Përktheu nga origjinali gjermanisht:
Dr. Elda GJANA-BORIÇI
Felix Salteni konsiderohej si “gazetar me ndikim, kritik i fuqishëm kulture, themelues eksperimental teatrosh, përfaqësues i angazhuar i judaizmit, funksionar letrar i debatueshëm dhe bashkëpunëtor i rrethit letrar “Jung-Wien” bashkë me Hugo von Hofmannsthal, Arthur Schnitzler, një protagonist i rëndësishëm i jetës kulturore të modernizmit vjenez.”
Lindi më 6 shtator 1869 në Pest, Austro-Hungari, vdiq më 8 tetor 1945 në Zyrih. Siegmund Salzmann ishte djali i inxhinierit hebre-hungarez Philipp Salzmann dhe Marie Salzmann. Familja e tij shpërngulet në Vjenë. Ai u bë i famshëm në mbarë botën me romanin “Bambi. Një histori jete nga pylli” (1922).
Botimi i parë i tij i njohur ishte një poezi në vitin 1889 në revistën letrare “An der Schönen Blauen Donau”, me pseudonimin Felix Salten. Në vitin 1890 ai u njoh me rrethin letrar “Jung-Wien” në Café Griensteidl dhe u miqësua me Arthur Schnitzler, Hugo von Hofmannsthal, Richard Beer-Hofmann, Hermann Bahr dhe Karl Kraus. Në vitin 1894 punoi si redaktor dhe kritik teatri në gazetën “Wiener Allgemeine Zeitung”. Më 1898 u njoh me familjen perandorake Habsburge përmes Erzherzog Leopold Ferdinandit dhe filloi të shkruante për skandalet e oborrit perandorak në Vjenë, gjë që e bëri shumë të njohur. Në vitin 1902 u bë gazetar i rëndësishëm i gazetës “Die Zeit” dhe shkroi për skandale politike dhe familjare të aristokracisë austriake. Disa nga tekstet e tij u konsideruan shumë provokuese për kohën. Më vonë punoi edhe në Berlin dhe ishte shumë aktiv si gazetar, shkrimtar dhe më pas edhe në film. Pas mbylljes së gazetës “Fremdenblatt” në vitin 1919, Felix Salten mori përsipër rubrikën e së dielës në “Neue Freie Presse”. Në vitet 1920 ai botoi disa romane të njohura dhe, me ndihmën e shtëpisë botuese Zsolnay, u bë një autor i suksesshëm.
Në vitin 1923 botoi tregimet për kafshë “Qeni i Firences” dhe “Bambi”, të cilat më vonë u ekranizuan nga Disney. Në vitin 1927 u bë president i klubit austriak PEN. Më vonë u përfshi në konfliktet politike me Gjermaninë naziste dhe dha dorëheqje nga posti i tij. Salten mbështeti veçanërisht Schnitzler-in, Hofmannsthal-in dhe piktorin Gustav Klimt. Veprat e Felix Salten-it, që nga viti 1935, u përfshinë nga nacional-socialistët në listat e “literaturës së dëmshme dhe të padëshirueshme” dhe u ndaluan në Gjermani. Pas vitit 1938 u shpërngul në Zvicër.
Krahas romaneve, novelave, pjesëve teatrore, libreteve dhe skenarëve filmikë, Felix Salten shkruan për shumë gazeta të mëdha gjermanishtfolëse. Ai mbulon një gamë të gjerë temash, nga kritika teatrore dhe reportazhet deri te historitë skandaloze të familjeve mbretërore. Fejtonet e tij përfshinin thuajse çdo fushë: artet pamore, politikën, shfaqjet teatrore e shumë tema të tjera.
Ai krijoi “Bambi. Një histori jete nga pylli”, një ikonë të letërsisë për fëmijë, si dhe librin pikant dhe kontradiktor “Josefine Mutzenbacher ose historia e vetërrëfyer e një prostitute vjeneze”, që është një vepër provokuese, ku përshkruhet jeta e një gruaje të re në Vjenën në fund të shekullit XIX. Me një stil të drejtpërdrejtë, por edhe të ndjeshëm, autori jep një vështrim në jetën e brendshme dhe përvojat e një prostitute. Libri nuk është vetëm një portret intim i një personazhi të margjinalizuar, por edhe një pasqyrim i normave shoqërore dhe i dyfishit moral të kohës.
Sot ai konsiderohet si një përfaqësues i rëndësishëm i rrethit letrar “Jung-Wien” dhe i letërsisë së mërgimit.
Krijimtaria:
“I mbijetuari. Novela të shkurtra” (1900); “Klithma e dashurisë” (novelë, 1905); “E dashura e Frederikut të Bukur” (novelë, 1908); “Fytyra austriake: ese” (botimi i dytë, 1910); “Fëmijët e gëzimit. Tre drama njëaktëshe” (1917); “Bambi: një histori jete nga pylli” (1922); “Martin Overbeck: romani i një të riu të pasur” (1927); “Pesë minuta Amerikë” (1931); “Miq nga e gjithë bota: roman i një kopshti zoologjik” (1931); “Floriani: kali i perandorit” (roman, 1933) etj.
Plaku shkruan në ditarin e tij:
Sot ka qenë një ditë e mrekullueshme. Plot me shkëlqim dielli e ngrohtësi dhe nëpër rrugë kundërmonte ngado aromë manushaqesh. Fakti që pikërisht sot kam mbushur gjashtëdhjetë vjeç, sigurisht duhej të më ligështonte. Por nuk kam ç’të bëj, jam në humor shumë të mirë. Dhe më duket shumë bukur të kesh ditëlindjen në pranverë, kur moti ngrohet kështu, dhe kur rrugët janë mbushur me aromë lulesh të freskëta. Çfarë mund të duash më shumë? Kam bërë shëtitje, si zakonisht. Fillimisht në qendër të qytetit, pastaj tek opera dola në rrugën Ringstrasse dhe u ktheva sërish. Më pas kam qenë edhe në kafene.
Pra, gjashtëdhjetë vjet. Do të më pëlqente më tepër ta kaloja në heshtje; por meqë prej kaq kohësh e kam zakon që në raste të tilla, të bëj bilancin e vitit dhe të shkruaj diçka nga ato që mendoj, edhe sot nuk dua ta lë pa e bërë. Megjithëse … Sepse në të vërtetë nuk kam shumë për të thënë. Aty në sirtar janë fletët e të gjitha këtyre viteve dhe po të doja t’i lexoja tani të tëra, ndoshta brenda tyre do të gjeja gjithmonë të njëjtat gjëra. Kam bërë një jetë shumë të rregullt, dhe kur je beqar nuk ka shumë ngjarje. Vetëm se tani ndiej njëfarë druajtjeje për t’i marrë ato fletë në dorë. Në fund, ato mund të më çonin në një gjendje sentimentale, dhe kjo nuk do të kishte asnjë kuptim. Ende jam i frymëzuar nga kjo ditë e bukur.
Së shpejti do të mund të ulesh sërish në ajër të pastër. Në sheshin Graben janë bërë gati tashmë të dyja kioskat e vogla të kafeve; madje disa tavolina ishin të zëna. Por ende nuk rrezikova. Veç kësaj sot mezi ecje përpara, aq shumë njerëz vinin vërdallë nëpër qytet. Dhe çfarë vajzash të bukura shikon, kjo është një kënaqësi e vërtetë. Nuk di se cilën duhet të shohësh më parë. Ecin turma të tëra. Dhe sa tërheqëse është kjo, shumë fytyra të reja faqekuqe, sy që qeshin! Qysh prej dyzet vitesh bëj përditë të njëjtën rrugë përmes qendrës së qytetit dhe përgjatë rrugës Ringstrasse, dhe gjithmonë shoh kaq shumë vajza të bukura. Është e pabesueshme kur mendon se nga vijnë ato.
Megjithatë, ato nuk mbeten përjetësisht të reja. Nuk duhet të të gënjejë mendja për këtë. Sepse përndryshe do të më duhej të plakesha krejt i vetëm, dhe për këtë do të duhej të isha shumë mirënjohës! Por gjithçka ndjek rrjedhën e vet të rregullt. Edhe kur habitesh. Këtë gjë e vura re te baronesha Ruttersdorf kur e pashë sot. O Perëndi, ç’pamje që ka! Tashmë i ka flokët borë të bardha dhe është kërrusur shumë. U ndala dhe e ndoqa me sy. Pas tridhjetë vitesh sërish për herë të parë.
Në fakt përpara tridhjetë vitesh jam ndalur më shpesh dhe e kam ndjekur me sy. Atëherë ajo ishte një vajzë e re dhe e bukur. Edhe sot më merren mendtë kur kujtoj se sa e bukur ishte. Në atë kohë e kam dashuruar marrëzisht. Por kjo ndjenjë është shuar brenda meje prej kohësh. Po, po, kam përjetuar shpesh të tilla ndjenja. Domethënë, natyrisht nuk e kam njohur personalisht. Si do të kishte qenë e mundur kjo gjë? Unë isha një nëpunës shumë i vogël. Edhe shumë më i vogël nga ç’jam sot. Dhe sa para do të kem marrë në muaj atëherë, përpara tridhjetë vitesh? Gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë guldena; me siguri jo më shumë. Por ç’t’i bësh…? Isha një i ri! Dhe kështu ajo asokohe e ka mbushur tërë qenien time. E dija saktësisht që të dielën shkonte në kishën e Schotten-it, e dija se kur do të ndeshesha me të pasdite në qytet. Nëse do t’i nxirrja tani fletët e asaj kohe, do të gjeja shumë gjëra për të brenda tyre. E di se si e kam ndjekur pas, dhe se si kam përfytyruar që befas do të bëhesha milioner, ose që brenda dy vitesh do të bëhesha ministër, ose do të shkruaja një dramë dhe do të bëhesha i famshëm, kështu që të gjithë njerëzit do të më shikonin kur të kaloja në rrugë, dhe se të gjithë njerëzit do të turreshin drejt meje, dhe pastaj… mirë, dhe pastaj… Ishte kaq e mrekullueshme t’i përfytyroje të gjitha këto me kaq saktësi, kaq të gjalla, sikur të ishin të vërteta, sikur të mund të ndodhnin të nesërmen. Kam qenë krejt i zhytur në këto ëndrra dhe atyre u detyrohem shumë orë të lumtura.
Por tani jam gjashtëdhjetë vjeç. Dhe ajo është një grua plakë. E kam vëzhguar nga afër gjatë tërë jetës së saj. Atëherë ajo ishte një konteshë Nußbach. E njihja edhe të atin, gjeneralin plak. Kishte flokë të bardhë shumë të dendur e të bukur si tani e bija. Pastaj u martua me baronin Ruttersdorf. Pastaj dilte shëtitje me fëmijët e saj. Ç’fëmijë të lezetshëm ishin, sidomos djali i madh, Ferdinandi. Pastaj i vdiq i ati dhe ajo trashëgoi pallatin në Wieden. Pastaj burri i saj pati histori me një këngëtare hungareze dhe u përfol se do të ndaheshin. Pastaj Ferdinandi u vetëvra. Ishte toger te kalorësit e Windischgrätz-it. Dhe pastaj vdiq bashkëshorti i saj. Nëse do t’i kisha folur sot dhe do t’i kisha thënë se e njihja tërë jetën e saj dhe se e kam dashur, kushedi se si do t’i kishte zgurdulluar sytë! Sigurisht që nuk mund të bëhen gjëra të tilla; dhe as unë nuk jam njeriu i prerë për këtë punë. Por kush e di sa mirë do të flisnim tani me njëri-tjetrin.
Sepse besoj që do të isha në gjendje të flisja me një zonjë të tillë pa bërë asnjë gabim. Dhe mendoj që edhe veshja ime është mjaft elegante për të patur marrëdhënie shoqërore me rrethe më të mira. Për sjelljet e njerëzishme kam treguar gjithmonë shumë kujdes, dhe veshjeve të mira u kam dhënë gjithmonë shumë rëndësi. Ishte gjëja e parë që kam bërë kur isha marrë në punë si nëpunës i përhershëm, isha marrë vesh me një rrobaqepës për këste mujore. Dhe qysh atëherë kam qenë gjithmonë i veshur me shumë elegancë. Gjithashtu kam frekuentuar përherë vetëm lokale luksoze. Natyrisht, vetëm kafene, sepse restorantet janë shumë të shtrenjta për kushtet e mia. Por kjo nuk ka rëndësi fare. Çfarë përfiton njeriu nga një restorant? Ha, ngrihet dhe largohet sërish. Për këtë qëllim më mjafton bujtina ime në rrugicën e Piaristëve, ku jam klient i rregullt dhe ku prej dekadash ha çdo ditë në orën tre, pasi dal nga zyra. Por kafeneja është diçka tjetër. Dhe në kafenenë Imperial apo Pucher më kanë mbajtur gjithmonë për baron.
Vetëkuptohet nuk i kam folur baroneshës Ruttersdorf dhe nuk do t’i flas kurrë. Në këtë jetë jo. Ndoshta do të takohemi një herë në një botë tjetër. Me siguri atje do të kishim mjaft material bisede dhe ndoshta asaj atëherë do t’i pëlqente më shumë të bisedonte me mua sesa me burrin e saj. Por çdo gjë është si më parë. Sepse do të më duhej t’u flisja shumë njerëzve, po ta doja këtë gjë, dhe do të filloja të bisedoja me secilin që kam shikuar nga larg gjatë tërë jetës.
Nuk e di nëse kjo ndodh edhe në një qytet tjetër, në Berlin apo në Londër. Por te ne është kështu. Mund t’i sodisësh njerëzit që janë interesantë, mund t’i shohësh se si jetojnë. Jeton me ta, dhe nuk është aspak e nevojshme të jesh i pasur, fisnik apo një njeri me pozitë. Unë sigurisht nuk i përkas aristokracisë, por megjithatë i njoh të gjithë. I njoh se si kanë qenë të rinj, i vështroj se si plaken, i shoh fëmijët e tyre teksa rriten dhe shoh të përsërisin të njëjtat histori. Nuk kam pasur kurrë aq shumë para sa të shkoja gjithnjë në ekspozita arti, dhe megjithatë e kam njohur Kanonin dhe Makartin. Më kujtohet si sot kur ai kalonte me karrocë kuajsh në rrugën Ringstrasse, një zotëri shumë i shkurtër, i hollë. Në teatër thuajse nuk kam qenë kurrë, dhe megjithatë i kam parë e njohur të gjithë: aktoren Wolter, kur u martua me kontin O’Sullivan, dhe Geistinger-en, dhe se si u bë i famshëm Girardi, dhe të gjithë të tjerët. Nuk do të isha në gjendje as ta thoja se nga i njoh. Ndoshta bëhet shprehi, kur për vite të tëra ecën çdo ditë nëpër qytet. Atëherë thjesht i dallon fytyrat e famshme; dhe papritmas i di emrat; dhe më pas i sheh njerëzit përsëri e përsëri, derisa në fund mund të lexosh nga fytyrat e tyre, nga ecja e tyre, nga qëndrimi i tyre gjithçka që përjetojnë ata. Sa herë që kam bërë rrugën e shëtitjes sime në këtyë periudhë të gjatë, gjithmonë jam frymëzuar dhe hutuar nga kjo, gjithmonë jam argëtuar jashtëzakonisht, përherë kam patur ndjesinë se jam në një shoqëri të shkëlqyer. Dhe për këtë vërtet nuk duhen pasuri. Çfarë mund të kërkojë më shumë njeriu?
Kur kujtoj sesi, kur isha i ri, kam mësuar të hapja sytë dalëngadalë… Jam rritur në kushte shumë të thjeshta, por megjithatë e kam ndjerë se çfarë gjërash të bukura ekzistojnë në botë. Një të dielë, kur qyteti është krejt i qetë, mund të shëtisja me orë të tëra dhe të shikoja pallatet e vjetra; portat dhe pamjet që hapeshin në oborret e mëdha, pastaj dritaret e larta dhe figurat mbi to. Pastaj rrugicat e ngushta rreth Universitetit të vjetër. Dhe sa gjatë kam qëndruar përherë në sheshin Burgplatz, përpara hyrjes së Schweizerhof-it. Sa mirë e njoh Burgplatz-in. Për shembull në mbrëmjet e dimrit, kur bora shtrihet si një qilim i bardhë mbi tërë sheshin, kur fasadat gri shkëlqejnë dhe kur gjithçka duket kaq larg, si në një botë tjetër. Apo në pasditet në mes të verës, kur e di që perandori nuk ndodhet aty dhe gjithçka që lëviz është vetëm personeli i shërbimit. Kur ky shesh, me rojet, xhandarët dhe dritaret e zëna me perde ka diçka të plogët dhe të përgjumur. Dhe pastaj mbrëmjet e verës jashtë në sheshin Burgplatz, kur qielli është aq i madh dhe kur në largësi shkëlqejnë çatitë e rrethinës së qytetit. Sa shumë kam mësuar të shoh që kur isha i ri dhe çdo ditë shkoja në zyrë duke shëtitur; dhe sa shumë do të mund të rrëfeja. Por dua vetëm të them se pikërisht në këto vite të rinisë, përmes shëtitjeve të mia, u zhvilluan brenda meje shumë cilësi. Për shembull Burgplatz-i, sheshi Graben, rruga Kohlmarkt,… aty kam fituar dalëngadalë një ndjenjë për mirësjelljen, në mënyrë krej të pavetëdijshme; një prirje për forma më të mira të jetës dhe njëfarë ndjeshmërie ndaj gjërave ordinere dhe pa shije.
Dëshiroj të them se njerëzit që i shihja çdo ditë kanë ushtruar tek unë njëfarë presioni. Do të më vinte turp të dilja mes tyre i veshur në mënyrë të çrregullt apo spikatëse. Pasi dilja nga zyra dhe pasi kisha ngrënë, shkoja në qytet për të parë jetën e shkëlqyer. Një i ri thjesht do që të ketë kënaqësitë e veta. Dhe për mua kjo ishte një kënaqësi, është ende edhe sot. Kënaqësia ime për luksin u zgjua gjithnjë e më shumë nga dita në ditë. Më duhej vetëm të shëtisja për ta shijuar këtë luks. Le të marrim karrocat. Unë vetë kam udhëtuar vetëm tre apo katër herë me karrocë, por e kuptoj që është shumë gjë e bukur, kur rrotullohet aq lehtë një karrocë e tillë; se si rendin trokthi kuajt në mënyrë të rregullt, se si merr kthesën në qoshe, se si kalon me rrëmbim dhe zhduket. Më mjafton vetëm ta sodis dhe e shijoj kënaqësinë që ka një karrocë kaq madhështore. Edhe sot e shikoj me vëmendje, më argëton gjithmonë. Po të marrim kështjellën dhe Operën. Mund t’i numëroj me gishtat e dorës sa herë kam qenë brenda. Por mijëra herë kam qëndruar në hollin e Operës pas shfaqjes dhe kam soditur shoqërinë e lartë, jam kthyer në shtëpi si pas një argëtimi të mrekullueshëm, kur shihja atë turmë të shkëlqyeshme grash të bukura dhe zotërinjsh elegantë që vërshonin teposhtë shkallëve të lozhave madhështore, si dhe skenën e lakejve të zellshëm. Në verë, kur nuk është e nevojshme të lësh veshjet e sipërme në garderobë, shkoja shpesh në Burgtheater, sodisja shkallët, shëtisja në hollin e madh, përmes turmës së njerëzve. Kur mbaronte pushimi midis akteve, njerëzit vërsuleshin përsëri në sallë. Por unë largohesha dhe kisha marrë sërish një kënaqësi. Po të kisha udhëtuar përherë me karrocë, do të kisha shkuar çdo ditë në teatër, me një fjalë, sikur të kisha qenë i pasur, kush e di, me kalimin e kohës jo gjithçka do të ishte topitur brenda meje. Por kështu kam shijuar gjithmonë vetëm ëndrrën më të bukur të gjërave, i kam përfytyruar në fantazinë time gjithë kënaqësitë edhe më të mrekullueshme nga ç’janë në të vërtetë, dhe kështu deri më sot asgjë prej gjithë këtyre nuk e ka humbur magjinë.
Kur isha i ri endesha shpesh nëpër qytet dhe besoja se duhej të më ndodhte diçka e mrekullueshme, se papritur do të më ndodhte diçka e mrekullueshme. Diçka që lidhej me gra të bukura, me luksin dhe lumturinë, me pallatet, me muzikën apo diçka të ngjashme. Kjo pritje nganjëherë e padurueshme natyrisht që është zbutur shumë me kalimin e kohës. Në fund të fundit sot jam gjashtëdhjetë vjeç. Por edhe sot, kur shëtis në qendrën e qytetit, kur eci mes zhurmës së rrugës Ringstrasse, kur kalojnë pranë meje kaq shumë fytyra të bukura grash, atëherë më duket sikur ende ekziston diku ndonjë mundësi e fshehur dhe sikur mund të ndodhë ende diçka e çuditshme dhe solemne. Pa dyshim që kjo është marrëzi, e kuptoj edhe vetë, por koha rrjedh aq shpejt dhe e ndjen veten kaq të gjallëruar dhe të kënaqur.
Jam gjashtëdhjetë vjeç dhe e di se shumë gjëra për mua kanë marrë fund. Jam një i mjerë. Këtë e di edhe unë. Dhe nuk kam arritur asgjë. Disa njerëz do të mendojnë se nuk do të kisha asnjë arsye të jem kaq i kënaqur. Disa të tjerë do të mendojnë se duhej t’i kisha përdorur më mirë vitet e mia, se me zellin më të madh dhe ambicien më të fortë do të kisha mundur të përparoja në mënyrë të pakrahasueshme. Dhe duhet t’u jap të drejtë. Duhet t’u jap aq më tepër, pasi përveç të gjithave e di se nuk më kanë munguar talentet e mira, dhuntitë e pasura dhe aftësitë. Sot mund ta them se gjithsesi është tepër vonë. Mund të isha bërë diçka në këtë botë. Ndoshta diçka e madhe. Me siguri diçka shumë më e madhe sesa ajo që u bëra. Por duhet të them se, pavarësisht të gjithave, nuk jam i palumtur. Ndoshta si një i mjerë në një qytet tjetër do të kisha qenë shumë i pakënaqur dhe shumë i palumtur. Për këtë nuk mund të gjykoj, sepse nuk i njoh rrethanat gjetkë dhe nuk e di nëse diku tjetër do të isha ndier i përjashtuar për shkak të varfërisë sime dhe pozitës sime të ulët. Këtu nuk jam ndier kurrë i përjashtuar, por gjithmonë kam pasur ndjesinë, ose të paktën iluzionin, se mund të merrja pjesë patjetër në gjithë luksin, bukurinë dhe intimitetin e qytetit. Ndoshta diku tjetër nuk do të isha ndalur së përpjekuri për t’u ngritur lart. Kjo është e vështirë të thuhet.
Di vetëm se gjithmonë, kur në mbrëmje kthehesha nga shëtitjet e mia në shtëpi, të gjitha përshtypjet më bënin krejt moskokçarës dhe qetësohesha në mënyrë të mrekullueshme nga dëshirat e mia. Kur ndonjëherë kisha qejf të bëja diçka të veçantë, të ndërmerrja diçka, atëherë më dukej gjithmonë sikur gjithçka ishte ndërmarrë, bërë dhe arritur prej kohësh, dhe se tani nuk mbetej më asgjë tjetër për të bërë, veçse atë që ekzistonte ta kuptoja dhe shijoja si një pasuri të shkëlqyeshme.
Ky mund të jetë një gabim fatal, por tani nuk do të merrem më me përpjekjen për ta ndrequr. Në fund të fundit kam përjetuar mjaft, kam njohje me njerëz dhe përvoja me bollëk, kam mjete të sigurta jetese dhe qetësinë time. Tani kam edhe pranverën dhe këto ditë të gëzuara plot me diell dhe aromë lulesh. Së shpejti do të mund të ulesh edhe në natyrë. Në sheshin Graben tashmë janë bërë gati kioskat e vogla të kafeve. Gjithaçka tjetër le të mbetet siç është. Ç’rëndësi ka?
Eseja marrë nga libri me titull “Das österreichische Anlitz”, S-Fischer-Verlag, Berlin, 1910



