Kreu Letërsi Bibliotekë Charlotte Perkins Gilman: Sikur të isha burrë

Charlotte Perkins Gilman: Sikur të isha burrë

Përktheu: Artemisa Kuznetsov

“SIKUR TË ISHA burrë…” kështu thoshte gjithmonë bukuroshja e vogël Molli Mathjuson sa herë që Geraldi nuk bënte pikërisht atë që ajo dëshironte prej tij, gjë që ndodhte rrallë.

Kështu tha edhe atë mëngjes të artë, duke përplasur këmbën me këpucën e saj të vogël me takë të lartë, vetëm sepse ai kishte bërë shumë zhurmë për atë faturë, atë të gjatën me shënimin “llogari e dhënë”, të cilën ajo kishte harruar t’ia jepte herën e parë dhe kishte pasur frikë t’ia dorëzonte herën e dytë – derisa më në fund ai e mori vetë nga postieri.

Molli ishte “tipike”. Ajo përfaqësonte një shembull të bukur të asaj që me respekt quhet “një grua e vërtetë”. E vogël, sigurisht, sepse asnjë grua e vërtetë nuk mund të jetë e madhe. E bukur, sigurisht, sepse një grua e vërtetë nuk mund të jetë kurrsesi e shëmtuar. Kureshtare, tekanjoze, e mahnitshme, e ndryshueshme, e dhënë pas rrobave të bukura dhe gjithmonë duke “ i mbajtur mirë”, siç thuhet rëndom. (Kjo nuk u referohet rrobave, sepse ato, në të vërtetë, nuk mbahen aspak mirë, por një hiri të veçantë në mënyrën si i vesh dhe si i mban, një dhunti që, me sa duket, nuk ndeshet rëndom)

Ajo ishte gjithashtu një bashkëshorte e dashur dhe një nënë e përkushtuar, e pajisur me dhunti të veçanta dhe me dashuri për shoqërinë, dhe, me të gjitha këto, e donte dhe ishte krenare për shtëpinë e saj, duke e menaxhuar mirë – epo, po aq sa të gjitha gratë.

Nëse ndonjëherë ka ekzistuar një grua e vërtetë, ajo ishte Molli Mathjuson, e megjithatë, ajo dëshironte të ishte burrë, me patjetër.

Dhe krejt papritur ajo u bë!

Ajo ishte Geraldi, që zbriste shtegut me shpatulla të drejta e katrore, me hap të shpejtë për të kapur trenin e mëngjesit, si zakonisht, dhe, duhet pranuar, disi i nevrikosur.

Fjalët e vetë asaj i kumbonin në vesh – jo vetëm “fjala e fundit”, por edhe disa nga ato që qenë thënë më parë, dhe ajo po i mbante buzët të shtrënguara fort që të mos thoshte diçka për të cilën mund të pendohej më vonë. Por, në vend që të ndiente nënshtrim përballë qëndrimit të atij trupi të vogël e të zemëruar në verandë, ajo ndjeu një lloj krenarie superiore, një ndjenjë simpatie ndaj të dobëtës, një mendim si “duhet të tregohem fisnike me të”, pavarësisht zemërimit.

Një burrë! Vërtet një burrë – me vetëm aq kujtesë të pavetëdijshme nga vetja e saj sa për t’i dalluar ndryshimet.

Në fillim kishte një ndjesi të çuditshme madhësie, peshe dhe trashësie shtesë, duart dhe këmbët i dukeshin çuditërisht të mëdha. Këmbët e gjata, të drejta dhe të lira lëviznin përpara me një hap që e bënte të ndihej sikur po ecte mbi shtylla.

Kjo ndjesi kaloi shpejt dhe, në vend të saj, lindi një ndjenjë e re e këndshme, që thellohej gjatë gjithë ditës, kudo që shkonte, se ishte pikërisht në përmasën e duhur.

Tani gjithçka përputhej. Shpina i rehatohej pas ndenjëses, këmbët të shtriqura mbi dysheme. Këmbët e saj?… Këmbët e tij! I studioi me kujdes. Kurrë më parë, që nga ditët e hershme të shkollës, nuk kishte përjetuar një liri dhe rehati të tillë në këmbë. Ato qëndronin të forta e të sigurta mbi tokë kur ecte, të shpejta, rinore, të sigurta, si kur, e shtyrë nga një impuls i papritur, kishte vrapuar dhe ishte hedhur brenda tramvajit.

Një impuls tjetër zuri vend, dhe nxorri një monedhë për faturinon dhe një tjetër për shitësin e gazetave.

Këta xhepa ishin si një zbulim. Sigurisht që ajo e dinte se ekzistonin, i kishte numëruar, ishte tallur me ta, i kishte arnuar, madje edhe i kishte lakmuar; por kurrë nuk e kishte përfytyruar si ndihet të kishe xhepa.

Pasi mori gazetën, ajo e la atë ndërgjegje të çuditshme e të përzier të endet nga një xhep te tjetri, duke ndier sigurinë e blinduar që jepte fakti se i kishte të gjitha ato gjëra pranë, menjëherë të arritshme, gati për të përballuar çdo emergjencë.

Kutia e purove i dha një ndjesi të ngrohtë kënaqësie; ishte plot. Stilolapsi mbahej fort e i sigurt, përveçse po të qëndronte kokëposhtë. Çelësat, lapsat, letrat, dokumentet, fletorja, libreza e çeqeve, portofoli i faturave — papritur, me një ndjesi të thellë e të vrullshme fuqie dhe krenarie, ajo përjetoi diçka që nuk e kishte ndier kurrë më parë në gjithë jetën e saj –  zotërimin e parave, të parave të fituara prej saj, të sajat për t’i dhënë ose për t’i mbajtur, jo për t’i kërkuar me lutje, për t’i zbutur me lajka, për t’i nxjerrë me dredhi — të sajat.

Ajo faturë, sikur t’i kishte ardhur asaj, atij, domethënë asaj, do ta kishte paguar si një gjë krejt të zakonshme dhe nuk do ia kishte përmendur kurrë – asaj.

Pastaj, duke qenë ai, ulur aty kaq lehtë e kaq i sigurt me paratë në xhepa, ajo u ndërgjegjësua për vetëdijen e tij të përhershme ndaj parave. Djalëria – është dëshira dhe ëndrra, ambicie. Rinia, duke punuar jashtëzakonisht fort për të siguruar mjetet për të ngritur një shtëpi – për të. Vitet e tanishme me gjithë rrjetën e kujdesjeve, shpresave dhe rreziqeve. Çasti i sotëm, kur ai kishte nevojë për çdo qindarkë për plane të veçanta me rëndësi të madhe, dhe kjo faturë, e vonuar prej kohësh dhe që kërkonte pagesë, sillte një bezdi krejt të panevojshme, sikur t’i ishte dorëzuar që në fillim, kur kishte ardhur për herë të parë, si edhe neverinë e mprehtë të burrit ndaj atij shënimi “llogari e dhënë.”

“Gratë nuk kanë aspak sens për biznes!”, e gjeti veten duke thënë. “Dhe gjithë ato para vetëm për kapela, gjëra idiote, të padobishme, të shëmtuara.”

Me këtë mendim, ajo nisi t’i vështrojë kapelat e grave në vagon si kurrë më parë. Të burrave i dukeshin normale, dinjitoze, të hijshme, me aq larmi sa për të shprehur shijen personale dhe me dallime në stil e në moshë, gjëra që ajo nuk i kishte vënë re kurrë më parë. Por kapelat e grave…

Me sytë e një burri dhe me trurin e një burri, me kujtesën e një jete të tërë veprimi të lirë, ku kapela e ngushtë mbi flokë të prera shkurt nuk kishte qenë kurrë pengesë, tani ajo i perceptonte kapelat e grave ndryshe.

Flokët e fryra e të mbledhura dukeshin njëherësh tërheqëse dhe qesharake, dhe mbi to, në çdo kënd e në çdo ngjyrë, të anuara, të përdredhura, të shtrembëruara në forma të çoroditura, të bëra prej çdo materiali që rastësia mund të ofronte, qëndronin të vendosura këto objekte pa formë. Mbi këtë paformësi shtoheshin zbukurime, shpërthime të forta ngjyrash, harqe të shndritshme e të dala shiritash, masa të valëzuara pendësh që zgjateshin përpara dhe bezdisnin fytyrat e kalimtarëve. Kurrë në jetën e saj nuk e kishte imagjinuar se kjo modë e adhuruar mund të dukej, për ata që paguanin për të, si zbukurime majmunësh të çmendur.

Dhe megjithatë, kur në vagon hyri një grua e vogël, po aq e marrë sa të tjerat, por e bukur dhe me pamje të ëmbël, Gerald Mathjusoni u ngrit dhe i la vendin e tij. Më vonë hyri një vajzë e bukur me faqe të kuqe, kapela e së cilës ishte më e egër, më e fortë në ngjyrë dhe më ekscentrike në formë se çdo tjetër – kur qëndroi pranë tij dhe pendët e saj të buta e të dredhura i prekën faqen herë pas here – ai ndjeu një kënaqësi të papritur nga ajo prekje intime që guduliste – dhe ajo, thellë brenda vetes, ndjeu një valë turpi që mund të kishte mbytur një mijë kapela përgjithmonë.

Kur ai mori trenin e tij dhe vendin në vagonin e duhanpirësve, ajo përjetoi një tjetër surprizë. Rreth tij ishin burra të tjerë, udhëtarë të përditshëm si ai, dhe shumë prej tyre miq të tij.

Për të, ata do të dalloheshin si burri i Meri Uejdit, ai me të cilin ishte fejuar Bela Granti, ai i pasuri, zoti Shopuorth, ose ai i sjellshmi, zoti Bil. Të gjithë do t’i kishin hequr kapelën, do të përkuleshin lehtë, madje do të bënin një bisedë të sjellshme po të ishin mjaft afër, sidomos zoti Bil.

Tani erdhi ndjesia e njohjes së hapur, e njohjes së burrave ashtu siç ishin. Vetë përmasa e kësaj njohjeje e befasoi. I gjithë sfondi i bisedave që nga djalëria e tutje, thashethemet e berberhanes dhe të klubit, bisedat e mëngjesit e të mbrëmjes në trena, njohja e përkatësive politike, gjendjes dhe perspektivave në biznes, karakterit, të gjitha në një dritë që ajo nuk e kishte njohur kurrë më parë.

Ata vinin e flisnin me Geraldin, njëri pas tjetrit, dhe ai dukej mjaft popullor. Ndërsa flisnin, me këtë kujtesë të re dhe me këtë kuptim të ri, që dukej se përfshinte mendjet e të gjithë atyre burrave, mbi ndërgjegjen e zhytur thellë vërshoi një dije e re, tronditëse – çfarë mendojnë vërtet burrat për gratë.

Ishin burra amerikanë të mirë, të zakonshëm, kryesisht të martuar dhe të lumtur, aq sa është e mundur të jesh i lumtur. Në mendjen e secilit prej tyre dukej sikur ekzistonte një departament me dy kate, krejtësisht i ndarë nga pjesa tjetër e ideve të tyre, një vend i veçantë ku mbanin mendimet dhe ndjenjat për gratë.

Në katin e sipërm ndodheshin emocionet më të buta, idealet më të holla, kujtimet më të ëmbla, të gjitha ndjenjat e bukura për shtëpinë dhe nënën, të gjithë mbiemrat delikatë e plot admirim, një lloj shenjtërie ku një statujë e mbuluar me vel, e adhuruar verbërisht, ndante vendin me përvoja të dashura, por të zakonshme.

Në katin e poshtëm, këtu ajo ndërgjegje e zhytur u zgjua me një dhembje të mprehtë, ruheshin ide krejt të tjera. Këtu, edhe te ky bashkëshort i saj me mendje të pastër, gjendeshin kujtimet e historive të treguara në darka burrash, të tjerave edhe më të këqija, të dëgjuara në rrugë apo në tramvaj, të zakoneve të ulëta, të epitetëve të vrazhdë, të përvojave të rënda, të njohura ndonëse jo të treguara.

Dhe të gjitha këto në departamentin “grua”, ndërsa në pjesën tjetër të mendjes, kishte vërtet një dije të re.

Bota u hap para saj. Jo bota në të cilën ishte rritur, ku shtëpia pothuajse mbulonte gjithë hartën dhe pjesa tjetër ishte e huaj ose territor i paeksploruar, por bota ashtu siç ishte, bota e burrave, siç ishte ndërtuar, jetuar dhe parë prej tyre.

Ishte marramendëse. Të shihte shtëpitë që kalonin me shpejtësi përtej dritares së vagonit në terma faturash ndërtuesish apo me një njohuri teknike mbi materialet dhe metodat; të shihte një fshat që kalonte me dijen e hidhur se kush e zotëronte dhe si pronari i tij po ngjitej me shpejtësi drejt pushtetit shtetëror, apo se ai lloj shtrimi rruge ishte një dështim; të shihte dyqanet jo thjesht si ekspozita objektesh të dëshirueshme, por si sipërmarrje biznesi — shumë prej tyre anije që po fundosen, disa që premtonin një udhëtim fitimprurës — e gjitha kjo botë e re e hutoi thellë.

Ajo – si Geraldi – e kishte harruar tashmë atë faturë, për të cilën ajo – si Molli – ende qante në shtëpi. Gerald fliste për punë me njërin, për politikë me tjetrin dhe tani po shprehte mirëkuptim për hallet e një fqinji, të mbajtura të fshehta me kujdes.

Molli gjithmonë kishte shprehur mirëkuptim për gruan e fqinjit.

Ajo nisi të përpiqej me forcë kundër kësaj ndërgjegjeje të madhe e dominuese mashkullore. Iu kujtuan me një qartësi të papritur gjëra që kishte lexuar, ligjërata që kishte dëgjuar, dhe ndjeu me një zemërim gjithnjë e më të fortë këtë përqendrim të qetë, krejt mashkullor, në këndvështrimin e burrit.

Zoti Majls, burri i vogël e i bezdisshëm që jetonte matanë rrugës, po fliste tani. Ai kishte një grua të madhe e të vetëkënaqur. Molli nuk e kishte pëlqyer shumë, por gjithmonë e kishte menduar si mjaft të këndshëm, sepse ishte aq i përpiktë në mirësjelljet e vogla.

Dhe ja ku ishte tani, duke folur me Geraldin… një bisedë të tillë!

“U detyrova të vij këtu,” tha ai. “Ia lashë vendin një zonje që ishte e vendosur ta merrte. S’ka gjë që nuk e arrijnë kur e kanë ndarë mendjen, apo jo?

“Mos ki merak,” tha burri i madh në sediljen pranë. “Nuk kanë shumë mend për ta ndarë, dhe edhe po ta kenë, do ta ndryshojnë.”

“Rreziku i vërtetë,” filloi reverendi Alfred Smaith, kleriku i ri episkopal, një burrë i hollë, nervoz e i gjatë, me një fytyrë që dukej sikur i përkiste disa shekujve më parë, “është që ato të kapërcejnë kufijtë e sferës së tyre të caktuar nga Zoti.”

“Duhet t’i mbajnë brenda kufijve të tyre natyrorë, mendoj,” tha me hare doktor Xhonsi. “Fiziologjisë nuk i shpëton dot, po ta them unë.”

Unë s’kam parë kurrë ndonjë kufi, për sa u përket atyre, të paktën jo për atë që duan,” tha zoti Majls. “Vetëm një burrë të pasur, një shtëpi të bukur, një pafundësi kapelash e fustanesh, modelin më të fundit të makinës, disa diamante, e kështu me radhë. Na mbajnë mjaft të zënë.

Përballë, në anën tjetër të korridorit, ishte një burrë i lodhur, me flokë gri. Kishte një grua shumë të këndshme, gjithmonë e veshur bukur, dhe tre vajza të pamartuara, gjithashtu të veshura bukur. Molli i njihte. E dinte se ai punonte fort, dhe tani e pa me njëfarë ankthi.

Por ai buzëqeshi me gëzim.

“Të bën mirë, Majls,” tha ai. “Për çfarë tjetër do të punonte një burrë? Një grua e mirë është gjëja më e mirë në këtë botë.”

“Dhe një e keqe është më e keqja, kjo është e sigurt,” u përgjigj Majlsi.

“Ajo është një krijesë mjaft e dobët, po ta shohësh nga ana profesionale,” pohoi me solemnitet doktor Xhonsi, dhe reverendi Alfred Smaith shtoi: “Ajo e solli të keqen në botë.”

Gerald Mathjusoni u ul drejtë në ndenjësen e tij. Diçka po lëvizte brenda tij, diçka që nuk e njihte, por që nuk mund ta kundërshtonte.

“Më duket se po flasim si Noe,” sugjeroi ai thatë. “Ose si shkrimet e lashta hindu. Gratë kanë kufizimet e tyre, por edhe ne i kemi; Zoti na i ka falur. A nuk kemi njohur në shkollë e në kolegj vajza po aq të zgjuara sa edhe ne?”

“Ato nuk mund të luajnë lojërat tona,” u përgjigj ftohtë kleriku.

Geraldi mati me syrin e stërvitur trupin e tij të dobët.

“Unë vetë s’kam qenë kurrë ndonjë lojtar i mirë futbolli,” pranoi me modesti, “por kam njohur gra që mund ta tejkalonin një burrë në qëndrueshmëri të përgjithshme. Për më tepër, jeta nuk kalon në sporte.”

Fatkeqësisht kjo ishte e vërtetë. Të gjithë hodhën sytë poshtë korridorit, ku një burrë i rëndë, i veshur keq dhe me fytyrë të zbehtë, rrinte vetëm. Dikur kishte qenë në krye të kolonave të gazetave, me tituj të mëdhenj dhe fotografi. Tani fitonte më pak se cilido prej tyre.

“Është koha të zgjohemi,” vazhdoi Geraldi, ende i shtyrë nga brenda drejt një fjalimi të pazakontë për të. “Gratë janë pak a shumë njerëz, më duket mua. E di që vishen si budallaqe, por kush e ka fajin për këtë? Ne i shpikim ato kapelat e tyre idiote dhe dizajnojmë modën e tyre të çmendur; dhe, për më tepër, nëse një grua është mjaftueshëm e guximshme të veshë rroba dhe këpucë të arsyeshme, cili prej nesh dëshiron të vallëzojë me të?”

Po, i fajësojmë që na shfrytëzojnë, por a jemi ne të gatshëm t’i lëmë gratë tona të punojnë? Nuk jemi. Na lëndon krenarinë, kaq. Gjithmonë i kritikojmë për martesa me interes, por si e quajmë një vajzë që martohet me një budalla pa para? Thjesht një budallaqe e varfër, kaq. Dhe ato e dinë këtë.

Sa për Nënën Evë – unë nuk kam qenë aty dhe nuk mund ta mohoj historinë, por këtë do ta them. Nëse ajo e solli të keqen në botë, ne burrat kemi pasur pjesën e luanit në mbajtjen e saj gjallë që atëherë. Ç’thoni për këtë?”

Treni hyri në qytet dhe, gjatë gjithë ditës në punën e tij, Gerald ishte vagullisht i vetëdijshëm për pikëpamje të reja e ndjenja të çuditshme, ndërsa Molli, e zhytur brenda tij, mësonte e mësonte.

Exit mobile version