mezi dëgjohej, por ishte i qartë, madje i vendosur, dhe më se i kuptueshëm. Gati shumë më shumë se i atillë.

“Zoti ministër, e dini mirë që s’më pëlqen t’ju ndërhyj në punën tuaj”.

Sytë i kishte pa shprehi fare. Ndoshta s’ka qenë duke parë asgjëkund, thjesht po i mbante hapur. Si gjithmonë, të jepte përshtypjen e një autoriteti të pamëshirshëm, paksa i shkëputur nga jeta reale dhe ndoshta edhe pa interes prej kësaj. Flokët e tij nga pak të thinjur dhe të shkurtër ishin krehur në një ndarje të përsosur. Fytyra e tij ishte e rruar mirë dhe e parfumuar pa tepri, dhe rruajtja, në përgjithësi, e bënte të dukej si një gur i bardhë, i gdhendur, me forma të rregullta. Ndoshta pak e djegur prej diellit dhe e lëmuar prej shiut. 

“Politikat e huaja më shqetësojnë për aq kohë sa pranoj kredencialet e ambasadorëve të rinj dhe nganjëherë edhe takoj ndonjërin për ndonjë bisedë…”

Po ta shihja në sy, atë s’e gjeja dot. 

Por pashë veten aty: fillimisht sytë, të lodhur; ndoshta ngaqë të shihnin butësisht, gjë që nuk është diç e mirë për këtë punë, mjekra e rruar shkurt – dhe të mendosh që unë vetë e lë të zgjatet, sepse përtoj ta rruaj çdo mëngjes – me nuanca gri aty-aty dhe flokët e shkurtër, që kishin nisur të binin mirë, pa pasur ndonjë model specifik. Dhe kaq! S’mund të dalloja tjetër gjë në atë grinë e thellë dhe pa jetë. Po mendoja se një Zot e di se çfarë vuri re ai në sytë e mi. Në prushin që venitet në ngjyrë kaki. Natyrisht që mua jo, thashë me vete si përgjigje. Por ndoshta nuk kishte kurrfarë kuptimi as ta diskutonim atë gjë. Pa dyshim që nuk isha ftuar për këtë gjë atje. Presidenti nuk të fton për një bisedë të atillë që dikush të shikojë veten në sytë e tij dhe ai të shikojë veten në sytë e tjetrit. Patjetër që nuk është kështu. Presidenti po të fton në një bisedë për të të thënë, me sa më pak fjalë të jetë e mundur, se diçka nuk po shkon mirë, se diçka mund të jetë më mirë dhe se do të ishte e udhës, dhe ndoshta e dobishme, që t’i kushtosh vëmendje për t’u siguruar që herën tjetër gjithçka të jetë në rregull dhe vetëm në rregull. Shkurtimisht, për ta bërë atë gjë siç ka qenë kur ai vetë ishte ende ministër i Jashtëm.  

Por këtë gjë nuk ta thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kurrën e kurrës. Përdor fjalë të zgjedhura dhe fjali të shkurtra, ngërthyer me kuptime të dyfishta, pa ndonjë pohim zyrtar apo fakt, duke i lënë gjithnjë mundësitë e hapura, dhe aty gjen veten; kupto dhe vepro.

“…jo më shpesh se një herë në çdo mandat të tyrin, dhe unë i bëj ato pak vizita jashtë vendit dhe pres disa të tjera këtu. Por pak a shumë kjo është situata”.

Domethënë, kjo pak a shumë nuk më hiqej nga mendja. Kjo do të thoshte se diçka ishte e sigurt për t’u ndjekur.

Kështu flitej në ato rrethe.

Shkurtime. E dije se nga se do të pasohej një frazë e caktuar kur e dëgjoje dhe se do të thoshte diçka. E kur ke qenë në këtë fushë për një periudhë të konsiderueshme kohe, të bëhet i kuptueshëm përdorimi i këtyre frazave të tilla automatike. Rutinë. Sigurisht, kjo nuk i afrohet të thënët se çfarë nënkupton. Ose të paktën nuk e thua drejtpërdrejt, mënyrën si e nënkupton. Ti përdor fraza të sprovuara, të përdorura më përpara, të sofistikuara, të panumërta, por kjo nuk i bën ato aspak të konsumuara. Kjo gjuhë është një gjuhë kodesh që askush jashtë këtyre rretheve nuk e kupton dhe nuk mund ta kuptojë; as nuk kanë nevojë ta kuptojnë. Dhe nuk mund të jesh nga ata që e përdorin dhe e praktikojnë këtë gjuhë nëse nuk e njeh atë, zotëroje dhe e përdor. Gjuha është bileta dhe mandati. Pa të, as nuk je këtu, je krejtësisht në një vend tjetër. E paqenë, si të thuash. Por sepse ti gjendesh këtu, ministër, do të thotë që je dhe e di gjuhën që duhet ta përdorësh për të mbijetuar, sepse dëshiron të mbijetosh, sepse presidenti mbijetoi kur ishte atëherë ky që ti je tani. Më ngjan e vështirë ta imagjinoj atë në vendin tim. Dukej kaq larg qysh atëherë, sa është pothuajse sikur të mos kishte ndodhur kurrë. Akoma më pak e di se çfarë kam qenë dhe çfarë kam bërë atëherë.

Sa shpejt ndërrojnë vendet dhe njerëzit në politikë. Sa pak rëndësi kanë të preferuarit e djeshëm dhe me sa ëndje presin për çastin e tyre, rritjen e vet ato anonimët e së djeshmes. Dhe po përgatiten me kujdes për këtë çast, të paktën disa prej tyre.

“Zoti president”, – i thirra; qysh kur është bërë president kam përdorur gjithmonë shtojcën e titullit. Gati ia kisha harruar emrin, ka shumë kohë që nuk e kam thirrur me emër. Nuk më ra kurrë në sy; as që ishte dakord me këtë zgjedhje dhe as që nuk ishte. Po aq sa nuk kisha as ndonjë arsye për t’ia detyruar atë. Posti në të cilin isha më ofroi hapësirë ​​të mjaftueshme, liri të bollshme, si të thuash, dhe emri që e thërrisja ishte pjesë e atij manovrimi, aq sa as që e vura re nëse ndoshta mund ta thërrisja më me emrin e tij; si dikur, tridhjetë vjet më parë. Por me sa duket njeriu fiton një thatësi dhe një thatësi ndoshta edhe indiferentizmi, kur ka në detyrë për një kohë të gjatë.  Kushdo në çdo pozicion. Askush nuk është imun, askush. As ti, as unë. Nuk ka përjashtime. Unë nuk njoh askënd dhe nuk kam njohur askënd që të jetë i aftë apo të ketë dëshirë ta shmangë. Ndoshta më e shumta që mund të bësh është ta mbash përbrenda. Por sërish, nuk je ai që ishe. Një rreth vicioz, vicioz.

“Pra, zoti president, – i thashë, – kam respektin më të madh për këshilltarët tuaj dhe i vlerësoj pikëpamjet e tyre. Kanë provuar shpesh se janë të dobishëm dhe mikpritës”.

Pse të mos e bëja, kur i njihja mirë, si këshilltarët, po ashtu edhe pikëpamjet e tyre.

Dhe duhej të ishe i kujdesshëm me ta, që të mos binte ndonjëri mbi ty. Gjë që ishte thuajse e pamundur të mos bëhej nëse do të ishe ministër i Jashtëm. Gjithmonë në publik, në media, çdo lëvizje dhe çdo hap yti është me interes për mediat. Çdo gjë mund të përbënte lajm, dhe shumë prej tyre mund të shndërroheshin në spektakël. Dhe nga rrëmuja del një aferë e cila, natyrisht, është ajo çka ndodh gjithmonë dhe kudo. Dhe pastaj, le të tregohemi të sjellshëm, nga sipër i shtohen spekulime të pafajshme dhe historitë thjesht nisin të qarkullojnë. Bota është portokall. E kush nuk do të mërzitej me një ministër media. Gjithçka është interesante për publikun, edhe ajo që nuk është interesante. Por për ata mbi ju, pak nga këto gjëra janë interesante; as edhe jointeresantin. Në fakt, asnjë. Ata nuk ju duan në media, ose duan, presin, ndoshta edhe kërkojnë, që nëse biseda ndonjëherë, mes ju të katërve, do të përfshinte faktin që ju nuk jeni fare në media. Po, me pak fjalë, askush nuk di asgjë për ju. Kthehemi prapë te ministri.

Lëvizi lehtshëm: këshilltari i presidentit, i ulur pranë tij nga pas, në një kolltuk të rehatshëm lëkure, të madh e të butë, lëvizi pak. Veshët nuk ia kapën komplimentin; si do të mundnin? Sigurisht, këshilltar. Presidenti kurrë nuk ju priti vetëm, por ama ndihej një atmosferë pritjeje e tillë që të bënte sigurisht që të vije vetëm përherë. 

Shikimet tona u shkëmbyen, mandej u takuan. S’i lëvizi fare qepallat, sikur të mos më kishte parë, ndonëse më pa mirë. Ndaj edhe as vetullat nuk i lëviza dot, sikur të mos e kisha parë as unë. Shihnim njëri-tjetrin pa reaguar fare.

Megjithatë, të dy e vumë re këtë gjë, që u pamë sy më sy dhe nuk reaguam fare. Ishim plotësisht të vetëdijshëm për gjithë këtë. Qartazi nuk donim, por folëm. Në këtë mënyrë, komunikimi ynë ishte edhe më i dukshëm, më i qenësishëm dhe i pastër; mesazhi i tij edhe më i qartë. Në tentativën tonë për të shmangur njëri-tjetrin, duke mos e pranuar atë shkëmbim shikimi, te njëri-tjetri vërejtëm këtë padije dhe kësisoj, vendosëm një lidhje të re. Më duket sikur është më keq sesa t’i pranojmë vetes që u pamë në sy dhe reaguam. Por njeriu bën me kokë kur është në humor të mirë; gjeste të tilla pasqyrojnë humorin e mirë dhe gatishmërinë. Padija, nga ana tjetër, është pasqyrim i mendjemadhësisë, kotësisë, arrogancës, po ashtu edhe tregues se diç nuk e pranon. Dhe kjo ishte, ne thjesht nuk donim të pranonim që ishim këtu, që pranuam njëri-tjetrin dhe vendosëm ta tregonim nga padija. Po patjetër që ne ramë dakord për këtë dhe kjo ishte ajo që konfirmoi se kishim arritur të krijonim një kontakt, një marrëdhënie, se diç ishte trazuar mes nesh. Ajo padije ishte mediumi ynë për të pranuar reciprokisht ekzistencën dhe praninë e njëri-tjetrit. Me padije bëmë atë që nuk mundëm ta bënim me një gjest të zakonshëm, me një gjest të thjeshtë. E pranoj që kjo nuk ishte fort e bukur nga ana ime, por erdha të flas me presidentin, jo me një këshilltar të tijin. Ministri nuk shkon tek asnjë prej këshilltarëve, as formalisht dhe as jo formalisht. Dhe për këtë kishte një dallim të madh e për këtë arsye statusi formal i kësaj bisede ishte krejtësisht tjetër. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ishte këshilltari ai që më injoroi i pari, si të thuash, një gjë që nuk para bëhet në shërbimin civil. Ti nuk tregon injorancën tënde përballë një njeriu më lart se ti; s’është gjë e mirë, e shëndoshë, nuk është e sjellshme. Më mirë është ta mbash përbrenda sesa ta injorosh, edhe sikur të jetë nga hija e dikujt që mendon se është i sigurt. Kjo sepse hijet nuk janë për t’u zënë besë. Nuk e di kurrë se kur do të lëvizin, kur do të kthehen prapë, vetëm për të të lënë të qetë, të pambrojtur.

Pra, natyrisht, në fillim u përpoqa të mos tërhiqja vëmendjen nga vetja, të shmangia thënien e atyre gjërave dhe të isha gjithmonë dhe kudo i kujdesshëm për ndjeshmërinë e presidentit. E po, edhe për ndjeshmërinë e kryeministrit. Presidenti i Parlamentit ka qenë më pak i vëmendshmi ndaj kësaj. Por edhe ai ndonjëherë e përmendte, ndonëse me një ton hokatar dhe të butë. Edhe pse ti nuk e di kurrë se ndjeshmëria e kujt është që është trazuar, lëvizur, turbulluar. Ndoshta po aq shpesh edhe e këshilltarit; përse duhet që presidentët, të tre, të jenë gjithmonë kaq të interesuar për çdo, por vërtet çdo deklaratë të bërë nga një ministër? Por prapë, duhet t’i shikosh këto gjëra, të jesh shumë i kujdesshëm dhe i matur. Është e vështirë, megjithatë, sepse edhe nëse nuk do asgjë, situata të shtyn, të shtyn, të tërheq në një pakënaqësi të tillë. Dhe për këtë arsye është më mirë të mos mendosh për këtë dhe të bësh më të mirën që di. Dhe gjithmonë të jesh më pak i angazhuar sesa të duhet të jesh.

Sepse angazhimi kurrë nuk sjell asgjë të mirë. Nëse thua shumë shpejt “A”, atëherë je i detyruar të thuash “B” shpejt dhe pas kësaj është e vështirë të shmangësh “C”. Dhe gjendesh menjëherë, si të them, i zënë në kurth. Pse the “A”, por nuk mund të prisje të thoshe “B”? Ndoshta do të preferoje të mos thoshe asgjë fare, por nëse nuk do, kur do të ishte me siguri e nevojshme dhe jo e detyrueshme, atëherë, natyrisht, nëse ke thënë tashmë “A” dhe “B”, mos harro të thuash edhe “C”. Ndonëse kjo e fundit është tashmë e diskutueshme dhe të bën skeptik, ndoshta do të ishte më mirë të mos hapje gojën fare dhe ta lësh gjithçka të shkojë, kështu, pa fund dhe pa vend. Por nëse ke pak durim, ndoshta nuk do të të duhet të thuash gjë. Kjo nuk do të thotë se do të ndodhë me siguri dhe do të ishte gjëja e duhur për të bërë, por kur të kesh nevojë do t’u shpëtoje shumë pyetjeve të bezdisshme. Kështu që, nëse u përpoqa në fillim, hoqa dorë më vonë dhe mësova qëndrimin, ti përdor gjykimin dhe fshehtësinë tënde; më mirë thuaj më pak sesa më shumë dhe bëje në një mënyrë të tillë që gjithmonë t’i lësh vetes dy a tri hapësira për të shtuar ndonjë gjë tjetër.

“Kjo u demonstrua më qartë në prag të vizitës suaj të fundit në Kombet e Bashkuara. Disa nga pikat kryesore të draftit tonë për fjalimin tuaj ishin aq të rafinuara dhe të përsosura, sa nuk kanë qenë të tilla për një kohë të gjatë. Nuk e di kush tjetër në vendin tonë do të kishte mundur të bënte një gjë të tillë”.

Këtë herë, sytë e këshilltarit u ndriçuan pak. Fundja e fundit ishte çasti i tij.

Natyrisht, ishte një kompliment, një kompliment nga goja e ministrit në veshët e tij. Kjo nuk ndodh çdo ditë, sepse presidenti nuk e gjen shpesh kohën për ministrin e Jashtëm. Ministri i Jashtëm nuk ndan komplimente çdo ditë. Pse do të duhej? Dhe këshilltari në fjalë nuk është i vetmi, por nuk është aty vetëm për t’i përsëritur këto biseda. Në fakt, raste të tilla janë të rralla. Mund të ndodhë që shumë herë situata të paraqitet vetvetiu dhe që këto biseda të mos jenë aq të planifikuara me kujdes sa mund të duken nga larg, ose siç mund të mendohet. Dhe këshilltari ka po ashtu shumë për të bërë, dhe kush e di nëse ai është aty vetëm për të qenë i pranishëm kur situata e kërkon një bisedë të atillë. Pra, si ministër, duhet të përfitosh patjetër nga rasti për të dhënë një opinion pozitiv. Ndikoje presidentin duke qenë i vëmendshëm ndaj këshilltarit të tij në momente të posaçme dhe veçanërisht të rralla. Dy herë në vit, jo më shumë. Edhe sikur të mos jetë plotësisht e sinqertë, s’mund të bëjë ndonjë dëm.

Por atë që e thashë e kisha seriozisht, edhe pse nuk ngjante shumë ashtu; forca e zakonit dhe tipi i shqiptimit. Në plot raste njerëzit nuk duan që atë që thua ta kesh me të vërtetë. Shumë njerëz duan të dëgjojnë fraza që janë mësuar t’i dëgjojnë, sepse janë gjithnjë e më pak familjarë me fjalët e sinqerta dhe të vërteta. Nuk dinë se si të dëgjojnë, të mbajnë vesh dhe të kuptojnë. Nuk janë rehat nën shoqërinë e tyre. S’dinë çfarë të bëjnë me ta. Bisedat serioze lypin vëmendjen e dëgjuesit, e cila vërehet dhe ekspozohet lehtësisht nëse mungon, dhe sa shpesh nuk është fare. Dhe për këtë arsye nuk është mirë të ekspozosh, të ekspozosh bashkëbiseduesin, veçanërisht në rastin e presidentit (ose këshilltarit të tij), me një mungesë vullneti, duke keqpërdorur fjalët serioze. Jo vetëm që nuk është e dëshirueshme, por është madje e dëmshme.

Një fjalë e rëndë kërkon një kundërpërgjigje të rëndë. Prandaj, është shumë më e lehtë dhe më mirë të dëgjosh dhe të pranosh klishetë dhe banalitetet. Ato janë të lehta: nuk të angazhojnë për asgjë, mund t’i dëgjosh ose jo dhe mund të përgjigjesh me një frazë të ngjashme që të gjithë e njohin dhe kështu zgjidhet gjithçka. Sa më e lehtë është kjo, faktikisht.

Por fjalët e rënda kanë një avantazh të madh shtesë – kur i drejtohesh dikujt për të cilin je plotësisht, ose të paktën mjaft i sigurt, se nuk i meriton ato, do ta vësh në siklet. Ai sikleti konfirmon se ke të drejtë dhe se nuk ke gabuar në vlerësimin tënd. Në këtë mënyrë e di se me kë po merresh dhe ky është një avantazh i madh, madje i paçmueshëm. Me siguri do të vëresh se si ai person do të të shmangë më vonë dhe nuk do të tentojë të të shqetësojë, të të dëmtojë ose të komplotojë kundër teje. Një fjalë e sinqertë dhe një kompliment në sytë e të tjerëve, sado i vështirë të jetë për t’u nxjerrë nga goja, është kundërhelmi më i mirë për intrigat. I eliminon, i largon dhe më pas është shumë më e lehtë. Madje mund edhe të ndodhë që ata më në fund të fillojnë të të vlerësojnë dhe të të respektojnë pak më shumë.

Një fjalë e thënë me seriozitet bën mrekulli. Por nuk është e lehtë ta përdorësh, të gjykosh çastin se kur duhet ta thuash dhe si ta formësosh atë. Nuk ka asnjë garanci se mund ta bësh, por ka shumë mundësi që kurrë më nuk do të jesh në gjendje të përdorësh një fjalë serioze me një person që nuk i shkon për shtat. Mund të thuash se është një rastësi, që të ndodh kur të ndodh, por më shumë ngjan nëse je pozitiv, i sigurt në vetvete dhe nuk lejon veten të degdisesh në akullin e shpifjeve në këmbim të asgjëje ose, thënë më mirë, është një dhuratë që e ke fituar me qumështin e nënës. Dhe nuk ke ndonjë ndikim të veçantë mbi të: kështu që ose e ke ose nuk e ke. Kjo është vija që e ndan dhe është diçka që të dallon nga të tjerët. Edhe nëse është një gjë që nuk të kërkon të bësh shumë falënderime, pra, diçka për të cilën nuk ke pasur asnjë ndikim në fitimin e saj, është thjesht një rastësi ose thjesht destin. Bën vaki që në disa mënyra të jetë edhe e padrejtë, por s’kemi ç’t’i bëjmë. Nëse ndonjëra prej këtyre gjërave ndodh, duke dashur të dytën para të parës, ndonëse s’duhet të jesh shumë selektiv, atëherë mund të shpresosh se një ditë do të jesh ministër, ose madje edhe president; por nëse nuk e ke këtë, do të jesh fatlum nëse do të jesh thjesht një këshilltar diku. Jeta është e tillë dhe nuk ka kuptim të çuditesh me të.

“Pra, do të isha i lumtur nëse do të mund të vazhdonim të punonim kaq mirë së bashku”.

Uh, më doli nga goja! Nuk e dija nëse do të kisha sukses apo jo. A do të kisha forcën dhe qetësinë, por edhe vendosmërinë, për të thënë atë fjali, për të bërë një deklaratë të tillë.

Hezitova po ashtu të bëja ndonjë deklaratë që, edhe pse larg e larg, i ndihej aroma e faljes, pajtimit dhe tërheqjes. Është e vërtetë që ministri i Jashtëm duhet të merret me këto gjëra gjatë gjithë kohës, nga mëngjesi deri në darkë, çdo ditë, gjatë gjithë ditës, gjatë gjithë ditës, gjatë gjithë ditës, gjatë gjithë ditës, për një periudhë të gjatë mandati. Dhe edhe më pas, kur të jetë një ish. Përfaqësimi dhe mbrojtja janë dy aktivitetet bazë diplomatike, jo vetëm të një ministri. Por tjetër gjë është ta thuash atë në emër të vendit dhe për vendin, dhe tjetër gjë është ta thuash për të konsoliduar më tej pozicionin tënd dhe për të justifikuar vlefshmërinë tënde për një autoritet më të lartë se aq. Duhet të zgjedhësh të bësh të parën gjatë gjithë kohës, gjë që është, në fund të fundit, arsyeja për të cilën paguhesh, arsyeja për të cilën je në atë pozicion, edhe pse shteti. Ky abstraksion i paimagjinueshëm të beson Ty. Nuk është e vështirë ta bësh; madje nëse je profesionist, është kënaqësi. Natyrisht, për këtë arsye, e dyta duhet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur. Por sërish, kjo nuk është gjithnjë e mundur. Ka situata, nuk e di kur, nga ku ose për çfarë arsyeje, kur vetëm një gjest i këtij lloji, edhe nëse është thjesht simbolik, mund të të ndihmojë. Këtë të duhet ta marrësh parasysh, duhet ta mbash parasysh kur je në një detyrë kaq të lartë. Pa situata të tilla, ky funksion nuk do të ishte aspak i plotë, do t’i mungonte diçka. Por ndoshta, në fund të fundit, është edhe si një lloj korrektimi, diçka që të afrohet herë pas here, si një frymë e ftohtë dhe të sjell sërish me këmbë në tokë, të kthen në realitet.

Pra, nuk është ndonjë çudi që i shmangia sa më shumë të mundesha deklaratat e atilla. Por, siç thashë, nuk mund të bësh pa to. Kjo ishte diçka mjaft e qartë për mua. Thjesht nuk më pëlqenin dhe përpiqesha, nëse s’mund të bëja ndryshe, t’i mbyllja sytë ndaj tyre, vetëm e vetëm që t’i shmangia. Megjithatë, tarifa dihej qysh kur mora detyrën. Dhe në shtete të rregullta kjo taksë dihej sa ishte. Sidoqoftë, ti e di dhe je në gjendje që të të mos mblidhen.

Doja të përgatitesha për këtë deklaratë posaçërisht. Ka kohë që nuk kam qenë në dhomat e presidentit. U pamë javën e kaluar. Por ajo ishte gjatë një pritjeje ku ai ishte folësi kryesor dhe më pas pranuam të ftuarit së bashku. U dhamë dorën, shkëmbyem disa fjalë me secilin prej tyre dhe kaq. Presidenti u largua pak më vonë dhe ne qëndruam për rreth një gjysmë ore tjetër, siç na diktonte protokolli. Por nuk mund të bësh dot një bisedë konstruktive me të në të tilla raste. Nuk është rasti. Presidenti duhet të jetë i përqendruar vetëm aty, ka shumë angazhime të tilla dhe nëse ai dëshiron të jetë i rregullt dhe të lërë përshtypje të mirë, atëherë assesi nuk duhet ta shpërqendrosh me gjë tjetër. Vetëm kështu gjërat mund të rrjedhin pa problem. Pra, po mendoja se si mund të përgatitesha për bisedën e sotme, si mund të mbaja mend ndonjë deklaratë të tillë, le të themi paksa apologjike. Në fund vendosa të mos përgatisja asgjë. Do të ishte më mirë ta lija bisedën të rridhte ashtu siç do ta drejtonte presidenti vetë dhe më pas do të shihnim. Ku i dihet, ndoshta nuk do të duhet të thuhet asgjë e tillë. Kështu që më mirë është të mos shqetësohesh paraprakisht dhe ndoshta pa qenë nevoja fare.

“Z. president, doja t’ju kujtoja po ashtu përgatitjet për Konferencën Botërore të Zhvillimit që do të zhvillohet pas dy muajsh. Kemi përgatitur tashmë draftin e parë të fjalimit tuaj dhe do ta vlerësoja shumë sikur t’i kishim sugjerimet e zyrës suaj brenda fundit të këtij muaji”.

Duhej ta thosha atë ç’kisha për të thënë. Fillimisht mendova se biseda jonë do të mbyllej pa atë, por jemi ne ata që e mbyllim vetë. Pastaj m’u duk sikur më mirë do të ishte po të shtoja diçka tjetër me të cilën po punoja, diçka konstruktive me plan projekt. Diçka që do të ngjante si normale, pa ngarkesa retorike, një bisedë ku asgjë nuk është në ajër. Doja të thosha se ia kam dalë mjaft mirë.

Presidenti natyrisht që nuk tha asgjë. Nuk ngriti as qerpikun, edhe pse, sigurisht, kishte dëgjuar, kuptuar dhe mbajtur mend mirë. Ai do të mbajë fjalime, patjetër, gjithmonë i ka pëlqyer t’i mbajë, veçanërisht në raste të mëdha dhe me profil të lartë diplomatik. Por nëse ai mund të flasë diçka të përmbledhur dhe me peshë për t’i shoqëruar me sa më pak fjali, aq më mirë do të ishte. Më duket se ia dola mbanë ta filloja këtë takim me themele të forta.

Këshilltari lëvizi sërish. Kësaj here si për të sinjalizuar qartazi se biseda ka mbaruar.

Ishte bisedë e dobishme dhe është gjithnjë kënaqësi ta takosh dhe të flasësh me presidentin. Sa keq që nuk ka më shumë mundësi të tilla. Ai i zgjedh fjalët me kujdes dhe nëse i kushton vëmendje, mund të zbulosh gjithmonë midis rreshtash mesazhe të dobishme dhe ndriçuese. Njëkohësisht, e njeh edhe atë më mirë. Nuk arrin dot kurrë ta njohësh presidentin mjaftueshëm mirë.

“Ministër, – tha presidenti, – fundja e fundit, puna juaj s’është dhe aq e keqe”.

Exit mobile version