Romani Nëse vdekja pret, i autorit Aziz Mustafa, botuar nga shtëpia botuese
“Faik Konica”, Prishtinë, 2025
Romani Nëse vdekja prêt, i autorit Aziz Mustafa, qysh në titull e paralajmëron makthin e përjetimit, të pritjes së ankthshme të ndarjes nga jeta, ndonëse vjen e mishëruar më së miri në hapësirën e gjerë tekstologjike, në shumicën e treguesve të formësimit, si dhe në skalitjen e persinazheve, është një tekst me frymë të shpallur ekzistenciale. Fati i njeriut, sidomos udhëtimi i tij në shëtitjen e parackatuar, jetë – vdekje, në sekuencat shkrimore, e qarkëzon materien letrare të këtij romani, në sekuencat e paraqitura. Në anën tjetër, jeta dhe vdekja, edhe në këtë roman, paraqiten se janë dy anë të së njëjtës medalje, të ekzistencës së qenies, në kohë dhe hapësirë. Nëse në gjallje, fizikja dhe shpirtërorja, përgjithësisht ecin paralelelisht, në copat e një udhëtimi, herë të shpejtë, e herë më të ngadaltë, matanëjeta, pra vdekja, bart më së shumti shpirtëroren, kujtesën e pranisë së njeriut, në limitin e fatit të shkruar, me gjasë të parashkruar.
Parashtrimi në roman i përmasave të jetës dhe vdekjes, krejt natyrshëm ta ndërmend idenë e Zh. P. Sartri se: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide.”[1], edhe për këtë temë, të trajtuar gjerësisht në letërsi, ndonëse me kahje biografike, por pa rënë në biografizëm ngulfatës. Të presësh vdekjen, ikjen nga kjo botë, me të gjallët pranë, për të hyrë na amshimin vetmitar, realisht është një sprovë e pazakontë morale. Pritja e vdekjes, natyrisht këtu është fjala për pritjen metaforike, e paraqitur në faqet e romanit Nëse vdekja prêt, vetiu shndërrohet në një magëm frymimi, për të endur, universin e botës romanore, të qarkëzuar nga rrathët ekzistencial, gati të pashmangshëm.
Linjat e rrjedhës fabulore
Teksti i romanit Nëse vdekja prêt, dukshëm përçon te lexuesi një atmosferë tejet të rënduar, të rrokshme në subjektivitetin e përvijuar, si dhe të rrjedhave të qarta fabulore, të cilat qartazi përcillen në faqet e librit, përmes disa linjave:
A – Linja e fatit të individit shqiptar, të lindur në trojet e Dardanisë, që prej rrethanës së pushtimit të gjatë, serbo-sllav, është i detyruar të jetoj në trembje, e po kaq nën rrezikimin e paragjykimeve, tepër të shëmtuara dhe të egra, të cilat përkojnë me një të kaluar të largët, kur protagonisti-narrator, kryente shërbimin ushtarak në Sarajevë. Kjo pamje e materializuar nëpër rrjedhat monotone të kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak, duket se është koha e kujtesës, sendërtuar si një cak mirëfilli ekzistencial, si dhe një dëshmi tepër tronditëse e fatit dhe fatalitetit të njeriut shqiptar, detyruar që të gjalloj nën kthetrat e sundimit sllav.
B – Linja e dashurisë, e cila në tekst vjen e shpalosur si një rreze drite, sepse pikërisht në këtë skëterrë të jetës politike – shoqërore, në Ish-Jugosllavi, kur shpallet dashuria e vrullshme e Drinit, ose epiqendra e romanit, me Almën, vajzën pasionante, e pajisur me një karakter të çuditshëm, të cilët madje vetëm në atë takim të zjarrtë, sollën në jetë Drinën. Pra, duke u skicuar si një dashuri e madhe dhe me shikim të parë, një ndjenjë kaq e fortë, gati përvëluese, që siç lindi befas, po kaq befasisht, shpërndërrohet në dhimbje dhe mungesë, por ndërkaq gjurma, shenja e magjisë së dashurisë, është gdhendur në jetën e vajzës.
C – Linja e mërgimit, që në këtë roman, lidhet ngushtësisht me kontekstet politike dhe ekonomike, me të cilat ndeshet njeriu që detyrohet të lërë trojet e veta. Prej këtyre rrethanave, të një pushtimi dhe dhunimi të egër, shumë shqiptarë të Dardanisë (Kosovës), kanë lënë vatrën e tyre, dhe kanë mbijetuar në vendet e perëndimit. Po ky fat, jo pak i hidhur, ndonëse tanimë prej kushteve të përndjekjes së pushtetit serb, ngjet edhe me protagonistin e këtij romani, ku në jetën e vështirë si mërgimtar, lidhet edhe me Vanesën, që duket se është një lidhje formale, ku madje ndjenja dhe respekti, ndërvaren në disa rastësi të befta, si dhe aspak detyruese, për secilin personazh.
Kuptohet, më në fund që prania e këtyre linjave, mbase shtjellimi i mëvetësishëm, i secilës prej tyre dhe, po kaq i gërshetuar i tyre, në aspektin e shenjave të përçuara, ngjiz një roman realist, të bazuar në faktologji konkrete, ndonëse mënyra se si faktet reale sillen në tekst, e sidomos përthyerja autoriale e narrativës, e rrëshqet natyrshëm në rrathët e imagjinares autoriale, pa të cilën vështirë se ekziston letërsia e dëshmimit estetik, të realitetit letrar. Sa i përket romanit, si zhanër i hapur dhe në proces të pandërprerë rijetësimi, vlen parashtresa për këtë zhanër të rëndësishëm të prozëshkrimit: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“[2], pra edhe për këtë temë subjektive, tepër të personalizuar, që shpesh shqipton gjurmë autobiografike, pa rënë plotësisht në dëshminë personale.
Narrativa e personazhit
Materia letrare e romanit Nëse vdekja prêt, që është mjaft e zgjeruar, ku madje ndeshim një parashtrim tipik ekzistencialist, bashkë me gjurmët e rrokshme biografike, ndërkaq bëhet më e prekshme ngjyresa e saj, veçmas prej pranisë së dy gjendjeve letrare:
E para: Në këtë tekst, kemi të shpallur, si mënyrë e sendërgjimit të prozës, narrativën e personazhit, ku duket hapur se autori, më së shumti “strehohet” nën ombrellën e personazhit kryesor, që është edhe qendër e universit të botës romanore, si protagonist dhe personazh, e cila shpërfaq ndodhitë, ikjet dhe përplasjet, brengat dhe shpresat, duke shpalosur kështu një ekuilibër shpirtëror të pazakontë, e cila veçmas te romani, si zhanri më i gjatë i prozës, zakonisht e përçon në fatin e qenies si individ dhe komunitet, shpesh herë duke vendosur një baraslargësi në mes humbjes dhe shpresës, dy gjendje këto të pranëvëna në hapasirën e gjerë tekstologjike, të këtij romani ekzistencial.
E dyta: Rrëfimi në vetë të parë, tanimë fiton një status dëshmie personal, si dhe një rrethanë të shtuar të depërtimit në ndodhitë e shumta të pranishme në tekst, po kaq edhe në mishërimin e personazheve, të cilët në ligjërimin e narratorit, vijnë e plazmohen si të gjallë, ku pamëdyshje në krye, si protagonistët e romanit, qëndrojnë Drini dhe Alma, i pari si protagonist dhe narrator, ndërsa Alma, si vajza me një forcë shpirtërore të jashtëzakonshme. Personazhet e tjerë, të pranishëm në roman, përgjithësisht janë në funksion të tyre, kryesisht të Drinit, si epiqendër e realitetit letrare. Hapësira e gjerë e ligjërimit letrar, përmes rrëfimit të personazhit, që ndërkohë kuptohet që është edhe aleterego e autorit, ndërkaq ka krijuar edhe distancën e mjaftueshme, për ta parë vetëm si roman biografik/autobiografik, por që thellon rrafshin subjektiv, ndonëse nuk bie në subjektivizëm total.
Nga ana tjetër, rrëfimi në vetë të parë, pra si një shpalim më i brendësuar për fatin e qenies, pra sidomos për fatin e personazhit qëndror, po kaq si një përgjithësim, për fatin e njeriut shqiptar, në ato rrethana, të mbijetesës ekzistenciale, e shprehin me të gjitha ngjyresat më tronditëse të mundshme, si dhe duke përcjellur, nënvetëdijen e njeriut, ku nuk ka gjasa me fsheh diçka, nga universi krejt i zbuluar. Madje, zbulimi i territ të brendshëm shpirtëror, të individit dhe më përtej, vetvetiu shpërndërrohet në fatum të ekzistencës së genit arbnor, pikërisht në ato kontekste dhe rrethana tepër të vështira dhe kundërvënëse me mbijetu, si me thënë, me mbet gjallë, në rrathët e politikës asgjësuese të pushtuesit serbo-sllav.
Kompozimi strukturor i tekstit
Nga leximi i romanit Nëse vdekja prêt, arrijmë në përfundimin paraprak, se kemi të bëjmë me një strukturë klasike, të shpështjellimit të realitetit letrar. Në pikëpamje të kompozimit strukturor, romani është organizuar në njëzet e dy kapituj, që shoqërohet e shënuara me numra romakë. Megjithatë, edhe pse derdhur në këtë shtjellim klasik, të ndërtimit kompozicional, ndërkohë në hapësirën e tekstit, vihen re dy praktika shkrimi:
– Kapituj të gjerë, që përcjellin te lexuesi një hapësirë të shtrirë tekstologjike, ndonëse rastis të ketë zgjatime monotone, si dhe rimarrje të tepërta, të cilat mundësojnë shpalimin e botës romanore. Në tipin e kapitujve më të zgjeruar, bazuar vetëm në materien e tekstit, do të veçoheshin kapitujt: I, II, III, IV, V, VII, VIII, XI, X, XI, XII, XVI, XV, XVI, XVII, XXI, pra duket se janë sekuencat më të shumta, ku shtjellohet fati i protagonistit, si dhe i personazhit kryesor, Drinit, kur ishte ushtar në Sarajevë. Aty njihet me Almën dhe bie në një dashuri të zjarrtë. Po ashtu, në disa prej kapitujve të zgjeruar, kemi të prezantuar peripecitë e jetesës dhe punësimit, në mërgim, koha kur lidhet me Vanesën, një marrëdhënie formale, për të lehtësuar jetesnë në mërgim. Zakonisht janë kapituj të gjatë, jo pak të zgjeruar në atmosferën e projektuar, të cilët përcillen në hapësirën e librit, me 10 apo më shumë faqe tekst, si dhe me numra romakë.
– Bëjnë përjashtim kapitujt VI, XVIII, XIX, XX, XXII, pra më të shkurtër janë vetëm në pesë episode, krahasimisht me pjesën dërrmuese të romanit, ku operohet me kapituj tepër të gjatë.
Pavarësisht, strukturimit tipik klasik, të parashtruar në mateien e librit, ndërkaq vihen re dy thyerje, që përgjithësisht e tejkalojnë, vetëm ngjyresën klasike:
Së pari: Kemi të pranishme një përkushtim, kushtuar familjes, si dhe disa vargje të Emanuel Sëedenborg, që luajnë rolin e një parateksti, si dëshmi e një paraqitje ndryshe nga klasiciteti, i materies letrare të romanit.
Së dyti: Ngjarjet nisin me pikën kulmore, pritjen e vdekjes, të protagionistit dhe personazhit, nga tumori dhe, sërish kapitulli i fundit, rikthen atë situatë, e cila mbyllet me letrën e së bijës, gjë që shënon një pikë reference befasuese, në dhënimarrje me materien e romanit.
Ndërthurja e fillimi të romanit, me pragun e ndarjes nga jeta, e cila rimerret në fundin e tekstit, japin dorë për të kuptuar se është një roman ciklik, ku madje fundi dhe fillim përçojnë pikën kulmore, gjë që na mundësoj që të veçojmë disa nga tiparet e shkrimit letrar, në faqet e romanit Nëse vdekja prêt.
[1] Zhan Pol Sartri: Ç’është letërsia?, Tiranë, sh. b. elite 1998, f. 238.
[2] Gjergj Llukash: Teoria e romanit, Prishtinë, shb Rilindja, 1983, f. 127.



