Kreu Forumi mbi përkthimin Yourgen Zmijanèj: Tre variante të përkthimit të këngës IV të “Eneidës” nga...

Yourgen Zmijanèj: Tre variante të përkthimit të këngës IV të “Eneidës” nga Henrik Lacaj, Mark Dema dhe Frano Alkaj

Shënime mbi Virgjilin e përkthyer

Përshtatja e të ashtuquajturave trope stilistikore është një sfidë e mundimshme, si dhe jo gjithmonë e kapërcyeshme, për përkthyesin e kujdesshëm. Figura të tilla kanë në thelb tjetërsimin e domethënies së zakonshme të shprehjeve letrare nëpërmjet ndërtimit jo të zakonshëm sintaksor, leksikor etj. Trope të tilla, si alegoria, metonimia, hiperbati, henalazhi ose hipalazhi, në mënyrë të veçantë, ndeshen në letërsinë klasike në të cilën përbëjnë tipar dallues si përpjekje për t’i ikur shprehjes gjuhësore të rëndomtë, të konsumuar, duke e përtërirë atë.

Nga ky këndvështrim, “Eneida” e Vigjilit, poema më e rëndësishme e periudhës së hershme augustiane, mund të shërbejë si shembull për arsye se autori, duke vazhduar traditën vargëzuese aleksandrine-neoterike, e gjallëron atë me ndikimet arkaike. Në mënyrë të veçantë në Librin IV të saj ndeshen përdorime interesante tropesh stilistikore ndaj të cilave përkthyes me përvojë, së paku tre të tillë në shqip, dëshmojnë zgjidhje krejtësisht origjinale nisur nga marrëdhënie të ndryshme me gjuhën.

Në Librin IV heroi i poemës, pas qëndrimit në Drepanon ku humbet të atin, Ankizin, vijon rrugën e paracaktuar nga Fati së bashku me mërgimtarët e tjerë trojanë duke iu qepur detit, i cili me valët e xhindosura e përplas brigjeve të Kartagjenës. Aty pritet si mik nga mbretëresha Didonë. Gjatë qëndrimit në Kartagjenë heroi rrëfen rrënimin tragjik të Trojës, rrugëtimin e mundimshëm drejt Romës. Mbasi bie në dashuri me mbretëreshën, zgjedh në fund t’i nënshtrohet vullnetit të Perëndive, një qëndrim ky prej heroi stoik. Nga ana e saj, Didona përjeton dilemën e saj më të madhe dhe vendos ti rrëfejë Anës, të motrës, pasionin e ndaluar që ushqen për mysafirin, e vetëdijshme për zotimin mbi eshtrat e të ndjerit bashkëshort të saj, Sikeut, se nuk do ta tradhtonte në mot të moteve.

Imazhi metaforik i lëngimit nga zjarrit përvëlues i dashurisë (vv. 1-2) spikat në gjithë lirikën arkaike greke. Virgjili e kthen përsëri si përjetim të mundimshëm, pa ia zbehur ngjyresën kuptimore të gjuhës homerike ku ai shfaqet si mall ndaj një të dashuri të munguar, aq sa mposht edhe arsyetimin si pengesë e fundit, duke pasuruar përjetimin e erosit si dorëzim përballë fuqisë së tij rrëmbyese. Për më shumë, vihet re ndikimi i Safos, e cila në ndryshim nga trashëgimia homerike priret ndaj përvojës trupore si konceptim gati patologjik i këtij imazhi metaforik. Virgjili:

“At regina gravi iamdudum saucia cura

vulnus alit venis et caeco carpitur igni”.

Dy variantet e para në shqip zgjedhin termin zjarr për afshin dashuror, me dallimin që varianti i parë ruan figuracionin origjinal me theksin mbi intimitetin e ndjenjës së mbretëreshës nëpërmjet ndajfoljes tinëz:

Ndërkaq mbretëresha tanimë e plagosur

nga afshi i dashurisë e ushqen në zemër

atë plagë dhe tinëz shkrihet pre` e atij zjarri

 “Tashma mbretnesha fare e molisur

nga afshi i dashunisë ushqen vetare

plagën e zemrës s’vet e ndizet flakë

prej një zjarri të fshehtë, që po e përpin

Në latinishten e kohës së “Eneidës”, kur poemat recitoheshin në publik, bashkëtingëllorja c shqiptohej pa u qiellzuar (palatalizuar), duke bërë që intonativisht aliteracioni caeco carpitur të mbahej nga zanoret. Efekti zanor duhej të ishte mbresëlënës, për shembull i përngjashëm me tingujt e flakëve, nëse i qëndrohet figurës. Varianti i tretë befason për zgjidhjen nëpërmjet ndërtimit metaforik me termat tejza (deje) dhe angra (të përbrendshme, rropulli):

“Por irun zêmre e n’shipírt derptue mbretnesha, T’shemtueshme varren shkon tue kallë nder tejza Msà brese flaka i deperton nper angra”.

Domethënien e dashurisë autori e sjell herë si mani e herë si delir dhe që, në përputhje me këndvështrimin helenik të erosit, ndodh si lojë prej ndërhyrjes të perëndive. Rrëfimi i Eneas, që e rrëqeth mbretëreshën, ia rrëmben asaj zemrën dhe i ngulit në mendje portretin e tij të fisëm, fjalët e tij të zgjedhura, trimërinë e tij të pashoqe. Burimin e fisnikërisë dhe të trimërisë së tij Virgjili e modelon nëpërmjet metonimisë:

“‘Anna soror, quae me suspensam insomnia terrent!

quis novus hic nostris successit sedibus hospes,

quem sese ore ferens, quam forti pectore et armis!”

Zëvendësimi stilistikor i pectore (kraharor, gjoks, parzëm) me anĭmus (shpirt, frymë) i mbivendos domethënies konkrete të termit të parë cilësitë abstrakte të termit të dytë anĭmus. Në variantin e tretë, në ndryshim nga dy të tjerët, për të përforcuar mbresën është zgjedhur mbiemri prej foljes me thadrue:

Me mend pershkon trimnít e mdhaja e fisin

Bujár e n’zâ t’ktij trimi: mbrêndë krahnori

T’thadrueme i mbetkan ftyra e fjalët e tija

As sŷ me shkrepë t’mjeren s’m’a lânka malli”.

Në vazhdim të variantit të tretë, në përkim të metonimisë së munguar, përkthyesi ndërton metaforën:

Kush âsht ky mik i rí, qi n’troje t’ona

Ka rá? Sa larg ktij n’ftyrë m’i dán pashija!

Kaq trim po u dukëka e i perfrigueshem n’lufta,

Bân bé, se ‘i zêm’r i rreh n’ krahnuer çeliku!

P’r’imend besoj as s’asht tue m’rrêjte kund mendja,

Njëri ndër tropet stilistikore më të veçanta tek “Eneida” është ai që njihet si henalazh ose hipalazh, figurë stili që ka të bëjë me dhënien disa fjalëve të ligjëratës atë çka u takon fjalëve të tjera të së njëjtës ligjëratë, me efekt shmangien e përdorimit të zakonshëm sintaksor. Është dukuri tejet e natyrshme edhe e gjuhës së folur, por në gjuhën poetike përdorimi është i qëllimshëm me synim estetik. Henalazhi, që e tjetërson rrjedhën e arsyetimit gramatikor, i shuan kufijtë semantikë duke përftuar kuptime të shumëfishta nëpërmjet ndërtimit të ri. Te Virgjili ka raste kur henalazhi rimerret edhe në kontekste të ndryshme. Në vargjet e mëposhtme (vv. 225-226) Jovi i gjithëpushtetshëm urdhëron Mërkurin ta mbërrijë heroin trojan për t’i zbuluar Fatin që duhet të përmbushë:

“exspectat, fatisque datas non respicit urbes,

adloquere, et celeris defer mea dicta per auras”.

Termi celeris (i shpejtë, i shkathët), simbas një arsyetimi sintaksor, do mund t’i referohej cilësisë së Mërkurit, për të cilin do ishte korrekte forma cĕlĕrĭter ose celer, ndërsa në varg ai shkon për termin auras (fllad, puhi, ajër, dritë e ditës, dritë e bardhë). Përftesa stilistikore e pasuron semantikisht termin duke zbuluar fuqinë prej hyjnie me të cilën Mërkuri trondit ajrin me fluturimin e tij. Duket sikur varianti i parë nuk e jep ngarkesën e pritur figurative duke përzgjedhur termin e thjeshtë fluturim:

Edhe atëherë Mërkurit i drejtohet

edhe i jep urdhër: “Nisu, pra o bir,

ik dhe thirr Zefirët, fluturim

zbrit atje poshtë dhe foli udhëheqësit

dardan, që rri e tallet me Kartagjenën

tiriane dhe asfare nuk kujdeset

për qytetet që i ka caktuar Fati”

Dy variantet e tjera përpiqen të japin ngarkesën e origjinalit duke theksuar dinamizmin në fluturimin e Mërkurit:

“Merkurin thërret pranë e i jep këtë urdhën:

Vrapo, o biri im, thirre Zefirin

e fill kah toka, fluturim lëshonju!

Takonje atë pris dardan, që në Kartag,

asht ndalë me vullnet t’vet e nuk kujtohet

për atëmbretni që Fati i ka caktue!”.

At-herë kshtu i flet edhe i urdhnon Merkurit:

Shpejt nisu, o bír, tue thirrun n’ndihmë zefyrin

Dhe mbí fletë pezull neper ajrí ti dyndu

E prisit t’Trojes, qi e shkon t’zít e motit

N’shtoje t’Karthagut e ka lânë mbas dore

Njato qytete, qi i a pat folun fati,

I njëjti henalazh përsëritet në vargjet (vv. 356-359), në të cilat Enea i rrëfen mbretëreshës Didonë tmerrin e përjetuar nga shfaqja e hyut Mërkur:

Nunc etiam interpres divom, Iove missus ab ipso—

testor utrumque caput—

celeris mandata per auras

detulit; ipse deum manifesto in lumine vidi

intrantem muros, vocemque his auribus hausi”.

Për të theksuar shtangien e heroi nga frika henalazhi është rimarrë enkas, duke i mbivendosur figurën e re “manifesto in lumine vidi” për të dhënë angështimin prej ndriçimit verbues të Mërkurit, ndërkohë që forma e saktë gramatikore mund të ishte: “deum manifesto in lumine”. Dy nga zgjidhjet:

 “Ja, pak më parë, lajmëtari i perëndive,

 dërguar prej vetë Jovit, (të betohem

 për kokën e të dyve,) fluturim

 më solli urdhër të prerë; me këta sy

 e pashë atë hy në një shkëlqim të fortë

 në çastin që po hynte në qytet,

 me këta veshë unë ia dëgjova zërin”.

Mu në këtë ças lajmtari i perëndive

 dërgue prej Zeusit vetë (po të betohem

 për kokën teme e t’anden) nëpër ajr

 tek unë fluturim erdhi me sjellë urdhnin,

 Unë vetë hyjninë rrethue me dritë e pashë

 me sytë e mi tue hy ndër ledhe tua

 e me kto veshë dhe zanin ia ndigjova”.

Në variantin e tretë, për të kompensuar dy henalazhet, përkthyesi ka përdorur dy zgjidhje metaforike:

“M’ka mrrîjtë kasneci i hyjve çue prej Zeusit

-T’bâj bé per jetë e per krye t’and e t’emin

Se n’rrymë t’duhive ai m’i kumtoi kta urdhna;

Un vetë e pásh nder t’zjarrta rreze drite

Hyjnín kah hîjte neper ledhe e i ndieva

 Ushtim’n e zanit me t’dy veshët e mí”.

Mbretëresha Didonë, e brengosur nga vendimi i Eneas për t`u larguar drejt brigjeve italike në përmbushje të vullnetit të perëndive, lëshon mallkimin e saj mbi trimin trojan dhe gjinden e tij në vargun e mëposhtëm (v. 385):

“Sequar atris ignibus absens,

et, cum frigida mors anima seduxerit artus,

omnibus umbra locis adero”

Në këtë rast henalazhi është ndërtuar mbi formën korrekte “animam seduxerit artubus”, ku folja seduxerit (mënjanoj, ndaj, veçoj, largoj) i referohet emrit pararendës animam(ajër, erë, frymë, shpirt) dhe jo shumësit artubus (sh. gjymtyrë), për të cilin shkon epiteti frigida (i ftohtë, i ngrirë, i ngjethur). Në përputhje me këtë formë të zakonshme sintaksore do të ishte “vdekja shkëput (ndan) shpirtin nga gjymtyrët”, ndërsa autori e ka përmbysur sintaksën duke e vënë foljen në shërbim të shumësit të emrit që e pason: “anima seduxerit artus”. Kështu përftohet: “vdekja shkëput (ndan) nga shpirti gjymtyrët” dhe, si pasojë, epiteti frigida bie mbi mors (vdekje, kufomë). Humbi kështu lidhja e shkakësisë që mbante kur i referohej termit artubus në formën e zakonshme sintaksore. Nga të gjitha variantet i pari tregon kujdes të veçantë ndaj henalazhit, të paktën në formulimin mortja e ftohtë, edhe pse ky ndërtim i qëndron besnik kuptimit të formulimit të zakonshëm latin:

Dhe, ndonëse larg, unë ty prapë do të të ndjek

 me të zinjtë pishtarë, dhe atëherë kur mortja e ftohtë të ma ketë ndarë nga trupi këtë shpirt,

 fantazma ime do të të ndjekë kudo”. (vv. 650-653)

Varianti i dytë, duke anashkaluar henalazhin, është shembull i ruajtjes së trajtës korrekte latine veçanërisht në aspektin kuptimor:

“…E kur vdekja

 këtë shpirtin tem prej trupi do ta ndajë,

 kurrë hija eme s`ka me t`lanë të qetë”. (vv. 598-600)

Përkthimi në variantin e tretë i kthen funksionin shkakësor epitetit frigida, por në të njëjtën kohë pasuron imazhin tragjik të vargut origjinal me anë të një metafore:

Shpesh herë per êmen ké m’e thirrë Didonen,

Kah me flakë t’errta larg do t’ndjekë permbrapa.

E kur acàr t’m’a két ngrî trupin deka,

T’kerthnestët e jetes tue m’a shterrë nper tejza” (vv. 580-585)

Një rast të ngjashëm transpozimi sintaksor ndeshet në vargjet e mëposhtme (vv. 474-477), në të cilat mbretëresha Didonë, e pikëlluar nga braktisja prej Eneas, gjatë bashkëbisedimit me të motrën mundohet t’i fshehë asaj vendimin për vetëvrasje:

“Ergo ubi concepit furias evicta dolore

decrevitque mori, tempus secum ipsa modumque

exigit, et, maestam dictis adgressa sororem,

consilium voltu tegit, ac spem fronte serenat:”

Në latinishte mund të pritej: spe frontem serenat ose serenare spem fronte (të shfaqësh shpresën me fytyrë të kthjellët). Termi spem (shpresë, pritje, parashikim, frikë, drojë) vihet në raport të pazakontë sintaksor me foljen serenat (kthjelloj, qartësoj), e cila në këtë rast do të duhej t’i referohej emrit fronte (ballë, fytyrë). Në përkthimin shqip dy variantet e para nuk qëndrojnë indiferente ndaj ndërtimit të tjetërsuar stilistikor të autorit dhe kjo dëshmohet nga ruajtja kuptimore e formimit të pritshëm origjinal:

mendon me vete kohën dhe mënyrën

 dhe, duke iu drejtuar motrës së shkretë,

 në pamje e fsheh vendimin që ka marrë

 e shfaq një shpresë në fytyrën e kthjelluar

 dhe i thotë: “E gjeta mjetin, motra ime,

 -gëzohu me motrën tënde- e gjeta mjetin

 që do ma kthejë Eneun apo përkundrazi,

 që do të më ndajë prej tij mua si dashnore.” (vv. 804-810)

T`piklluemes motër fill ajo i drejtohet

 me një fytyrë të qetë, tue fshehë vendimin

 e tue iu çfaqë, sikur po i ndrit n`ball shpresa; “Përgzon me mue, moj motër! Tekembramja

 e gjeta vetë mënyrën si me e qasë

 o me u shkëpputë nga ai dashnor përjetë”. (vv.735-740)

Në variantin e tretë tjetërsimi ndërtimor është zgjidhur nëpërmjet metaforash të një regjistri folklorik:

“Pra si kje shtrue krejt e molisë prej dhimbe

 E m’hov t’furís kjo mendët kisht’ vû me dekun, Shqyrton me veti si m’i a gjuejtë veç kohen

 E me gjetë mndyren fiet e jetës me i kputun. Kshtu merr me u sjellë kah motra e vet derptue

 E at ndjet te zí tu’ i a mshefë per sý e faqe

 Me gaz e shpresë gjith tue i gufue krahnori:

Në metrikën klasike, kur në gjysmën e një vargu të dyzuar (hemistik) konstatohet përsëritje e të njëjtit koncept të paraqitur në gjysmëvargun e parë, ke të bësh me elementin stilistik të njohur si dicolon abundans. Në një rast të tillë përsëritja përbën, në thelb, një shtojcë pasuruese të domethënies së konceptit nga gjysmëvargu pararendës. Vargu origjinal (477): “consilium voltu tegit, ac spem fronte serenat”, “në pamje e fsheh vendimin që ka marrë / e shfaq një shpresë në fytyrën e kthjelluar). Termi consilium (vendim, plan, projekt), në aspektin kuptimor, përkon me termin e përmendur spem, ndërsa termi voltu (shprehje fytyre, çehre, fytyrë, vështrim, shikim) me fronte dhe tegit (mbuloj, fsheh, mbroj, anoj) me serenat.

Tropet stilistikore të një teksti letrar përkthyesi, nga këndvështrimi tij, jo vetëm i trajton si çështje të mbartjes ose jo të tyre nga gjuha në të cilën përkthen, por ka privilegjin të zbulojë deri diku edhe natyrën e tyre si trille elegante të poetit, dhe madje më shumë se aq. Tensioni sintaksor që shkakton ndërtimi i tyre si thyerje “norme” krijon mospërputhshmëri semantike nga më të larmishmet, të cilat bashkëjetojnë si interpretime kuptimore. Në ndryshim nga përkthyesi, lexuesit i shpëtojnë marrëdhëniet e ndërsjella mes domethënies dhe strukturës, të cilat i përjeton thjesht si shijim estetik. Ndërsa tjetërsimi sintaksor nëpërmjet teknikës klasike modus improprium ia tërheq vëmendjen lexuesit mbi vartësinë e patjetërsueshme të domethënies ndaj strukturës.

Mund të quhet rast i bukur për kulturën shqiptare që Këngën IV të “Eneidës”, prej të cilës u vështruan disa shembuj origjinalë zgjidhjesh përkthimore të tropeve stilistikore, shqipja e ka prej tre përkthyesish me emër në tri variantet e përmendura. Ato u përkasin: i pari Henrik Lacajt, i dyti Mark Demës dhe i treti Frano Alkajt, ndonëse ky për nga kronologjia më i hershmi. Nuk mund të mos mbahet parasysh edhe formimi sa i ngjashëm aq edhe i ndryshëm në filologjinë klasike i të treve, mbasi edhe ai mundet të ketë ushtruar ndikim në praktikën e tyre përkthimore.

I lindur në Shkodër, Henrik Lacaj u shkollua në Kolegjin Jezuit të qytetit, ndërsa më 1930 filloi studimet universitare në Universitetin e Padovës, Itali, për Filologji klasike. Mark Dema, i lindur edhe ai në Shkodër, u shkollua po në Kolegjin Jezuit të qytetit, kurse prej vitit 1936 studimet e larta i kreu në Kolegjin Urbanian, në Romë, ku u diplomua për Filozofi, në kohë e sipër që ndoqi edhe leksione në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Romës. Frano Alkaj, i lindur në Alk të Kurbinit, e kreu shkollimin po në Shkodër, por në Kolegjin Françeskan, ndërsa studimet e larta për Filologji klasike i përfundoi në Universitetin e Bukureshtit.

Exit mobile version