Refleksione mbi romanin “Droja”
(Onufri, 2026), nga Andreas Dushi
Kujtesa ka aftësinë që, falë të gjitha ndjesive të përftuara nga një apo shumë gjendje apo situata, të shndërrohet në një vulë të rëndë. Atë disa syresh mund ta konsiderojnë edhe si imazh, por edhe si një rrëfyes të zotin, të aftë në çdo moment për të nxitur një shmangie nga aksi i realitetit ku gjendemi.
Një frymë e tillë ngjizet kur nis dhe shfleton së pari romanin më të ri nga Andreas Dushi, emërtuar “Droja”.
I ndërtuar mbi një kujtesë të fortë, të ngopur me detaje, romani ka aftësinë për të të bërë njëherazi edhe lexues, edhe personazh. Çdokush mundet fare lehtë të sjellë në kujtesë një ngjarje nga ato shumë që përmenden në roman. Është pikërisht kjo kujtesë, kjo fëmijëri që rrjedhimisht formon identitetin e gjithësecilit prej nesh. Pra, në qendër të romanit në fjalë unë shoh një binom që vijon pazgjidhshmërisht: fëmijëri-identitet. Fëmija mund të konsiderohet një qenie e vogël, por kujtimet mbeten aty si mijëra fotografi të mëdha të cilat, kohë më pas, kthehen dhe kujtojnë ndikimin e tyre.
Në librin e tij “Heterodoksia”, E. Sabato tregon për të shkruarën e të nevojshmes, jo asaj të zgjeruarës e asaj të zgjaturës, koncepton vetëm atë që është e domosdoshmja.[1]
A është kujtesa e fëmijërisë dëshirë për rikthim tek ajo? A jeton brenda nesh fëmijëria?
Jo domosdoshmërisht e kaluara zhduket. Ajo mbetet aty, shtresëzohet dhe rijetëzohet papritur duke formuar kujtesën e pavullnetshme. Atë kujtesë që nxitet nga një çast, nga një detaj. Rrëfimi në libër është një segment jete i sjellë nëpërmjet fjalëve të një personazhi pa emër, krejt të barabartë me të gjithë ne. Nga njëra anë është uni që duke treguar aspiron të komunikojë, nga ana tjetër uni i barabartë me gjithësecilin prej nesh që falë bashkërendimit të rrëfimit, i ikën vetmisë dhe çmendurisë së realitetit. Ai un kryesor, rrëfimtar më ngjan t’i shkojë për shtat fjalisë së A. Pipës: “Kam jetuar e ndier më shumë se kam menduar.”[2]
I gjithë romani është një përditshmëri e thjeshtë, e jetuar ngjeshur dhe me hopet të cilat çdokush është i detyruar t’i kalojë. Është përditshmëria e atij njeriu, prej mishi dhe prej gjaku, që lind, vuan dhe vdes, njeriu që sheh dhe mendon, njeriu që dëgjohet përkundër atij njeriut që është subjekt i përplasjeve shkencore apo filozofike, i atij njeriut zóon politikhon apo të atij gjitarit vertikal.[3] Hegeli na mëson se gjithçka reale është racionale dhe çdo gjë racionale është reale. Si rrjedhim, edhe fëmijëria është diçka e prekshme, reale dhe racionale dhe si e tillë, ajo vazhdon të jetë në qenien e saj. Kemi një un dhe një qenie brenda unit, fëmijërinë. Të jesh njeri nënkupton të jesh diçka përbashkuese dhe jo pak thelbësore. Duke risjellë në kujtesë fëmijërinë dhe çdo moment nga ajo, rrëfyesi përmbush thelbin e vetë njeriut, përpjekjen për të vijuar të jetë njeri e të mos vdesë. Nëpërmjet fëmijërisë, kujtesa plotëson parimin e vazhdimësisë. Kujtesa është themeli i personalitetit individual ashtu si tradita është themeli i personalitetit kolektiv të një populli.[4]
Një drejtim tjetër tek i cili dua të qëndroj është përballja me fenë.
“Pa kaluar shumë kohë, e kuptoj se për çfarë e ka fjalën kur përsërit aq shpesh sa bëhet i bezdisshëm shprehjen: Në kishë i kam mësu të tana veset…”[5]
Para se të merremi me fjalinë më lart, që për hir të vërtetës, mbart ngarkesë të konsiderueshme, do qëndroj pak tek raporti që krijon rrëfimtari me fenë.
Në roman, feja i shërbehet rrëfyesit krejt natyrshëm, madje pse jo, edhe si një farë detyrimi. Mjafton të sjellim në mend fjalitë e nonës: “Tesh që je rritë ka ardh koha me msu uratë, më thotë nona një të shtunë. Je vonë, bile. Fmitë e tjerë, n’moshë tande krezmohen. Merre ket ofice e çile. Lexoje iket.”[6]
Në vetëm dy fjali, fëmija përballet me dy koncepte: uratën dhe krezmimin të cilat mesa duket e frikësojnë apo i duken krejt të pamundura për t’u përthithur prej tij. Këtë e tregon vetë rrëfyesi më tej: “Nuk i kena mësu në shkollë këto shkronja me vizatime sipër…” dhe “Ohu, nonë, s’e maj n’mend, dhe ngrihem e iki në dhomë.”[7]
Nga sa biseda vijon më tej, fëmija përballet me: “Javen tjetër ke me fillu katekizmin tek Arra e Madhe… Katekizmin. Me mësu uratë e me u lutë.”
S’vonon shumë dhe gjithçka e ngritur në fjalët “urdhëruese” të nonës e të babait sjell përplasjen e parë. Në faqen 63, autori përshkruan shkurtimisht ditën e parë të katekizmit, pra mësimit të fesë. Do të mjaftojë vetëm një pyetje krejt e thjeshtë që të ngjizë përplasjen. “Pra, është gjë e mirë apo e keqe të të kurvnojë nana?” Një pyetje, shpirti i të cilës, pse jo si çdo diskur fëmijësh, rreket të kërkojë të vërtetën. Këtë të vërtetë ai e kërkon me guxim sepse një element guximi është i domosdoshëm për të ndërtuar të vërtetën.[8]
Një përplasje tjetër vjen në skenë. Prindër jo katërcipërisht besimtarë, të cilët raportin me zotin e përmbledhin me fjalinë “Jemi njerëz të mirë, prandaj Zoti na ndihmon”[9] kërkojnë për fëmijën të jetë besimtar i devotshëm.
Rrëfimtari nis të frekuentojë kishën. Thelbi i fesë është pikërisht dëshira për pavdekësi[10] dhe vetë rrëfimtari drojën më të madhe ka të mos harrohet.[11]
“Në kishë i kam mësu të tana veset.” Më tej, autori nëpërmjet rrëfyesit bën dhe listimin e veseve duke përmendur: “Aty mujta me u ndie për herë të parë i ri, i përshtatshem me moshën teme. Dhe si çdo i ri, provova duhanin, provova puthjen, provova, por nuk vazhdon tutje.”[12] E në fakt, gjithë sa përmenden më lart nuk janë as më shumë e as më pak se sa kureshtje apo dëshirë për të ditur. Kjo kureshtje fillon e nxitet edhe më shumë për hir të të jetuarit. Pra, thënë ndryshe, njohuria është në shërbim të instinktit të të jetuarit madje edhe të vetëruajtjes.
“E kaluara sa më e largët që të jetë, aq më shumë energji shpërthimi përmban. Çdo kujtim i madh të jep forcë.”[13]
Autori ka formësuar një roman të gjallë që, ndonëse në konturet e të shkuarës, jetohet. Të lira janë qeniet e vërteta dhe pa qenie të tilla, romani s’mund të jetë veçse i rremë.[14]
Bie në sy edhe diçka të cilën mund ta shërbejmë nëpërmjet fjalive të shkrimtarit A. Leka: “Dhe druaj se kjo është e vërtetë, shumë e vërtetë, pasi njerëz si ne, fëmijë si ti, jo vetëm në jetë, por as në libra nuk i gjen dot më. Shkrimtarët nuk shkruajnë më për fëmijë dhe fëmijëri të këtilla…”[15]
“Droja” nuk është vetëm kujtesë, është një fillim i të jetuarit, është njohje, është instinkt. Mund të dallohen edhe drejtime të tjera të cilat mund të shihen me sy zhbirilues në roman, por do të qëndroj tek sa më lart u para-htrua. E përsëri, na vjen në ndihmë P. Quignard kur thotë se: “Kurrë s’duhet të dalim nga dikuri, nga trupi, nga gëzimi, nga mëkati, nga gjinorja, nga heshtja, nga turpi, nga anekdota, nga “Na ishte një herë”, nga privatja, nga e pakuptueshmja, nga e paplota, nga trilli, nga enigma, nga fakti më i thjeshtë, nga thashethemet më qesharake që ngjiten deri në fëmijërinë e hershme.”
[1] Sabato, E. (2019). Heterodoksia (F. Statovci, Përkth.). Shtëpia Botuese Pema.
[2] Pipa, A. (2011). Parathënie e autorit. Në Skicë e një konceptimi për jetën dhe Mbi gjeniun (fq. 19-27). Botimet Princi.
[3] Unamuno, M. de. (2023). Njeriu prej mishi e gjaku. Në B. Braho (Përkth.), Ndjenja tragjike e jetës (fq. 7-22), Alphabet J&H.
[4] Po aty.
[5] Dushi, A. (2026). Droja. Onufri.
[6] Po aty.
[7] Po aty.
[8] Pipa, A. (2011). Koncepti i së vërtetës. Në Skicë e një konceptimi për jetën dhe Mbi gjeniun (fq. 28-32). Botimet Princi.
[9] Dushi, A. (2026). Droja. Onufri.
[10] Unamuno, M. de. (2023). Feja, mitologjia e jetës së përtejme dhe apokatastaza. Në B. Braho (Përkth.), Ndjenja tragjike e jetës (fq. 194-230). essay, Alphabet J&H.
[11] Salaj, Xh. (2026). Andreas Dushi: Vetmia e brezit tonë është e trishtë. Lehtësia me të cilën e pranojmë është e padurueshme. Exlibris. https://exlibris.al/andreas-dushi-vetmia-e-brezit-tone-eshte-e-trishte-lehtesia-me-te-cilen-e-pranojme-eshte-e-padurueshme/
[12] Dushi, A. (2026). Droja. Onufri.
[13] Quignard, P. (2007). Hijet që enden (F. Papleka, Përkth.). Botimet Koçi.
[14] Sabato, E. (2019). Heterodoksia (F. Statovci, Përkth.). Shtëpia Botuese Pema.
[15] Leka, A. (2007). Fabrikimi i fëmijërisë. Në Mehr Licht (fq. 183-188). Ideart.



