“Qipro, 1974 – 2024. Pesëdhjetë vjet pas pushtimit” nuk është thjesht një antologji tregimesh, por një kujtesë e gjallë e plagës qipriote. Libri është përkthyer nga Petro Çerkezi. Ky vëllim hedh dritë mbi faqet më të errëta të historisë moderne qipriote. Përgëzoj vizionin e shtëpisë botuese Neraida për ta bërë pjesë të kulturës letrare shqiptare këtë vëllim.
Poeti nobelist grek Odiseas Elitis, në vitin 1979, deklaroi: «Ndiej që, çfarëdo të them, është pak, si një grek (Ελλαδίτης) jam fajtor përballë Qipros dhe ndiej se ekziston një detyrim që i përket gjithsecilit».
Jo për atë se çfarë kupton poeti si një detyrim personal dhe mendoj se ai nuk nënkuptonte thirrjen e helenizmit për një përpjekje dinamike çliruese. Ai kishte parasysh aktin përfundimtar që, do të thosha, me një realizëm cinik e vendosi udhëheqësi i Greqisë, Konstantinos Karamanlis, me citatin e njohur «Qiproja gjendet larg». Pra, poeti duhet të kishte ndër mend një rol tjetër të Greqisë.
Po kështu, poeti tjetër i madh grek, Janis Rícos, shkroi me ngushëllim për Qipron vargun e njohur «Guxim, vogëlushja jonë, që na u bëre nënë», për të shtuar, sigurisht, dhe një notë optimizmi tek «Kambana e Ringjalljes», pa përcaktuar se si do të vijë kjo Ringjallje.
Na tërheq vëmendjen më shumë etiketa «vogëlushe» për Qipron, sepse besoj se kështu e ka trajtuar disi helenizmi, me atë që unë personalisht do ta quaja «sindroma e vogëlushes». Greqia e dëshiron Qipron si një tjetër hapësirë greke që të përparojë, të ecë krah saj, pa qenë megjithatë, për pesëdhjetë vjet tani, pjesëmarrëse e tragjedisë së saj. Po i referohem kryesisht fushës së krijimit shpirtëror, roli jashtëzakonisht i rëndësishëm i të cilit, megjithatë, duket se është shmangur. Qiproja si temë nuk ka prodhuar letërsi të përmasave të ngjashme me humbje të tjera kombëtare, mendoni kryeveprat për katastrofën e Azisë së Vogël apo edhe për Luftën Civile, për shkakun më të thjeshtë se tragjedia e saj nuk ka kaluar në ndërgjegjen kolektive. Viti ’74, përveç disa familjeve që u preken në Greqi, nuk u bë një plagë e përbashkët kombëtare. Megjithatë, është një parim se letërsia e vyer shkruhet vetëm si shprehje e kujtesës kolektive. Dhe, siç shkruante dikush, «kujtesa e torturuar prodhon edhe shkrimin e torturuar». Është letërsia e kontrolluar nga historia. Pra, është realitet që, ndërsa kemi disa krijime poetike, ndërsa kanë dalë shumë revista letrare me dedikime për Qipron, proza greke e Greqisë në të vërtetë ka kaluar mbi plagën e ’74-trës pa e prekur gjerësisht atë.
Ka interpretime për këtë fenomen: Greqia, për shkak të pushtimit, por edhe të grusht-shtetit tradhtar paraprak – vepër e juntës – doli e tronditur nga diktatura, duhej të përballej me problemet e funksionimit të saj demokratik, por edhe të riorganizimit ushtarak dhe ekonomik. Nëse sindroma ishte ndjenjë faji, atëherë do të mund të shpresonim. Megjithatë vitet kalojnë dhe nuk është e mundur të krijohen më tani proceset për të zgjuar çfarëdo ndërgjegjeje kolektive.
Për sa i përket Qipros, «plaga» ende prodhon krijim. Sigurisht, edhe këtu koha imponon të dhënat e veta. Siç vë në dukje profesor Pantelis Vuturis, «Çështja e pushtimit nuk është më kryesore dhe kur shfaqet zakonisht funksionon në nivelin e metaforës dhe nënkuptimeve. Duket se te shkrimtarët më të rinj, veçanërisht, imazhet traumatike të trashëguara zëvendësohen nga shqetësime bashkëkohore, të përjetuara direkt dhe ekzistenciale. Sa më larg në kohë që të ikim nga ’74-tra, aq më shumë trauma brendësohet, cungohet, shtyhet në shtresa të brendshme dhe shprehet me një gjuhë më të koduar, të çrregullt dhe fragmentare».
Natyrisht, ndoshta një ditë duhet bërë edhe diskutimi për rolin e komunitetit universitar lidhur me zbehjen e kujtesës, si në Greqi ashtu edhe në Qipro. Sepse, nëse te helenizmi në planin më të gjerë kjo i atribuohet mungesës së lidhjeve emocionale me «plagën», në Qipro shmangia e qasjes shkencore ngjall pyetje; disa madje ia atribuojnë fenomenit edhe qëllimeve të caktuara. Në këto rrethana, botimi që kemi në duar bëhet veçanërisht i dobishëm, kur mendojmë se qëllimi ishte të grumbullonte tekste që pasqyrojnë 50 vjet nga Pushtimi. Tregime, rrëfime dhe dëshmi që nxjerrin në pah të gjitha të dhënat shpirtërore, por edhe ato social-politike të periudhës.
Referenca për bashkëjetesën paqësore të greko-qipriotëve dhe turko-qipriotëve, para grushtit të shtetit të ’74-trës, i gjejmë në tregimin e Pabis Anajotos, «Borziloku». Ai shkruan në një dialog: «Të ngacmova unë? Ti nuk më bëre asgjë. Dhe megjithatë, na vënë në dorë një pushkë dhe thonë: Vrite atë! Kë të vras? Fqinjin, kumbarin, mikun tim? Dhe përse? Çfarë më bëri mua?»
Të njëjtin element e gjejmë edhe në rrëfimet tronditëse që regjistron Krístos Argjiru në tekstin e tij «Rrëfime të vogla të hidhura», por edhe të Dimitris Varvarigos në tekstin «Paqja jonë», ku dikush me emrin Konstantin thotë: «Ahmet, si u shndërrrua kështu atdheu im, u mbush vendi me barrikada, postëroja, ndalime, pika kontrolli, tela me gjemba, kalime të izoluara me postblloqe ushtarake. Fshatra fantazma, të rrënuara, shtëpi të braktisura…
Lufta shkatërroi vendin. Humbën kaq shumë shpirtra.
Ndiejmë se jemi mbetje të një realiteti të ashpër.
Çfarë është, o mik, paqja jonë?»
Periudha para grushtit të shtetit (EOKA, por edhe EOKA B’) përmendet në tekste, si ato të Marios Agathokleut «Foshnja e Rozmarisë», të Jorgos Moleskit «Udhëtimi i fundit» dhe të Andreas Maloris «Për këtë lumë». Shumë interesante janë informacionet që sjell me shkrimin e saj Lica Tocka, me titull «Antonis Himoniddis nga Pafo». Bëhet fjalë për një pseudonim të një nëntogeri rezervist grek, i cili u dërgua fshehtas në Qipro më 1964, për organizimin e një milicie.
Pushtimi pasqyrohet me shumë dëshmi dhe rrëfime, si në veprën e përmendur më sipër të Kristos Argjiru, në atë të Konstandinos Buras, «Pushtimi i Qipros si e përjetuam në Kallamatë», të Filipos Filipu, «Kika nga Famagusta», dhe të Aleksandra Galanut «Ditët e korrikut ’74. Nju Jork». Ky i fundit lidhet me përjetimin personal të shkrimtares, kur gjatë ditëve të pushtimit ndodhej në Nju Jork.
Nga dëshmitë, lejoni të ndalem në atë të Elli Peonidhu, me titull «Kujtime nga korriku i vitit 1974» dhe nëntitull «Si lind arti i madh nga dhimbja dhe si arti i madh bëhet i pavdekshëm…». Bëhet fjalë për një rrëfim krejtësisht të veçantë që lidhet me përjetime personale të figurave të mëdha shpirtërore, me të cilët ajo vetë kishte marrëdhënie, si piktori Skotinos, muzikanti i ri atëherë Marios Tokas, por edhe poeti i madh rus Jevgeni Jevtushenko, i cili vizitoi Qipron pas luftës dhe, me dëshirën e tij, u takua me poetin tonë dialektor Pavlos Liasidhis dhe pa nga afër një tjetër fytyrë të tragjedisë qipriote.
Jashtëzakonisht të gjalla janë rrëfimet e grave greko-qipriote dhe turko-qipriote nga Tiliria, Karpasia dhe Amohostos, siç i pasqyron letrarisht Elena Ioanidhu në tekstin e saj, me titull «Limonada».
Konceptin e tradhtisë, që çoi në katastrofë, e sjell Andreas Simeu në shkrimin e tij «Puse të pushtuara nga xhindet», por edhe Jorgos Pirgaris në shkrimin e tij «Veterani». Heroi i tij, një ushtar i ELDYK-ut, e kupton se turqit «zbarkonin në Kerinia, pa hasur në rezistencë. Greko-qipriotët njoftonin Athinën se turqit kishin shkelur Qipron dhe i vrisnin, ndërsa Athina rekomandonte… përmbajtje, duke thënë madje… se turqit po bënin një stërvitje!!!»
Tronditës është edhe teksti i Vasilis Gurojanit «Veterani komando kthehet tek tuma e Maqedonitisës». Kuptoj se bëhet fjalë për faqe nga romani i tij «E kuqe në vijën e gjelbër», që sipas mendimit tim është vepra romaneske më e rëndësishme që është shkruar nga një shkrimtar grek për tragjedinë qipriote. Një vepër që nxjerr qartë pasojat e pushtimit (psikologjike dhe të tjera) mbi ushtarët e ELDIK-ut dhe mbi familjet e tyre. Është një aspekt i ’74-trës që edhe ne, këtu në Qipro, pothuajse e injorojmë krejtësisht.
Lexoj një fragment: «Fërkoi me ngulm pëllëmbët e tij në tokë për t’i bërë të ashpra, siç bëjnë peshëngritësit, u përkul në mes, futi sërish gishtat në daljen e pllakës së varrit. Pllaka ishte e palëvizshme. Rënkoi me dëshpërim: «Aaa! Shtyni edhe ju nga poshtë, ndihmoni pak, more budallenj!». Ndjeu muskujt e barkut t’i ishin këputur, i dhembte tmerrësisht sikur ta priste dikush me tela çeliku në mes. U ul i rraskapitur mbi pllakën e varrit. Fliste me të vdekurit, por këtë herë me zë të ulët, lutës. «Meqë nuk po ngriheni, hapeni që të futem edhe unë brenda, të jemi bashkë, nuk kam ku të shkoj».
Siç pritej, aspekti i tragjedisë qipriote që preokupoi më shumë shkrimtarët e këtij vëllimi është ai i të zhdukurve. Dhe si mund të ndodhte ndryshe, kur ky vend vazhdon pothuajse çdo fundjavë të varrosë akoma të vdekurit e tij, identiteti i të cilëve po përcaktohet. Është një dramë që gjendet në një metamorfozë të vazhdueshme, me një përfundim krejtësisht të pasigurt. Javën e kaluar pashë me tmerr një reportazh, sipas të cilit 691 të zhdukur mbeten në «të pakërkuarit». Po, kjo fjalë u përdor për kaq shumë shpirtra që tashmë nuk i kërkon askush.
Për këtë temë kanë shkruar Kristos Zanos, në tregimin e tij «Kthimi i të zhdukurit», me një prirje origjinale sarkastike. Elpidoforos Inxhebelis, në tregimin e tij «Më jep forcë» sipas mitit të të cilit, një i zhdukur gjendet ende gjallë. Kostas Patinios në tregimin e tij «Gjithçka u shkretua, bir», një tregim ku theksohet dëshira e madhe për kthim, sidomos nga njerëzit tashmë të moshuar. Emilios Solomu vendos një tjetër dimension në çështje, atë të deheroizimit, duke iu përgjigjur sigurisht fjalëve të bujshme që thuhen në varrimet e të zhdukurve: «Askush nuk foli për vajzën që le pas. Për atë vrull dhe pasion të njëzet e pesë viteve të tua për ta shijuar jetën…»
Kostas Stoforos, në shkrimin e tij «Imazhe dhe fragmente për «NUK HARROJ» që u bë «HARROJ»», në një tekst të pasur, me karakter ditari, në vend të epilogut zgjedh të paraqesë pjesë të një interviste që mori nga poeti turko-qipriot Gjyrgjeç Korkmazel, i cili thotë: «Çmimi më i shtrenjtë që ka paguar Qiproja dhe njerëzit e saj janë të zhdukurit. Është tmerr të mos dish çfarë i ka ndodhur njeriut tënd. Të presësh vite e vite. Kam njohur një të moshuar që burri i saj është i zhdukur. Më rrëfeu se sa herë që dëgjon të trokasë dera e shtëpisë së saj gjithë këto vite, mendimi i parë i saj është se i shoqi po kthehet. Mendoni sa dekada kanë kaluar…»
E konsideroj fat që, qoftë edhe në mënyrë të tërthortë, vëllimi strehon një nga shkrimtarët më të shquar turko-qipriotë, Gjyrgjeç Korkmazel. Është një shembull i vogël, por me vlerë të madhe, i punës së njerëzve që jetojnë të ndarë nga ne, por që përjetojnë edhe ata pushtimin në një mënyrë jashtëzakonisht të dhimbshme.
Figura e nënës, qoftë kur flasim për greko-qipriotët, qoftë për turko-qipriotët, përbën pa dyshim fytyrën e tragjedisë qipriote. Shënoj në mënyrë përfaqësuese tregimet e Maria Avramidhut «Përvjetori», të Andreas Maloris me një simbolizëm shumë të fortë, si dhe të Maria Pilotut në tregimin e saj «Vetëm gjyshja di të hekurosë…».
Çështjen e të ngujuarve e trajton Nena Filusi në tregimin e saj – një udhëtim i mrekullueshëm në Karpasia – “Nuk jemi heronj”. Titulli shpreh qartë synimin e saj për një qasje të paheroizuar ndaj të ngujuarve, diçka që, në fakt, vjen nga vetë ata. Siç thotë M.: “Nuk jemi heronj. Jemi fëmijët e atyre që zgjodhën të qëndronin nga dashuria e madhe për vendin e tyre.”
Dhe vetë autorja shton: “Dashuria e madhe bën mrekulli, mendoj. Dashuria e madhe nuk është ndjenjë, është e vetmja e drejtë që kemi”.
Hapja e papritur e postblloqeve nga Denktashi në vitin 2003, me heqjen e pjesshme të kufizimeve në lëvizje, ishte një tronditje për popullin qipriot në tërësi dhe konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të pesëdhjetëvjeçarit. Mundësia për të parë përsëri vendin ku ke lindur e ke jetuar ishte më e fortë për mijëra njerëz sesa çdo hezitim apo faj. Në veprën e tij të shkëlqyer “Famagusta: Itinerari i kthimit…” – e shkruar atëherë – Kostas Kaconis thekson, ndër të tjera: “Këto pra dhe shumë të tjera të shoqërojnë ndërsa gjendesh në vende të atdheut tënd ku historia bëhet bisturi që të gdhend pashlyeshëm mendjen dhe shpirtin”.
Dhe gjetkë, për fushën e Mesaorisë: “Sikur dëgjon zërin e tokës, të gjallë, të pranishme dhe të zhveshur nga mitet…”
Me të njëjtin kuptim, Nena Filusi në shkrimin e saj jep zërat e vendit tonë, duke iu referuar Apostull Andreas. Pasi përshkruan hapësirën e jashtme plot zhurmë me shitës ambulantë të çdo lloji dhe pasi konstaton se brenda manastirit nuk kishte asgjë të veçantë për t’u shënuar, arrin në përfundimin se ajo që e bënte të funksiononte si vlerë unike në ndërgjegjen e njerëzve ishte “diçka tjetër që nuk duket”. Dhe për këtë arsye mbyll: “Heshtni, more, të dëgjojmë vendin, ndaloni pak zhurmën të kapim zërat e tjerë.”
Vivian Avramidhu-Plumbi, në tregimin e saj “Sunset-i i projektit të fundit”, shpreh zhgënjimin e saj nga dështimi i shpresave për kthim. Ajo u referohet planeve të ndryshme për zgjidhjen e çështjes qipriote dhe pritshmërive që ushqeheshin për kthimin në qytetin e saj Famagusta: “Bisedat kaluan shumë male. Më të larta e më të ulëta, më në veri e më në jug, por çdo herë diçka ndodhte – një e ftohur për njërin, një kollë për tjetrin, një paqëndrueshmëri për njërin, një aritmi për tjetrin – gjithçka prishej dhe zonja Aliki rrinte pak më gjatë me ushtarët, duke u folur atyre për ilaçe popullore që i dinte nga gjyshet dhe stërgjyshet. Dhe gjithnjë çuditej se si njerëz të shkolluar – politikanët tanë – nuk merrnin gjë për të parë shëndetin e tyre”.
Me të njëjtin zhgënjim e mbyll tregimin e tij edhe Kostas Patinios. Heroina e tij e moshuar thotë: “Ka vdekur shpresa, bir, ka vdekur! Ndoshta pas njëqind, dyqind vjetësh do të lindin krijesa më të mençura mbi këtë tokë dhe vendi ynë do të ribashkohet. Tani, harroje.”
Kthehem tek tregimi i Andreas Simeut “Puset…”, i cili hapet me vargje nga Kristos Haxhipapas:
“Dikur kishim puse
pak, dikur,
që na freskonin buzët
në kohë pa shira,
në kohë etjeje,
karkalecash dhe gjarpërinjsh.
U mbushën me kufoma”.
Është një nga ato raste kur një nocion në letërsi – në këtë rast “Puset e Historisë” – përbën përmbledhje të tragjedisë së vendit, por edhe jep kuptim për krijime të reja letrare. Për këtë, dhe për kontributin e tij në botimin e vëllimit, Kristos Haxhipapas meriton lëvdata të larta. Sigurisht, lëvdata të merituara duhen thënë edhe për redaktorin e vëllimit, Elpidoforos Inxhebelis.
Dua të ndalem gjithashtu te përdorimi i dialektit qipriot, tërësisht ose pjesërisht në disa tregime, përmes së cilit arrihet intensiteti i domosdoshëm emocional.
Me gjithë këto, mendoj, se botimi antologjik “QIPRO 1974–2024” arrin qëllimet e tij. Mbi të gjitha, sepse në një periudhë kur vërehen fenomene të shtrembërimit të historisë, ofrohet përgjigjja nga njerëzit që dëshmojnë të vërtetën e saj dhe që, në tërësi, kontribuojnë në përpjekjen për ta nxjerrë atë nga errësira e puseve dhe udhëkryqet e historisë.
* KOSTAS LIMBURIS është shkrimtar i njohur qipriot, autor i romanit “Dashnorë në çmendinë”, vlerësuar me Çmimin Shtetëror të Qipros, botuar shqip nga Neraida, 2024.