Kreu Letërsi Bibliotekë Rei F. Hodo: I lehtë m’qoftë dheu im (poezi)

Rei F. Hodo: I lehtë m’qoftë dheu im (poezi)

jetimore rimash

shtretër vija uji miliona prej qiellit
vikama zgjaten
pikëz-pikëz e bëhet pikëz’ e madhe

hyjnitë duarbosh n’pikëzën sofër
s’bujnë
ballë-zezuar vjegëz’ rimat për atme
kutërbon dhembshuria egjërishteve

shtretër miliona vija uji vikama re
sorrollaten sabotueshëm rim’bardhat

hyjnitë vargje ngjizën si istikamet
brendia rimash gajas prindërimin


gjethnajë flokëzash

kufij qerpikët e zgjatur
nga bota të ndan
një qark syri

teksa ledhatohen flokëzat mbi lëkurë
dëshpërimisht tingëllon hëna melankoli
ç’hije lakmitare formon bulëza e lotit nën qepallë

dhe derdhet hirësishëm trupi i shpatullës
engjëjt rrëfejnë qiellit me sytë nga ti

perandori e lëkurtë e kurmit tënd
gjithësi e botës tek një bebëz irisi

hijet qarkojnë me lakmi qenien
sillen si valët bregut

kufij qerpikët e zgjatur deri në eter
bota rrëfen me sytë nga qielli
një mall të ri

ç’hije hirësishëm drithëron dielli
në atë gjethanjë flokëzash ku rri ti


***

deti qullur
mbenë lotët e mi
bregut flenë

mbi gurë grimohet hëna
ndjell lirinë si mëmë në lindje

e qara e parë zgjon çelësin e ëndrrës
gatohet kothere shpirti në odën e kripur

mbi gurë jeta një dallgë
plagët i lidhim me gërshet dielli

një amforë shpirttradhëtuar zë derdh lot
sa pak mëshirë për detin o zot
sa pak mëshirë nga kjo botë


vjeshtë në të perënduar

mbi duar mban toka detin
ushqen prej gjiri tallazin bir

nënkresë vale mbështet kryet perëndimi
përkundet me ëndrrën fllad moçalishte

në të perënduar kjo ditë dremit sytë yje
hapa vështroj të shuhen në shtrat horizonti

anipse hëna s’bëzan kund në sofrabez qielli
me pluhurin e saj grimohen lotët e mi
në fikje të jetës


i lehtë m’qoftë dheu im 

kah eci me vjetët mbushur n’trastë 
si shtegtari i atyre udhëve pa agim 
latohet toka prej këpucëve të serta 
merr hak ajo e errëta 
shollët i shqyen gjak 
 
në vendin tim mbërrij si barka e vonë 
si pulëbardha drobitur krahëçalamane 
latohet dallga prej pendëve t’argjendta 
e nis e merr hak deti 
mëkatvarg prej poeti 
 
në vendim tim mbërrij 
agimet janë tretur rima 
 
qyteti plaket anekdotë e hidhur 
qyteti fati tragjik në bash lidhur 
 
mbërrij varg pa mbarim 
i lehtë m’qoftë dheu im 


***

elegji 
varg’ 
çmallet drita 
 
ku ta flak mallin tim 
shkërmoqet si kujtim 
para pragut përmallem peng 
elegji vaj a si këngë për poezi 
elegji 
kush të më qajë 
në varr prej deti 
kush t’mbajë ison 
e zgjatur oiii 


***

ç’është ky mot 
qielli si pabesi 
 
rebardha 
miliona re 
mbajnë zi 
 
në këtë mot të pabesë 
një gllënjkë dëshpërim 
 
prej qelqishtës matanë 
në trikëmbësh të vdekjes 
shoh të përunjur vargun tim 
 
rebardha zezona 
mbajnë zi 
orëve të 
vona 
pëllëmbë hëne 
 
kollitet ftohmë qyteti 
hëna hareshëm kolopuçe 
gjuan gjumin me guriçka 
 
simfoni dallgësh 
qasen mbi mol 
 
deti trishtueshëm fëmijë 
pret lundërtarët e tij 
 
në mall si në mal 
mall hënë 
mall nënë 
 
simfoni dallgësh 
qasen në shpirt 
hëna hareshëm 
jeton në dritë  


në kryqin tim 

ndryshku hekurit 
a hekuri i hekurt 
dhemb më shumë 
 
gozhdë e ftohtë 
shpirtgjëra gozhdë 
besë në mishin tim 
në lëkurën time të plakur 
s’është gjë plakja e moshës 
 
urtas çekan i parë 
gozhdë në lëkurë 
miliona kujtimesh 
dhembin si vargje 
plagë në vdekjen time 
në lëkurën time të vragët 
s’qenka gjë plakja e viteve 
 
kryqi në të drunjtë 
jeta në të ditë-pas-ditëshme 
miliona plagë me këmbë gjakosur 
 
kurora mbi krye Fe 
cilën dhembje pas mbi dhè 
 

kryqi në të drunjtë 
jeta si një enciklikë 
nënshkrimi i atit të shenjtë 
herezi të mëkatosh mbi vargjet 
 
s’qenka gjësendi plakja si prej rudhash 
më dhemb më shumë një varg si jetim  
 
urtas çekan i dytë nga dhembja 
picërroj si fëmija i nëmur sytë 
 
një ampulë përditshmërie 
tretësirë injeksioni 
udhë paralele 
bota 
tjetërkund 
ëndrrat i përkund 
 
mbys si në pije dhembjen 
kurora mbi krye Fe 
s’më dhemb hekuri 
dëshmitar i lodhjes 
ndryshku si grimi i zonjës plakë 
 
një ampulë dënese 
tretësirë injeksioni 
bota tjetërkund 
ëndrra përkund 
si rrotull përtese 
 
urtas çekan i tretë 
ora s’lodhet 
të rendë 
 
urtake dhembja 
shtrëngoj dhëmbët 
përtyp gjakun melhem 
 
grimohet matanë 
botë e re si zonja 
 
dëshmitarë të lodhjes 
udhët vyshkur vjeshtë 
urtak çekan i katërt 
kryqi në të drunjtë 
asnjë vijë gjak 
asnjë plagë 
s’dhemb 
 
atëherë u hap lajmi 
se kisha vdekur 
e vargu jetim 
kish zbritur nga kryqi 
kryqëzuar mbetur 


trill mëngje-shiu 

nga zbresim në mos nga hëna 
udhët nga zgjaten veç-e-veç 
nga zbresim të na lodhin 
këmba apo pëllëmba 
të mbërthehemi 
tej bregut 
nga 
vetmia 
kapur dorë 
për dore poezia 
 
nga zbresim të trillojmë 
ç’qe thënë për të thënë 
trazojmë agimin përralla 
mëngjesi si alfabet andralla 
 
ky trill mëngje-shiu nga zbret 
në mos i dhembin këmbët 
ka bluar natën ëndrra 
ka tretur mallin 
përfjetur tek 
pëllëmbët 
 
trill mëngje-shiu


herbarium katrahurash 

i yti kurm një tokë djerrë 
pa zbuluar brigjet virgjëri 
 
një gushë honëzake lejleku trazuar 
dremiste mbi supin e qetishtës 
pa vënë dorë mbi ty 
 
dhe mbet ashtu hapësirë e pazbuluar 
pa një fat tragjik a jetësor në trastë 
një kurm zëmbytur që përkund 
mallin për një histori të re 


17:32 

dielli mbi ty hedh perëndimin 
gjinjtë e tu të fryrë i përflak 
ndërsa kotesh si një turp fare i ri 
 
ajmè kështu do të jetë shkruar 
edhe në legjenda 
 
se dielli gjithnjë mbi gjinjtë 
e fryrë të detit 
flì do bjerë 
duke bërë 
dashuri 


muzg mars i rrallë 

mbi një krëhër buzëargjendë 
flenë molekulat e saj  
pa ninullë 
pa grimin e zonjës ballë pasyrës së dhomës 
në pragshtrat 
 
shtriq eshtrat mbi fushëqetat përrallëza 

bën muzg në mars të bukur 
buzëargjendë të gjithë në qiell puthur 
 
pa ninullë krevatkaltër është qielli 
miliona yje drejt tij duke u lutur 


breg a shenjt mall 

cikërrima a pikëza uji 
vijnë përplasen 
qasen 
bregu si trupi 
kurm hija puthi 
 
cikëza 
pikëza 
s’rritet uji 
qasen përplasen 
s’lëndohet deti 
 
si kurmi afshi kur e puthi 
det ëndërrimtari poeti 
qiellit rimën hyut luti 
 
pikëza cikëza 
uji që s’plaket 
 
bregu si kurmi 
epshit rënkon 
shtratit si deti 
ëndërrimtar 
rimash poeti 


gurra lëkura 

bën të shkundet marsi 
lozonjar me ojna ojna 
pikëla shiu 
puhi fryme 
kujtimet 
bajn’ lojna si me thanë 
 
muzg a fikje 
fund a nisje 
kandilin shuan dielli 
tymoset harbutshëm 
si me pa të keq qielli 
 
hark violine gurrë lëkure 
pyllishtë në mjegull 
heshtja pullaz 
bën roje 
rioshe 
klepsidër 
që s’njomet nën tjegull 
 
gurrë lëkurë 
asht për epsh 
fle të rritesh s’plakesh 
rritesh të nginjesh s’thinjesh 
 
bën të shkundet marsi 
ojnë mbi ojnë 
foshnjërak 
asht a epsh 
gurrë lëkure 

Exit mobile version