Kreu Letërsi Shënime mbi libra Elhaid Alija: Vargu, namusi im! (Poezia e Ilhan Berk)

Elhaid Alija: Vargu, namusi im! (Poezia e Ilhan Berk)

Ja ku janë qytetet që i rrita kur të shikoja ty, i thoshte poeti,

të dashuruarit të zjarrshëm që rrinte në krye të rrugës.

I rrita me një lëvizje të gjuhës.

(Ilhan Berk)

“Shumica e poezive më të mira janë përkthime, e shumë nga këto të përkthyera nga poetë” do shprehej Oktavio Pazi, fitues i Nobelit për Letërsi(1990). Shkrimtari meksikan lë shteg mendimi se arti i kulluar i ter fishfishet gjuhësore e ato kombëtare. E në fakt ligjërimi intertekstual, problemet e origjinalitetit, mitologjia, traditat fetare e kështu me radhë vërtetë ia mundësojnë lehtë këtë autorit. E gjitha i shërben komunikimit letrar që poeti vendos me të kalurën, me historinë; në borxh deri në fyt ndaj saj. Një raport i këtillë në artin bashkëkohor ndërtohet veçse për ta shembur, të shkruash poezi duke rrënuar parapraken, të shkruash duke rrënuar… këtë kuptim ka shkrimi; aty ku mbahen pezull ndodhitë, aty ku heshtet, bash aty merr trajtë subjekti poetik.

Vitet 50-60‘ nisën t’i agonin ndryshe jetës letrare turke. Lëvizja letrare dhe panorama e kryeqytetit historik, Stambollit, nisën njëkohësisht zgjatjen e duarve drejt formave dhe shfaqjeve te panjohura, të cilat lanë në hije, në mos në konflikt, format e vjetra që nisin ngadalë të njihen në një emër të ri. Jeta e ca poetëve i prin poezisë, rritet me të. Poezitë vijnë shumë vonë dhe gjasat janë që Stambolli i asaj periudhe të ketë rritur fëmijë që të mbartin në xhepa njerëz, qytete, lumenj, sokakë e të shëtisnin bashkë me to; që menduan se do ta shkruajnë një ditë emrin e tyre diku; ku ndër to edhe autori që kemi vendosë t’i kushtojmë këto rreshta, Ilhan Berk.

Ekzaminimi me tepri i gjuhës dhe dëshira e njohjes së kufirit të saj shndërrohet në obsesion për të, deri aty ku ndërpritet lidhja e saj me matanshmen e së vërtetës. Vepra më e guximshme e Berkut (Şeyler kitabı) çelet me imazhe të përditshmërisë, që autori i quan “Ata që janë diçka dhe ata që s’janë kurrgjë”. Fjala është për imazhet e sendeve si kapëse flokësh, tespi, krëhër, gërshërë lulesh, çelës mekanik, penel; të gjitha këto si palimpsest imazherik mbi disa sende tjera:

Fjalia u zgjua nga gjumi i gjërave

Sikur gjerat të kishin gjuhën e vet ç’do të kishit dashur të thonë?

Do të doja me një zë të thoshin se të gjitha gjërat “janë pjesë e jona”

Sendet janë të shpirtëzuara dhe u jepet pushteti i fjalës, mendimit, shprehjes. Lexuesi ndërton leximin në në syprinë tjetër tashmë të paraqitur nga autori. Animizmi i sendeve anon nga ndikimi i letërsisë sufiste sipas kritikës, ngjashëm me përshpirtshmërinë e Junus  Emresë në muhabetin e tij me lulet (Lulja e Sarit). Një lexim i tillë i botës së “gjërave” (sendeve) na sillet para syve si një lexim i vetes sonë në fakt, si mundsi a pamundësi për tu zhvendosur në atë dimension, si cektësi a thellësi për të vëzhguar imanencën e tyre. Marrëdhënia e shkallës së dytë është ajo çka synon poetit të nxjerrë në breg:

Krrysu, shikoje

Gurin

Me sytë hapur.

Ndoshta sheh ndonjë fytyrë.

*****

A ka qeshur ndonjëherë vallë

guri i kalldrëmit?

-Askush s’e di?

E kështu me radhë eksplorohet uji, guri, tavolina, rrethi, shenjat e pikësimit, alfabeti e më pas, bota e heshtur e kërmillit, e drurit, doreza, mbeturina, balta, faqja, letra, lapsi, fjalia, libri etj. E gjithë kjo ndërton qytetin Berkian në shfaqen e vet letrare tejet eksperimentale e subversive. 

Referencat e bollshme letrare duke nisë që me bashkëkohësinë turke me emra si Arif Damar, Enis Batur, Mustafa Irgat; neoklasikët si Jahja Kemal, Ahmet Hashim, Tevfik Fikret; poetët e divanit me Fuzuliun, Bakiun, Neshatin, Mevlanën;  me ato ku kritika e afron si fibër poetike franceze Bataj, Bodler, Blasho, Valeri; antikët grek Homeri, Hesiodi, Platoni, Aristoteli, Pitagora; Gjermanë me Hegelin, Frojdin, Heidegerin, Huserlin, Kantin, Kierkëgarden; apo edhe figurat fetare si Buda, Maria Madalena, Profeti Muhamed, Profeti Junus. E gjithë kjo kompozon veprën dhe botën e tij (turke-joturke), e cila i përket të ashtuquajturës “world poetry”, e sipas fjalëve të Pazit “ një simfoni në të cilën improvizimi (poetik) është i pandashëm nga përkthimi dhe krijimi është i pandashëm nga imitimi”. Studiuesit Berkun lënë nën të njëjtën hije me me Ezra Paundin, Rembonë, dhe Uitmanin; ato vetë i solli në gjuhën turke dhe ndikimi vërehet në gjysmën e dytë të krijimtarisë së tij (Libri i Gjërave; Rrofshin Numrat; Shtëpia). Nën këtë ndikim ndodh shkrirja e poezisë imazherike me prozën; po ashtu leksiku fragmentar, motivet e artit figurativ, ekuacionet matematikore, tipografia që shigjeton vertikalisht, horizontalisht, diagonal apo dhe silueta simbolike etj.

Në një letër dërguar Mehmet Fuadit, shkrimtar bashkëkohës i poetit tonë, zbulon për mendjet kureshtare se, jo vetëm gjatë procesit të krijimit, por edhe të leximit të veprave filozofike, historike, sociologjike, të gjeografisë poeti gjithnjë e ka mbajtë hapur fletoren. Hyrja në poezi niste shpesh me ndonjë fjalë a fjali që i sillte tronditje, duke e përdredhur vetë atë sadopak Natyrisht. Poeti, tashmë i ndjerë,  shumë kohë më vonë pasi i rimerr në dorë këto krijime të shkapërdara në më shumë se njëzet fletore, i duket sikur ka hyrë dhe ka dalë në jetë të ndryshme, sikur ishte larë me to; zbuloi se disa prej tyre (përjetimeve) edhe e kishin tjetërsuar. Në fillim e shqetësonte kjo gjë, por më vonë arriti që t’u qasej si të ishin të huaja. Ca gjëra ende nuk janë emërtuar sepse s’kanë hyrë në poezi, i dashur poet, guxoj t’i përgjigjem me vetë vargun e tij.

Mbi përkthimin

Poeti e mbars botën duke e mbajtë për beli gjuhën. Ama përkthyesi, ku i vë duart teksa ushtron gjithë mundësitë e veta që këtë mbarsje të jetësojë në një gjuhë tjetër? Aventura e përkthimit na lipsë të hiqemi pak si turkotrim (meqë autori është vetë turk). Profesorit të nderuem, Ali Pajazit, i cili përktheu dhe heshti me poezinë e Berkut plot 832 herë, faqe për faqe, do ishte pak e tepërt (megjithëse tejet interesante) t’i peshkohet mendim psh. mbi rëndesën e gjuhës shqipe, sa herë dhe ku jeni ndjerë “tradhtar”, apo qoftë edhe aspekte emocionale që ndërmjetësojnë dy botë të mëdha. Këto naze vijnë natyrshëm ngaqë një përkthim i kësaj përmase nuk qe pasuar me ndonjë kritikë a recensë, me përjashtim të një konsiderate lakonike por interesante të Ali Aliut.

Se sa i vlen lëkura një poezie, shpesh diktohet kur vesh një tjetër këmishë kulturore, e kushtëzuar ndaj bujtinës letrare të vendit pritës. Tepricat poetike mbesin atje ku është shtruar sofra natyrisht, nga ku buroi ajo e mirë si të thuash, dhe brenga e humbjes së çikërrimave lokaloletrare nuk duhet të na shqetësojë. Qëndrim të ngjashëm mban edhe S. Ruzhdie në një bisedë me një grup të rinjsh, ku mes tyre dhe disa studentë shqiptarë. Letërsia shfaq këtë prirje për universalitet dhe mikrosemiotika shërben thjesht si një degë e shtuar, për të kapur më me lehtësi një lexim them disi të ngushtë. Letërsia moderne turke sigurisht nuk ka shfaqur simptoma të tilla në përkthimtarinë e leximtarinë shqipe, që ta fajësojmë për këtë moskuptim të voçkël kulturor. Vëmendja ndaj letërsisë turke është shtuar që nga viti i marrjes së Nobelit nga Orhan Pamuku në skenën botërore, një reflektim i saj vërehet edhe në gjuhën shqipe.

Një nga kënaqësitë që të jep Berku qëndron në poetikën e mbajtjes së qëndrimit estetik. Veçanërisht ne tre libra, autori kullon gjithë zotimin e tij për ta kapur këtë esence (Historia e Fshehtë e Poezisë, 1982; Gjaku i Poetit 1988; Logos, Ese 1996). Një ekstrakt i tillë i traktatit estetik të poezisë dhe gjendjes së poetit në bashkëkohësi ka vlerë të shumëfishe si në planin teorik por edhe atë letrar. Vetë kriteret e sotme letrare e flakin artistin në një qoshk ku të ndjehet i detyruar të shfajësohet për atë se çfarë ka bluar, të japë llogari në njëfarë mënyre. Dhe kjo për lexuesin, era e të cilit fryn në favor të tij, e drejton drejt brigjeve të të njohshmes e të panjohshmes individuale, me tekstin letrar bashkëkohor si një hartë kolektive e explorimit shekullor poetik

 Poezia është dervishllëk, erëmitëri. Me vite do të jetosh si ujë nëntokësor; një ditë s’do ta humbasësh fare mallin për të dalë mbi tokë; dhe në fund do ta pranosh këtë me një modesti të madhe. Një ditë kur ta shohësh dritën, do të dish të tërhiqesh në breg dhe të shikosh së andejmi.

Poeti është njeri i mundimeve dhe i sakrificës.

S’ka jetë.

(Gjaku i Poetit; 1988)

Exit mobile version