Veprat me vlera poetike të rrafshit të lartë, si ato të Martin Camajt, po dhe ato të Anton Pashkut, të Azem Shkrelit, për të mos i përmendur të tjerër, vënë drejtpeshim në letërsi dhe botimi dhe ribotimi i tyre është dëshmi e vetëdijesimit për rëndësinë e artit të fjalës dhe për shtigjet dhe mënyrën që duhet ndjekur për ta pasuruar e ngritur sa më mirëfilli letërsinë tonë.
Shtëpia botuese “Onufri” e Tiranës në fund të vitit të kaluar e botoi në një vëllim veprën e plotë letrare të Martin Camajt, njërit ndër krijuesit më të shquar të letërsisë sonë.
Me këtë botim shtëpia botuese “Onufri” dhe pronari i saj, Bujar Hudhri, dëshmuan se ende mendohet dhe punohet me përkushtim dhe zotim të denjë për çdo nderim për letërsinë tonë, në mënyrë të veçantë për botimin dhe njohjen e atyre shkrimtarëve tanë, të cilët për shumë vite u lanë në heshtje, u nënçmuan dhe u mënjanuan pa të drejtë nga jeta letrare e mirëfilltë.
“Onufri” e kishte botuar edhe më parë kompletin e veprës letrare të Martin Camajt në dhjetë vëllime, pastaj kishte bërë dhe botime të tjera të veprave të tij (vepra me vete në poezi dhe prozë), mirëpo botimi Vepra letrare e plotë – Në një vëllim, dëshmon për një vetëdijesim të rrafshit të lartë që vlerat e mirëfillta letrare poetike të botës sonë, të përgatitet me kujdesin më të madh dhe si të tilla të bëhet pjesë e jetës sonë letrare, e komunikimit poetik.
Edhe si përgatitje teknike, si pamje, Vepra e plotë – Në një vëllim e Martin Camajt është e cilësisë së lartë dhe sa t’i hedhësh një sy ballinës dhe gjithë vëllimit, fiton përshtypjes se ke përpara një libër të Biblës. Për këtë arsye m’u duk e arsyeshme që ta quaj Bibla letrare e Martin Camajt.
E them këtë për arsye se Camaj, i cili ishte përjashtuar, po dhe ishte përbuzur nga sistemi komunist diktatorial për gati gjysmë qindvjetshi (madje edhe pas rënies së tij), as që ka mundur të marrë me mend se një ditë në Atdheun e tij do të botohet e do të ribotohet, madje do të botohet edhe në një vëllim gjithë vepra e tij letrare dhe ta ketë pamjen e një Bible.
Them me plot bindje se ky botim ka një rëndësi dhe peshë të veçantë për arsye se veprat e rrafshit të lartë poetik, siç e thashë, e vënë letërsinë tonë në rrjedha të mirëfillta si vlera poetike dhe si komunikim dhe ndikim estetik.
Në fillim të Veprës së plotë – Në një botim botuesi ka vënë parathënien e Ismail Kadaresë: “Martin Camaj poet i lartësive” (f. VII – XI) dhe atë të Mateo Mandalasë (f. XIII – LXXIII).
Të dy parathëniet dëshmojnë për një shkrimtar të orës së parë dhe e nxitin lexuesin që ta lexojnë këtë vepër, po dhe ndihmojnë në komunikimin e saj me lexuesit e sotëm, po edhe me ata që do të vinë.
Dallohet sidomos parathënia e gjatë e Matteo Mandalasë, përmes së cilës ndriçohen një varg çështjesh të figurës së Martinit si shkrimtar dhe si njeri, ku autori ka hedhur dritë mbi një varg çështjesh të botës poetike të veprave të Martinit, të botimit të tyre (edhe të atyre të lëna në dorëshkrim), pastaj të letrave të tij dhe dukuri pak ose aspak të njohura. Besoj se botimi i parathënies së profesorit arbëresh, Matteut, si libër më vete, do të ishte e rëndësishme në mënyrë që vepra letrare e Martinit të përfillet më plotnish dhe të vihet një komunikim sa më i natyrshëm dhe gjallërik me lexuesin e sotëm.
Leximin e mirëfilltë të veprës letrarë të Martin Camajt e pata filluar në Gëtingen (Göttingen) në vitet 1978 – 79 si bursist i DAAD-së dhe qysh atëherë isha bindur për vlerat e saj.
Në vitin 1991 e kisha mbaruar studimin tim monografik me titull “Vepra letrare e Martin Camajt[1]”, të cilin Martini e pati lexuar në dorëshkrim.
Në Parafjalën e hartuar në nëntor të vitit 1991, pata shkruar: “Nisur nga fakti se vepra letrare e Camajt hyn në rrethin më të ngushtë të vlerave tona kulminante artistike dhe se ajo duhet të bëhet pjesë e pandashme e jetës letrare shqiptare […] ky punim synon të theksojë para së gjithash disa nga veçantitë dhe vlerat qenësore të saj, me të gjitha sprovat dhe vështirësitë e mëdha para të cilave ajo e vë edhe studiuesin më me përvojë”.
Po në atë Parafjalë pata theksuar domosdonë e studimit të mirëfilltë të veprës letrare të Martin Camajt: “Nevojën e studimit të krijimtarisë letrare të Camajt e nxiti dhe e ushqeu edhe mungesa e njohjes dhe e receptimit të saj në Shqipëri dhe në Kosovë, ku ajo u ndalua për afër dyzet vjet. Pra, përkundër vlerës së jashtëzakonshme poetike të kësaj vepre, mosprania dhe mosnjohja e saj pikërisht në trojet ku ajo duhej të bënte jetën dhe ndikimin e vërtetë, me të cilat (troje) ajo është e lidhur ngushtë tematikisht dhe kuptimisht, bëri që kjo jo vetëm të mos bëjë ndikimin te lexuesi, të cilit në esencë i kushtohej, por as të shfaqeshin mendime e vlerësime profesionale e reale për të”.
Në “Shënimin e botimit të dytë[2]”, që i prin studimit “Vepra letrare e Martin Camajt” të botuar në Tiranë në vitin 2000, kam përmendur edhe faktin që lidhet me interesimin e studimit të veprës poetike të Martin Camajt: “[…] pikërisht ashtu si e parashikoja dhe e shprehja në Parafjalën e vitit 1991: koha e jetës dhe e receptimit të njëmendët të veprës letrare të Camajt në rrafshin gjithëkombëtar, që zuri fill sidomos me botimin e dy veprave të tij në Prishtinë: Pishtarët e natës[3] dhe Në hijen e gjarpnit[4], do të vinte” (të dyja me parathënie të mia).
Camaj përftoi vepra poetike të rrafshit të lartë si poet, si prozator dhe si dramaturg. Ata që e parapëlqejnë poezinë do të thonë se në këtë lloj ka mbërritur pikën kulmore me përmbledhjet Njeriu më vete e me tjerë, me ciklet Buelli dhe Nema dhe me vëllimi Palimsest nga se edhe në romanin Djella dhe në prozat poetike Dranja përligjet poezia.
Të tjerët do të thonë se në rrafshin e prozës ka mbërritur kulmin, veçmas me Karpën dhe me Dranen.
Edhe në fushën e dramës Martini dëshmoi aftësinë e krijuesit të madh.
Pikërisht për këto arsye sa herë që vepra e tij botohet ose bëhet objekt studimi i mirëfilltë letrar, përmes të cilit ndriçohen vlerat e saj poetike, ajo nxit dhe bëhet një lloj drejtpeshimi dhe u hap shteg hartimit të veprave të këtij rrafshi, që ka një rëndësi të shumëfishtë për zhvillimin e mirëfilltë të letërsinë tonë që të shndërrohet në një letërsi të madhe.
Pra, botimi i veprës letrare të plotë – në një vëllim të Martinit nga shtëpia botuese “Onufri” e përligj në mënyrën më të denjë se prania dhe njohja e kësaj vepre madhore të botës sonë po bëhet përherë e më e mirëfilltë.
Po e mbyll këtë shkrim me mendimin se sa herë t’i qasemi dhe ta lexojmë veprën letrare të Camajt, përherë do të vërejmë diçka tjetër, do të mësojmë e do të dimë më shumë, para së gjithash, për botën tonë e për vetveten dhe do të pasurohemi shpirtërisht, që është cilësi e veprave të mëdha poetike.
Atë që thashë më lart për veprën letrare të Martin Camajt e përligj me shumë përbërës poezia Trajta, teksti i së cilës mund të thotë më shumë dhe më thellë se çdo shkrim diskursiv (jo poetik).
TRAJTA
Petk i endun prej nji dore
fund e krye, trajta,
e kandshme për sy e veshë.
Trajtë e thjeshtë e lindun
ndër mundime prej guri,
e përshkueme shtigjesh
të parrahuna
me kambë ose patkoj.
Pendël e lehtë në dukje
po e randë hekur në peshë,
tingull ose ngjyrë
e kthjellët deri në dritë.
[1] Anton Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. “Radhonjtë e Zjarrit”, n. 18, Kozencë, 1994.
[2] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Monografi. Lajmëtari, Tiranë 2000. Botimi i tretë i plotësuar dhe i shtuar “Princi”, Tiranë 2010. Botimi i katërt me ndryshime Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2020.
[3] Pishtarët e natës. “Buzuku”, Prishtinë 1991.
[4] Në hijen e gjarpnit. “Jeta e re”, Prishtinë 1991.
