Kreu Letërsi Bibliotekë Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Një poezi ku fjala “Asgjësohet” dhe flet mungesa...

Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Një poezi ku fjala “Asgjësohet” dhe flet mungesa e saj “Mungata christi”

Vëllim poetik i Lisandër Kolës, “Arka e Noes”

Poezia e Lisandër Kolës të tërheq për dendurinë e fjalës, për errësimin e shprehjes dhe figuracionin modern. Poezia e tij rrek të kap thelbe të fshehura të mendimit dhe t’i nxjerrë ato në sipërfaqe, e sërish, duke i nxjerrë në sipërfaqe, t’i fshehë si në një lojë midis dritës dhe errësirës. Nuk është një poezi që gjithçka duhet ta kuptosh me një lexim për shkak të përftesave shumështresore të kuptimit që ajo ka dhe mbart e shpalos.

Autori, siç ndodh në poezinë moderne, nuk e merr frymëzimin nga objekte të jashtme, por nga mendime që objektivizojnë asosacione të ndryshme dhe, tek shtjellohen, krijojnë një botë të gjerë subjektivizuese, e cila harmonizon dhe identifikon ekuilibra të brishta të afrimeve dhe identifikimeve filozofike. Kjo është një lloj poezie racionale, e arsyetuar, disi e ftohtë, por që prej saj përfton ndjenjën luksoze të mendimit, një ndjenjë të përmbajtur dhe fine.

“E hodha farën, e nuk e di nëse ka me mbî në fëtyrë të tokës”, thotë autori në poezinë “Pyes”, duke trajtuar kështu paradokset mbi kërkimet ekzistenciale të qenies. Motivi i kërkimeve mbi paradokset e jetës, mbi mendimet, bëhet një meditim qendërzues në poezinë e tij, i cili vjen jo vetëm prej kulturës së poetit dhe prirjes mentale të një të riu të kultivuar, por edhe prej hapësirave të jetës që një të riu i duken të ngushta, ngaqë forca e ëndërrimit tek ai është e madhe.

Dhe si poet që i jep rëndësi gjuhës (dendurisë dhe komplikimit të saj metafizik) L. Kola do të shprehet: “As zogjtë s’ma dinë këtë gjuhë” – pra, ai kërkon një gjuhë tjetër, një teknikë tjetër të të shprehurit, duke e shkëputur poezinë nga prirja e saj lirike dhe nga sfondi i narrativitetit të ngjarjes, duke e kaluar në përmasën e sintetizimit.

I ndërgjegjshëm për këtë detyrë të vështirë që synon kapërcimin e së pamundshmes, poeti do të shprehet me vargun: “Kjo udhë nuk asht prag që kapërcehet/sa mos me i vra gjujët”. E përbluej heshtjen, në vetmi/si pisha që rrin nën shi:”, “Gjithçka a’ tkurrë në nji vegim”. Nisur nga këto vargje, vëmë re dëshirën, por edhe mundësinë e tij, ku heshtja sjell meditacionin dhe meditacioni zgjat udhën e tij drejt përfshirjes të sa më shumë kuptimeve. Heshtja që përbluhet nuk është një shtërzim ashtu si pisha në shi, por një kuptim se si mund të thellohesh, sepse: “Rruga n’ag a terr ka drêj të shtypun/me makinë./N’sytë e tyne janë mizat e dheut/dhe shiu ia ka qullë lëkurën e ngrîme”.

Mendimi, në poezinë e Lisandër Kolës, shpalos pamje të trishta, por perifrazimi nuk është vështirë të na çojë te pamjet konkrete të jetës, një shumësi e tërë e tyre që burojnë nga furia e heshtur e një mendimi dhe një fantazie poetike të plleshme. Është pikërisht ky mendim që nxitet nga fuqia kreative e poetit dhe që na shtyn ta lexojmë jo thjeshtë përmes kënaqësisë së kureshtjes, por përmes kënaqësisë së kureshtjes intelektuale dhe njëherit me shtrat të gjerë filozofik.

Indiferenca e kësaj bote, e cila gjithçka ta jep me kursim, koprracia e saj që fshihet në heshtjen memece të sendeve – gjithçka që yshtet drejt një asgjëje dhe shumëçkaje, është një tjetër përmasë ideore ku lëviz mendimi i autorit dhe njëkohësisht një forcë e vetvetishme tërheqëse e poezisë së tij, e cila na fton për ta lexuar ngadalë e në lexim estetik, duke u munduar të zbërthejmë kodet e fjalëve.

Përmes rutinës së përditshmërisë së jetës, poeti vrapon t’ia grisë cipën e saj të përhime dhe gjithmonë të gjejë një thyerje apo një shteg për të dalë prej saj dhe nga kjo del intelektualisht me zemërgjerësi dhe në mënyrë të beftë. “Mbledhi këto pak tesha e dal pa ngut prej derës, me nji fishkëllimë monokrome dhe bie në logun e fermës ku mitet flasin me za të naltë./Aty Ulixi ashtu tue rrëzue nji kukull pecet prej sofrës së bukës…”.

Krijuesi i një kohe që shenjëzohet përmes emrit të saj, që humb në memecërinë e sendeve, Lisandër Kola shkruan një lloj poezie që kërkon të shkëpusë prej sendeve dhe objekteve, përmes memecërisë së tyre gjuhën që rrëfen këtë memecëri. Kështu ai don të shkëpusë diçka kuptimore nga “fija e borës që bjen pjerrtas”, nga “tepricat e atij brumi”, nga “kurthi gati i padukshëm”, nga “hana n’akuarel” etj, etj, tituj poezish këto prej të cilave (që në titull) përtohet ajo që është interesante, që përbën dhe na jep mënyrën se si e shikon botën dhe se si e percepton ky poet interesant.

Dhe në të gjithë këtë përpjekje dhe realizime poetike, ai ia arrin të na përçojë gjithashtu frymën e diçkaje që është afër e njëkohësisht larg, të diçkaje midis dhe në skaj, me përjetimin e infiltruar që e bën përmes një ndjesie intelektuali dhe mesazhi të thukët: “Shoh nji pamje të paluejtshme/përmes këtyne grilave/dhe e ndiej se koha tash bjen/mjegull pa ra nata./E vetmja gja që lëvizë/asht nji fije bime/që i ka shpëtue ngricës./Edhe rosat e egra/janë ngrî në horizont”.

Vëmë re se në shumicën e poezive të tij përshkruhet një kuadrat që duket sikur ngrin dhe nuk lëviz, një realitet stabël dhe i pandryshueshëm, përtej të cilit gjithnjë poeti e gjen diçka që lëviz, që ecën dhe që ngrihet përtej këtij përfytyrimi në shenjëzimin e diçkaje të mundshme, duke iu larguar ngadalë së pamundurës e njëkohshëm duke e ndierë ndjelljen e saj.

“Me u përçapë n’agoní me kurm të plogët,/në nji andërr skizofrene që s’din kurrë me mbarue” – shkruan autori në poezinë “Shpezët me skjepa të pëgamë”, ku identifikon ngathtësinë e kësaj bote, të një realiteti surreal që kërkon ta nxjerrë nga fundi i zorit ku ka rënë dhe ta çlirojë e ta bëjë të ditur larg çdo pengese të gjykimit për ta shprehur. Realja dhe surrealja ndërthuren dhe shprehen në poezinë e tij, ato nuk kanë ndonjë kufi të saktë as të prerë se ku fillon e mbaron tjetra – reale është ajo çfarë shikon dhe mënyra se si e shikojmë të gjithë, ndërsa sureale mbetet çfarë çdokon poeti nga memecëria e imazheve dhe se si i sjell ato në të shprehurit dhe të ndërtuarit e tyre të përfunduar.

Uni poetik i Lisandër Kolës është një sferë ndjesish ku gjysma mbahet nën dritën e përhitur dhe gjysma në errësirë dhe ky Un vërtitet rreth vetes si toka rreth diellit për të krijuar me këtë rast ditën dhe natën. Por edhe ditët shpesh ndiejnë vranësirën e kuptimit dhe kohën e keqe të motit të ndjenjës, që vjen prej zymtësisë së saj, zymtësi që shkakton një dramacitet të lehtë, sepse jo vetëm në dukje, por edhe në thelb, duke e dashur sa më të njohur, kjo botë mbetet e zymtë dhe, sa më të njohur ta bëjmë përmes mendimit tonë të thelluar, aq më tragjikomike shpërfaqet ajo: “E vija e ujit pra asht çurg,/çurg i kalcifikuem që ndërmendë/tamblin e gjinit në rrasë t’gurit”.

Në shumicën e poezive të tij, poeti e terron mesazhin, duke lejuar liri të ndryshme interpretimi dhe njëkohësisht duke përdorur një minimum fjalësh për të arritur një maksimum të shprehjes, veçori kjo e poezisë hermetike që nga Ungaretti e deri te Martin Camaj (ky i fundit është poeti më i mirë hermetik në poezinë shqipe).

Hermetizmi kërkon errësirën e shprehjes përmes mbylljes së kuptimit të fjalës dhe këto vargje mund të gjejnë interpretime të ndryshme sipas situatës që i lexon dhe dëshirës që të vjen e të nxit për t’i qartësuar në një kuptim të caktuar.

Bashkimi i gjërave të mundura me të pamundurat: “çurg i kalcifikuem” apo “tambli i gjinit në rrasë t’gurit” të kujton (interpretimi i imi) Rozafën. Por edhe një interpretim tjetër mund të sillet e të gjendet. Autori, në poezinë e tij, vendos raporte shenjëzimesh të largëta, të cilat duan po kështu një rendje imagjinate dhe një zgjim të fortë të ndërdijes për t’u dhënë kuptimin që të afrojë njëfarë konkretizimi. Nga ky prosede dhe nga kjo teknikë ndërtimi e poezisë buron edhe merr pamjen e duhur edhe niveli i abstragimit të kuptimit, rrjedhimisht edhe i shprehjes poetike, ose anasjelltas, në poezinë e Lisandër Kolës.

Mungada (monastiri, manastiri) i Krishtit është ruajtja e një shpirti të butë që lodhet për të mirën dhe të bukurën, për paqësoren dhe dritën – një titull interesant, i cili vjen nga niveli përmbajtesor i poezisë së këtij vëllimi në tërësi. Në të vërtetë, vetëm titulli është me ngjyresë biblike që ngrihet në nivelin e metaforës, sepse të gjitha poezitë janë krejtësisht të realitetit intelektual kaluar nëpër filtrin e një mendimi të zgjuar dhe me peshë, duke koduar dhe dekoduar kuptime të mirëfillta të mendjes e shpirtit njerëzor në rrafsh universal: “E prita i heshtun dritën që vesë (veson)/mbi barin e ftohtë,/në çastet e rruzarta/me u meshnue/si dikur fushave me vrap”.

Gjithçka në poezinë e tij transubstancohet në një tjetër në vështrim të lëndës e njëkohësisht transfigurohet me një shtresë të kuptimit të saj: “Nji e re e preu rrugën me langue për dore/e gjethtë, prekë prej dergje, u banë pastel/për me vizatue fëtyrën e Mjeshtrit në cohë linit”.

Siç e cekëm edhe më sipër, asocacionet e largëta përbëjnë kërshërinë tërheqëse dhe ftesën për t’u afruar drejt konkretizimit të tyre. Si poezi e asosacionit (bashkëshoqërimit të pamjeve dhe ideve) kjo krijimtari e Lisandër Kolës shquhet për forcën kreative të imagjinatës dhe modernitetit të shprehjes.

Krahas shenjëzimit (konvencionalitetit), poezia e këtij poeti gjendet mirë në të shprehurit metaforik (shumicën e rasteve me ndërtim foljor) por edhe me të menduarit metaforik apo me krahasime të gjetura deri në ndërtim similitude. Ëndrra dhe zhgjëndrra, konstatimi dhe verifikimi, urtësia e jetës dhe dëshira që vjen prej saj për ta njohur jetën më shumë, soditja dhe tërheqja prej pamjes interesante ku shkon syri, si ngacmim i parë, një udhë e gjatë e mendimit përmes një vargëzimi të shkurtër janë disa shtysa të forta që ndikojnë si minimotive në poezinë e Lisandër Kolës.

Autori përdor mjaft shprehje latinisht (si tituj poezish) po kështu terma dhe koncepte nga Bibla apo nga fusha e filozofisë, duke dëshmuar kulturën e tij, porse poezia e tij nuk synon të na tregojë kulturën, por të na japë kulturimin e shprehjes së një vargu elegant, të hollë e të bukur, të një vargu modern, të qartë e të errët, abstrakt e koherent: me elipsa, parafrazime, hiperonimi (zgjerim të kuptimit të fjalës), hiponimi (ngushtim të kuptimit të saj, të gjitha këto elemente kohezive të përdorura me mjeshtëri.

Për poetin ka thënie të ndryshme, por asnjë thënie nuk e përfshin formulimin e asaj se si duhet ta përkufizojmë staturën e tij. “Poeti duhet të jetë i errët”, thotë Didëroi (iluminist i madh francez), por as kjo thënie nuk e shteron kuptimin e saktë të të qenët poet. Lisandër Kola është një poet që përcjell një botë të gjerë ndjesish, të cilat i kalon nëpër një filtër të kulturuar mendimesh. Poezia e tij është reflektive, meditative e njëkohësisht krijim i vargut që ngjiz rrëfimtarinë e prekjen e frymës për ontologjinë, që lartësohet nga fryma sa njerëzore, aq edhe hyjnore; një kufi që herë shkrihet e herë ndahet. Prej saj përftohet një dramacitet që vjen nga aftësia për të kuptuar, por edhe për të ndijuar. Poezinë e tij mund ta përcjellësh me shijen e hollë të ngjyrimit të diçkaje të ëmbël e të hidhur njëkohësisht.

Kultura e gjerë e këtij poeti e bën atë që herë-herë të përdor detaje enumerative, si te poezia “Deka në dy pamje”, një poezi ku uni shtjellohet e ngjizet në një hapësirë fjalësh që afrohen përmes lëvizjes së tij në një botë ndërdijesh dhe intuitive, por në poezi të tjera gjejmë edhe etydin, një poezi ku fjala “asgjësohet” dhe flet mungesa e saj, megjithatë fjala është aty, në shijen e ndjesisë që na jep. Ajo është një poezi që transmeton zëra të fshehtë të një mendimi që ecën e nuk ndal nga etja për të kërkuar.

Tiranë-Vlorë, nëntor 2025.

Exit mobile version