Kreu Letërsi Botime të reja Mira Meksi: Kur letërsia i huan zërin e saj historisë

Mira Meksi: Kur letërsia i huan zërin e saj historisë

Porosisni këtu romanin e ri të Mira Meksit, Ikona e plagosur

Si është shkruar ky libër

Ka gjithmonë një gur nistor në themelin e ngrehinës së një vepre letrare. Është një kujtim i thekshëm fëmijërie, çka më ka ndodhur jo rrallë, apo një aromë, një ëndërr, një ndijim a një rrëfim.

Kësaj here është një studim i historianit të njohur valencian Daniel Benito Goerlich, Prejardhja shqiptare e Virgjëreshës së Strehës së Trinisë: mbi një ikonë të vjetër pothuaj të harruar, viti 2008. Thelbi i studimit është ekzistenca, sot e kësaj dite, në Manastirin Mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës, e një ikone bizantine, pronë e Donika Kastriotit, zonjës së Skënderbeut.

Historiani, që merr dhe analizon shpërnguljen në Mbretërinë e Napolit, në oborrin e mbretërve aragonas, të familjes së Skënderbeut, pas vdekjes së tij, zonjës  dhe të birit Gjoni i Ri, nënvizon faktin se Donika ishte mikeshë, besëtare dhe shoqëruese e mbretëreshës së Napolit doña Juana III. Mbi të gjitha, ngulmon të tregojë se për Donika Arianiti Kastriotin kjo ikonë, e quajtur Shën Mëria e Strehës së Mëkatarëve, e cila ka një të çarë thike në formën e germës V në fytyrën e nënës së Krishtit, ishte shumë e vyer dhe me një rëndësi të veçantë. Aq sa, kur ajo vdiq më 1506 dhe u varros në Manastirin e Trinisë së Shenjtë në Valencia, ikona u vendos mbi varrin e saj në kishën e manastirit në fjalë.

Por nuk mbaron këtu. Në testamentin e saj mbretëresha aragonase Juana III, e cila pas disa vitesh që jetoi në Valencia si mëkëmbëse e të vëllait, Ferdinandit, Mbretit Katolik, u rikthye në Napoli, shpreh vullnetin që eshtrat e mikeshës së saj, së devotshmes Donika Kastrioti, të rivarroseshin në kishëzën e Manastirit të Klarisave që do të ndërtohej në Napoli me shpenzimet e saj. Për këtë, mbretëresha Juana III kishte të përcaktuar edhe shumën e florinjve që nevojiteshin. Ajo sërish theksonte se do të sillej nga Valencia në Napoli edhe ikona aq e dashur për Donika Kastriotin.

Kjo mjaftoi për ta ndezur kërshërinë time, pasi m’u krijua ideja se vlera e ikonës nuk ishte vetë ikona, si objekt fetar, si dhuratë e çmuar e një njeriu të dashur apo si një kujtim. Jo, për mua ikona mbante diçka shumë të rëndësishme për Kastriotët dhe për vetë Arbërinë. Vetëm kësisoj mund ta kuptoja rëndësinë që i pati dhënë asaj Donika Kastrioti dhe vetë mbretëresha aragonase e Napolit, Juana III. Në mesjetë, sidomos objektet fetare kanë qenë reliktmbajtëse – në trupin e tyre mbanin një relikte të çmuar. Çfarë të fshehte të rëndësishme mbante në trup ikona bizantine që ndodhej në Manastirin Mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës?

Këtu nis odiseja e kërkimeve të mia historike, që kishte si objektiv gjurmimin e misterit të ikonës së Donika Kastriotit, të cilën me kohë nisa ta quaja Ikona e Plagosur, për shkak të prerjes me thikë në formën e germës V.

Së bashku me tim bir Marinin, i cili përherë më shoqëron në të tilla raste, duke luajtur rolin e një asistenti të devotshëm, filluam me vendndodhjen e ikonës së Donika Kastriotit – Manastirin Mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Manastiri, të cilin e kam përshkruar hollësisht në roman, banohej nga murgeshat e Urdhrit të Klarisave, si të mbyllura, ashtu edhe të jetës së lirë. Nuk ishte e lehtë që, përveç vizitës në kishën e manastirit, të rrëmoja në arkivin e tij. Por fakti që isha shqiptare si Nënë Tereza dhe ndërhyrja e përfaqësisë sonë diplomatike në Madrid ishin çelësi i artë që më hapi dyert e Manastirit të Trinisë së Shenjtë.

Klarisat e Manastirit të Trinisë së Shenjtë u treguan jo vetëm dashamirëse, por edhe shumë bujare me kërkesat e panumërta që më dilnin sa herë zbuloja diçka të re. Siç thashë, qëllimi kryesor ishte ikona e Donika Kastriotit. Por përpara se të më tregonin ikonën, murgeshat më shoqëruan në kishëzën që ndodhej në anën e majtë të portës së hyrjes në kishë. Në mur ishte pllaka e varrit të Alfons Kastriotit, djalit të Gjon Kastriotit të Ri dhe nipit të Donika Kastriotit, vdekur në Valencia më 1503, në moshën 15-vjeçare. U shtanga, këtë as e dija dhe as e prisja. Ishte një copëz historie kombëtare, e vjetër, pesëshekullore, të cilën mund ta shihja, ta prekja dhe ta nderoja duke ndezur një qiri. Jeta dhe vrasja e tij në Valencia do të ishte një nga fijet e thurimës së rrëfimit tim.

Në kishëzën e anës së Epístola-s, e dyta në radhë, ndodhej Ikona e Virgjëreshës së Strehës së Mëkatarëve. Emocioni ishte i madh. E dija nga shkrimi i historianit valencian se ikona e vërtetë, ajo e vitit 1502, kur Donika Kastrioti kish mbërritur në Valencia si shoqëruese e mbretëreshës Juana e Re, ndodhej poshtë kësaj që kisha përpara syve. Në vitin 1999 ishte bërë një radiografi e saj, çka kish treguar se pamja e ikonës bizantine nuk ishte fshirë, ishte aty, së bashku me të çarën e thikës në formën e germës V. Sipër saj ishte pikturuar kjo e sotmja, në çerekun e parë të shekullit XIX, sipas kanoneve të asaj kohe: ishte e gjatë mbi një metër e ca, e gjerë ndoshta mbi 65-70 cm dhe e thellë disa centimetra. Ndodhej në qendër të hapësirës midis katër shtyllave prej mermeri të kuqërremtë, me një kapitel sipër dhe mbahej nga dy engjëj të ulur, flatrat e të cilëve dilnin jashtë shtyllave: Shën Mëria me të birin në krahun e saj të majtë. Nga një sy i vëmendshëm, pikasej hija e plagës së thikës në formë V-je.

Dëshiroja ta prekja, të ndieja energjinë e saj dhe për çudinë time, kryemurgesha më lejoi. Me anë të një shkalle, nga ato të librarive, u ngjita dhe u kacavara në syprinën e mbajtëses dhe në njërën nga shtyllat prej mermeri të kuqërremtë, gjersa vendosa pëllëmbën e dorës mbi sipërfaqen e ikonës. Mbi një minutë. Ajo që ndjeva dhe përjetova asaj grime kohe krijoi themelet e ngrehinës së rrëfimit që do të bëja më vonë.

Përpara udhëtimit për në Valencia kisha lexuar ç’kisha mundur, për muaj me radhë, mbi jetën e familjes Kastrioti pas vdekjes së Skënderbeut. Pa dashur ta lodh lexuesin me titujt e veprave dhe shkrimeve të panumërta nga historianë medievistë, por edhe nga historianë amatorë tepër interesantë, shqiptarë dhe të huaj, nëpër gazetat dhe revistat që kisha lexuar, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin dyshimet e argumentuara se ajo ç’kish shkruar Barleti për dhunimin e varrit të Gjergj Kastriotit në Lezhë nga osmanët dhe kthimin e eshtrave të tij në hajmali kish fort të ngjarë të mos ishte e vërtetë. Asnjë kronikan osman i kohës apo i mëvonshëm nuk e kishte shkruar një fakt të tillë, ndonëse do t’u interesonte shumë ta shkruanin nëse do të ishte e vërtetë. Hidhej ideja se Barleti me kast, duke dashur të mbronte vendvarrimin e vërtetë të Skënderbeut nga armiqtë, kish sajuar një të tillë dredhi.

Me dorën mbi trupin e Ikonës së Plagosur të Donika Kastriotit, parandjeva të fshehtën që lidhej me pasvdekjen e kryezotit të Arbërisë dhe dredhinë e Barletit. Nisa të ndërtoja gur pas guri rrëfimin letrar.

Orientuar nga libri mbi jetën e Manastirit të Trinisë së Shenjtë të August Sales-it, klerik dhe historian i njohur i shekullit XVIII, munda të gjej në manastir materiale të bollshme, dokumente të jashtëzakonshme, sidomos për Ikonën e Plagosur dhe mrekullitë që ajo kish bërë shekujve, përpjekjet nga orientalistët e kohës për të zbërthyer shkrimet e ikonës së Donika Kastriotit në greqishten bizantine, por edhe regjistrin e dorëzimit në manastir të trupit të Alfons Kastriotit më 1503 dhe të gjyshes së tij Donika Kastrioti më 1506 nga Pallati Mbretëror i Valencias. Zonja e madhe e arbrit, siç e kam quajtur në roman, ishte varrosur përkohësisht në kriptën e familjes Santángel, në kishëzën nga ana e Ungjillit.

Askund nuk munda të gjej arsyen se përse nuk u përmbush kjo pjesë e testamentit të doña Juana-s III. Kripta e familjes Santángel ndodhej aty, njëlloj si në mesjetë, por, siç më treguan murgeshat, luftërat, përmbytjet dhe sidomos plaçkitjet e ushtarëve francezë të Napoleonit i kishin përzier keqas eshtrat e ndryshme aty. Praktikisht, zonja e madhe e arbrit kishte dy varre, një në Valencia të Spanjës, ku nuk mund t’i dalloheshin eshtrat dhe një tjetër bosh në Napoli të Italisë.

Ikona e Donika Kastriotit kish shpëtuar, sepse besimtarët, anëtarët e Vëllazërisë së Ikonës – kaq e rëndësishme dhe e çmuar ishte ajo ikonë, sa ishte themeluar një vëllazëri në emër të saj – e patën strehuar në shtëpitë e tyre.

Për të ndërtuar në roman jetën e Donika Kastriotit dhe nipit të saj Alfonsit në Spanjë, m’u desh të ndërtoja Valencian e viteve 1502-1506, koha kur kishin mbërritur në atë vend dhe kishin humbur jetën të dy. Nuk ishte punë e lehtë, sepse, sidomos Pallati Mbretëror ku ata kishin jetuar në oborrin e mbretëreshës Juana III, nuk ekzistonte më. Por ai qytet kish të dokumentuar çdo epokë të jetës së tij, mjaftonte të pajiseshe me durim dhe të dije ku të kërkoje. M’u desh të lexoja shumë libra dhe dokumente arkivore, por të shihja edhe gravura të kohës. Për fat, Valencia ruan ditëve të sotme jo vetëm ngrehinat madhështore fetare, por edhe monumentet e artit dhe të zhvillimit ekonomik të kohës, portin e famshëm “Grau”, katër portat e qytetit, Lozhën e Mëndafshit, ngrehinën e transaksioneve bankare, atë të Universitetit të saj, rezidenca dinjitarësh, por edhe copëza nga murina rrethuese e krishterë e qytetit, si dhe gurë nga murina e lashtë arabe. Pikat e referimit nga ku mund të nisesha për ta ndërtuar të gjallë siç kish qenë në shekullin XVI.

Në atë fillim shekulli, kur porsa kish dalë nga periudha që ishte quajtur Shekulli i Artë i Valencias, i cili pati sjellë lulëzimin e ekonomisë, arteve, shkencës dhe tregtisë, qyteti ishte mbuluar nga hija e zezë e inkuizicionit, ose Santo Oficio, siç quhej Gjykata e Shenjtë. Një nga librat e rëndësishëm që lexova për këtë ishte Valencia heretike e autorit Raúl Ferrero Martínez. Dielli, deti, drita, bashkekzistenca mes tri feve e atij vendi të mrekullueshëm, ishin zëvendësuar nga zymtia, errësira, turrat e druve që nuk kursente kënd, dëbimi apo konvertimi i dhunshëm në fenë e krishterë, përndjekja e përgjakshme e hebrenjve dhe arabëve, autodafe-të, tmerri i jetës së përditshme. Integrimi i djaloshit Kastrioti në atë shoqëri duhet të ketë qenë tejet i vështirë. Ndërsa vrasja e tij aksidentale, siç mundohet ta paraqesë autori  Daniel Benito Goerlich, sipas të cilit Alfons Kastrioti ishte futur në mes të një  grindjeje në rrugë dhe kish marrë një goditje thike në bark, më duket sa naive aq edhe e pabesueshme.

Ndonëse udhëtimet e mia njohëse vijuan pas Valencias me Napolin, në rrëfim kam ndjekur një tjetër kronologji, atë të jetës së Kastriotëve: Napoli është vendi i parë ku gjurmohet jeta e Donika Kastriotit dhe të birit, Gjon Kastriotit të Ri, në vitin 1468, kur pas vdekjes së Skënderbeut u ftuan të jetojnë në feudet e tyre në Pulja nga mbreti aragonas i Napolit Ferrante I.

Qëndrimi im në atë qytet shkoi përtej çdo parashikimi të dëshiruar. Pallati i familjes së njohur fisnike napolitane D’Alessandro, ku Donika Kastrioti u vendos të jetonte në Napoli, ishte kthyer prej shumë kohësh në hotel – jeta ime disaditore në atë ngrehinë, me mure prej shkëmbinjve magmatikë të Vezuvit, të zhveshur vende-vende, që çlironin një energji të lashtë, kishte diçka pabesueshmërisht mistike, që i vuri flakën imagjinatës.

Çdo pëllëmbë e Napolit antik është histori, art magjepsës, dituri dhe gjurmë të Kastriotëve. Në klaustrin e Kishës Santa Maria la Nova në qendër të qytetit ndodhej varri i Konstandin Kastriotit, djalit të Gjon Kastriotit të Ri, peshkop i Isernia-s. Kështjella e Castel Nuovo-s, ku jetoi Donika Kastrioti pranë mbretëreshës doña Juana III, ndodhet jo shumë larg prej tij.

Një mëngjes u ngrita që në orën pesë për të shëtitur rruginave të Napolit antik, njëlloj siç bënte Donika ose Scanalibeca, siç i thërrisnin në oborrin e Ferrante-s I, kur ajri i qelbur i kohës mesjetare pastrohej nga flladi qashtërsues i detit. Me hartën e historisë në dorë, gjeta portat e qytetit siç ishin në mesjetë, rrugët, kishat e shumta, bazilikat, katedralen, monumentet e panumërta të artit, pallatet e fisnikëve, por edhe shenjat e pashlyeshme që kishin lënë nëpër mure, gurë dhe rrugë legjendat mbresëlënëse të atij qyteti, të cilat i qëmtova kryesisht në librin e njohur të Benedetto Croce-s, Storie e leggende napoletane[1], por edhe në librin e mrekullueshëm të gazetares dhe shkrimtares napolitane Matilde Serao[2], Leggende napoletane[3]. Dhe ndërtova Napolin e rrëfimit tim, në kohën kur aty kishte jetuar zonja e Skënderbeut.      

Filli i prejardhjes së ikonës bizantine, aq e çmuar për Donika Kastriotin, Ikonës së Shën Mërisë së Strehës së Mëkatarëve, që ndodhet në Valencia të Spanjës, në brendësinë e së cilës hamendësoja letrarisht se ndodhej diçka që lidhej me pasvdekjen e Skënderbeut, nuk ishte i lehtë për t’u gjetur. Ky zbulim do të ishte vetë burimi i së fshehtës që kërkoja, çka do të sillte kulmimin e rrëfimit.

Sërish libra, dokumente arkivi, shkrime historike… pothuaj të shterpëta për kërkimet e mia. Gjer kur më ra në dorë një punim i historianit medievist serb Boško Bojović, botuar në revistën historike “Balcanica” më 2006, me titull Mali Athos, princërit rumunë, Gjon Kastrioti dhe Kulla Shqiptare (Arbanaski Pirg) depandansë e Hilandarit.

Aty mësova së pari për varrin e Reposh Kastriotit në Manastirin e Hilandarit apo Chilandarit, manastiri serb në Malin e Shenjtë, për Pirgun e Arbrit, i cili më parë quhej Pirgu i Shën Gjergjit, një lloj strukture në varësi të tij, eremitë që kishte murin rrethues, kishën, si edhe ngrehina të tjera, vreshta e ullishta, të blera më 1428 nga Gjon Kastrioti, ati i Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Sipas traditës së perandorëve dhe mbretërve të Bizantit, si edhe të fisnikëve të besimit ortodoks bizantin, në moshë të thyer ata tërhiqeshin nëpër manastire për të kaluar pjesën e jetës që u pati mbetur në paqen e Zotit. Por në ato kohëra të vështira të pushtimit osman Mali i Shenjtë me manastiret e tij ishte edhe një strehë e sigurt. Kështu, Gjon Kastrioti kish blerë të drejtën për të ndenjur në Kullën e Shën Gjergjit për vete dhe për bijtë e tij. Atje u tërhoq, bëri jetë murgore, vdiq dhe u varros në kishën e Pirgut të Arbrit më 1437.

Të tjera shkrime lexova për temën në fjalë nga historianët tanë, pashë edhe fotot e rralla të varrit të Reposh Kastriotit në Hilandar nga piktori dhe autori i monografisë për artin mesjetar shqiptar, Shyqyri Nimani.

Mali i Shenjtë, vetëm emri i atij vendi ku njeriu afrohet me hyjnoren, i shkëputur pothuaj nga pjesa tjetër e botës, si një mal i varur midis tokës dhe qiellit, si një filtër pastruese i shpirtit njerëzor, ku vetë Zoti ndihet pranë, ishte në gjendje t’i vinte zjarrin fantazisë. Ndërsa njëzet manastiret e tij njëmijëvjeçare, të veshura me mister, me rite qindravjeçare, muzikë qiellore, liturgji hyjnore dhe misticizëm, ishin vendi ideal për të ruajtur të paprekur të fshehtën e vyer. Për herë të parë në jetë vajtova fatin që nuk isha mashkull. Për mua Mali i Shenjtë, si për çdo femër të kësaj bote, i kishte dyert e mbyllura, duke e bërë misterin edhe më të thellë dhe ngashënjyes, dhe dëshirën për t’ia ndriçuar me dritë dielli atë mister më përvëlonjëse.

Një mëngjes të vapët vere, im bir Marini, i stërvitur në ekspedita gjurmonjëse në shërbim të letërsisë dhe në këmbën time, u nis me traget nga porti i Uranopolisit për në Athos. Qëndroi katër ditë e tri net dhe pati një përjetim të jashtëzakonshëm. Për mua kish vjelë pothuaj një bllok shkollari me të dhëna. Por, për fat të keq, foto të pakta. Gjithsesi, rrëfimi i hollësishëm që më bëri një natë të tërë buzë Egjeut ishte nga më mbresëlënësit dhe shumë i frytshëm për punën time.

Kisha lexuar librin voluminoz Mali Athos nga një medievist dhe orientalist i shquar francez, Emmanuel Miller, botim i vitit 1889. Nuk besoj se mund të ketë përshkrime më të hollësishme se në këtë libër për arkitekturën e manastireve, organizimin e tyre, jetën e murgjve, psikologjinë, shërbimet liturgjike, kremtimet fetare, pasurinë e objekteve fetare dhe relikteve, ushqimet dhe të mbjellat, dhe të shkruara mrekullisht bukur mbi një pjesë të rëndësishme të manastireve të Athosit. Pas tij lexova një tjetër libër për Athosin, po ashtu të rëndësishëm, Udhëtimi i dy benediktinëve në manastiret e malit Athos, botim i vitit 1908. Ndonëse shumë gjëra në Malin e Shenjtë ndjekin ritualin e para një mijë vjetëve, shumë gjëra të tjera kanë ndryshuar në kohën e sotme.

Them me bindje se, pa vizitën e Marinit në Manastirin e Hilandarit, ku ndodhet edhe sot e kësaj dite varri i Reposh Kastriotit, pa të dhënat e përditësuara, përshkrimet, përjetimet dhe mbi të gjitha, pa fotografinë e rrënojave të Pirgut të Arbrit, me gjasë i djegur qëllimisht në vitin 1999-2000, nuk do të ishte shkruar pjesa përmbyllëse e këtij romani.

Kur historia s’ka më zë, letërsia i huan zërin e saj, shpesh të fuqishëm. Shkrimtari mund të zgjedhë të sillet si historian, të zbulojë dhe të interpretojë fakte, të dhëna historike, të bëjë deduksione. Historia e njerëzimit njeh raste kur letërsia u ka paraprirë zbulimeve arkeologjike, historisë. A nuk u zbulua Troja më 1871 pikërisht në vendin ku e kish përshkruar Homeri në gjysmën e parë të shekullit VIII para Krishtit? Teknikat letrare që shkrimtari përdor kanë mundësi të krijojnë metafiksion historiografik, pra të krijojnë një trill romanor me bazë, sfond apo nuanca historike, i cili shkon përtej kufirit ku ka mbërritur historia. Gjithsesi, në këtë roman, ku nuk mëtoj assesi të jap të vërtetën historike, trilli shkon në një drejtim me deduksionet dhe hamendësimet e historianëve dhe të historisë për temën në fjalë. Konvergojnë në një pikë.

Për fat të keq, historia jonë, sidomos ajo që u mësohet nxënësve nëpër shkolla, e ka lënë pothuaj të pandriçuar figurën e zonjës së parë historike të shqiptarëve, figurën e Donika Arianiti Kastriotit, të dashur, të vlerësuar, dinjitoze, të devotshme në shërbimin ndaj mbretëreshës së Napolit dhe shumë të respektuar, jo vetëm nga arbërorët, të cilët i ndihmoi me sa mundi, por nga njëri prej oborreve mbretërore më të rëndësishme të Europës së kohës, oborri i kurorës së Aragonit në Mbretërinë e Napolit dhe të Valencias.

Ndoshta ka ardhur koha që shteti shqiptar të bëjë përpjekjet e duhura për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Donika Kastriotit, ose atë ç’ka mbetur prej tyre. Një ekip mjekoligjor shqiptaro-valencian mund të identifikojë me metodat e kohës eshtrat e saj në kriptën e familjes Santángel në kishën e Manastirit Mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Zonja e madhe e arbrit, si pjesë e rëndësishme e historisë sonë, e meriton të prehet në vendin e saj. Po ashtu, mund të bëhen përpjekje për të sjellë në Shqipëri ikonën e saj, Shën Mërinë e Strehës së Mëkatarëve, e cila gjendet, njëlloj si Donika Kastrioti, në kishën e Manastirit Mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia, e vërtetuar shkencërisht prej historianëve valencianë si pronë e Donika Kastriotit dhe si pjesë e historisë sonë.

Shpreh mirënjohjen time për ata që më ndihmuan jo vetëm me shkrimet e tyre, por edhe me bisedat e gjata shpjeguese për gjithë sa më nevojitej gjatë procesit të shkrimit të këtij romani: Daniel Benito Goerlich, Matteo Mandalà, Dorian Koçi, Ilirjan Gjika, Lutfi Alia, Pirro Prifti dhe Andreas Dushi.

Një mirënjohje të veçantë për tim bir, Marin Meksin, i cili më shoqëroi, si përherë, në udhëtimet e mia njohëse dhe gjurmuese të historisë dhe arkivave napolitanë dhe valencianë, duke mbajtur shënime për gjithçka më duhej, por, mbi të gjitha, për udhëtimin e pazakontë në malin Athos, i cili pati një rëndësi thelbësore për Ikonën e Plagosur.


[1]Storie e leggende napoletane Histori dhe legjenda napolitane.

[2]Matilde Serao –Shkrimtare,gazetare dhe botuese italiane me origjinë greke (1856-1927). Themeluese e gazetës Il Mattino më 1892. Jetonte në Napoli.

[3]Leggende napoletane Legjenda napolitane.

Exit mobile version