Kreu Letërsi Botime të reja Bashkim Hoxha: Libër me vlerë mbi personalitetet e çmuara

Bashkim Hoxha: Libër me vlerë mbi personalitetet e çmuara

“Gjuha, letërsia dhe filmi” i autorit Enver S. Morina

Libri me 15 intervista nga Enver Morina “Gjuha, letërsia dhe filmi” është një kontribut me vlerë në trajtimin e problematikave të letërsisë dhe arteve, por mbi të gjitha, plotëson informacionin e munguar të historisë së vonët të letërsisë dhe arteve këndej dhe andej Drinit.

E veçanta e këtij libri është sepse janë vet protagonistët e letërsisë dhe arteve që flasin duke na sjellë jo vetëm informacione të bollshme, por edhe këndvështrimet e tyre personale duke zbërthyer procesin krijues dhe historinë e vonët të letërsisë dhe arteve nga pozicione të ndryshme. Në këtë mënyrë “kamerat” na zbulojnë të gjithë shesh-betejën e krijuesve në përpjekjet e tyre të mundimshme për të ngritur monumentin e artit e letërsisë shqipe.

Ky libër vet është një vlerë shtesë mbi kontributet e shquara që kanë dhënë personalitetet e shquara që janë intervistuar. Përveç krijimeve që analizohen në dialog me autorin e intervistave, ne kemi mundësinë të njihemi edhe me mendimet e tyre të çmuara.

Intervistat e Enver Morinës janë interesante, ato janë gjithëpërfshirëse, e shikojnë artin dhe letërsinë shqipe si një të tërë, pavarësisht specifikave dalluese që kanë kur në mes tyre kalon Drini. 15 personalitetet e përzgjedhur për këtë botim janë ndër kontribuuesit më me vlerë dhe këto intervista janë një dëshmi e plotë se me çfarë problematikash është ndeshur kultura shqiptare për të ruajtur identitetin në luftë me tepritë e kohës, siç kanë qenë skemat statike të realizmit socialist apo presioni për ta globalizuar duke i hequr AND-në e veçorive të shqiptarisë në këto shkrime.

Autori ka ditur të përzgjedhë njerëz që kanë çfarë të thonë. Ata kanë folur së pari me veprën e tyre, më pas me shprehjen e botëkuptimeve të tyre dhe të përvojave, gjë që ka krijuar një gjerdan informacioni shumë të rëndësishëm.

Mjafton të listojmë emrat e tyre, problematikat që janë trajtuar, prezantimin e përmbajtjes së intervistave nga autori, dhe të kuptojmë se sa i dobishëm dhe në kohën e vet është ky libër. Libri “Gjuha, letërsia dhe filmi”, botim i “Littera” (2024) përfshin 15 intervista të renditura sipas vitit të lindjes. Ato janë realizuar në një periudhë 21 vjeçare. Fillon me shkrimtarin, regjisorin, përkthyesin e dramaturgun Gjergj Vlashi, pastaj me shkrimtarin e skenaristin Dritëro Agolli, me albanologun gjerman prof. dr. Wilfried Fiedler, me aktorin Reshat Arbana, me akademikun Esat Stavileci, me dramaturgun e shkrimtarin Teki Dërvishi, me shkrimtarin Skënder Drini, me akademikun, gjuhëtarin, studiuesin Rexhep Ismaili, me shkrimtaren e skenaristen Natasha Lako, me regjisorin Isa Qosja, me studiuesin, shkrimtarin, profesorin Sabri Hamiti; me albanologun Robert Elsie, me shkrimtarin e skenaristin Ylljet Aliçka, me poetin e skenaristin Petrit Ruka dhe e fundit me regjisorin Bekim Lumi.

Exit mobile version