… Në fund të shek XIX dhe në fillim të shek. XX lëvizja për shkëputje nga Turqia mori një zhvillim të ri, sidomos pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, organizatës së parë politike mbarëshqiptare, që nga koha e lavdishme të Skënderbeut. Një pikë referimi për lëvizjen kombëtare shqiptare edhe për zhvillimet kulturore të viteve të mëvonshme.
Në këtë situatë patriotët shqiptarë, një pjesë e madhe anëtarë të shoqërive në emigracion, filluan të ngrinin me forcë nevojën e një alfabeti të njësuar për gjuhën shqipe, si faktor i rëndësishëm i unitetit kombëtar dhe për realizimin e qëllimeve autonomiste në perspektivë. Jo pa të drejtë Dora d’Istria në një letër dërguar De Radës do të shprehej: “Institucionet letrare duke mos mundur të jenë politike duhet të marrin formë letrare dhe të jenë në dukje sa më të padëmshme për turqit”[1]. Ishte e qartë se idetë rilindëse të Naim Frashërit që i sheh shqiptarët të bashkuar në fenë e përbashkët të dashurisë për atdheun, të Pashko Vasës që vë shqiptarinë përpara ndjenjave fetare, të Mihal Gramenos që vëllazërinë e kërkon te patriotizma për qëllimin e përbashkët të luftës kundër zaptuesve, të Fishtës që ngre lart ndjenjën kombëtare etj., natyrshëm do të përputheshin në dobinë e shumanshme të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqipfolësit. Koha kishte ardhur: “vivlla kërkohen, shkolla hapenë, dhe në tërë vendin rrëfehet një etje për mësim” shkruanin shqiptarët e Bukureshtit që në vitin 1897[2]. Variantet e ndryshme të alfabeteve të deritanishme kishin qenë shprehje e dëshirave për të gjetur paraqitjen sa më të përshtatshme të tingujve të shqipes, për të afruar sistemet e alfabeteve të ndryshme në rrugën e një alfabeti të përbashkët. Po si do të ishte ky alfabet?
A. Z. Çajupi nga Misiri “alfabetet origjinale” i quante “egoizëm pa vend”. Propozonte që shqiptarët të kishin një alfabet të vetin, “me shkronjat latine që pajtohen më mirë”[3]. Po ashtu Aleksandër Xhuvani, që në fillimet e shek XX ishte mësues në Shën Mitër Korone, shprehej se “shqipja duke qenë një gjuhë e veçantë duhej të kish dhe një alfabet të veçantë”, por të mbështetur në alfabetin latin. Në të njëjtin mendim[4] ishin edhe arbëreshët e Italisë. Fan Noli do të ishte dhe më i prerë kur porosiste nga Bostoni: “Një abece për gjithë shqipëtarët…mjaft abecera është turp ,..”[5]. Faik Konica nga Brukseli në revistën e tij “Albania” hapi një rubrikë[6] me shumë interes për diskutimin e alfabetit të shqipes, ashtu siç vihet re edhe nga artikujt me këtë temë në disa nga gazetat e shqiptarëve jashtë vendit, të shoqërive që përmendëm më lart. Si nga niveli i debateve[7] të zhvilluara në rubrikën e Konicës në revistën që përmendëm më sipër ashtu edhe prej mënyrës së kualifikuar në trajtimin e çështjeve, parashtrimit të mendimeve, frazës së punuar nga artikujt që shkruante ai vetë, gjuhëtarët e sotëm e kanë vlerësuar lart kontributin e tij. “Tek Faik Konica mund të gjejmë burimet e para të alfabetit të sotëm të shqipes”[8]. Konica ndonëse e kundërshtonte alfabetin e Stambollit, germat e të cilit i quante “të përmbysura” shprehej për një alfabet unik me germa latine, me kusht që të përpunohej nga specialistë të albanologjisë…
Një meritë e veçantë u takon dy shoqërive letrare në Shkodër: “Bashkimi” (1899) themeluar nga abati Preng Doçi dhe Ndoc Nikaj me anëtar Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin etj. “që u lidhme me shkrue gjuhën shqipe…me qëllim hartimin e nji alfabeti të vetëm të shqipes…”. Më vonë (1901) u themelua shoqëria “Agimi” nga Ndre Mjeda që punoi “për hartimin e nji alfabeti të ri të shqipes”[9]. Kështu për herë të parë po konkretizoheshin përpjekjet për alfabetin e shqipes brenda kufijve të Shqipërisë. Ndonëse me vonesë, e shpjegueshme për kushtet e Shqipërisë së kohës, realizimi i pikësynimeve, sidomos prej shoqërisë “Bashkimi”, “që mundohet burrërisht për gjuhën shqipe me mendimet e saj që dhanë pemë të mira”[10]. Botimet e kësaj shoqërie patën jehonë të shpejtë brenda vendit (një abetare, një gramatikë dhe një fjalor me vlerë etj.). Kurse me alfabetin e “Agimit”, (ndonëse u pëlqye nga orientalistët e Kongresit të Hamburgut ku ishte paraqitur në ‘1902), s’pati botime sepse nuk kishte qenë i lehtë në përdorim. Më vonë u bënë përpjekje për të bërë një alfabet të përbashkët nga alfabetet e të dyja shoqërive të Shkodrës por nuk u arrit dot një marrëveshje[11]…
Më 23 korrik 1908 u shpall Kushtetuta II Osmane si rezultat i lëvizjes së turqve të rinj kundër regjimit autokratik të sulltan Hamitit. Premtimet e bujshme për njohjen e të drejtave dhe lirive të gjithë kombësive të Perandorisë osmane sollën shumë shpresë dhe gëzim. Kishte qenë një gaz i madh që kishte kapur gjithë vendin, nga Veriu në Jug, tregonte Taq Buda. Nëpër kafet e Elbasanit vetëm për Kushtetutën e xhonturqve flitej, se ç’përfitime do të kishim ne, shqiptarët. Kanë ardhur deri sot kujtimet e tij edhe nga bisedat me Edit Durhamin, nga mbresat e saj si vëzhguese e huaj, kur kjo e ndodhur në Shkodër kish marrë pjesë në kremtimet me rastin e shpalljes së këtij dokumenti të rëndësishëm jo vetëm për Perandorinë Osmane. “Ata (shkodranët – shën. i aut.) ngulën këmbë që të më jepnin armë dhe më morën me vrull. Zbrita përgjatë rrugës kryesore duke shkrepur çdo allti që më dhanë, ndërsa njerëzit duartrokisnin dhe Kryepeshkopi qeshte”[12], kishte treguar ajo…
Ngjarjet në Stamboll i dhanë shkëndijën atmosferës që ziente prej vitesh. Me mundësitë që po fitonte lëvizja kulturore kombëtare ndihej nevoja e një veprimtarie më të gjerë e të organizuar për zgjimin kombëtar. Për të përhapur mësimin e gjuhës amtare në popull, sidomos për tekstet e shkollave dhe botimeve të tjera, rëndësi të veçantë merrnin çështjet që lidheshin me fjalën e shkruar shqipe.
Më 20 gusht 1908 shoqëria letrare “Bashkimi” e Shkodrës botoi një deklaratë[13] me të cilën u drejtohej “vëllaznvet shqyptarë … tue i dhanë dorën shoqi-shoqit, që të përmbledhin fuqitë e dame e t’i drejtojnë për një qëllim të vetëm… Për zhvillim e sbukurim t’amblës gjuhës s’onë të vjetër” duke bërë të ditur se si kjo shoqëri e ka bërë zgjedhjen e saj për alfabetin latin. Mirëpo ishte e vështirë që xhonturqit të pranonin largimin nga alfabeti arab dhe përdorimin e alfabetit latin për një popullsi me shumicë myslimane! A do të ishte politika panosmane e ndjekur nga turqit e rinj vazhdim i politikës panislamike të ndjekur nga Sulltan Abdylhamidi (1876-1909)? Koha e tregoi se do të ishte e njëjta politikë me të njëjtin synimin që ta mbante Shqipërinë të lidhur pas vetes[14]. Në Perandorinë Osmane përdorimi i gjuhës shqipe shihej si fillesë e shpërbërjes së Perandorisë…
Duke e parë në një plan më të gjerë periudhën e fundshekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, kur luftërat dhe revolucionet shkatërronin kështjellat e fundit feudale dhe kur formoheshin kombet e sotme, mbrojtja e një të vërtete të tillë si gjuha – tipar themelor i kombit u bë një kërkesë e padiskutueshme, objektive, veçanërisht në kushtet e një Shqipërie të vogël, të pambrojtur e të varfër, të ndarë në tri besime të ndryshme fetare, ku secila fe tentonte të ushtronte ndikimin e vet zotërues. Rilindësit tanë, por edhe cilido intelektual patriot do ta ndjente barrën e detyrës për mbrojtjen e së vërtetës së padyshimtë se nuk është feja, por gjuha që përcakton kombësinë. Historianë të huaj, të djeshëm dhe të sotëm, nisur nga konkluzione të përgjithshme shpesh kanë vënë në dukje se “nacionalizmi në Ballkanin e shek. XIX u konstruktua para së gjithash mbi identitetin gjuhësor dhe fetar”[15]. Theksojmë se për rrethanat e veçanta historike të Shqipërisë, ka qenë gjuha në radhë të parë ajo që duhej të konstruktonte identitetin kombëtar.
Rreth kësaj ideje shtjellohen mendimet e Dhimitër Budës të shprehura në një letër që ai u drejtonte shqiptarëve të Selanikut më 27 gusht 1908 në gazetën “Alithja” (“E vërteta”). Gazetë që e botonin shqiptarët e qytetit verior grek, shtypin e së cilës ai e ndiqte rregullisht. I nisur nga dëshira për t’u shpjeguar atyre se ideja për ta shkruar shqipen me shkronja të alfabetit grek, ashtu si dhe për orientimin që u jepej myslimanëve të përdornin alfabetin turko-arab, apo katolikëve-italishten etj. është një praktikë përçarëse, një prirje që s’i shërben aspak të ashtuquajturit vëllazërim të pretenduar. Aq më tepër, kur është më se e qartë se s’mund të përfytyrohet zhvillimi i një kombi pa gjuhën e tij amtare. Një gjuhë si shqipja, që prej shumë vitesh përpara është shkruar me alfabetin latin. Alfabet që është veshje e gjuhëve të Evropës së cilës shqipja i përket, “në mos stërgjyshja e tyre”[16].
Më poshtë po japim letrën e plotë të përkthyer nga origjinali, me ortografinë e sotme, shkruar disa muaj përpara se të mbahej Kongresi i Manastirit:
“Elbasan më 27 gusht 1908
I nderuar zoti I. Kukura, drejtor i gazetës “E vërteta”
Selanik[17]
Si lexues i rregullt i gazetës suaj të respektuar, lexova në numrin e datës 19 të pesëmbëdhjetëditëshit të dytë, mocionin e të ashtuquajturve shqiptarë ortodoksë të Selanikut dhe të fshatrave përreth. Kini mirësinë, ju lutem, për hir të së vërtetës, që t’i botoni këto rreshta:
Le të jemi të sinqertë dhe të mos merremi me sofizma. Le të përgëzojmë oficerët trima të ushtrisë otomane dhe komitetin “Bashkim e përparim”[18] jo me gjobë, por me vepra, sepse edhe mendja më e zakonshme nuk mund të kuptojë se si ka mundësi që të arrihet vëllazërim, zhvillim shoqëror dhe përparim në një komb pa gjuhën e tij kombëtare.
Ndërsa miqtë “shqiptarë ortodoksë” të Selanikut duke propozuar që ortodoksët shqiptarë të vazhdojnë të arsimohen në gjuhën greke të ndritshme, ndërsa ata mohamedanë në gjuhën e bukur arabishte dhe në gjuhën turke, le të shtojmë dhe katolikët e harruar, të cilët sipas pikëpamjes së tyre duhet të arsimohen në gjuhën e mahnitshme të Dantes ose (sinqerisht nuk di se ç’epitet tjetër të përdor) në gjuhën e Gëtes, kërkojnë, as më shumë e as më pak, të vënë në kopac kokën e punonjësve të lirisë, të drejtësisë, të bashkimit e të përparimit dhe për të njëjtat shkaqe edhe mbrojtësit e gjuhës shqipe i akuzojnë ashtu si edhe atdhetarët shqiptarë. Nuk e kam fjalën këtu për albanistët, sepse albanistë quhen ata që s’janë shqiptarë, por mbajnë qëndrim dashamirës ndaj tyre, d.m.th. për arsye propagandistike.
Turp ortodoksë shqiptarë të Selanikut! U vaditët aq shumë me helmin e propagandës së huaj, sa harroni se jeni shqiptarë dhe si pasojë keni humbur rendin logjik të të menduarit duke rënë vazhdimisht në kontradiktë me veten tuaj. Ju propozoni seriozisht “se të bashkuar të gjithë shqiptarët duhet të bashkëpunojmë për zhvillimin moral dhe mirëqenien materiale të Atdheut tonë të përbashkët duke mbështetur në çdo sakrificë regjimin liberal që u vendos”. Dhe si, në emër të Zotit, do të arrihet vëllazërimi dhe përparimi moral e material i atdheut të përbashkët dhe mbështetja me çdo sakrificë pa shkolla kombëtare të përbashkëta, ku të përzihen mohamedanë, ortodoksë dhe katolikë pa dallim feje si shqiptarë të vërtetë e të një gjaku, pa e mësuar në praktikë gjuhën e tyre të ëmbël, vëllazërimin e barazinë? Dhe si ka mundësi të zhvillohet një komb vetëm me anën e gjuhëve të huaja? Po edhe në gjuhë të huaja përsëri me gishta do të numërohen ata të cilët do të kenë fatin për një arsimim të lartë. Por me një dallëndyshe nuk vjen behari.
Dhe shumica? Mjerë ata për mundimet e tyre! Sepse pas katër vitesh mësimi në shkollën fillore nuk do të kenë nxënë sadopak as turkishten, as greqishten, as italishten dhe gjermanishten. Ndërsa e kundërta do të ndodhë me fëmijët e quajtur shqiptarë, që pas një studimi trevjeçar ose katërvjeçar në shkollën e tyre kombëtare do të dalin në fushën e jetës të përgatitur si bujq, punëtorë, nëpunës, tregtarë ose në zanate të përafërta. Ata do të jenë në gjendje të vazhdojnë më tej studimin individual duke i mbajtur vetë librat e dyqanit, duke lexuar e kuptuar gazetat e librat e dobishëm që do të botohen në një gjuhë që e kuptojnë mirë, jo si disa që i kemi parë me sytë tanë, që kanë mbaruar gjimnaze greke dhe nuk i kuptojnë gazetat në gjuhën greke. Pastaj si mendoni ju se do të vëllazërohemi ne shqiptarët pa hedhur poshtë dallimet fetare e shoqërore si dhe fanatizmin e paditurinë e trashë në të cilën lundrojmë për shkak të arsimimit tonë të derisotëm edhe në otomanishten edhe në greqishten, italishten dhe gjermanishten, nëse nuk do të kemi fatin të kemi edhe një arsim patriotik tonin? Dhe sigurisht kjo tjetër “gjuhë” për muhamedanët që arsimohen në gjuhën otomane me të vërtetë e bukur dhe e domosdoshme si gjuhë zyrtare e shtetit, por që nuk ka mundësi, për shkaqet e përmendura më lart, të bëhet pronë e shumicës së botës shqiptare, tjetër për ortodoksët që arsimohen në gjuhën greke, e cila vërtet është e ndritshme dhe e hyjnizuar prej poetëve dhe arkeologëve, por nga ana tjetër është krejt e papërshtatshme për qytetërimin dhe përparimin e një kombi të huaj. Shembull le të jetë vetë Greqia, e cila duke u arsimuar me gjuhë sllave, (sepse gjuha sllave është me të vërtetë e huaj për fëmijët grekë) qëndron prapa nga ana arsimore në lidhje me kombet e tjera, në të cilat gjuha shkollore është ajo e pastër amëtarja. E njëjta gjë duhet pohuar edhe për arsimin e katolikëve me italishten dhe me gjermanishten. Vërtet i bukur ky edukim dhe zhvillim unik kombëtar vëllazërimi e barazie me ortodoksë që e kanë drejtuar shikimin e tyre nga Athina, me katolikë të drejtuar nga Roma e Vjena dhe me myslimanë të paaftë (për shkak të paditurisë së trashë, në të cilin lundrojnë pa një edukim kombëtar) për të përballuar me sukses intrigat politike të kristianëve, për të mbrojtur mëmëdheun e dashur.
Me të vërtetë vëllazërim i shkëlqyer me prirje për një ndarje e shpërbërje të paevitueshme! Për Zeusin, barazi e lumtur dhe përpjekje për ruajtjen e regjimit liberal pas përpjekjeve kriminale jo për heqjen e dallimeve shoqërore e fetare, por për lindjen e prirjeve dhe synimeve politike në drejtime të kundërta!
Pretendoni, se ne “ortodoksët shqiptarë, të arsimuar prej shekujsh në gjuhën greke duhet të na preokupojë çështja gjuhësore shqiptare dhe se ne mundemi me kompetencë të gjykojmë nëse “shkipja” e shkruar jashtë me alfabetin latin prej pak shqiptarëve përputhet filologjikisht me përparimin dhe edukimin e fisit tonë dhe se me anën e një gjuhe të tillë ka mundësi të mishërohen idealet tona edhe në kishë edhe në shkollë”. E para asnjë nuk ju njeh ju si përfaqësues të ortodoksëve shqiptarë. Pastaj shumë vonë u zgjuat zotërinj përfaqësues të ortodoksëve shqiptarë. Gjuha shqipe me alfabetin latin nuk shkruhet nga dje dhe sot, por më shumë se dyzet vjet përpara. Dhe përse, ju lutem, ju ngacmon nervat alfabeti latin? Sepse shumë mirë dhe e gjallë shprehet nëpërmjet tij shqiptimi i gjuhës, apo mos vallë nuk i përshtatet veshja evropiane, ndërsa është pjesë e pashkëputur e krijimtarisë së madhe të kombësive latine, që të mos pretendojmë më shumë se është stërgjyshja e tyre? Pastaj përse këta të vetëquajturit përfaqësues të ortodoksëve shqiptarë dhe nxitësit e tyre, të cilët kërkojnë “idealet në kishë dhe në shkollë” nuk u bënë imitues të Fotëve dhe paraardhësve sipas shembullit të Metodëve dhe të Cirilëve, përse nuk deshin në bazë të frymës së Ungjillit me anën e një edukimi kombëtar të formonin shqiptarët kristianë ortodoksë të vërtetë, por i lanë pa edukim kombëtar, pa arsim duke u bërë lodër e invadorëve që prej kohërave të kaluara e gjer më sot? Këta le të japin llogari përpara Perëndisë, duke u kujdesur që para së gjithash të mbushin sa më plot qeset e tyre. Por le të lëmë atë epokë aq të largët dhe të vijmë në kohën tonë. Përse nuk u kujdesën për anën mendore që e kishin për detyrë; ata që ishin në Patriarkanat të përkthenin Ungjillin dhe librat kishtare bile edhe me shkronja greke, ndoshta duke iu përgjigjur në “idealet e kishës dhe të shkollës”, por në vend të tyre hidhnin, para tri dekadave, siç bënte Zeusi që grumbullonte retë dhe me potere lëshonte vetëtimat, nga lartësia e thronit të Fotëve dhe Krisostomëve, mallkime dhe çkishërime kundër edukimit kombëtar shqiptar në kundërshtim me frymën e Ungjillit dhe të dispozitave apostolike që imponojnë edukimin kombëtar (shih veprat e Apostujve paragrafët 7, 8, 9, 10 dhe letrat e Pavlit drejtuar Korinthëve A’, kap.14, paragrafët 5, 48). Mos vallë ato që thuhen në Ungjill janë të rreme? Presim përgënjeshtrimin zyrtar të fragmenteve evangjelike që përmendëm, nga ana e Patrikanave, me qëllim që të rregullojmë edhe ne qëndrimin tonë në përshtatje me dëshirat e ortodoksëve shqiptarë të Selanikut.
Këto në vija të përgjithshme. Për sa u përket problemeve gjuhësore më thellë këto po ua lëmë specialistëve dhe gjuhëtarëve, prej të cilëve nuk kemi mungesë edhe në shtyllat e gazetave shqiptare ku do të ketë një fushë të gjerë për të zilepsur albanologët.
Dhe duke përfunduar këshillojmë ortodoksët shqiptarë të Selanikut, e para, që të mos flasin për çështjen shqiptare në emër të ortodoksëve shqiptarë.
E dyta, nëse dëshirojnë të jenë dhe të quhen grekë, asnjë urrejtje. Tradhëtarët dhe ata për të cilët u bë tradhëtia janë gjithnjë të urryer.
Le t’i lëmë të tjerët të qetë dhe mos e derdhni helmin neveritës kundër atdheut të çmuar shqiptar, duke kultivuar ndarjen e përçarjen midis vëllezërve të një gjaku dhe për mbulimin e prapamendimeve politike, duke shpifur pranë Komitetit për “Bashkim e përparim” për elementin vëlla mysliman, i cili përbën dhe shumicën, me të cilin, të jeni më shumë se të sigurt se, edhe kristianët e ortodoksët anë e mbanë Shqipërisë janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme; por për veprime të këtilla që janë në kundërshtim me parimet e regjimit liberal të drejtësisë, të vëllazërimit e të barazisë, për të cilat aq trimërisht luftuan, duke përçmuar grada e mirëqenie trimat e vërtetë të ushtrisë së nderuar otomane, oficerët dhe komiteti “Bashkim e përparim”, le të jetë pra Perëndia që të gjitha i vështron.

Duke ju falënderuar paraprakisht, zoti drejtor, për mikpritjen e gazetës suaj shumë të nderuar, përfundoj me konsiderata të larta.
I juaji
Dhimitër A. Buda ”
…Turqit e rinj pas ardhjes në pushtet kishin krijuar përshtypjen e një lirie që shqiptarët, si vend i Perandorisë Osmane, e kishin ëndërruar. Veprimtarët e lëvizjes patriotike, shtypi ynë i kohës menjëherë e mbështetën politikën e turqve të rinj, që po u jepte shumë shpresa. Nga ana tjetër edhe turqit e rinj e vazhduan për një farë kohe politikën e tyre të fillimit për disa shkaqe: prej rolit të madh që luajtën shqiptarët në revolucionin xhonturk por dhe se pozitat e tyre fillestare s’ishin aq të forta, edhe për të larguar lëvizjen kombëtare shqiptare nga rruga e luftës së armatosur[19].
Në këto rrethana në fund të korrikut të vitit 1908 u themelua nga patriotët shqiptarë klubi “Bashkimi” në Manastir.
Me mundësitë e fituara në këtë situatë, nga çdo anë kërkohej bashkimi. Ky ishte dhe pikësynim i Klubit “Bashkimi” të porsaformuar në Manastir . Me qëllimin që të nisnin me “të parin shkëmp që duhej kapërcyer, atë të shkronjave”[20]. Klubi i Manastirit ishte ai që mori iniciativën konkrete për thirrjen e një Kongresi, një mbledhjeje të përgjithshme me përfaqësues të të gjitha klubeve, shoqërive, brenda dhe jashtë atdheut, drejtorëve të gazetave, letrarëve, mësuesve të shqipes, veprimtarëve të lëvizjes kombëtare etj. Me qëllim “…për t’i dhënë një funt çështjes së Abecesë… Të punojmë për mbrothësin’ dhe lumturin’ e kombit tonë jo me barut dhe me armë, po me kartë dhe pendë, andaj kjo çështje e Abecesë lipset të jetë fillimi…”, siç kumtohej në ftesën[21] e nënshkruar nga Fehim Zavalani në emër të Pleqësisë së Klubit “Bashkim” të Manastirit, ku dukej qartë se si qëllim kryesor ishte zgjidhja e çështjes së alfabetit, por jo vetëm kjo.
Në shtator po të 1908-ës u formua klubi “Bashkimi” i Elbasanit dhe shumë klube të tjerë që filluan të krijohen më vonë njëri pas tjetrit në qytetet kryesore të Shqipërisë. “Në Elbasan u çel klubi shqip me kryetar Refik Efendi Myftiu, nënkryetar Taqi Anastas Efendi, pesë këshillonjës zotërinjtë Qamil Be, Muç Shqiptari, Pavli Papadhopulli, Beqir Plangarica, Kamber Efendiu. Shkronjës zoti Simon Shuteriqi, nënshkronjës Z. Ahmet Dakli, arkëtar N. Haxhi Ademi me synimin dhe qëllimin: përhapja e diturisë në gjuhën e vet.”[22]
Pas rreth dy javësh klubi “Bashkimi” i Elbasanit i sapo inauguruar, i dërgon një përgjigje të gjatë klubit të Manastirit, ku pasi shfaqet kënaqësia për çeljen e klubit të atjeshëm, shprehen dhe mendimet për çështje që lidheshin me Kongresin. [23]
Klubi i Manastirit, si qendra e një federate që mbante lidhje me të gjitha klubet e vilajeteve me popullsi shqiptare, bëri një përgatitje të jashtëzakonshme organizative. Nga ana tjetër edhe klubet e porsaformuar i përgjigjeshin me devotshmëri, sepse më në fund kishte ardhur dita e shumëpritur. Klubi “Bashkimi” i Elbasanit, brenda 3 ditësh, me pjesëmarrje të gjerë të anëtarëve të klubit bëri votimin për zgjedhjen e delegatëve dhe i ktheu përgjigje Manastirit. Me votim të përgjithshëm “u përzgjodhën për cilësitë atdhetare dhe intelektuale të mirënjohura: Taqi Anastas Buda, Simon Shuteriqi ene Kamer Efendi Sejdini, Ysbash i avxhi taborit[24]…” Nga shkruesëtorja e klubit “Bashkimi”
Shkrojtësi Simon Shuteriqi
“Në Elbasan, më 19 të vjeshtës dytë 1908[25]…
Vijon në numrin e radhës
Nëpërmjet kujtimeve të familjarëve janë ruajtur mbresat e Taqit nga ditët e kongresit. Pleqësia e shoqërisë “Bashkimi” për të mos e shtyrë takimin deri në dimrin e ftohtë, duke llogaritur të mbaronin dhe festimet e Ramazanit e të Bajramit kishte vendosur që Kongresi të mblidhej më 14-22 nëntor, ditën e shtunë.
Pa mbyllur mirë përgatitjet për t’u nisur në Manastir, Taqi me dy shokët e caktuar, morën haber që të prisnin dom Nikoll Kaçorin prej Durrësi edhe ky për në mbledhjen e Manastirit, i zgjedhur si përfaqësues i shoqërisë “Vëllazëria” të atij qyteti. Dom Nikolla erdhi me kalë, i veshur me rroba feste pa dashur të pushonte. Porositi diçka për të ngrënë tek salepçiu i pazarit pa zbritur nga kali. U nisën menjëherë të katër së bashku për të mos u ndarë nga karvani i kuajve që kish marrë rrugën për në qendër të vilajetit, në Manastir. Me entuziazëm që i mbajti asaj rruge të lodhshme nëpër shkrepa nuk e ndjenin lodhjen. Me bisedime të pambaruara. Bisedonin si shokë e vëllezër të lidhur së bashku prej qëllimesh atdhetare e patriotike. Simoni, nip i Kristoforidhit nga nëna, me formim filologjik hapte diskutime. Taqi, njohës i disa gjuhëve klasike me intuitë gjuhësore, po ashtu dhe Kamberi, në të vërtetë i përgatitur në shkollë të lartë ushtarake, por jepte gjuhën frënge në shkollën e mesme të Manastirit. Me interesa gjuhësore ishte edhe Dom Nikolla me studime të larta në teologji, bashkëpunëtor i at Shtjefën Gjeçovit. Më aktualja bisedë ka qenë ajo e alfabetit në lidhmëni me probleme të gjuhës shqipe të lënë pas dore. Folën për situatën jo të lehtë të krijuar nga ata që u përpoqën për ta penguar mbledhjen e Kongresit. Sidomos për ata që e kishin syrin të hapur edhe prej fjalëve të Ibrahim Pashës, i cili thoshte se çështja e alfabetit ka karakter politik dhe se qeveria duhet ta pengojë. Prandaj nuk ishte pa bazë gjithë ai optimizëm, që kish pushtuar pjesëmarrësit e kongresit, gjallëri që elbasanasit e vunë re me të mbërritur në Manastir.
Në rrugën kryesore kishte një lëvizje të pazakontë njerëzish, siç dukej dhe thanë mikpritësit, anëtarë të komisionit nismëtar të klubit kryesor “Bashkimi”, që kishin dalë për t’i pritur dhe shoqëruar në hotel “Liria” ku ishin mbledhur shumica e delegatëve. Një hotel i mirë, pronë e vëllezërve Mihal e Telemak Grameno nga Korça, që ishte për shqiptarët si një klub i dytë.
Në hyrje panë grumbuj burrash me veshje të ndryshme ku shkëlqenin fustanellat e bardha dhe jataganët e pisqollat e ndritshme të disa korçarëve, në mes të kostumeve e feseve të errët të pjesës më të madhe të vizitorëve. Të kënaqur nga rregulli dhe pastërtia në dhomat e tyre të hotelit elbasanasit zbritën poshtë në sallën ku ishte shtruar një banket, që herë pas here do të përsëritej netëve që ndejtën në Manastir. Darkave aty mbaheshin fjalime patriotike me shumë zjarr, këndoheshin këngë edhe kërceheshin valle. Atë natë foli me nerv kombëtarist Fehim Bej Zavalani, kryetari i Klubit të Manastirit, themeluesi i gazetës “Baskim’ i Kombit”, organizator i Kongresit, të cilin Taqi e përgëzoi dhe e falënderoi për ftesën dhe mikpritjen. I shprehu mendimet për artikujt e gazetës me përmbajtje kombëtare dhe se si që në numrat e parë ajo kish fituar simpatinë e elbasanasve që e patën lexuar. Kurse Fehim beu lavdëroi punën e madhe që ka bërë klubi i Elbasanit, i cili organizimin e mësimit shqip dhe mbajtjen e shkollave në këtë qytet e ka krejtësisht në dorë të tij[26]. Ndërkohë ish afruar Gligor Cilka[27], i cili shtoi se vërtet klubi i Elbasanit gëzon prestigj të madh në qytet. Fehim beu vuri në dukje se në vilajetin e Manastirit Elbasani së bashku me Korçën janë qendrat kryesore të përhapjes së idesë kombëtare. Taqi u tha se klubi po përpiqet të mbajë disa shkolla shqipe dhe se do të ndjekë edhe arsimimin e fshatrave të Shpatit me mësues të gjuhës shqipe.
Në këtë kontekst në një informacion[28] që do t’i dërgonin klubit të Manastirit nga “shkresëtorja e klubit të Elbasanit” më vonë do të përmendej një episod që kish bërë bujë në Elbasan. Aty tregohej se me sa mundim u vunë tre mësues të shqipes në Shpat, kur menjëherë nga Korça u dërgua “një mësonjës i gjimnazit të atjeshëm elbasanas Efrem Gjini me shum të zotume e me durët plot prej konsullit të Greqis”[29] të hapte një shkollë greke në atë krahinë. Por shpatarakët s’e pranuan dhe i dhanë fjalën klubit të Elbasanit që s’do ta lejonin këtë ndërhyrje të detyruar në punët e tyre të brendshme. Për më tepër në Elbasankohë më vonë do të dilte edhe një këngë për këtë ngjarje[30].
Erdhi Gjergj Qiriazi[31] t’i lajmëronte për t’u bashkuar me të tjerët, që ishin në dhomën e bibliotekës. Sepse hoteli kishte dhe një bibliotekë, të thjeshtë po të dobishme, me libra kryesisht shqip edhe në gjuhë të huaj, ku vinin dhe nxënës të gjimnazeve të qytetit. Atje mund të gjendeshin edhe gazetat që botonte shoqëria “Vatra”, të sjella prej Amerike. Ndërkaq Taqi gjeti rastin për të vlerësuar punën[32] që kishin bërë Fehimi dhe dy vëllezërit Qiriazi, Kristoja dhe Gjergji. Punë e jashtëzakonshme për të ngritur një shtypshkronjë si ajo që kish një emër me kuptim “Baskim’ i Kombit”, moderne dhe me vlera të veçanta. E para se ndodhej brenda vilajetit, në Manastir, po ta krahasoje me gjendjen kur librat shtypeshin jashtë Shqipërisë. E dyta se atje botohej një gazetë[33] shumë e vlefshme dhe ishte mundësia që më vonë të botoheshin abetare e libra që do të përmbushnin nevojat e shtypit në shqipe. Dhe Gjergji që i tha Taqit se e çmonte fjalën e tij, të një sipërmarrësi si ai, që ka ngritur një farmaci të mirë e të dëgjuar në Elbasan dhe që e do mbrothësinë e vendit të vet.
Fehimi, Cilka dhe Taqi dolën në dhomën matanë, ku ishte biblioteka. Aty ishin shumë burra që pinin duhan dhe flisnin me zë të lartë duke biseduar për diçka që i shqetësonte. U kapën në qafët me disa të njohur, midis të cilëve Lef Nosi, që pati ardhur më parë nga të tre elbasanasit që përmendëm më sipër dhe mori pjesë në Kongres, po pa të drejtë vote[34]. Pastaj u takuan me të tjerë, që i kishin njohur vetëm prej emrash[35]. Pak nga pak po e kuptonin se shqetësimi i njerëzve në sallë kishte qenë për Mithat Frashërin që kish lajmëruar me telegram se do të vinte me vonesë, siç ndodhi vërtet. Mithati ishte një nga figurat[36] që me peshën dhe përgatitjen e tij (dhe si djali i Abdylit) do t’i jepte vlerë takimit. Këtë po thoshte në përshëndetjen e vet Hil Mosi, i cili lavdëroi Frashërin që ka nxjerrë njerëz të tillë të vlefshëm. U vendos që përkohësisht ta zëvendësonte Gjergj Qiriazi, nënkryetar i klubit të Manastirit. Ndërkohë Luigji[37], më i riu dhe aktivist i zjarrtë për organizimin e kongresit që nga fillimet, u ngrit nga vendi dhe i doli përpara Taqit që ta përshëndoshte. Me Luigj Gurakuqin Taqi ishte njohur kur ai kish qenë në Elbasan. I ri po me pjekurinë e një njeriu me përvojë prej shumë njohurive në fusha të gjuhës, letërsisë dhe në çështje politike e kombëtare. Thoshte se i pëlqente elbasanishtja, por si anëtar i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës botoi libra me alfabetin e shoqërisë së Shkodrës dhe të Stambollit. Gjatë bisedave edhe ai ishte shprehur se ishte për një alfabet të përbashkët, andaj e vlerësonte shumë atë që do të vendosej nga kjo mbledhje e madhe…
Luigji shpjegoi se po diskutohej për programin, të cilin do ta hidhnin në letër. Pas pak do të vinte Parashqevia, që do të merrej me këtë punë. Parashqevia, vinte në emër të motrës Sevasti, e cila pati ftesën. Të dyja punonin për çështjen kombëtare, sidomos përpiqeshin shumë për të mbajtur shkollën e vajzave në Korçë. Për punën e palodhur që bënin i kishte folur zoti Cilka, i cili ishte mësues po në këtë shkollë. Parashqevia[38] ishte nisur që nga Korça, e shoqëruar, sipas zakonit, nga një grua, nga znj. Filomena Bonati. Në sallë ajo ishte e vetmja grua në mes të gjithë atyre burrave. E vetmja dhe për të shkruar me kaligrafi gjithë kohës çfarë duhej për mbarëvajtjen e Kongresit, programin atij Kongresi që mbeti në historinë e alfabetit të gjuhës shqipe si Kongresi i Abecesë.
Taqi që nga ajo kohë do të mbante lidhje të afërta me Parashqevinë dhe motrën tjetër të familjes Qiriazi, Sevastinë, si dhe me të shoqin e saj, Kristo Dako, sidomos kur vajzat e farmacistit Buda do të studionin në Institutin “Kyrias”, vite më vonë, në Kambëz -Tiranë.
Mbi të gjitha Dhimitër Buda, apo Taqi ka ruajtur me kujdes dhe trashëguar si relike të çmuar një kopje origjinale të këtij programi, dokument i aktivitetit të ditëve të paharruara të Kongresit. Në fletën me format të pazakontë, të zverdhur nga koha lexohet qartë (ndonëse me germa të alfabetit të Stambollit):
“Programa e Kongresit Shqipëtarëvet që do të mbahet ndë Manastir për çështjen e Abesë
Do të hapetë me 1/13 të Vjeshtës III 1908” [39]
Madhërij e tij Qeveritar Hifzi Pasha do të jetë kryesonjës i nderit i Kongresit edhe kryesonjës vepërimtarë – Rexhep Efendi edhe Fehim Beu. Të gjith këto mbledhje të Kongresit do të mbahenë ndë klub të Shoqërisë Mirëbërëse “Bashkim” qi më 8-10 orë pas dreke. Pleqësia do të ndanjë tjetër orë për mbledhjet e saj të veçanta…etj”….
Punimet e Kongresit u zhvilluan në sallën e madhe të klubit “Bashkimi”, në një ndërtesë të bukur dhe madhështore në qendër të Manastirit. Një organizim i jashtëzakonshëm njerëzish nga shoqëri e klube të ndryshme prej qytetesh më kryesore të Shqipërisë dhe nga vendet e banuara prej shqiptarësh jashtë, nga kolonitë e shqiptarëve në Evropë (Bukuresht, Sofje), Amerikë dhe Egjipt. Kishte personalitete të shquara, emra të njohur me përgatitje të lakmueshme filologjike, veprimtarë shoqërorë me aktivitet të dalluar patriotik. Me mosha të ndryshme, prej krahinash, mentalitetesh e besimesh të ndryshme fetare por me një qëllim atdhetar, të bashkimit. Në sallë kishte dhe të ftuar të tjerë si dhe nxënës shqiptarë që mësonin në shkollat e Manastirit. Pas Lidhjes së Prizrenit ky ishte kuvendi që i bashkoi të gjitha qarqet përparimtare…
Në mbledhjen e parë, të shtunën “4 orë para dreke”, u bë hapja e Kongresit që e përshëndeti Gjergj Qiriazi me një fjalim të zjarrtë. U zgjodhën drejtuesit e Kongresit: kryetar – Mithat Frashëri, (që erdhi më vonë, pasdite) dhe L. Gurakuqi e Gjergj Qiriazi – n/kryetarë. Programi i ngjeshur do të vazhdonte gjatë gjithë javës deri të dielën e javës së ardhshme.
Në mbledhjet në vazhdim ishte gjithmonë një atmosferë e ndezur gazi dhe shprese. Ashtu siç e tha që në fillim dom Nikolla Kaçorri, se jemi mbledhur të hedhim themelin e një bashkimi dhe vëllazërimi. Taqi tregonte se në fillim u duk se s’do të qe e lehtë marrëveshja, sepse u fillua me çështje filologjike. Ato mund të ishin interesante dhe fort të besueshme siç patën qenë argumentet e Mjedës, që ishte shumë i zoti në teoritë e tij, por po t’u hyje diskutimeve të tilla s’dilje dot. Po kështu edhe kur diskutuan Cilka, Grameno dhe Ferid Ypi që ishin për alfabetin e Stambollit duke i mbështetur mendimet e tyre në bindjet se ai ishte më i njohuri. Gramenua kish theksuar se ky alfabet është përhapur kudo nëpër male e fusha ku shqiptarët me ëndje kanë mësuar ta shkruajnë edhe të lexojnë. Për më tepër patën qenë shtypur edhe shumë libra me këtë alfabet. Luigj Gurakuqi nga ana e tij kishte qenë për të krijuar një alfabet të ri që të mos i mbetej hatri asnjërit nga ata që mbronin alfabetet e ndryshme. Ai diskutoi gjatë për dyshkronjëshat që ka gjuha jonë duke vënë pikëpyetje për mënyrat se si mund të paraqiteshin. Ai pati marrë një shembull si ajo me bashkëtingëlloren “q”, të cilën shpesh Veriu e bën “ç”, për të ilustruar pengesat. Nga shoqëria “Gegënia” Hil Mosi foli shkurt dhe me urtësinë e një plaku. Ai propozoi që më mirë do të ishte sikur të merreshin më të mirat nga të tre alfabetet: i Stambollit, i “Bashkimit” të Shkodrës dhe i “Agimit”, alfabete që ishin në diskutim. Taqit i kish bërë përshtypje oratoria e Gjergj Fishtës dhe zemërgjerësia e tij prej ati të shenjtë kur tha se për hir të bashkimit hiqte dorë nga mbrojtja e alfabetit të shoqërisë së tij “Bashkimi” për të vendosur të tjerët të bënin si të donin. Vetë Taqi ka thënë “se më mirë do të qe të niseshin nga puna konkrete se sa të merreshin me probleme filologjike siç po bënin”[40]. E rëndësishme është, siç kish thënë ai dhe siç po dukej nga diskutuesit, që të gjithë jemi për alfabetin latin, duke e quajtur këtë një të drejtë të natyrshme të një populli që gjendet në Evropë. Pastaj se cilin le ta vendosë pleqësia[41]. Gjatë diskutimeve u tha se për përcaktimin e alfabetit duhej bërë përzgjedhja për të votuar figura të njohura në fushë të literaturës a të gjuhës ose njerëz të aftë që të kenë përgatitje intelektuale dhe ndjeshmëri për të gjykuar e vlerësuar problemet që kanë dalë…
Taqi do të tregonte se kur u nisën për në mbledhjen e ditës së tretë rrugët i kishte zbardhur dëbora. Si dita dhe mbledhja ishin të veçanta. Sepse aty me votim të fshehtë do të zgjidhej pleqësia – komisioni që do të vendoste Abecenë Kombiare. Në sallë hynin vetëm ata me kartën e vulosur, d.m.th. vetëm delegatët. Përfaqësuesi i çdo klubi ose shoqërie kish dy vota pavarësisht se sa delegatë kishte të pranishëm. Ata që do të përfaqësonin dy shoqëri si p.sh. Sotir Peci (nga “Kombi” i Amerikës dhe shoqëria e Bukureshtit) do të kishin katër vota. Ama nga të tre alfabetet që diskutoheshin duhej të kish një përfaqësues. U tha që në fillim se pleqësia do të jepte besën që “do të vështronjë këtë punë me ndërgjegje të qëruar”, kurse nga ana tjetër edhe të gjithë shqiptarët duhej ta mirëprisnin vendimin e saj. “Ay që të ketë mendje të ndryshme edhe të punojë kundrë do të kjuhetë tradhëtor i Kombit Shqiptar”.
Kështu me vota të fshehta u zgjodhën 11 vetë në pleqësi (komision). “Rezultatet e votimit për Pleqësinë ose Komisionin e hartimit të alfabetit ishin këto:
Gjergj Fishta
Kryetar i komisionit
Mithat Frashëri Luigj Gurakuqi
Nënkryetar nënkryetar
Anëtarë: Ndre Mjeda, Sotir Peci, Gligor Cilka, Gjergj Qiriazi, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni”[42].
U mbajtën fjalime të zjarrta gjatë tri ditëve. Secili e dinte se Shqipëria ka njerëz që i dalin për zot dhe që e patën kuptuar nevojën e madhe për të bërë një alfabet, i cili do të bashkonte gegë e toskë, Veriun dhe Jugun.
Në ditën e katërt dhe të pestë u mblodh vetëm Pleqësia (komisioni), e cila e filloi punën me shqyrtimin e tre alfabeteve që u diskutuan publikisht ditët e mëparshme. Bisedat vazhduan gjatë me po kaq zell edhe netëve, nganjëherë në shtëpinë e Qiriazëve a në hotel. Siç ka treguar Taqi kur zërat ngriheshin padashur dhe detyroheshin ta merrnin më shtruar se mos i prishej qetësia nënës së sëmurë, nënës Marie, të Parashqevisë dhe Gjergjit ose kur ishin në hotel, njerëzve që ishin në dhomat përqark. Pas shumë diskutimesh[43] për një kohë të gjatë dhe duke krahasuar shkronjat e secilit alfabet një për një, u vendos që të bëhet një alfabet i ri. Me bazë latine pa hezitim, po u ngec te mënyra se si mund të plotësoheshin disa shkronja që i kishte shqipja dhe s’i kish alfabeti latin. Meqë nuk kemi më tepër të dhëna konkrete për këtë çështje po mbështetemi në mendimet që parashtronte filologu Pekmezi, delegat i Kongresit: “…në Kongres ishin dy rryma sunduese: M. Frashëri, Sh. Kolonja, N. Vrioni e B. Topulli përkrahnin alfabetin e Stambollit, Ndre Mjeda ishte në një krah me ta në mbështetje të parimit: një tingull – një shkronjë. Gjergj Fishta, Dhimitër Buda, Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi përkrahnin alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”[44]. Taqi ka treguar se ishin përpjekur t’i caktonin çdo tingulli të gjuhës sonë një shkronjë. Po meqë mbeteshin disa tinguj që s’dinin si t’i përfaqësonin puna ishte zgjatur. Fjala ishte për t’i paraqitur me grafema të caktuara ato bashkëtingëllore që në alfabetin e sotëm janë dyshkronjëshe. Pati diskutime të vazhdueshme dhe të zgjatura deri edhe për paraqitjen e një dyshkronjëshi të tillë si p.sh. për të pazëshmen “dh”. Më në fund u vendos që me këtë mënyrë të veprohej edhe me raste të ngjashme.
Ndërkohë nga anë të ndryshme të vendit, nga aktivistë apo nga shqiptarët e kolonive vinin urime dhe vlerësime për Kongresin njëkohësisht dhe mendime prej përvojash nga botimet që kishin pas bërë. Disa, kryesisht nga Jugu, ishin për alfabetin e Stambollit, të cilin edhe e kishin përdorur, të tjerë nga Veriu ishin për atë të shoqërisë “Bashkimi”, që njihnin. Më në fund pas diskutimesh që vazhduan deri ditën e shtatë u vendos që të mbaheshin dy alfabete për gjuhën shqipe: njëri i Stambollit dhe tjetri me një abece latine jo larg me atë të Stambollit. Taqi atëherë dhe sa herë binte fjala, e pat quajtur me vend një veprim të tillë, duke pasur parasysh se do të ishte koha ajo që do të t’i jepte peshë njërit apo tjetrit alfabet, siç ndodhi me dy alfabetet në Gjermani, shembull që ai e përdorte kur rastiste të flitej për këtë çështje…
Taqit i kishin thënë, ata që kishin pas qenë në sallë, se fjalët që ishin mbajtur këto ditë aty, kur ai kishte qenë në komisionin e Abecesë, kishin qenë të duhurat dhe shpresëdhënëse. Veçan fjala e Ferid Ypit ishte pëlqyer nga shumë delegatë.
Në vazhdim të këtyre bisedave delegatët dolën me propozimet për t’i bërë një lutje qeverisë që të emëronte mësues shqiptarë në shkollat turke në Shqipëri. Edhe që vetë shqiptarëve t’ju jepej mundësia të hapnin mësonjëtore shqip me shpenzimet përkatëse. Ndërsa caktimi i një qendre kulturore kombëtare që do mbante lidhjet me klubet e vendit dhe me ittihati turki xhemijeti[45] për çdo nevojë që do të kishte, u pa si “një kërkesë e domosdoshme për përparimin e mëmëdheut tonë”, në situatën e krijuar…
Pas përpjekjesh që e zgjatën disi punën u shpall vendimi i komisionit. Në një sallë të mbushur përplot me njerëz, më shumë se ditën e parë, në një sallë që gumëzhinte nga padurimi i shtuar dhe entuziazmi për të pritur të shumëpriturin vendim, kryetari i kongresit Mithat Frashëri deklaroi solemnisht përfundimin e punës së pleqësisë: “çështja e alfabetit mori fund në një mënyrë që do të mbesin jo veç të gjithë të kënaqur, e për këtë shkak u zgjodhën dy abetë e të dy do të përdoren prej shqiptarëve: njëri është i Stambollit e tjetri një abe thjesht latine që i afrohet atij të Stambollit”[46]. Duartrokitje të pandërprera. Pastaj vazhdoi raporti i komisionit[47]:
“Pas që u kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo aqë sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës si të përhapurit të diturisë ndër ne; të shtyrë edhe nga disa shkake të përjashtme, u kthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u vendos që të mirrej Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe një Abece fiesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mest të Shqiptarëvet. Mësimi ndë shkolla do të jetë i shtrënguar e i detyrueshim për të dyja. (Në vazhdim u dhanë tabelat me shkronjat e secilit alfabet -shën i aut.).
U dëftua edhe dëshiri, e Komisioni e pëlqeu shumë, që pas dy vjetësh të mbahet një kongres t’jatrë ku e kur ta vendosnjë kongresi i sotshëm për ortografi e letreturë të shqipe. Më poshtë emrat dhe firmat e Komisionit të hartimit të alfabetit:
Shahin Kolonja, Georg D. Qirias, S. Peci, N. Vrioni, D. A. Buda, L. Gurakuqi,
G. M. Cilka, Bajo Topulli, Midhat, D. Miedia, D. Fishta.”
Taqi ka treguar se të dy alfabetet i kishin shkruar në një tabelë të zezë të mbuluar me beze. Prapa saj Luigj Gurakuqi priste të mbaronte entuziazmi i njerëzve që të zbulonte tabelën. E zbuloi, ndërsa Gjergj Fishta me oratorinë e tij tha: “Cila zemër shqiptari do të qëndrojë e pabindur përpara kësaj dite të shenjtë, që nuk e kemi shojtur prej 500 vjet! Jo kurrë! Do të jetë turp i madh të kthehemi si erdhme, përveç që do të qeshemi nga bota e huej, por do të shtiem popullin në dëshprim.”[48] Për nevojat e kombit mund të kishte qenë e mjaftë abeceja e Stambollit, po për të shtypur libra dhe për të hequr telegraf nuk do të ishte e lehtë, prandaj komisioni u detyrua të pranonte dy abece. Pa e mbaruar mirë fjalën – duartrokitje dhe brohoritje me një zë të përbashkët: Rroftë Abeceja. “Disa u kapën në qafët me njani – tjetrin prej gazit e nji shprese qi po lindte nji gja e madhe”, tregonte Taqi. Në sallë përveç delegatëve nga Janina, Selaniku, Kosova etj. kishte dhe të ftuar nga klubet maqedonase, vllahe[49] dhe plot nxënës shqiptarë të shkollave të Manastirit që me hov të papërmbajtur shtonin gjallërinë e mbledhjes…
Po realizohej një dëshirë e hershme, që dhe Taqi si edhe të tjerët e kishin dëshiruar. Ndërkohë njëri nga delegatët[50] ish ngritur e kish thënë se ishte e mirë kjo punë, po kur të ngrihej një Akademi në Shqipëri që ta përpunonte do të bëhej edhe më i mirë alfabeti.
Nganjëherë rasti i rregullon më mirë gjërat. As mund t’i shkonte në mend atëkohë Taq Budës se Aleksi, djali që do t’i lindte pas dy vjetësh do të bëhej kryetar i së parës Akademi të Shkencave në Shqipëri e cila do të mbështeste realizimin e projektit për një gjuhë shqipe të unifikuar me rregulla të përcaktuara të një disipline shkencore. Një projekt ky, që kishte të bënte “me përcaktimin përfundimtar të normave të drejtshkrimit, një hap vendimtar në rrugën e shqipes së shkruar, i tillë që renditet në ecurinë e Kongresit të Manastirit, të Komisisë Letrare të Shkodrës dhe të Kongresit të Lushnjes”[51].
[1] Nga letra nr. 9 e korrespondencës së Dora d’Istrias me De Radën, paraqitur dhe përkthyer nga Aurel Plasari në gaz. “Ex libris”, Viti 2021.
[2] Gazeta “Shqipëria”, nr. 27, Bukuresht, 8 nëntor 1897.
[3] Fletorja “Shqipëria”, 31 gusht 1898, nr. 49.
[4] Sipas vendimeve të Kongresit I gjuhësor të arbëreshëve (1-3 tetor 1895).
[5] Kombi I, 5, 29.9. 1906.
[6] Diskutimet u zhvilluan në “Albania” I, 7, 10; II 6; IV 1,4,6; V, 3; VI, 8; VIII, 12 etj (viti 1905) dhe u mbyllën në vitin1906.
[7] Këtu duhet marrë para sysh edhe ndihma e disa albanologëve të huaj në lidhje me çështjen e diskutimit të alfabetit të shqipes, pasqyruar në revistën e F. Konicës.
[8] Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, T. 1972, fq.40.
[9] Jup Kastrati: “Ndre Mjeda lëvrues i gjuhës shqipe”, Shkodra 1961, nr.1.
[10] Faik Konica: “Albania”, nr. 2, fq 20, viti 1903.
[11] Tomor Osmani: “Udha e shkronjave shqipe” fq. 602. T. 2008.
[12] Shih edhe Gill Trethowan: “Quin of the mountains – The Balkans adventures of Edith Durham” p. 14, London 1996.
[13] Shoqnija letrare “Bashkimi”: Vëllazënvet shqiptarë! Diftim! ASHSH F44, D 19 dhe sipas T. Osmani “Udha e shkronjave shqipe” fq. 418, Tiranë 2008.
[14] Shih “Historia e Shqiptarëve gjatë shek. XX”, vëll. I, fq. 103. Bot. Akad. Stud. Alb., T. 2018.
[15] Maria Todorova: “Ballkani imagjinar” fq. 262, Shtëpia e librit dhe e komunikimit, Tiranë 2006.
[16] Ide që e kanë pasur disa rilindës se shqipja vjen nga pellazgjishtja, burim i disa gjuhëve evropiane.
[17] Letra është gjetur në një arkiv privat në Athinë nga një bashkëkombës, Kristo Zharkalli dhe i është dërguar djalit të Taqit, Aleks Budës, me porosinë që të mos botohet para një date të caktuar, amanet që Aleksi e respektoi. Nuk dimë nëse letra është botuar në atë kohë, sepse siç thotë dërguesi “nuk kemi mundur të gjejmë kopjen në fjalë të gazetës Alithja”. Letra e Dhimitër Budës e shkruar në gjuhën greke dhe është përkthyer nga z. Filip Liço.
[18] Komitet i fshehtë i krijuar nga turqit e rinj në kuadrin e reformave për forcimin e Perandorisë Turke.
[19] AQSH F: Klubi “Bashkimi” i Manastirit, D. 7, fl. 291. D. 9, fl. 1.
[20] Gazeta “Kombi” e Bostonit, 28.VIII.1908.
[21] Ftesa është e dt. 21. IX. 1908 me numërimin sipas stilit të ri, (shih: “Alfabeti i gjuhës shqipe, Kongresi i Manastirit”, fq 316, 317, 318, Tiranë 1972.
[22] Gazeta “Liria”, Selanik, dt. 4 tetor 1908 si dhe në veprën “Aqif Pasha – Përmbledhje dokumentesh (1844 – 1926), dok. nr. 16, fq. 54.
[23] AQSH, Fondi: Klubi shqiptar “Bashkimi” në Manastir, Dosja nr. 5.
[24] Kapiten i batalionit gjuajtës.
[25] AQSH, Fondi: Klubi shqiptar “Bashkimi” në Manastir. Dosja nr. 5.
[26] Edhe sipas Posfai: dok. nr. 4 Sekret dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Vjenë. “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”, fq. 364.
[27] Gligor Cilka (1875-1919) veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Prift protestant shiptaro-amerikan, anëtar i komitetit të fshehtë “Për lirinë e Shqipërisë”, gazetar. Kontribuoi për arsimin shqip në Korçë.
[28] Informacioni me dt. 31 Shëndre 1908, Elbasan, në “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”, T. 1972, fq. 361.
[29] AQSH – Fondi: Klubi shqiptar “Bashkimi” në Manastir, dosja nr. 11.
[30] Vargjet e kësaj kënge janë transmetuar nga Taqi te Aleksi dhe prej tij tek ne, fëmijët e tij: “O Efrem, Efrem Mim Gjini/ nga na dole grekoman/ti je bir’i Col Mim Gjinit dhe ke lindë në Elbasan” (shën. i aut.).
[31] Gjergj Qiriazi (1865-1912) veprimtar i Rilindjes Kombëtare, n/kryetar dhe sekretar i Klubit “Bashkimi” të Manastirit, u mor edhe me publicistikë; ishte anëtar i komitetit të fshehtë të Bajo Topullit.
[32] Të tre këta veprimtarë me të hollat e grumbulluara nga anëtarë të shoqërive shqiptare jashtë atdheut blenë makineritë dhe krijuan shtypshkronjën në fjalë, që mund të quhet shoqëria e parë aksionare shqiptare (sipas Parashqevi Qiriazit, te “Kong. Manastirit…” fq. 431).
[33] Në arkivin e familjes Buda është ruajtur gazeta “Baskim’ i Kombit” me të gjitha nga numrat e viteve të para të botimit të saj (Manastir, vjesht’I 1909 nr.1 deri në nr. 42, botuar në Manastir më 24 Qershor 1910).
[34] AQSH F 102, D 5 (sipas dok. Austriake); shih Roland Gjini “Elbasani-personalitete, ngjarje, dukuri historike” fq. 45, T. 2022.
[35] Siç shkruan edhe Mihal Grameno në kujtimet e tij për Kongresin e Manastirit: “…ishte një nga pamjet më të bukura e më të mallëngjyera kur putheshin se tani njiheshin…kurse më parë njiheshin vetëm me anën e shkrimeve..” Meri Lalaj: “Atdhetari Feim Bej Zavalani përmes dokumenteve”, T. 2010, fq. 52.
[36] Mithat Frashëri (1880-1949). Veprimtar politik, publicist, shkrimtar. Me shkrimet e tij për çështje të historisë, kulturës, folklorit në gazetën “Liria” (Selanik) dhe kontributin e tij për “Kalendarin Kombiar”etj. luajti rol në lëvizjen kulturore dhe kombëtare të Shqipërisë.
[37] Luigj Gurakuqi (1879-1925). Veprimtar i Lëvizjes kombëtare dhe demokratike shqiptare. Në këto vite kishte botuar “Abetar i vogël shqip mes abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’t’dy dhialektet” (Bukuresht 1906).
[38] Parashqevi Qiriazi (1880-1970).Veprimtare e Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, gazetare, publiciste, “Mësuese e popullit” (pas vdekjes). Me veprimtarinë e saj i ka shërbyer me përkushtim çështjes shqiptare. Hartuese e abetares së parë shqipe me alfabetin e Manastirit. Botoi gazetën “Ylli i mëngjezit” (1917-1920) në Amerikë, ku kish krijuar shoqatën e parë të grave (1912). Ka qenë e vetmja grua diplomate në Konferencën e Paqes në Paris (1920) duke përfaqësuar “Partinë Politike Kombëtare” të shqiptarëve në Amerikë. Ajo ka qenë bashkëthemeluese e Institutit “Kyrias” me të motrën Sevasti dhe kunatin Kristo Dako (1921) etj.
[39] Teksti i programit është shkruar me bukurshkrim, me penë dhe bojë shkrimi vjollcë në një letër me format 40 me 33 cm. Në fund ka një pullë me grafema turqishte dhe sipër saj (me shkrim jo fort të lexueshëm) dallohet fjala Shkronjës (pa firmë poshtë) dhe më tej dt. 30 vjesht II 1908 (arkivi i familjes Aleks Buda).
[40] “Dh. Buda kërkoi që delegatët të mos merren me probleme filologjike, por vetëm me alfabetin”, nga Raporti i Gjergj Qiriazit, Manastir 1909 dhe gazeta “Liria” nr. 15, 25 nëntor 1908.
[41] Në dokumentet e Kongresit (1908) është përdorur pleqësia në kuptimin komisioni, ndërsa në literaturën e sotme kur janë trajtuar çështje që lidhen me Kongresin e Manastirit përdoret termi “komision” (shën. i aut.).
[42] Sipas T. Osmani, Historia e alfabetit, udha e shkronjave” fq. 518, Bot. AShSh, T. 2008.
[43] Diskutimet zgjatën jashtë parashikimit nga “Programi” edhe një ditë më shumë.
[44] Raport i Kongresit shqiptar mbajtur në Manastir më 1-14 nëntor 1908, hartuar prej delegatit Gjergj Pekmezi, Manastir 20 janar 1908 në “Kong. Man. etj.”, vep. e cituar. Këtu sipas T. Osmani, ibidem, fq. 523.
[45] Komiteti xhonturk.
[46] Dt.7/20.11. 1908 te Gj. Qiriazi, Raport…fq. 9, dhe AQRSH Koleksion dokumentesh D, 1776.
[47] “Vendim i Kongresit Manastirit-Për Abecenë me një shënim të vogël” marrë nga gazeta “Baskim’ i Kombit”, Manastir. E ente 24 Vjesht’e I 1909 (arkivi i fam. A. Buda).
[48] “I pari Kongres Kombëtar” në “Ylli i Mëngjesit”, 1918, nr. 2-3, fq. 42-43.
[49] Pjesëmarrja e përfaqësuesve të dy klubeve të fundit është dokumentuar në librin e Irina Senkijeviç “Osvoboditelnoje dvizhenie albanskovo naroda v 1905-1912 g., Moskva 1959, fq. 142-143.
[50] Shih Parashqevi Qiriazi, “Kongresi i Manastirit”, idem fq. 422.
[51] Xhevat LLoshi: “E duam drejtshkrimin si gjithë Europa”, fq.13, Konica press, Shkup 2022.