Azem Shkreli poet, gjatë udhëtimit 50 vjeçar, artikuloi poezinë ndër më eliptike të shqipes; verbi i kësaj poezie, me brumosje të hapësirës së vet kohore – që nga gjysma e viteve 50 të shekullit njëzet dhe deri në përmbyllje të tij, formon obelisk poetik, ngjizur nga bëmat më dramatike kosovare dhe arbërore; thurje mozaiku kronologjik të gjysmë shekullit Kosovë; muza e tij e epërme, e këtij harku kohor, vetvetiu e ka ndriçim të brendshëm këtë ndjeshmëri; në këtë sfond, poezia, për llogarinë e vet, për shtysën e patjetër, gjatë udhëtimit, natyrshëm mëkohet nga trazimet kërcënuese për Kosovën , sidomos gjatë decenieve të fundit të shekullit; prandaj e përfshirë brenda tetë vëllimeve, ajo është kompakte në ngjyrim ndjeshmërie dhe kronologji hapësire, homogjene si një sagë, si cikël i madh poetik; shtegu frymëzues i komunikimit me Kosovë është bashkëhapërim i pandërprerë, bashkëbisedë dhe bashkëvajtje – ardhje me dhe në Kosovë; në këtë grykë kohe, sfondi kronologjik, me ndjeshmëri dhe tensionim të pandërprerë vjen natyrshëm; dhe, siç u theksua, sa më afër fundshekullit, përkatësisht sa më pranë zjarrit të luftës, që e parandiente saktësisht poeti, aq më dramatik ekspresioni lirik i poezisë; shtresimi eliptik në muzën e Shkrelit, shndërrohet në vatër refleksesh estetike dhe etike; referenca të kësaj sinteze perfekte, përcjellin ekspresionin lirik të tij me trazime tensionesh të brendshme, shtrëngata vetëtimash frenuar, siç ndodh edhe me ciklin e lirikave mbi dashurinë e poetit.
Duke u shkëputur nga entuziazmi për lirinë e fituar pas luftës së Dytë Botërore, poezia e Shkrelit, pas çdo libri të radhës vjen më tunduese, më mosbesuese për pozitën dhe fatin e Kosovës dhe shqiptarëve, për situatën dhe të nesërmen e etnisë; shkallëzimi i tensioneve dhe tendosjes në rritje, do arrijë, në mbyllje të shekullit, përmasën e makthit për ekzistencën e saj për bërjen dhe zhbërjen e saj, siç janë vargjet e poezisë “ Motiv pa qiell”, artikuluara në librin e fundit botuar për së gjalli “Lirikë me shi” (1994);
as bimë as qumësht as zogj as
hije pas shtatit
as kremte as flamur as fjalë
as plis majë mendimit
as vig as breg as pushkë as
kohë për nesër
As qiell…
(Motiv pa qiell)
vetëm brenda shtatë vargjeve, një hapësirë, ambient, popullatë mbërthyer brenda një ferri, pa jetë, pa nesër, pa flamur, pa pushkë, pa urti për të dalë prej tij, – as qiell për ëndrra, ngjashëm me kohën e shtetrrethimit policor mbi Kosovë…
Shqetësimi i parë i Azem Shkrelit lidhet me statusin e fjalës, që, me këtë rast është statusi i folësit të saj; fjala, figurë poetike, e këtij hapërimi, do reflektojë edhe ajo shkallëzim statusesh tensionimi dhe iluminimi të brendshëm; nga tundimet dytësore, nga statusi i strukur në pritje, në vigjilim, sa e heshtur, – të mos qenit prani e duhur në çast të duhur, sa e shqiptuar pas së vjelave, sa e tillë që s’i duhet askujt;
Tani s’i besoj më
as kështjellës sate prej guri
Këtu e tej detit
po shembet mbretëria jote
M’i kthe të pathënat
t’i mbuloj me plisa me bar
Mbase do lulojnë
fjalë që u zihet besë
(Pas heshtjes)
kështu, nga të qenit “Kështjellë e Shenjtë”, sa të qenit fjalë “prej guri”, tundohet nga zvetënimi, dorëzimi; në këto çaste poeti i kthehet vendlindjes, lartësive rugovase, për t’i mbushur bateritë; çaste këto, shtrirë sidomos në ciklin e lirikave dukagjinçe, por edhe sa here e zë veten, qëndresën, boshtin kurrizor përballë tundimeve, vërvitet majave të mendimit majë plisit; fjalën Azem Shkreli e ndjen si qenie të gjallë, ajo është krejt çfarë je; ajo edhe kur thuhet dhe heshtet, edhe kur mbahet dhe shkelet, kur zvetënohet dhe s’thuhet kur e do koha, dhe e kundërta, përshfaq zërin e folësit, subjektiv dhe universal; mprehtësia e kësaj ndjeshmërie e poetit, për ta rrahur nga të gjitha perspektivat, në jetë dhe përjetësi, joshjeve dhe tundimeve, fjalën e bën kult dhe art poetik; e degdis atëherë atë dhe veten, majave të vendlindjes, lashtësive urtake dhe burrërore të fisit dhe etnisë; janë të shpeshta kthimet dhe rishtazi kthimet e poetit në bashkëbisedim me urtakun Dasho, në kërkim të përgjigjeve për enigmat dhe misteret e njeriut, të botës, të Kosovës, përgjigje për fatin e saj në situata dramatike, të bubullimave në horizont dhe mbi Arbëri; takime këto që, sa më shumë shtyhen drejt fundshekullit njëzet, bëhen më të shpeshta, fjala ndërsa më e ngjeshur tensionesh, më e thukët dhe më paralajmëruese për rrezikun e ekzistencës mbi Arbëri; prandaj, leximi i vëmendshëm, e ka më të lehtë të dekodojë vargjet e tij të viteve shtatëdhjeta, dhe atyre të viteve tetëdhjeta dhe lirikave të fund shekulli, tek dy librat e fundit të tij: “Lirikë me shi”, sa qe gjallë dhe “Zogj dhe gurë”, lënë dorëshkrim; anash kësaj, Azemi do të “grindet” edhe vetë, me fjalën e vet kur s’thuhet në kohë, kur nuk ecën me të, si dhe situatave kur do ta dojë të heshtur, të mosfolur siç është poezia, “Ajo që s’e them”;
Ajo që s’e them s’është foshnjë që përkundet
kot së koti dhe rritet. S’është as vala
që lyp brigje të tjera dhe nuk mundet –
është burim për të cilin digjet etjes fjala.
Ajo që s’e them s’është hije. As tehu që hasi
Në gurin e së pathyeshmes dhe u lakua në dëshpërim –
Dhunë e dhembjes është. Klithja që plasi
Kupën e ëndjes sate dhe të durimit tim.
Ajo që s’e them s’është kullë e shembur brenda,
S’është dënim i dashjes dhe nuk është e huaj –
Njerëz dhe njolla dhe gjithë ç’ju përmenda,
Ajo nuk është guri im mbi varrin tuaj.
ajo që s’e them s’është heshtja. As magjia
e lashtë e saj që ia dimë të fshehura halët.
Dhe do t’i trembet kobit të vet zbrazëtia
kur t’ia flak unë fytyrës, leckat, fjalët…
(Ajo që s’e them)
Azem Shkreli është ndër poetët me më shumë vargje për heshtje, për heshtjen e fjalës, për ta sprovuar atë nga të gjitha statuset dhe perspektivat e saj të heshtur; për heshtjen e saj në poezi, por jo vetëm; janë të njohur botërisht, hamendësime, tundime mendimtarësh, filozofësh e shkrimtarësh të njohur, që, sidomos pas çastesh apokaliptike globale, kanë shtruar dilemën: a ka më kuptim poezia, fjala e saj pas Hiroshimës, apo Aushficit; heshtja e Shkrelit, heshtja e lirikës së tij është klithje për dhe me Kosovë, atë të fundshekullit të kaluar; e këtij soji ishte edhe heshtja e poetit tjetër të madh, Fatos Arapit, por në kontekst dhe rrethana tjera; ishte zhgënjim i madh nga kakofonia dëshpëruese pas monizmit, që e bëri poetin t’a heshtë fjalën dhe ta mbyllë veten brenda katër mureve, gjatë dhjetëvjetëshit të dytë të këtij shekulli, deri sa mbylli sytë…
I tillë ka qenë Azem Shkreli edhe në jetë; është rast emblematik i të qenit një, – pot dhe njeri; fjalë pak dhe i përmbajtur; as në situata më acaruese, nuk e ka dëgjuar kush ta ngrejë zërin; as në rastet e dhembjeve fizike, të vetat a të familjes, as përballë goditjeve të liga, nga pas, nuk e luhatnin qetësinë e epërme të tij; e tillë edhe përmasa e tij mirënjohëse, deri adhuruese ndaj miqve, siç është sjellë në poezinë kushtuar Ismail Kadaresë:
Plot fjala është me ju, plot gjiri i nënës
Kudo dhe ngado është e juaja, pos mohit, pos orës së prapë
Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se t’ju
zbukuroj në baladë, o miq, o dega ime e epër e fisit
atij tisi të hollë e tisi të rrallë, tri here të zier
Në ashtin tuaj dhe timin, po unë me se të ju kem me se
Të ju përynoj, e vetëm ju e dini atë bar të mirë
Atë lëng rrëzë fjale me të cilin m’i mëkoni plagët
Ethet dhe qentë m’i përzeni kur kam zjarrmi, kur digjem,
Ujë etjes m’i jepni bri Kroit të Martinit e bri Kruje
Ullirin e moshës m’a piqni, zotynë shëndet u dhashtë
Nga jeta e vet e popullit, nga gjaku, nga shpendi ynë
Ju dhashtë, me se të ju di, me se të ju zbukuroj në
ba-Ladë, e jeni sa krip ka koka, sa fije bari, sa deti,
Alkal. Më Alkal ju dërgoj dhe më ktheni me mollë në
Shtizë. Të gjallët m’i gjalloni, të lënguarit m’i shëroni me
frymë. Të vdekurit m’i paloni sikush në Kosovë të mirë
në zemër. Ju falem që jeni, o të mirë, ju falem që jeni, ju
falem. Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës
“Përshëndetje me miq”
( I. Kadaresë)
Besoj se i vetmi çast, e vetmja situatë kur Shkreli ka qarë për vërteti, ka qenë një ditë pranvere e vitit 1997; njëra nga ato ditë kur marrosja shqiptare, tiranase, ka qenë në përmasa apokaliptike; më vjen i gjallë edhe sot zëri dramatik i një gazetari që raportonte nga një pike e kryeqytetit: rafalë Kalashnikovë nga të gjitha anët, ulërima frike, tmerri dhe rebelim lebetitës, dhe zëri gjysmë në vaj i gazetarit që i dorëzohej çmendurisë publike dhe dorëzimi i qytetit; atë ditë janë shkruar vargjet e poezisë “Këngë e turpshme”:
Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp se s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava
Para se të kalonte në përjetësi, në një takim nga të fundit, si shpesh edhe herëve tjera, nga fondi i poezive që po përgatiste për botim, ma dha në dorëshkrim këtë poezi, e cila e përmbyll librin “Zogj dhe gurë”, pas vdekjes së poetit.
(Fragment)
__________
Poeti Gazmend Krasniqi, autor i librit “Sprovë antologjike, (2003) dhe “Antologji e poezisë shqipe” (2014), lexues ekselent i poezisë, në këtë të fundit, për dyzetetre (43) poetët e përfshirë, për secilin, sjell edhe biobibliografi fare të shkurtra, tek ajo për Azem Shkrelin shkruan: “është një mjeshtër i poezisë kosovare dhe i asaj shqipe në përgjithësi”.