Përktheu nga origjinali: Maklena Nika
Poezitë e mëposhtme të poetes bashkëkohore greke Liana Sakelliou janë marrë nga antologjia poetike dygjyhëshe “Gaeta – Mesdheu, një xixëllonjë në kopsht”, botim i komitetit të festivalit të mirënjohur të poezisë mesdhetare, që zhvillohet çdo vit në këtë qytet nën kujdesin e poetit Giuseppe Napolitano. Antologjia është dygjuhëshe, në italisht dhe në gjuhën origjinale. Botimi në fjalë i përket vitit 2025, ku isha i ftuar edhe unë. Me lutjen time, poetja dhe përkthyesja e dalluar Maklena Nika, njëherash edhe mike, solli në shqip këtë dorë me poezi të Liana Sakelliou, të cilat i pata lexuar më parë në italisht.
Besnik Mustafaj
Peneli i piktorit botanik
Më pëlqejnë lulet e lotusit
si dëshira të vogla janë që rriten
në tulin e verdhemë të lumit.
Kanë zgjuarsinë e vdekjes.
I pikturoj. Jashtë bie borë.
E bardha mizore si mbështjellë në kopsht.
Trupin tim shoh në litani
e papërlyer, e artë
dëgjoj fjalët që m’i thua.
Do të më pëlqente të ecja në Campo dei Fiori
e të ndieja rrëqethjen e fjalëve të tua
duke m’i pëshpëritur në vesh.
Peneli im këmbëngul tek ngjyra e artë
dhe reflektimi i të purpurtës
farkëtohet nga kujtesa.
Pur ti miro, pur ti godo
Me hijeshime koketërie të një princeshe
ishin lidhjet e mia.
I preva të ecja në anën tjetër të fronit
drejt jush që ju desha,
t’ju bindja se dhimbja
është një koncept shumë intim
që ekziston edhe pa vraja të kuqerremta.
Në një farandolë vëreja valëvitjen,
dëgjoja fletëzat e holla të krinolinës
dhe imagjinoja qendrën tuaj të rëndesës.
U dridha, cila është natyra juaj tokësore?
U dridha kur shpata juaj u mbështet
në shpatullën e djathtë, pastaj në të majtën
e më pas në kokë.
Ç’prisnit?
Kodra të largëta mes avujve të nxehtësisë?
Këshjella mistike?
Fytyrën tuaj.
Kurajën.
Përdëllimin.
Duke dëgjuar zërin e Gaetës
Zëri do të jetojë në pakohësi.
E dëgjoj zërin për ta kuptuar më mirë
për të mos u mplakur askurrë.
Një identitet i shndërruar në mit
një formulim i pavdekësisë.
Ndodhem sërish në Gaeta dhe dëgjoj
tingujt e videos së zërit.
Ngazëllyer nga një aficionada
zëri do të përshkojë detin
mbështjellë nga rrezitja pranverore
do të cekë anijet që do të jenë kaq vezulluese
në limanet e shkretuara.
Në limane i flasim të gjitha gjuhët
e fjalët rrëshqasin mbi ujë
rrëzëllitëse.
Përshkojnë të qeta rrugë të mëndafshta
orëve të kaltra në det
zëra të elektrizuar
dritësojnë udhën tonë
shembin institucione
vështrojnë me ngulm dritën
që përmbyt skenën e bardhë të poetëve.
Një hap përpara bëjmë
të tretemi
në të kaltrën e fjalëve
ku gjërat kanë një papërcaktueshmëri të lëngshme.
Ndiejmë rrjedhën të kërcasë në floknajë
këndojmë sikur jeta jonë të varet vetëm nga fjalët
e gjejmë sërish Gaetën
në kryqëzimin tonë me të mrekullueshmen.
Ç’ka mbetur
Deti rrëngjen
si kurth poshtë sipërfaqes,
dhe ujërat e nëndheshëm e të mprehtë
rrëshqasin në terr
dhe thellësia thyhet në çikla.
Tani eci mbi guralecë
që më duken si vizimet
e një ushtrimi të vjetër evakuimi
hapa që humbasin në atëkohë dhe në të tanishmen.
Me peshën e ajrit që kundërmon erë të djegur
lagësia zbeh kufijtë.
Dhridhma, jo frika – është e çara që hapet
mes asaj që di
dhe heshtimit tim.
22 qershor 2025, Protaras, Qipro.
Natë përpara diçkaje tjetër
Ecnim duke qeshur
të nesërme nuk kishte
ose nuk e kishim të nevojshme.
Deti përpara nesh merrte frymë
i përjetshëm dhe i njohur.
Befas, kupa qiellore u copëzua
nga vija drite si yje që binin.
Ogurët ishin raketat
me bishta të flakëremë.
“Iran” “Izrael”, “Palestinë”
dhe unë duke vështruar lart
pashë qiellin si elektokardiogramë
që diçka i mungonte.
E më pas diçka tjetër
i mungonte mes shpërthimeve
kapitje e madhe, frymëmarrje e huaj.
Yjet vringëllonin.
Askush nuk i dëgjonte
as ti – pranë meje
buzagaz me pluhur yjesh
në cepat e buzëve të tua.
Zonë e butë
Diçka kishte ndodhur
natën.
Një pamje e jashtëzakonshme.
E pamë
si një e shtënë
pas gjurit
një rrymë
nën shputën e këmbës.
Trupat tanë vazhduan
të merrnin frymë në shezlongë
të përflakeshin, të nxiheshin
nën rrezet vertikale të plazhit.
Prekja rërën
siç e prek dikush
atë që ka mbijetuar.
Nuk kisha më frikë.
Ishte ajo që mbetet
kur frika (
nuk ka asnjë imazh,
çfarëdo që të nënkuptojë.
Liana Sakelliou lindi në Athinë, ku studioi filologji angleze në Universitetin e Athinës dhe vazhdoi studimet pasuniversitare në Angli dhe Amerikë. Ajo punon si pedagoge në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Universiteti i Athinës, ku jep letërsi amerikane, poezinë moderne dhe shkrimin krijues. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve në Greqi. Ajo ka fituar bursën nga Fondacioni Fulbright dhe nga Departamenti i Studimeve Helenike në Universitetin e Princetonit. Liana Sakelliou shtë autore e përmbledhjeve me poezi, ese, artikuj si edhe ka përkthyer në gjuhën greke disa vepra të rëndësishme të letërsisë amerikane. Botimet e saj përfshijnë veprat e mëposhtme: përmbledhje poetike “Prekje të rrjedhshme”, 1992, “Më merr si një fotografi”, 2004, “Portret përpara errësirës”, 2010, “Ku fryn flladi i ëmbël”, 2017; dy bibliografi për Denise Levertov: “An Annotated Primary and Secondary Bibliography” (Garland-New York, 1988) dhe “Feminist Criticism on American Women Poets: An Annotated Critical Bibliography” (Garland-New York, 1994), dy studime për Ralph Waldo Emerson (Gutenberg, 1999) dhe “Denise Levertov’s Poetry of Revelation”, 1988-1998: The Mosaic of Nature and Spirit (Typothito, 1999), tre redaktime dhe autore e hyrjes dhe bashkëpërkthyese e “Guri” të Brendan Kennelly (Erato, 1992), Gary Snyder: The Poetics and the Politics of Place (Odysseus, 1998) dhe “Hyrje në Trilogjinë e Hilda Doolittle” (Gutenberg, 1999). Gjithashtu, ka shkruar edhe tekstin e libretos për operën “Krijimi i Dytë” (Shoqata e Bursistëve Grekë të Fulbright-it, 2000).
