Kreu Letërsi Bibliotekë Yzedin Hima: Meditim mbi poezinë e Sharl Bodlerit, “Albatrosi”

Yzedin Hima: Meditim mbi poezinë e Sharl Bodlerit, “Albatrosi”

Albatrosi është një zog që lajmëron mort. Kur ai shfaqet mbi anije, marinarët nuk pajtohen me fatin e tyre të parathënë dhe hakmerren ndaj zogun kasandër. Duke munduar e vrarë  albatrosin, ata vrasin lajmëtarin, jo lajmin.

Anija, albatrosi janë simbole poetike që mbartin me vete edhe mortin si lajm dhe si fat.

Albatrosi, ky zog i përzishëm, simbol i veshur me imazhe të mistershme, vjen nga lartësitë qiellore. Sharl Bodleri e quan ”i bukuri i qiejve”.

Tej mantelit misterioz të simbolit, shfaqet poeti, princi i reve:

Kështu dhe Poeti ngjan me këtë princ të reve

Që endet mes stuhish e qesh me shkreptima

Ai rastësisht gjendet në anije, simbol i jetës njerëzore, që kalon mes “honesh plot llahtarë”. Marinarët, këta njerëz me shpirtin plot kallo, nga vuajtja dhe e përditshmja aspak poetike dhe krejt prozaike, e trajtojnë qiellorin me sadizëm:

Dhe i lenë aty të lidhur keqas mbi kuvertë,

Këta mbretër kaltërsish ligsht katandisur

 Po pse?!

Ata duan që për pak çaste vuajtjen e tyre t’ia kalojnë dikujt tjetër, për t’u ndjerë për një çast të çliruar.  Ose, të paktën, ta ndajnë vuajtjen me dikë tjetër. Në këtë mjedis të ulët, ku vlera e vetme është lufta dhe përpjekja për t’i bërë ballë dallgëve të oqeanit jetësor, ku mbretëron forca si dhunë kundër dhunës së jetës, albatrosi shndërrohet nga mbret i kaltërsive në rob të katilëve, në lolo krahëvarur, në tuaf e qesharak. Goditjet që kanë pësuar nga jeta, njerëzit marinarë duan me ngutje t’i flakin nga vetja, të lirohen nga frustimi, plagët e dhimbshme dhe ia transferojnë ato zogut të qiejve:

Ca e godasin sqepit me çibuk e plasin gaz,

Të tjerë si të çalë tallen me të ngratin fluturak .

Njerëzit, përballë vuajtjeve jetësore, shpesh bëhen qesharakë. Pikërisht këtë gjendje, aspak të këndshme, marinarët duan ta zhvendosin nga vetja dhe t’ia veshin zogut të gjorë, që ka bujtur në mjedisin e tyre të zymtë:

Sa tuaf e qesharak ky shpend i lartësive !

Sa komik e shëmtaq ai i bukuri i qiejve !

Albatrosi mund të merret fare mirë edhe si simbol i fatit të zymtë të njerëzimit. Në këtë rast, brenda tekstit poetik luhet një dramë e dhimbshme. Marinarët në një skenë tragjike godasin, tallen, përqeshin fatin e tyre, që për mijra arsye, në vend të shkonte larg si ëndrrat, përpëlitet krahëthyer “mbi dërrrasa lemerisur”. Në këtë këndpamje kemi lartësim të fatkeqëve. Të tallesh, të ironizosh, të përqeshësh fatin tënd, është emancipim shpirtëror.

Duke u thelluar në tekstin e mrekullueshëm të Sharl Bodlerit, duke u orvatur për të parë tej imazheve të mistershme, lexuesi nis të lexojë veten: Krahët janë bërë për fluturim. Nëse nuk i përdor, do hiqesh zvarrë. Po sa njerëz janë përbuzur, fyer e poshtëruar dje dhe sot, ndoshta dhe nesër nga dhuna, nga vulgarja, nga shurdhëria dhe janë ndjerë e ndihen të huaj, krahëprerë:

Mbërthyer në të huajën tokë mes talljesh mizore,

Me krahë madhështorë që dot s’marrin fluturim …?!

Në habitatin vulgar të marinarëve, princi i reve ndihet i poshtëruar, krahëthyer, i plogët, qesharak, sikurse ndihet poeti në të përditshmen prozaike, midis vulgut njerëzor, që është pajtuar me fatin e tij dhe as nuk merr mundimin për ta ndryshuar atë, qoftë edhe nëpërmjet përjetimit artistik të së bukurës, e cila kur bie në duar vulgare shndërrohet në shëmti.

Në këtë tekst takohen dy përmasat që ndeshen në poezinë e Sharl Bodlerit, prirja nga Zoti dhe Rënia si kënaqësi, ideali dhe spleeni. Princi i reve, i bukuri i qiejve, albatrosi befas gjendet në mjedisin kafshëror.

“…Gëzimi është stolia më vulgare e së bukurës, kurse Melankolia është, si të thuash, shoqja e saj më e denjë, në atë pikë sa unë nuk e konceptoj dot një tip Bukurie ku të mos ketë Trishtim. …Misteri, brenga janë gjithashtu karaktere të së bukurës.” – ka thënë Sharl Bodleri.

Poezia? Eshtë ajo fasha e bardhë që lë albatrosi në qiell dhe ajo fasha e kaltër që lë anija në lëkurën e detit. Midis tyre dhuna, tallja, vuajtja që endet si dhimbje, trishtim, melankoli, si vragë në shpirt, si spleen.

Berat, më 6 qershor 2021


Sharl Bodler

Albatrosi

Në lundrime të gjata mes honesh plot llahtarë,
Detaret shpesh herë thjesht për t’u zbavitur
Kapin albatrosë, madhështorë zogj të detit
Shokë t’i kenë në udhëtimet e tyre të pafund …

Dhe i lenë aty të lidhur keqas mbi kuvertë,
Këta mbretër kaltërsish ligsht katandisur,
Lolo krahëvarur vajtueshëm hequr zvarrë,
Çalashë ngofje dalë mbi dërrasa lemerisur.

Sa tuaf e qesharak ky shpend i lartësive !
Sa komik e shëmtaq ai i bukuri i qiejve !
Ca e godasin sqepit me çibuk e plasin gaz,
Të tjerë si të çalë tallen me të ngratin fluturak !

Kështu dhe Poeti ngjan me këtë princ të reve
Që endet mes stuhish e qesh me shkreptima;
Mbërthyer në të huajën tokë mes talljesh mizore,
Me krahë madhështorë që dot s’marrin fluturim …

Exit mobile version