Kreu Letërsi Bibliotekë “Duke pritur shiun”, poezi nga Shefkije Islamaj

“Duke pritur shiun”, poezi nga Shefkije Islamaj

FJALA

(Aforistikë)

Kanë thënë se:
fjala ka zjarrin e vet, ruaje mos të fiket!
Po u shua njëherë vështirë rilind e ndizet.
Mbetet përherë veç fjala që nuk thuhet,
për t’treguar se është jona e në ne ruhet.

Kanë thënë se:
fjala nuk shuhet as edhe kur njeriu vdes,
sjell dritën dhe errësirën e bën mëngjes.
Ajo ringjallet si feniksi në rrezen e diellit,
për të rrëfyer t’pathënën e tokës e t’qiellit.

Kanë thënë se:
fjala është rrënja, pema e kurora që jemi,
Të vërtetën e gënjeshtrën, sa pranë i kemi.
Dashurinë ndez e urrejtjen fik veç një fjalë,
për t’na thënë zëshëm veç ajo mbetet gjallë.

Kanë thënë se:
njeriu është zot i fjalës së vet, si mot e herë,
edhe rob i saj kur të lëkundet si të ishte erë.
Ndonjëherë brenda nesh na mbulon një terr,
veç shkëlqimi i fjalës të këqijat i flak e i bjerr.

Kanë thënë se:
fjala e thënë e shigjeta e nisur s’kanë kthim,
për aq sa kthehen jeta e shkuar e rasti shqim.
Ajo është dhuratë për të fshehur mendimin,
për t’na kthjellë e për t’i gjetur jetës kuptimin.

Kanë thënë se:
fjala mishëron njeriun me mendjen e tij,
dhe si ai edhe fjala ka energji, fuqi, ndjesi.
Kush s’e ka njohur fuqinë e saj as dje as sot,
s’ do të mund të ndryshojë askurrë veten dot.

2.8.2023


ATY ISHE TI

(Tim eti)

Kur vononte pranvera nga acari me duhí
e dimri i rreptë ia vidhte ditët pa mëshirësí
ATY ISHE TI,
për të zbutur ngricën e për të sjellë ngrohtësí
e për t’ia ndalë turrin dimrit me tënden mirësí.

Kur qielli gjëmonte e ndillte pa prâ frikësí
e përvajshëm ia lëshonte i ftohti rrebesh shí
ATY ISHE TI,
për t’i heshtur gjëmat e tij me plot maturí
e për t’ia fshirë lotët mbushur me njelmësí.

Kur dita agonte e zymtë pa fije bardhësí
e dielli nuk dukej kund as sa për mashtrí
ATY ISHE TI,
për të falur dritë anë e tej qiellit në ajrí
e për të ngrohur tokën me zjarr e shpirtësí.

Kur hëna humbte dritën natën në errësí
e yjet përndaheshin frikshëm n’paskajësí
ATY ISHE TI,
për t’ia shlyer pazëshëm të virgjrën fajësí
e për t’i rikthyer qiellit të kaltrën dritësí.

Kur lulet çelnin bulëzat e fjetura n’breshní
e bari n’fushë thahej pa zënë mirë fara e tij
ATY ISHE TI,
për t’u dhënë fuqi jete pas dimrit t’thatë shkretí
e për të njomur qilimin e blertë me një vesë shí.

Kur zogjtë harronin rrugën e kthimit në shtegtí
e fluturat humbisnin të hirshmen larushí
ATY ISHE TI,
për t’u prirë si fanari në shkëmb t’detit pa kufí
e për t’u dhënë zemër krahëlehtave në fluturí.

E sot, nëntor, unë ndiej sërish shumë ftohtësí
e ndiej frymën, zërin e tënden fjalë shenjtërí
TI JE KËTU
për të m’i dhënë krahë simes pafuqi e ligështí
e për të ma bërë ecjen t’drejtë, pa lak, pa ngushtí.

10.11.2023


ÇAST MALLI

Më thuaj
nanë, kur më solle në këtë jetë, a hoqe shumë?
A shtere kroje e puse pikë më pikë deri në fund?
A çave mure, a grithe tokë kur dola n’dritë unë?
Apo shembe kodra, shkëmbinj e trande katund?

Më thuaj
nanë, atë ditë tetori, kur linda unë, a nxehu dielli?
A ra rrebesh shiu, a krisën retë apo u mrrol qielli?
A u çua shtrëngatë majë bjeshkës për së kthjelli?
Apo u ndie puhi e qetë e erë mokthi e lulesh prilli?

Më thuaj
nanë, më thuaj, a kishe atë ditë shumë të ftohtë,
kur vendosa ta lëshoja shtratin tënd të ngrohtë?
A të shkuan djersët akull apo të zunë ethet fort?
Pashë bukën e ujin, a më trove a m’urove atë mot?

Më thuaj
nanë, kudo të jesh sot, n’parajsë, n’qiell a n’yllësi,
si u ndjeve kur lëshova të qarën e parë në gjithësi?
A u ngjalle a të erdhi fill fuqia e të shenjtës amësi?
Po kur më more në krahë e më dhe së pari gji?

Më thuaj
nanë, aman mos ma lë peng n’zemër timen fjalë!
Mund të m’thuash: ”Pse s’më pyete sa isha gjallë?
Krejt t’i kam thënë ditën që të linda vajzë e jo djalë.
Bijë, mos të ka zënë keq, si mua, i zhurituri mall?”

19.3.2024


VJEN NJË KOHË

(Aforistikë)

Vjen një kohë kur e kupton
se kërkojmë nga jeta shumë
e ajo jep sa një freski n’lumë.

Vjen një kohë kur e kupton
se koha kalon vrik e shpejt,
na vjedh çdo ditë nga pak jetë.

Vjen një kohë kur e kupton
se kur bie nata terri çdo gjë hesht,
pos dëshirave që presin në rresht.

Vjen një kohë kur e kupton
se brenda vetes e vetë jetës
acari nuk zbutet aq lehtë.

Vjen një kohë kur e kupton
se dhembja e malli ndër vite
nuk zhbëhen për një pasdite.

Vjen një kohë kur e kupton
se një çast, një ditë a një natë,
vlen më shumë se jeta e gjatë.

Vjen një kohë kur e kupton
se më e vështirë se pritja vet’
është kur e di se dikush të pret.

Vjen një kohë kur e kupton
se heshtja e të vdekurit godet
më fort se fjala e të gjallit kur flet.

Vjen një kohë kur e kupton
se mosha s’të bën më të mençur,
më e shumta të bën më të pjekur.

Vjen një kohe kur e kupton
se kërkojmë nga jeta shumë
e ajo jep sa një freski n’lumë.

30.9.2023


DUKE PRITUR SHIUN

Ballë meje, tej mbi pullazet harkore e të kuqe,
retë ngjyrë koralesh luajnë me naze e huqe.
E bardha dhe e hirta këmbehen lehtë e shpejt,
ndërrojnë ngjyrë e përndahen sikur mbi det.

Piklat e vakëta mbushur rrejshëm me shi,
më ngjan se lagin qetë ballin e flokët e mi.
Pres të shpeshtohen e t’ më sjellin fllad e puhi,
ato me bubullimën ikin trembshëm me furi.

Prita kot në ballkon të zbutet sado pak vapa,
sa çudi, shiu ndërroi mendje e u kthye prapa.
Kur shiu e fresku mbetën dëshirë e vegim,
heshtja e gjysmerrësira veshën oborrin tim.

Atëherë, mendja ime kryeneçe fluturoi përtej,
preku fllad pishash e erë deti e u kthye këtej.
Desha të zemërohem me shiun e vapën flakë,
por, a ia vlen të shtyhem sonte me motin dinak?

28.7.2022

Exit mobile version