Kreu Letërsi Shënime mbi libra Begzad Baliu: Një dorëshkrim i panjohur i profesor Idriz Ajetit për veprën...

Begzad Baliu: Një dorëshkrim i panjohur i profesor Idriz Ajetit për veprën “Il Messale di Gjon Buzuku” të Martin Camajt

Në vend të parathënies

Duke kërkuar dokumente në arkivin personal të trashëguara nga Profesor Idriz Ajeti, më ka rënë të gjej e lexoj shumë tekste të karakterit dokumentar, letra, porosi, kërkesa etj., por rrallë e tek ndonjë tekst të lexuar në takime të ndryshme dhe të shkruar nga bashkautorë të shumtë, të cilat nuk i ka përfshirë në veprat e tij.  Përgjithësisht Profesor Ajeti në botimet e veprave të fundit ka përfshirë edhe fjalë e recensione, të cilat nuk kanë të bëjnë me gjuhësinë dhe recensione, apo të cilat i ka shkruar që në vitet ’50 e ’60.

Tekste të papërfshira në veprën e tij, por të botuara në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës janë “disa dhjetëra çështje të vogla”, sikur theksonte Profesori në një nga bio-bibliografitë e tij të fundit të viteve ’50, për çështje ortografike, fonetike, morfologjike, sintaksore e leksikografike, të cilat vazhdoi t’i botonte edhe pak kohë në vitet ’60, por nuk i përfshiu në vëllimet e tij, për shkaqe nga më të ndryshme.

Gjatë kohës që po bisedonim për vendosjen e bibliotekës së tij në një nga institucionet publike, në një rast u ngrit në këmbë u afruar pranë librave dhe më tha: “Veprën time edhe sa isha gjallë ma përgatiten dhe botuan të tjerët, për çka u jam mirënjohës, por do të doja që disa nga veprat të cilat i kam përdorur dhe cituar (Shih, Hahnin, Skokun, Çabejn dhe vetëm Çabejn etj.),  t’i merrni Ju dhe t’i rishikoni citatet e plota, si dhe fusnotat e munguara brenda veprave të mia. Veprat e mia do plotësuar dhe referuar të plota dhe aty ku mungojnë fusnotat do vendosur. Lëshimet kryesisht janë bërë gjatë daktilografimit nga studimet e shkruara në skeda e shumë prej tyre tani i keni Ju dhe i keni sistemuar me sukses”.

Atë kohë, skedat e tij të shpërndara ndërmjet materialeve i pata sistemuar dhe dërguar në banesë të Profesorit, por Zonja Hajrije (gruaja e profesorit Idriz), m’i pati kthyer ‘deri sa të rishikohen veprat, me motivacione se në moshën që kishin, nuk mund të më siguronin se mund t’i ruajnë që unë t’i marr kur të më duhen’. Në të ardhmen shpresojmë t’i përfshijmë në veprën e plotë të tij, pas një redaktimi të tyre dhe plotësimi me komentet dhe literaturën e domosdoshme.

Dorëshkrimi i pabotuar

Në fushë të gjuhësisë, teksti më i plotë dhe mbase më i veçantë që kam gjetur në dorëshkrimet e tij është recensioni për disertacionin e doktoratës së Martin Camjat për gjuhën e “Mesharit” të  Gjon Buzukut (I1 “Messale” di Gjon Buzuku – Contributi linguistici allo studio della genesi, edicion i “ Shjezavet”, Roma, 1960,1-89). Fillimisht më ka bërë përshtypje fakti se Profesor Idriz Ajeti kishte në bibliotekën e tij dy veprat e Martin Camajt (Gramatikën… dhe Doktoratën) me nënshkrime dhe vlerësime respekti nga Martin Camaj, si dhe shumicën e numrave të revistës “Shenjzat”, të cilat, sikur mund të shihet prej shënimeve në margjina, Profesor Idriz Ajeti i kishte lexuar e konsultuar, nënvizuar e komentuar në margjinë dhe prej këtyre anëshkrimeve mund të bëhet një artikull me interes për raportet e panjohura mes Martin Camajt dhe sidomos Ernest Koliqit e Profesor Idriz Ajetit.

Gjatë një dekade të botimit të revistës “Gjurmime albanologjike” 1962-1971, Universiteti i Prishtinës – Fakulteti i Filozofisë, në Prishtinë, si kolanë e përbashkët e tri serive të mëvonshme (seria e shkencave filozofike, seria e shkencave historike dhe seria e folklorit dhe etnologjisë) në Institutin Albanologjik, Profesor Idriz Ajeti ka botuar disa recensione, kryesisht për personalitete të përmasave gjithëkombëtare dhe ballkanike. Fjala është për recensionet kushtuar veprave dhe madje studimeve me karakter monografik të Profesor Eqrem Çabejt[1], Martin Camajt[2], Claus Haeblerit[3], Petar Skokut[4] dhe Henrik Bariqit[5]. Profesor Idriz Ajeti ka botuar tekste recensionale edhe më herët, te revista më e rëndësishme e kohës “Jeta e re” për dy vepra të Selman Rizës[6], si edhe më vonë, por ato janë kryesisht Parathënie të botimeve të kohës[7], si dhe referate të mentorimit të tij të kandidatëve të doktoratës të përfshira kryesisht në vëllimin e III[8] dhe IV[9], të veprave të plota të botuara nga “Rilindja”, Prishtinë; si dhe veprave IV(2001)[10] dhe V(2002)[11] të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës[12]

Ky recension i Profesor Idriz Ajetit do të jetë shkruar në vitet e para të themelimit të revistës, pra për njërin nga vëllimet e revistës “Gjurmime albanologjike”, por mendojmë se arsyet e mosbotimit të tij janë të ndryshme.

              e para, sepse nuk arriti ta përfundonte ashtu sikur dëshironte, e për përfundimin e tij priste të lexonte edhe botime të tjera për “Mesharin” e Buzukut, të cilave ju referohej me shënimin e papërmbyllur (“khs.”), dhe të cilat ne po i plotësojmë këtu, kryesisht si referenca në fusnotë;

              e dyta, sepse ky recension u gjet në një nga çantat e hershme, të mbushura me materiale të ndryshme (dokumente, gazeta, materiale pune, blloqe shënimesh), të cilave me gjasë nuk ju është kthyer më; dhe

              e treta, mbase më e qëndrueshmja, sepse pas vitit 1968 (Konsultës së Prishtinës) dhe afrimit të marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare rrugët e tyre u ndanë në raport me qëndrimin e Profesor Idriz Ajetit dhe Martin Camajt për drejtshkrimit të gjuhës shqipe, përkatësisht standardizimit të saj. Megjithëse në plan të parë dalin përkushtimet e tyre për dhe kundër standardit të gjuhës shqipe, që do të përmbyllet në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972), fakti që Profesor Idriz Ajeti kishte edhe përgjegjësi institucionale e kjo do të thotë edhe politike, në raport me ato marrëveshje ndërmjet institucioneve universitare e shkencore të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk mund të themi se nuk mori edhe sugjerime kolegjiale e vëllazërore, që të ndërpriste komunikimin dhe sidomos “vlerësimin dhe recensimin” e veprave të Martin Camajt. Pavarësisht nga ky hamendeshim, ndarjen e tyre të ndërlidhur me proceset kombëtare për shqipen standarde e arsyetojmë me faktin se, recensioni i botuar dhe recensioni në dorëshkrim i Profesor Idriz Ajetit për dy veprat shkencore të Martin Camajt, nuk u botuan në asnjë nga botimet dhe ribotimet e mëvonshme të tij.

Recensioni i Profesor Idriz Ajetit hapet me një vlerësim përgjithësues përmbi studimet bozukiane të dekadës së fundit, të cilat nuk ishin as të pakta as të rastit, përkundrazi, të thella, sintetike dhe madje fundamentale, si për asnjë shkrimtarët shqiptarë të letërsisë së vjetër.

“Albanistika e mbasluftës ka shënue disa studime filologjike të dorës së parë siç janë ato të Çabejt, Buletin i Shkencave Shoqërore, 1, 2, 3, 4/1955[13], lidhun me gjuhën e Buzukut e me probleme të tjera albanistike rrahë në të përkohshmen që u zu ngojë 1956-1962; mandej në këtë fushë asht ba nji punë me vlerë e randësi të madhe me botimin e riprodhimit gangull të veprës së parë të gjuhësisë shqiptare – Mesharit të Buzukut, krye prej Namik Ressulit, Romë 1958[14]. Kësaj pune i pasoi nji studim tjetër që i përket veprës që përmendëm sipër: asht fjala për gjurmimin e Martin Camajt mbi Mesharin e Gjon Buzukut[15], nji ndihmëse gjuhësore kjo që prek në studimin e gjenezës së veprës që e zumë ngoje”.

Ajo që të bën përshtypje këtu është përjashtimi i kontributeve të Selman Rizës, qoftë për shkak se disa prej tyre nuk i njihte[16], qoftë për shkak se nuk e shihte të arsyeshme t’i shquante ato[17].

Struktura përmbajtjesore

Ky studim, paraqitun si disertacion u mbrojt nga Camaj n’Atenenë e Romës pranë Katedrës Albanologjike t’atjeshme. Ai ngërthen në veti këta kapituj:

Parathania e autorit (6).

Hymja e tij në studimin në shqyrtim (7-10).

Kaptina e I: Drejtshkrimi: a) Alfabeti; b) H-ja si shenj grafik e fonetik (11-19).

4. Kaptina e II: Zanoret e ndërhundëshme (20-29).

5. Kaptina e III: Aspektet e gjuhës së Gjon Buzukut (33) a) Tiparet e gjuhës dhe të stilit të Mesharit (33-42); b) Futuri (32-46); c) Imperfekti (46-47); d) Infinitivi(47-48); e) Veçoritë dialektore (48-53).

6. Kaptina e IV : Huazimet e gjuhëve të hueja në gjuhën e Mesharit (54)  a) Huazimet latine (54-56); b) Huazimet sllave (56-66); c) Huazimet venedikase (66-67); d) Huazimet greke (67-70).

7. Vështrime përfundimtare (71-77). Tri këngë të njohura të Triepshit (78-82); Bibliografia (83-86); Regjistri i fjalëve (87-89)”[18].   

Sikur mund të shihet në dorëshkrim, të gjithë kapitujt dhe nënkapitujt vendosen kryerresht, me mundësi që t’i përplotësojë ato me shënime, përshkrime dhe komente të mundshme, të cilën nuk e konsiderojmë të arsyeshme të përplotësohet. Përjashtim bën fakti se në përmbajtjen e përshkruar mungon një nënkapitull me titull: Tri këngë të njohura të Triepshit, të cilin me gjasë autori nuk e ka harruar por e ka përjashtuar duke i parë ato këngë si të panevojshme.

Çështje të fonetikës buzukiane

“Në fillim të studimit të vet, kur ban fjalë mbi shenjat e ndryshme grafike, Camaj e hedh poshtë mendimin e S. Rizës, Mbi vlerën fonetike të grafivet Buzukiane Ɣ-ja (sllave) dhe u (latine), “Buletin për Shkencat Shoqërore”, 1/1958, f. 81-85, që u-ja dhe Ɣja përdorë në Mesharin e Buzukut paraqesin vlerë të ndryshme fonetike; Martini i del zot gjykimit se ato janë dy grafi për të njëjtin tingull me vërejtjen që asht gjurmë e nji tradite qirilike n’ortografine e shqipes[19].

“Camaj, në peshimin tonë na del origjinal sidomos në punën e shtjellimit të konsonantit h që ndeshet me të madhe në Mesharin e Buzukut. Praninë e tingullit në fjalë e kërkonte te nevoja e shqiptimit t’atëhershëm të shqipes Buzukiane për ta shque mirë gjysmëvokalin ë nga vokalet e tjera të plota që në përdorjen grafike paraqiteshin njisoj”[20]. Për këtë konstatim Profesor Ajeti i referohej studimit të Martin Camajt të botuar pak vite më parë në vjetarin “Godišnjak” të Sarajevës, bashkëpunëtor i të cilit ishte edhe ai që në fillimet e daljes së tij.

“Prania e h-së ka pas edhe nji zë tjetër që i shërbente theksimit e shqiptimit sa me të qartë të vokalevet e gjysmëvokalit pse teksti i Mesharit në shumicën e rasteve përpos që lexohej ai edhe këndohej horas në kishë, khs. veprën e zanun ngoje, f. 16”.

“Na duket që Camaj trajtimit të vokaleve nazale, sidomos lidhun me gjuhën e Buzukut i ka kushtue vend bukur të hapët. Na ha mendja që ate që rrah të spiegojë të shumtën ka qene ditë edhe përpara. Camajt, me gjithë gjase, i ka dhane shkas ta shtronte rishtas çështjen e nazalitetit tue i rezervue vend të shënueshëm papërfillja e këtij problemi nga ana e Namik Ressulit në transkribimin e Mesharit të Buzukut. (Ressuli, I1 Messale di Gjon Buzuku, Città del Vaticano, Bibloteca Apostolica Vaticana, 1958). Në tanë trajtimin e kësaj çështjeje ne na duket gjykim i matun, i drejtë e i logjikshëm ai i Camajt kur thotë: “Sono convinto che la nasalizzacione nella lingua albanese non si è sviluppata in maniera unica e con fazi identice ma adeguandosi alle particolari condizioni storiche di ciascuna parlate”, f. 20”[21].

“Camaj ka të drejtë padyshim kur ja zë për të madhe J. Rrotës pse ai në riprodhimin e nji pjese të Mesharit të Buzukut[22], kur ndeshë në vokale nazale pështetet kryekreje në shqiptimin e tanishëm të shkodranishtes, ku hasim nji mori nazalesh rend-dyta. Mirëpo, mbas mendimit tonë as shembulli aneteh (anë të), Meshari i Buzukut, 296, që na sjell Camaj nuk ka urë për ta besue që në kohën e shkrimtarit tonë të jetë shqiptue ndërhundshëm, njiherë pse as në toskënishten nuk asht përftue reduktimi i vokalit të kësaj fjale në ë, pra anë e jo enë (nënv. e I.A.). Të mbështetesh në gjendjen e sodit të gjuhës për ta ndriçue nazalitetin e shqipes të para katër shekujve nuk asht rrugë e drejtë metodologjike.

“Kur bân fjalë për disa aspekte të gjuhës së Buzukut, na mendojmë se Camaj asht në hulli të drejtë që Meshari i klasikut shqiptar nuk asht vepër individuale e nji shkrimtari të vetëm, siç e shikonte Çabej gjuhën e Buzukut. Shumë kohë para Buzukut ishin përkthye copa të tana nga Ungjilli në gjuhën shqipe që sa vete po lëmohej, përkryhej e pse përdorej nga famullitarë prej visesh të ndryshme ajo mirrte forma gjithënduersh krahinore, khs. M. Camaj, vepra e përmendun, fq.35. Camaj i del zot gjykimit që nji version i dytë pjesësh t’Ungjillit që hasen në Mesharin e Buzukut duhet të jetë përkthim i vjetër i teksteve greke, Camaj, vepra e përmendun, f. 42”.

Ajo që të bie në sy në konstatimin e parë është përkrahja që i jep në plan të parë mendimit të ri të Martin Camajt rreth autorësisë së tekstit “na mendojmë se Camaj asht në hulli të drejtë që Meshari i klasikut shqiptar nuk asht vepër individuale e nji shkrimtari të vetëm, siç e shikonte Çabej gjuhën e Buzukut”, i cili në pjesën e parë të disertacionit të doktoratës së tij theksonte se: “Buzuku mbështetet në një traditë të gjatë të shkrimit të teksteve të shenjta në shqipe dhe, nuk mund të shpjegohet ndryshe ajo përsosmëri e stilit dhe e gjuhës në të cilën janë shkruar pjesë të Ungjillit që lexohen në meshën e ditëve festive, veçanërisht ato pjesë të njohura e të komentuara besimtarëve prej klerit, sikurse janë parabolat […]. Shumë kohë para Buzukut kanë ekzistuar përkthime të Ungjijve në gjuhën shqipe dhe nëpërmjet një përpunimi të gjatë përmes përdorimit e ndërhyrjeve të kopistëve mbi këto tekste është arritur në një stil të vërtetë pikërisht shqiptar dhe, me shumë gjasa, drejt një pasurimi të kësaj gjuhe kishtare të përbashkët, e cila përfshinte forma të shumëllojshme të të folurave krahinore, prej nga vinin anëtarët e klerit katolik që përdornin një gjuhë të tillë”[23].

Për më tej studiuesja e re Arta Sulaj, e cila në doktoratën e saj[24] e ka bërë krahasimin e pikëpamjeve të studiuesve për autenticitetin e Mesharit të Buzukut, veç tjerash thekson se: “M. Camaj, e fakton këtë përmes krahasimit të dy përkthimeve të së njëjtës pjesë të Ungjillit (Lu. I, 26-38) që ndodhen, e para në Officium B.M.V. dhe e dyta në Missale. Ai vëren se versioni i parë ndjek në gjithçka tekstin latin, ndërsa versioni i dytë është stilistikisht më i përpunuar, duke ndryshuar edhe ndërtimin e fjalisë. Sipas Camajt, dallimet mes dy varianteve janë shumë të theksuara për t’i konsideruar si përkthime të të njëjtit autor prej një burimi të vetëm latin. Versioni i dytë duket i lidhur me një traditë antike dhe në disa raste, nën një strukturë të shqipëruar, duket ndikimi i largët i tekstit grek”[25].

Çështje morfo-sintaksore

“Te Meshari i biem ndesh përveç futurit kam + infinitiv[26] edhe nji trajtë tjetër, sajue prej do + prezenti të konjuktivit[27], forme kjo që mbas mendimit të Camajt do njehë futur origjinar i shqipes, f. 42-45)”.

“Në këtë punim të vetin Camaj s’e ka lanë pa e prekë edhe çashtjen e imperfektit të shqipes, tue e vështrue nga aspekti i tij morfologjik e jo nga ai sintaksor. Në trajtesën e vet Camaj imperfektin e shqipes nuk e ka rroke në tanë vijën e zhvillimit të tij historik që ta spiegonte fillin e tij të kapërthyem. Trajtimit të kësaj çashtje i ka kushtue gati dy faqe”. Këtë çështje Profesor Ajeti e kishte të njohur për faktin se e kishte trajtuar së paku dy herë gjerësisht në këtë periudhë, në disertacionin e doktoratës[28], të cilën Martin Camaj e kishte të njohur gjerësisht, po edhe te monografia për Historinë e gjuhës shqipe[29], në botimet dhe ribotimet e të cilës “e pakryemja (imperfekti)”, është diskutuar gjerësisht në dymbëdhjetë faqe të librit[30].

“Ne na duket që në fushën e verbeve të shqipes kemi ndryshime mâ tepër se kudo në kategoritë e tjera gramatikore marrun në fillin historik. Nuk ka dyshim se shqipja qysh në perioda të mugëta ka pas dy trajta imperfekti imperfektin asigmatik dhe nji tjetër me g që quhet sigmatik, sikur e kanë edhe disa gjuhë të tjera indoeuropiane: sllavishtja, armenishtja, greqishtja. Mbas mendimit tonë forma e imperfektit sigmatik që dëshmohet në trajtat imperfektive të foljeve ndihjore jam, kam, thom: deshe, jeshe, ish, jeshëm, jeshët, ishnë, në të folmen çamëriote, -përkah ati vjetërsia asht formë gjenetike e shqipes. Ajo na ruhet edhe në disa verbe që hasen në ligjërime toske. Mejeri në gramatikën e vet: Kurzgefasste albanesische Grammatik, fq. 39, për vetën e III t’imperfektit sjell: martonish, shkruanish, dridhish në të cilat trajta sh-ja nuk do të jetë gja tjetër veçse mbaresa imperfektive e foljes jam”[31].

“Kur bâhet fjalë për imperfektin sigmatik duhet vu re edhe nji gjâ që përgjithësimi i tij në shumicën e gegenishteve nuk do vendue n’atë kohë në t’cilën u caktuen trajtat e imperfektit të verbeve jam, kam, thom”.

“Edhe trajta e imperfektit asigmatik përkah lashtësia na shpie në perioda të mugëta të shqipes. Me sa po duket mbaresat e imperfektit asigmatik kanë qenë: e, e(n) te, ime, ni, inë (dridhe, dridhe, dridhish: dridhte, etj.)”.

“Nuk përjashtohet mundësia që secila kategori e foljeve të ketë pasë mbaresa të veçanta imperfekti, njashtu p.sh. grupi i -n foljeve duhet të ketë mbarue me këto mbrapashtesa: -nje, -nje, (-n) te, -njin, -njit, -njin, trajta këto që janë shortue edhe në kategoritë e tjera verbale në konsonant, madje gërshetue edhe me -n konjugacionin: ishnje (ishnja), ishnje ishte, ishnjim, ishnjit, ishnjin. E mbrapashtesat e imperfektit sigmatik që bijohen nga prezenti a tema e tij i u ngjiteshin nji pale tjetër foljesh,verbeve të -n konjugacionit sikur u përmend mâ parë”.

Rëndësia e diskutimit të huazimeve sllave

“Në kaptinën e IV mbi huazimet e hueja në shqipen e Buzukut Camaj na ka t’fillue shumë anë sidomos përsa u përket sllavizmave në Mesharin e shkrimtarit tonë. Nji send i ri që në këtë fushë studimesh na âsht bâ i njoftun asht dëshmimi i Camajt që priftënit shqiptarë që n’atë kohë mirreshin me përkthime tekstesh të shejta, bashkë me Buzukun ishin në lidhje të përhershme me traditën letrare liturgjike në gjuhën popullore kroate, khs. Camaj, në veprën e përmendun, fq.59”.

“Në përmbyllje të këtij vështrimi na nuk mund të lamë pa thanë që Camaj në studimin e vet ka rrokë disa çashtje të çenësishme t’gjuhës së Buzukut shtjellimi i të cilave i ka shpumë përpara studimet albanistike dhe na e njohim ndihmesë të randësishme në fushën e gjurmimit të klasikut shqiptar”.

Dr. Idriz Ajeti

Përfundime

Recensioni i pabotuar i Profesor Idriz Ajetit për disertacionin e doktoratës, përkatësisht veprën e Martin Camajt, I1 “Messale” di Gjon Buzuku – Contributi linguistici allo studio della genesi, edicion i “ Shjezavet”, Roma, 1960,1-89), nuk është thjesht një tekst i mbetur rastësisht në sirtarët e Profesorit, përkundrazi, sikur mund të shihet prej të dhënave tona dhe sikur mund të deklaroheshin disa nga bashkëkohësit e tij (Rexhep Qosja, Shefqet Pllana, Anton Çetta, Latif Mulaku dhe sidomos Profesor Rexhep Ismajli), hap shumë të panjohura për marrëdhëniet e tyre gjatë një periudhe prej gjysmë shekulli. Është për të theksuar faktin se Profesor Ajeti ashtu si edhe Martin Camaj, në intervistat dhe diskutimet e tyre, nuk e kanë atakuar apo cenuar në asnjë mënyrë punën e tyre, ndërkohë që pas vitit 1968 nuk i shohim të pranishëm qoftë edhe vetëm në literaturë, emrat apo veprat përkatëse.


[1]  Eqrem Çabej, Uber einige mit z analyttende Wörter de Albanischen, “Zeitschrift für Phonetik und allgemeine Sprachëissenschaft”, 9/3, Berlin, 1956, p. 203-229, në “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë, 1962, nr. 1, f. 283-286;  Eqrem Çabej, Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe, Tiranë 1967, f. 216, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1968, nr. 2, f. 259-262.

[2]  Martin Camaj, Albanische Wortbildung – die Bildungsëeise der älteren Nomina, “Albanische Forschungen”, vëll. 6, Wiesbaden 1966, në Gjurmime albanologjike, Prishtinë 1968, nr. 1, f. 241-243.

[3]  Claus Haelber, Gramatik der albanischen Mundart von Slamis, Otto Harrassowitz, Wisbaden 1965, f. 178, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1968, nr. 1, f. 244-246.

[4]  Petar Skok, Etimologijski rječnik hrvatskoga ili srpskoga jezika, Zagreb 1971 (A-J), në “Gjurmime albanologjike, – seria e shkencave filologjike”, I, 1971, Prishtinë, 1972, f. 216-220.

[5]  Henrik Barić, Istorija arbanaškog jezika, Balkanološki institut, Naučnog društva Bosnie i Hrtcrgovine, Sarajevo, 1959, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1962, nr. 1, f. 281-283.

[6]  Shih, Selman Riza, Gramatikë e serbokroatishtes, botim i shtëpisë botuese “Mustafa Bakija”, Prishtinë 1952, f. 278, në “Jeta e re”, Prishtinë 1952, nt. 5-6, f. 408-410; Selman Riza, Fillimet e gjuhësisë shqiptare, botim i shtëpisë botuese “Mustafa Bakija”, Prishtinë 1952, f. 126, “Jeta e re”, Prishtinë 1953, nr. 2, f. 170-175.

[7]  Shih Pasthënien e Idriz Ajetit në veprën e Nikollë D. Gazullit, Fjalorthi i ri, Prishtinë 1968; Idriz Ajeti, Parathënie: Dy fjalë për veprën, në Eqrem Çabej, Për gjenezën e literaturës shqipe (ribotim), “Rilindja”, Prishtinë 1970, f. 67; Idriz Ajeti, Dy fjalë për opusin e E. Çabejt (Parathënie), “Studime gjuhësore”, I (Studime etimologjike në fushë të shqipes A-O), Prishtinë 1976, f. VII-XXII.

[8]  Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes (III), “Rilindja”, Prishtinë 1985, f. 371. Shih tekstet recensionale: Selman Riza, Fillimet e gjuhësisë shqiptare (185-189); Eqrem Çabej: Uber einige mit z-anlautende wörter des albanischien (190-192); Blaže Koneski: Istorijata na Makedonskiot jazik (193-196); Claus Haebler: Grammatik der Albanischen mundart von salamis; Eqrem Çabej: Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe (201-205); Duke hapur punimet e seminareve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare; Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes; Përfundim. Gjuha shqipe e Kuvendit të Arbënit; Për një nismë të dobishme shkencore; Kongresi i IV Ndërkombëtar i Studimeve të Evropës Juglindore; Dy fjalë kujtimi për Eqrem Çabejn me rastin e përvjetorit të vdekjes së tij; Dy fjalë për librin “Medreseja” e Madhe e Shkupit” e Abas Rexhepagiqit.

[9]  Shih, Idriz Ajeti, Studime gjuhësore në fushë të shqipes (IV), “Rilindja”, Prishtinë 1989, f. 371. Shih tekstet recensionale: Një ndihmesë në fushën e leksikologjisë shqiptare; Mbi disa ndërrime fonetike; Kërkime të reja etimologjike në fushë të shqipes” të Qemal Muratit (151-160); E folmja e KaÇanikut me rrethinë (161-170); Ndikimi i shqipes në të folmet serbe të Kosovës.

[10]  Shih, Idriz Ajeti, Vepra, 4: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës . Botime të veçanta XXIII. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, libri 12, Prishtinë, 1997. Shih, Recensionet (185); Dy fjalë mbi përmbledhjen: “ Probleme të historisë së gjuhës shqipe” (187-195); Onomastika e Hashanisë (197-198); Dy fjalë për veprën – “Për Gjenezën e Literaturës shqipe”, 1970 (199-205); Dy fjalë për fjalorin e Gazulit (207-210); Gjuha e Josif Bagerit (211-217).

[11]  Shih, Idriz Ajeti, Vepra, 5: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Botime të veçanta XXIII. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, libri 12, Prishtinë, 2002. Shih kapitullin brena librit, Kritika e recensione. “Kërkime të reja etimologjike në fushë të shqipes” të Qemal Muratit (151-160); E folmja e KaÇanikut me rrethinë (161-170); Ndikimi i shqipes në të folmet serbe të Kosovës (171-172); Qemal Murati: Sllavizmat në të folmet shqipe gege të Maqedonisë (disertacion doktorate) 1988 (173-181); S. Riza: Gramatikë e serbokroatishtes (183-184); Selman Riza: Fillimet e gjuhësisë shqiptare (185-189); Eqrem Çabej: Uber einige mit z-anlautende wörter des albanischien (190-192); Blaže Koneski: Istorijata na Makedonskiot jazik (193-196); Claus Haebler: Grammatik der Albanischen mundart von salamis (197-200); Eqrem Çabej: Shumësi i singularizuar në gjuhën shqipe (201-205).

[12]  Në rastet më të shpeshta për shkaqe praktike do t’i referohemi vëllimit me të plotë me studime, Idriz Ajeti, Studime për gjuhën shqipe (Vepra të zgjedhura), Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës – Acadèmie des Sciences et des Arts de Kosova. Botime të veçanta XXIII. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, libri 57. Éditions spéciales CLXI. Classe des Sciencies Philologiques, Vol.57. Zgjodhi dhe përgatiti Akademik Rexhep Ismajli. Prishtinë: Prishtina, 2002, f. 288.

[13]  Në të vërtetë, Profesor Çabej më parë se sa të botonte studimin në katër vazhdime te Buletini i Shkencave Shoqërore, kishte përgatitur një dorëshkrim monografik për tezën e doktoratës: Shih,  Gjuha dhe dialekti i Gjon Buzukut (La langue et le dialecte de Gjon Buzuku) 180 f. (të daktilogr.). Tiranë, 1954. (Dorëshkrim. Arkivi i IGJL, Tiranë); një tekst përgjithësues Gjon Buzuku dhe gjuha e tij, “Nëndori”, viti II, nr. 3, f. 70-75, Tiranë, mars 1955; dhe studimin të cilin e thekson Profesor Idriz Ajeti, Gjon Buzuku: 1) Rrethanat historike. 2) Autori dhe vepra e tij. 3) Karakteri i përgjithshëm i gjuhës. 4) Tingujt. 5) Format. 6) Fjalori. 7) Dialekti. Buletini i Shkencave Shoqërore, nr. 1, f. 9-23; nr. 2, f. 71-100; nr. 3, f. 39-50; nr. 4, f. 113-124, Tiranë, 1955. Më tej Profesor Çabej ka botuar edhe një sintezë brilante me titull Disa aspekte të fonetikës historike të shqipes në dritën e gjuhës së Gjon Buzukut. Autoreferat i disertacionit për marrjen e gradës shkencore “Kandidat i shkencave filologjike”, Tiranë, 1959. 23 f. Të shaptilografuara. Universiteti Shtetërore i Tiranës. Fakulteti i histori-filologjisë. Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Sektori i gramatikës, në Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria shkencat shoqërore, viti XIV, nr. 1, f. 253, Tiranë, 1960.  Sikur dihet kryevepra e studimeve buzukiane u kurorëzua me kryeveprën historiko-gjuhësore të Profesor Eqrem Çabejt “Meshari” i Gjon Buzukut (1955). Botim kritik (Le “Missel” de Gjon Buzuku. Èdition critique). Punuar nga Eqrem Çabej. Pjesa e parë. Hyrje dhe transliterim. 299 f. Pjesa e dytë: Faksimile dhe transkribim fonetik. 404 f. Universiteti Shtetëror i Tiranës – Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, Tiranë, 1968.

[14]  Është një mendim përgjithësisht i tumirur se studimi dhe botimi shkencor-kritik i Namik Resulit, Il “Messale” di Giovanni Buzuku. Riproduzione e trascrizione (Città del Vaticano, 1958), paraqesin një përmasë moderne të botimeve të kësaj natyre në studimet albanologjike.

[15]  Martin Camaj tezën e doktoratës e kishte paraqitur më 16 shkurt 1956 në Universitetin e Romës me mentorim të Ernest Koliqit, ndërsa është mbrojtur me vlerësime maksimale, më 15 mars 1960. Po atë vit u shtyp në format libri, si botim i revistës “Shejzat” (të cilën edhe e redaktonte). Vepra u botua me titullin: Il Mesale di Gjon Buzuku. Contributi linguistici allo studio della genesi. Gjatë kësaj kohe Martin Camaj punonte edhe si lektor pranë Universitetit në Romë.

[16]  Shih dorëshkrimet të cilat do të botohen pjesërisht në veprat e plota të Selman Rizës, Relacion i zgjeruar mbi ribotimin kritik të Gjon Buzukut nga Eqrem Çabej. Dorëshkrim i vitit 1958 a 1959. Botuar për herë të parë, në Selman Riza, Vepra, I, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, 1996, f. 491-541. Të njëjtin temë e ka trajtuar gjerësisht edhe në disa studime ose pjesë të tyre, por sidomos në dorëshkrimin Pesë autorë më të vjetër të gjuhës shqipe, Tiranë, 1961. por edhe dorëshkrimet: Nazaliteti tek Buzuku, 2. f.; Anaptiksi tek autorët e vjetër, f. 135-160; Pesë autorë më të vjetër të gjuhës shqipe, 3 f.; Gjon Buzuku (komente), f. 1-110; Gjon Buzuku “Breviari”, (dorëshkrim), f. 1-148 dhe e daktilografuar f. 328-340; Kurorëzimi prej Pjetër Budit i përpjekjeve të Gjon Buzukut për shndërrimin e gegërishes së folur në gjuhë letrare, 4,5 f; Pjetër Budi, kurorëzues i përpjekjeve të Gjon Buzukut për shndërrimin e gegërishes së folur në gjuhë letrare”, 2 f; Kritikë e hipotezave mbi botimet shqip parabuzukjanë, 32 f; Materiale për Gjon Buzukun (kryesisht fragmente të veprave të tij)

[17]  Shih, veç tjerash veprat e botuara të Selman Rizës, Fillimet e gjuhësisë shqiptare, Prishtinë, 1952; Pesë autorë më të vjetër të gjuhës shqipe, Tiranë, 1961 etj.

[18]  Numrin e faqeve e theksuam ne, sipas botimit të veprës origjinale që e kemi ne. 

[19]  Shih botimin së fundi të këtij studimi Relacioni i zgjëruar mbi botimin kritik të Gjon Buzukut (Përmbledhje) (491-492); I. (493-498); II. (499-506); III. (507-512); IV. (513-523); V. (524-530); Shtojcë (Teza e Eqrem Çabejt mbi vlerën fonetike të ᵧ-së slave në tekstin e Buzukut) (531-541) në Vepra 1: Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Botime të veçanta XXII. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Libri 11. Prishtinë, 1996.

[20]  Shih, Martin Camaj, Prilog poznavanju grafije Gjon Buzukua në “Godišnjak”, Balkanološkog Instituta, Sarajevo, 1/1957, f. 203-211.

[21]  Jam i bindur se dukuria e nazalizimit në gjuhën shqipe nuk është zhvilluar në mënyrë unike, por duke iu përshtatur kushteve historike të veçanta të secilës së folmeje. Përktheu: Prof. Diana Jup Kastrati.

[22]  Fjala është për botimin e veprës së parë të Justin Rrotës, Monumenti ma i vjetër i gjuhës shqipe – Gjon Buzuku (1555), botuar më 1930. Një vepër tjetër Jusutun Rrota e ka botuar në vitin 1956. Shih, Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun, botuar më 1956.

[23]  Martin Camaj, Il “Messale” di Gjon Buzuku, Contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Romë, 1960, f. 34 – 35. (Shih, Arta Sulaj, Vep. e cit,  f. 130)

[24]  Shih, Arta Sulaj, Shkruesi si autor  në dorëshkrimet filologjike të Shqipërisë  (Tezë për doktoratë në studime letrare), Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë – Departamenti i Letërsisë, Tiranë, 2015.

[25]  Martin Camaj, Il “Messale” di Gjon Buzuku, Contributi linguistici allo studio della genesi, Shêjzat, Romë, 1960, f. 42. (Arta Sula, vep. e cit. f. 131).

[26]  Shih, Idriz Ajeti, O jeziku “Divana” Šejha Malićija, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1966, nr. 3, f. 27-52. “Është interesante të vihet re që forma e futurit me kam + infinitive puqet për mrekulli me mënyrën se si përftohet future në gjuhën romane: lavorero=lavorare+ho (me punue kam); frëngj. j’écrirai=écrire+j’ai, me të vetmin dallim që në gjuhën romane folja ndihmëse do të vijë në fund, e shqipja do ta ketë në fillim” (Cit. Ajeti, Vepra të zgjedhura, f. 359).

[27]  Nga kjo del se trajta e futurit të kryehershëm në gjuhën shqipe ishte kam+infinitivi, ndërsa do te – prezenti i koniuktivit – është dukuri e vonshme, që vërshoi toskërishten, ndërkaq, përdorimi i tij në dialektin gegë është mjaft i rrallë dhe i kufizuar. Me këtë hidhet poshtë mendimi i disave që në gjuhën shqipe që të dy tipat e futurit i konsiderojmë si një dukuri të lashtë. Për këtë ai ju referohet arritjeve të mëhershme të bashkëkohësit të tij Selman Rizës, Tri monografina albanologjike, Tiranë, 1944, f. 128 – 133.

[28]  Shih, Istorijski razvitak gegijskog govora arbanasa kod Zadra, Balkanološki institut, Naučnog društva Bosnje i Hercegovine, Sarajevo, 1961, f. 164. Në këtë vepër, veç tjerash Profesor Ajeti sillte një pikëpamje të tij mjaft origjinale, në kontekst të popullacionit të kërkimit dhe të hapësirës gjuhësore në të cilën është regjistruar korpusi leksikor: “Vend të veçantë meriton imperfektinë të folmen shqipe të Krajës, sepse është ruajtur në një trajtë mjaft arkaike, ndërsa në një numër të konsideruar të folmesh gege nuk e ndeshim më. Ai në të folmet e Krajës edhe sot përdoret në atë trajtë siç është i njohur kryesisht në dialektin toskë”. (Shih, Vepra të zgjedhura, f. 144).  

[29]  Shih, botimet e saj, fillimisht me titull Hymje në historinë e gjuhës shqipe, Fakulteti filozofik, Katedra e albanologjisë, Prishtinë, 1963. (Material i shaptilografuar); Hymje në historinë e gjuhës shqipe (botim II), Fakulteti Filozofik i Prishtinës, Katedra Albanologjike, Prishtinë 1965, f. 75. (Ribotim anastetik i botimit të parë). Historia e gjuhës shqipe (morfologjia historike), Prishtinë, 1969. Për temën E pakryera – imperfekti (shih, 86-89); Rreth disa veçorive të të folmeve të shqiptarëve të rrethit të Preshevës dhe të Bujanocit, Gjurmime albanologjike, Prishtinë 1969, nr. 2, f. 37-61. Po i sjellim këta shembuj për të dëshmuar përmasën historike të studimit të kësaj çështjeje morfologjike nga aspekti historik e dialektologjik (gegërishtja/toskërishtja) dhe në kontekstin gjeografik (Zarë (Veriperëndim), Bujanovc e Preshevë (Verilindje) dhe krahasimi me të folmet e Jugut.     

[30]  Shih, I. Ajeti, Vepra të zgjedhura, f. 474-486.

[31]  Profesor Ajeti këtë çështje e kishte diskutuar që më parë te disertacioni i tij për të folmen e Zarës, kur kishte theksuar: “Sa i përket formimit të imperfektit sigmatik, lindja e tij duhet kërkuar në bazën e prezentit, të cilit i shtohen mbaresat e imperfektit šε, še, š (šte), šεm, št, snε; khs. G. Meyer, Kurzgefasste albanesische Grammatik, f. 39; H. Pedersen, Alb, T. f. 136, 137: A. Dozoni, Manuel de la langue chkipe ou albanaise, f. 228. Këtë e dëshmojnë për mrekulli trajtat e imperfektit të foljes ndihmëtare jam dhe kam në të folmen e Çamërisë: ješε, ješe, iš, ješεm, ješt, išnε; kešε, keše, kiš, kešεm, kešt, kišnε, – ku je, ke, në fillim të fjalës nuk janë gjë tjetër pos gjurmë të foljeve ndihmëtare jam (jem), kam (kem)”. Shih, Ajeti, Vepra të zgjedhura, f. 207.

Exit mobile version