Kreu Letërsi Bibliotekë Enver Kushi: Rrëfime në kohë pa kohë

Enver Kushi: Rrëfime në kohë pa kohë

Enver Kushi

I

Në netët pa drita të kryeqytetit shqiptar, veçanërisht ata që vinë për herë të parë këtu dhe që nuk njohin rrugët, u ndodh shpesh ta shohin veten befas në ndonjë parcelë varrezë, që rëndom i gjen jo vetëm në qendër, por thuajse edhe në çdo lagje.

II

E ndërsa binte muzgu, vura re se si ata mblodhën veglat e punës dhe litarët e përbaltur, pastaj se si u futën në kthinën e tyre të vogël dhe se si më pas, njëri prej tyre doli duke ecur me hapa të gjatë nëpër parcelën e përbaltur, sikur kërkonte diçka të humbur. I ulur në një nga tavolinat e papastruara të qebabtores, ku të mbyste tymi i qofteve që piqeshin në prush dhe duhma e rëndë e rakisë, vështroja me ankth se si matanë xhamave, lëviznin si në jerm hijet e tyre. Mos e dhëntë Zoti, thashë me vete. Mos e dhëntë Zoti të vinë këtu. Dhe në ato çaste, ndërsa zhurmat e qebabtores, u përzien me fjalët në arabisht të hoxhës, që vinin nga minareja e xhamisë së madhe, mallkova kryeredaktorin që kishte ngulur këmbë për ardhjen time këtu e që priste me padurim reportazhin për një nga kryeqytetet më të çuditshëm të Ballkanit. Kur zëri i hoxhës nuk u dëgjua më, atëherë më pushtoi diçka përtej frikës: ata, varrëmihësit e përbaltur, do të hynin në qebabtoren me tym dhe do të urdhëronin që unë të dilja jashtë. Dhe kur unë të dilja jashtë, ata do të më kapnin nga këmbët dhe koka dhe qetë-qetë, pasi të më fusnin në gropën e thellë që quhet varr, do të më mbulonin me dheun e kuq, përzier me gurralecë.

… Këto që po dëshmoj në këto shënime, larg çdo fantazie letrare, më kanë ndodhur në Ballkan ose më saktë në Tiranë, që është kryeqyteti më i ri i Europës, atje ku jetën dhe vdekjen i pashë të bashkëjetonin.

III

Kryeqyteti shqiptar të befason me malin e Dajtit, kopshtet e shumta me hurma e fiq, qetësinë si dhe varrezat. Këto të fundit shfaqen befasisht jo vetëm në qendër, por edhe mes lagjeve të banuara. Vura re se vendasve kjo gjë nuk u bënte asnjë përshtypje, ndërsa mua më dukej sikur hijet e të vdekurve shëtisnin qetësisht me të gjallët dhe kur këta të fundit uleshin nëpër kafenetë e zhurmshme, ftonin në tavolina për të pirë kafe e për të biseduar për jetën e përtejvarrit, miqtë e tyre: të vdekurit…

IV

Ju bëj me dije, në vazhdim të raportit që ju përcolla dy javë më parë, se Kryetari i Shtetit Shqiptar më priti me nderime të veçanta dhe pas përshëndetjeve të rastit, më pyeti se ç‘përshtypje kisha për kryeqytetin e vendit të tij. I thashë se këtu mali, fusha, erërat që vinin nga deti si dhe mikpritja, Perëndia e kishte dhënë me bollëk. Pastaj pata guximin t’i sugjeroja Kryetarit të Shtetit se do të ishte në nderin e Shkëlqesisë së Tij, që në një kohë sa më të shpejtë, të largonte vdekjen nga kryeqyteti.

Ai pasi buzëqeshi me xhentilencë, u ngrit në këmbë dhe hapi perden e dritares së madhe të rezidencës qeveritare. U ngrita edhe unë dhe Ju raportoj se pamja matanë xhamave ishte tronditëse: në parcelën e varrezës që ndodhej jo më shumë se pesëdhjetë metra larg, pashë të ulur dhjetëra njerëz me pëllëmbët e shtrira përpara, ndërsa një hoxhë i gjatë këndonte lutjet arabisht. Duke larguar vështrimin nga ajo ceremoni varrimi, ju luta Shkëlqesisë së Tij të ulte menjëherë perden, sepse pamje të tilla më shqetësonin. Dhe kur ne u ulëm përballë njëri-tjetrit dhe Ai vuri re siç duket fytyrën time të verdhë, më tha se pija që kisha përpara quhej raki e se një gotë prej saj do të më qetësonte menjëherë. E ktheva menjëherë gotën e vogël dhe lëngu çudibërës, pas disa çastesh, më krijoi një gjendje turbullire, shoqëruar me eufori.

Në fund të këtij raporti të shkurtër, ju bëj me dije se Kryetari i Shtetit Shqiptar shprehur jo vetëm kënaqësinë për takimin tonë të parë, respektin për popullin tonë dhe Shkëlqesinë Tuaj, por edhe mirëkuptim të plotë për propozimin e bërë nga ana ime.

Duke përfunduar, bashkë me konsideratën time të lartë për Ju, shpreh bindjen se shumë shpejt kryeqyteti shqiptar do t’i zhvendosë varrezat e shumta që shtrihen kudo si ankth, në një vend të përshtatshëm diku në periferi të tij.

V

Në vazhdim të informacioneve të dërguara më parë, për shtimin e pacientëve në pavionin e psikiatrisë të spitalit 5, ju bëjmë me dije se mosha mesatare e tyre është nga 25 deri 40 vjeç. Ditët e fundit kemi patur edhe dy raste të moshës 17 vjeçare. Të gjithë pacientët janë banorë të pallateve parafabrikat, ndërtuar në vendin e quajtur “Varri i Bamit”. Nënvizojmë se 80 % e pacientëve banojnë në katet e parë të pallateve. Komisioni i përbërë nga mjekët më të mirë psikiatër të këtij spitali, thuajse te të gjithë pacientët ka konstatuar siptoma të theksuara të pagjumësisë; maktheve, halucinacioneve auditive, si zëra që u flasin atyre në emër, kërcënime urdhëra, trokitje në dritare e dyer etj. Dy gra të moshës 35 vjeçare u shtruan menjëherë. Ato janë të mbyllura në dhomat e sigurisë së lartë. Në fund ju bëjmë me dije edhe konkluzionin e organizatës – bazë të Partisë së Spitalit 5: armiku i klasës ka përhapur psikozën e frikës tek banorët e lagjes “Varri i Bamit”.

VI

– A do pllaka varri zotni?

– Pllaka varri?!

– Po zotni. Pllaka varri.

– Ju shisni pllaka varri?

– Nuk i shes zotni. Janë falas. Nuk e keni dëgjuar njoftimin në televizor?

VII

Në periferi të kryeqytetit shqiptar, në kodrat në perëndim të tij, u zbulua nga një fshatar një varr masiv. Mendohet se atje janë varrosur të pushkatuarit e vitit 1951.

Në orët e para të ditës së sotme, nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, u hoqën eshtrat e diktatorit Enver Hoxha dhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Familjarët prej ditësh janë duke kërkuar në kodrat e buta rrëzë malit të Dajtit eshtrat e ish-gjeneralëve.

Ceremoni madhështore në Shkodër, Korçë dhe Tiranë për rivarrosjen e eshtrave të nacionalistëve të shquar.

Gjendet varri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu.

VIII

Kudo në kryeqytet janë hapur shërbime funerale. Ato u garantojnë qytetarëve të Tiranës të gjitha shërbimet për në banesën e fundit: arkivolë bashkëkohorë me ftohje, kurora me lule të freskëta, autobuzë komodë, kaseta me muzikë funebre si dhe kaseta me vaje popullore të Jugut dhe Veriut të Shqipërisë. Paraqituni në çdo kohë pranë shërbimeve funerale “Dea”, “Shpresa”, “Mani”, “Sokoli”, “Duda”, “Perla”, “Tibos”, “Arba”, “Agimi”, Ne ju shërbejmë “Non Stop” dhe me kulturë.

IX

 Dalin pronarët e tokës në varrezat e Sharrës. Kryeqytetasit kërcënohen të mbeten pavarrosur.

Shesim tokë për varreza private…

Exit mobile version