Kreu Letërsi Shënime mbi libra Begzad Baliu: Gjuha e veprës së Naim Frashërit

Begzad Baliu: Gjuha e veprës së Naim Frashërit

Enciklopedia naimiane: Gjuha e Naimit (Përgatiti: Mehmet Gëzhilli),
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2022, f. 868.

Parantezë

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1992 bashkë me dy nga anëtarët e kryesisë së Shoqatës “Për të Rënët e Kombit Shqiptar” arritëm në Tiranë. Aty gjetëm edhe idealistë të tjerë që kishin shkuar nga Kosova, ndërkaq pas disa ditësh erdhën edhe të tjerë nga Zvicra dhe Gjermania. Problemi më i madh fillestar u shfaq për strehimin tonë. Na vendosën te shkrimtari Resul Bedo, ushtaraku Halil Katana, gazetari ushtarak Mehmet Gëzhilli, shkrimtari Agim Cerga dhe më së shumti te artisti Reshat Arbana, në shtëpinë përdhese të të cilit ishin përshtatur disa dhoma dhe ajo më parë se sa në shtëpi, ngjante në një minikazermë. Në këtë shtëpi, në mbrëmje shtriheshim të flemë 7-8 veta, ndërsa zgjoheshim deri në 15 veta. Gjatë natës vinin shumë të rinj, që duhej të përgatiteshin për ushtrime ushtarake, të lodhur, të lagur e të ngrirë nga bora gjatë kalimit të kufirit dhe vendoseshin pikërisht në këtë shtëpi të parapërgatitur për këtë qëllim.

Te secili gjetëm ngrohtësinë e mikpritjes, por në kujtesë do të më mbetet Familja Gëzhilli. Dhe do të më mbetet për dy arsye: e para se ata “për të strehuar luftëtarët e lirisë së Kosovës”, në banesën e tyre të vogël kishin rregulluar një kënd fjetje në ballkonin e saj, jo shumë të ngrohtë, ndërsa me ne, në dhomë flinin dy fëmijët e tyre të vegjël; dhe e dyta, sepse në një kohë që tregu i librit vërshonte nga vepra të shkrimtarëve të letërsisë së huaj (Kamy, Kafka, Dostojevski, Xhojsi etj.), Mehmet Gëzhilli, punonte me përkushtim për një Antologji të poezisë kushtuar Naim Frashërit, të cilën me një fjalë hyrëse të Dritëro Agollit, do ta botojë në vitin 1996. Duke dëgjuar përkushtimin e tij intelektual për fatin e Kosovës, e cila në ambientet politike të  Tiranës kishte rrëshqitur thellë në fundosjen e Shqipërisë si shtet dhe shqiptarëve si popull, si dhe duke parë përkushtimin e tij ndaj trashëgimisë kulturore kombëtare, si kusht i tejkalimit të zhgënjimit të atij brezi në tranzicion, pëshpërisnim deri natën vonë me Enverin nga Kumanova dhe Bacën Kadri nën zë: “Fatin dhe perspektiven e vendit dhe të kulturës së një populli e ruajnë dhe e ushqejnë para se gjithash njerëzit si Mehmet Gëzhilli, i cili as në momentet më të vështira të përmbysjes nuk shkëputet nga rrënja e trashëgimisë kombëtare”.

I. Faik Konica: “njeri i mirë, zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur”

Në këto kohë të vështira tranzicioni të trishtë, kur bashkëkohësit e tij gjurmonin në Dosjet e Sigurimit të Shtetit, në Dosjet e Partisë dhe në dosjet gjithfarëshe, madje kush duke i pastruar e kush  duke i mbushur ato në Arkivat e rrënuara e të rrëgjuara, Mehmet Gëzhilli punonte ditë e natë për të krijuar ‘Dosjet’ jetësore dhe krijuese të burrave të mëdhenj të kombit: Naim Frashërit, Naum Veqilharxhit, Fan S. Nolit, Nonda Bulkës dhe madje personaliteteve të mëdha botërore, të cilët i kishin dalë zotë Shqipërisë dhe shqiptarëve në ditët më të vështira, sikur ishin dosjet me materiele për botim të Presidentit Amerikan Woodrow Wilson dhe mbretëreshës së pakurorëzuar shqiptare Edit Durham.

Për t’i realizuar ëndrrat e tij jo vetëm të Antologjisë për Naim Frashërin, po edhe për t’i kurorëzuar ato me një korpus të madh studimesh antologjike për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, të cilin ai e quan: Enciklopedia Naimiane, gazetarit të dikurshëm ushtarak e tani botuesit, hulumtuesit dhe studiuesit Mehmet Gëzhilli, ju deshën rreth tri dekada. Kërkimet e tij tani i ka përmbledhur e sistemuar në dhjetë vëllime të mëdha. I: Gjuha e Naimit;  II: Filozofia e Naimit; III: Arti i Naimit; IV: Naimi për shkollën shqipe; V: Studime për veprat e  veçanta të Naim Frashërit; VI: Kujtime, publicistikë, veprimtari përkujtimore; VII: Naimi në librin dhe shtypin botëror; VIII: Antologji poetike për Naim Frashërin; IX: Bibliografia e Naim Frashërit (25 maj 1846 – 31 dhjetor 2023); X: Fjalor enciklopedik. Ato ju referohen bëmave jetësore dhe bëmave intelektuale krijuese e letrare[1].

Serinë e kësaj kolane posaçërisht të rëndësishme në jetën tonë shkencore dhe kulturore e hap vëllimi Gjuha e Naimit prej tetëdhjetë e pesë autorësh me mbi dyqind tekste. Në këtë vëllim, tekstet janë radhitur sipas kronologjisë së botimit të tyre, me ndonjë përjashtim, kur tekstet janë nxjerrë nga botimet e mëvonshme, ndërsa në paraqitjen tonë teksteve të këtij vëllimit do t’ju qasemi fillimisht sipas tematikës së teksteve e herën tjetër sipas kronologjisë së botimit të tyre.

Vëllimi hapet me një tekste të Faik Konicës, me titull Në vend të parathënies, i cili sikur është shkruar për të përfaqësuar gjithë mendimin e bashkëkohësve të tij për Naim Frashërin dhe madje mendimin kritik të tyre, si dhe perspektiven historiko-letrare të kohës sonë për studimin e veprës e tij. Në tekstet e tij, të mëtejme, publicistike, kritike, bibliofilike e bibliografike, sintetike apo polemizuese, të plota apo fragmentare: Ca këshilla mbi artin e shkrimit; Faik Konica për Naim Frashërin; Mbi një plloçë varri; Biblat shqip; Libra shqip; Naim Frashëri, si askund tjetër bashkohen ide, referenca, koncepte, paradigma e sinteza jetësore e krijuese për Naim Frashërin, për kohën, historinë, artin dhe kombin, të cilat do të shkruhen dhe botohen në Albania dhe Kalendari kombiar, ndërmjet viteve 1897-1904, do të projektojnë të ardhmen e atdheut, gjuhës, identitetin dhe kulturën kombëtare. Le t’i referohemi vetëm një mendimi të tij për Naim Frashërin: “Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë të tjera, mendje lëruar e ndjesëhollë, do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura. Po nevoja e vendit tonë, detyra t’u hapin sytë botës, e shtrëngonin të mos ngjitej më sipër se kuptimi i popullit të Shqipërisë. U kufizua pra, gjithnjë në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar. Jo se nuk ndodhen në libra të Naim beut faqe të hieshme e të mbartura janë përkundrë po rrëfejnë të gjitha veç dëshirën të mësohet kombi. E mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqiptar, – e gatiti udhën, – për një propagandë kombëtare më përparimtare”.(19/22) Të tilla tekste botohen e shpërfaqen, të tilla mendime barten e përplotësohen deri në fund të këtij vëllimi studimesh prej një shekulli për jetën dhe veprën e Naim Frashërit. 

II. Rilindësi i Shqipërisë, shqiptarëve dhe gjuhës shqipe

Në pjesën e parë të teksteve të zgjedhura të këtij vëllimi janë botuar artikuj, fragmente artikujsh, tekste të zgjedhura, kujtime, letra, vlerësime e tekste për ngjarje historike, ku emri i Naim Frashërit dhe veprës së tij kur e kur del në planë të parë e kur e kur në mënyrë anësore[2]. Autorë të këtyre teksteve janë bashkëkohës e pasardhës të tij të Rilindjes Kombëtare, iluministë të cilët për Naim Frashërin kanë shkruar kryesisht pas vdekjes së Naim Frashërit. Ata shkruajnë për Naim Frashërin dhe veprën e tij edhe atëherë kur shkruajnë për vendlindjen (Naum Naçi); adhe atëherë kur shkruajnë për hapjen e shkollave shqipe dhe shpërndarjen abetareve të para (K. N. Luarasi, Shahin Kolonja); edhe atëherë kur shkruajnë për familjen e madhe të Frashërlinjve (Midhat Frashëri);edhe atëherë kur shkruajnë për fatin historik e perspektiven moderne të popullit shqiptar (Luigj Gurakuqi); po edhe atëherë kur shkruajnë për shkrimtarët shqiptarë si përfaqësuesit më emblematikë të popullit shqiptarë e të kulturës së tij (Josif Bageri, Mehmet Vokshi) etj.

Thënia lapidare e patriotit dhe mësuesit të popullit Mehmet Vokshi “Ajy, Naim Frashëri, ka për t’i gëzuar shekujt”; pamja që sjell fanolisti Qerim Panariti për gjuhën shqipe, si një evolucion i krijuesve sikur është Naim Frashëri; si dhe tekste të tjera të shkruara nga Dhimitër Berati për Korçën si një referencë përfaqësuese nacionale; letra e arbëreshit Zef Skiroi dërguar iluministit dhe memoreistit Visar Dodani; shqetësimet e E. Selenicës për rrëgjimin e gjuhës shqipe si një pabesi ndaj apostullit të saj Naim Frashërit; kujtimi i heroit të kombit Bajo Topilli për takimet e tij me Naim Frashërin dhe redaktorin e tij të teksteve didaktike Jani Vreton; artikulli i Mihail Gramenos për vendlindjen e Frashërlinjëve si një vend i shenjtëruar i Shqipërisë e shqiptarësisë; tekstet mjaft domethënëse të Syrja Vlorës dhe Hafiz Ali Korçës për Naim Frashërin dhe krijimtarinë letrare, të shkruara në një kohë perëndimi të shpirtit të tij, në fillim të shekullit XX; na bëjnë të rivlerësojmë tani në rrethana të reja përmasën e perceptimit të veprës së tij nga një brez personalitetesh nga më të shquarit e kohës: shkrimtarë, eruditë, patriotë, heronj, klerikë e specialistë të fushave të shumta, që për atë/baba/apostull/frymë kishin rilindësin, bardin e kombit,  Naim Frashërin.

Po të kësaj natyre, sa kohësore po kaq edhe historike, brenda modelit të artikujve të botuar në etapën e parë janë tekstet e studiuesve Moikom Zeqo dhe Nexhip Merkuri. Moikomi me tekstin e tij I lumi ai shkrimtar që e lexojnë edhe pas 100 vjetësh, sikur ju përgjigjet të gjithë bashkëkohësve të Naim Frashërit dhe paraardhësve të tij për bindjet e tyre të shprehura që në fillim të shekullit XX, sikur janë Mehmet Vokshi, Josif Bageri, Luigj Gurakuqi etj.

Në këtë periudhë artikujsh, kujtimesh, vlerësimesh, studimesh e nderimesh për Naim Frashërin dhe veprën e tij mund të merren shumë autorë dhe tekste të tyre si referencë a paradigmë kërkimesh të mëtejme për romantikun tonë dhe veprën e tij, por do të shquanim një prej artikujve më të hershëm të Mit’hat Frashërit për Naimin, i cili mund të quhet përpjekja e parë për të shkruar një biografi të jetës së tij, që në realitet nuk ka arritur të shkruhet, qoftë për shkak të mungesës së dokumenteve të dorës së parë, qoftë për shkak të hulumtimeve modeste për jetën e tij që kanë bërë gjatë gjithë shekullit XX.

III. Studimet e para themeltare për kohën, jetën dhe veprat e Naim Frashërit

Pa dashur që të vendosim kufijtë e kërkimeve shkencore të studiuesve për jetën e Naim Frashërit dhe sintezat e para shkencore për jetën e tij, po e sjellim këtu një kronologji të tyre mbështetur në botimin e teksteve në këtë vëllim[3]. Në këtë periudhë që hapet kryesisht në vitet ’30 vazhdojnë të shkruajnë atdhetarë e iluministë të periudhës së parë, por gjithashtu fillojnë të shkruajnë studiues të formuar në shkollat filologjike të institucioneve vendore, të rajonit dhe të Europës. Studimet e kësaj natyre janë tekstet e studiuesve, të cilët gjuhën e veprave letrare të Naim Frashërit e shohin në kontekst të zhvillimit të gjuhës shqipe, të historisë së saj dhe madje të raporteve të gjuhës së saj me shkrimtarë të tjerë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, po edhe me paraardhës e pasardhës të tij. I kësaj natyre është studimi historiko-gjuhësor i At Justin Rrotës, botuar brenda monografisë Për historinë e alfabetit shqip, si dhe teksti i Profesor Shaban Demirajt, i botuar brenda studimit sistematik për gjuhën e shkrimtarëve të shekullit XIX.

Kalimin nga studimi përgjithësues në sintezë shkencore në studimin e gjuhës së Naim Frashërit e bën Profesor Jup Kastrati me studimet e tij më me ndikim në gjuhësinë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Fjala është për studimet më të cituara në studimet e gjuhës së Naim Frashërit dhe madje jo vetëm të gjuhës së tij: Ndihmesa e Naim Frashërit për gjuhën shqipe, dhe Naim Frashëri për gjuhën shqipe. Vështirë të gjendet një studim a një sintezë serioze për Naim Frashërin në të cilin studimet e Profesor Jup Kastratit të mos jenë cituar disa herë. Të kësaj natyre janë tekstet e studiuesve, të cilët gjuhën dhe veprën e Naim Frashërit e kanë parë në kontekst të veprës së tij, në raport me gjuhën e teksteve të bashkëkohësve të tij dhe studiuesve, të cilët gjuhën e Naim Frashërit e kanë parë jo vetëm në kontekst të shkrimtarëve shqiptarë po edhe në raport me letërsitë e Lindjes.

Studiuesi Shaqir Berani, gjuhën e teksteve letrare e didaktike të Naim Frashërit e quan revolucion gjuhësor, e ndoshta do të duhej të quhej evolucion i shqipes moderne; Profesori Tomor Osmani ka bërë një diskutim sintetik mbi një studim të albanologut Norbert Jokli, që si asnjë tjetër gjatë gjysmës së parë të shekullit XX ka thelluar  studimet gjuhësore në fushë të fjalëformimit për veprën e Naim Frashërin dhe madje jo vetëm për te; bashkëkohësi tjetër i Profesor Tomorit, Profesor Seit Mansakut ka botuar një studim tipik në fushë të diakronisë gjuhësore të shqipes, jo vetëm për faktin se ka bërë krahasime të para të kësaj natyre ndërmjet gjuhës së veprës letrare të Pjetër Bogdanit dhe veprës letrare të Naim Frashërit, por edhe për arsye se ky krahasim ka hapur kufijtë e kërkimit ndërmjet letërsisë biblike dhe letërsisë së romantizmit, dialektit të toskërishtes dhe dialektit të gegërishtes; letërsisë së latinitetit shqiptar dhe letërsisë së shkruar nën ndikimin e letërsisë oksidentale e orientale etj. I kësaj natyre është edhe studimi i studiueses Luljeta Adili-Çelikut për formimin e fjalëve të përbëra në poezinë e Naim Frashërit, Aleksandër Stavre Drenova-Asdrenit dhe Lasgush Poradecit. Megjithëse të një periudhe jo shumë të largët kohore, të një dialekti (toskërishtes) dhe të një ndërndikimi nga vepra e njëri-tjetrit po edhe nga letërsi dhe kultura të ndryshme, autorja ka identifikuar mjaft veçori të përbashkëta dhe dallime të theksuara fjalëformuese ndërmjet Naim Frashërit në njërën anë dhe Asdrenit e Lasgush Poradecit në anën tjetër.

Në këtë kapitull tekstesh për gjuhën e veprave të Naim Frashërit hyjnë edhe studimet kur përgjithësuese, sikur janë tekstet e historianëve Gazmend Shpuza, Naim Frashëri për letërsinë dhe gjuhësinë iraniane dhe historianit Hasan Kaleshi, për veprat turqisht dhe persisht të Naim Frashërit; e kur të veçanta, sikur janë studimet e historianit të letërsisë shqipe Mahmud Hysa, Naim Frashëri si përkthyes i Kur’anit dhe profesorit të orientalistikës Abdulla Rexhepit, Shërbesat e Naim Frashërit për gjuhën perse.

IV. Kërkime të fjalësit dhe fjalëformimit në veprën letrare të Naim Frashërit

Studimet naimiane të viteve ’30 marrin dimensione të reja edhe për një hulumtim pasaqërisht të veçantë në gjuhën e veprës së tij. Përbërësin e studimeve kur të përgjithshme e kur të veçanta të veprës së tij e pasurojnë studimet me orientim leksiko-semantik. Studimet e Kostaq Cipos, për leksikun e veprës “Istori e Skëndebeut”, studimi pothuajse i papërsëritshëm i Nonda Bulkës, Lokucionet në “Historinë e Skënderbeut”, studimi i zgjeruar i Dhimitër S. Shuteriqit për gjuhën e Naimit, i cili në këtë kohë, sikur dihet u përmbyll me një Fjalor të leksikut të veprës letrare, për tu kurorëzuar tri dekada më vonë me një monografi, ndër më të mirat e kohës së tij për Naim Frashërin, përfaqësojnë tekstet referencë për shumë dekada. Studimet më qenësore të kësaj kohe dhe të kësaj natyre kanë të bëjnë me strukturën leksiko-gramatikore e leksiko-semantike të veprës letrare të Naim Frashërit.

Fjala është për studimet e Xhevat Lloshit, Mbi përdorimin leksiko-semantik të mbiemrit tek “Istori e Skënderbeut» e Naim Frashërit dhe paraqitjen e një vepre pak të njohur nga ato tekste të didaktikës shkollore të kohës Një kopje e gramatikës së Naim Frashërit.  Në studimin e parë, theksi vihet tek denduaria e mbiemrave, me përqendrim në tre kryesorët: a) kuptimi, b) sinonimia, c) antonimia e mbiemrave, ndërsa në tekstin e dytë, sillet një aventurë jo vetëm sfiduese e kërkimit të gramatikës së persishtes sipas metodës së re, si dhe e gjetjes së kopjes së saj elektronike në Bibliotekën e Michingenit, për botimin dhe vlerësimin e të cilës mbetet të merren studiuesit e brezit të sotëm.

Në këtë rrjedhëbotohen edhe dy kërkimet themeltare gjuhësore të Engjëll Angonit, Lakimi dhe ndërrimi i gjinisë së emrave në numrin shumës te Naim Frashëri dhe Disa çështje të sistemit emëror në gjuhën e veprave të Naim Frashërit. “Sistemi emëror në krijimtarinë e një shkrimtari dhe lëvruesi të madh të gjuhës shqipe, siç është Naimi, -shkruan Angoni – përbën një temë të gjerë e të larmishme, prandaj është përqendruar kryesisht në ato çështje që i janë dukur më me interes. Sa herë ka qenë e mundshme dhe e nevojshme, çështjet që trajtohen, i ka bërë objekt krahasimi me gjuhën e sotme letrare shqipe dhe sidomos me të folmen e Dangëllisë, në mënyrë që, krahas të tjerave, të vihet në dukje ç’ka të përbashkët dhe ç’ka të veçantë Naimi me këtë të folme, dhe, njëherazi, të dalin në pah, sadopak, përpjekjet e tij në përpunimin e normës letrare”. Sado përshkrues të duket kërkimi mjaft shterues i pedagogut Mehdi Bardhit për diminutivët dhe hipokoristikët te Naim Frashëri, në këtë vëllim ai sjell një pasuri shkencore hulumtimi e krahasimi për studiuesit e rinj. I kësaj natyre, por me shtrirje më të gjerë kërkimi e krahasimi është edhe studimi i Ragip Mulakut, Elemente të traditës gjuhësore (të shqipes) në veprën e Naim Frashërit, të cilin e ka trajtuar edhe në raport me tekstet letrare e liturgjike të shkrimtarëve Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi etj. Është me shumë interes  dhe orientues për kërkimet e mëtejme studimore në fushë të terminologjisë, përkatësisht leksikun terminologjik dhe konceptet e Naim Frashërit për leksikun terminologjik, studimi i studiueses Hëna Pasho. Naim Frashëri, ashtu si edhe bashkëkohësit e tij të Rilindjes Kombëtarë Shqiptare, janë shquar për përdorimin e terminologjisë didaktike në fushë të arsimit, të terminologjisë shkencore, e filozofike, prandaj vjelja dhe studimi i saj paraqet interes edhe sot në kërkimet tona shkencore. Ata që e kujtojnë letrën e Naim Frashërit për Vasil Terpon në Bukuresht edhe mund të mos pajtohen me vërejtjet e tij për të mos e përkrahur botimin e Fjalorit të gjuhës shqipe të Konstandin Kristoforidhit, sepse thoshte Naim Frashëri, Konstantin Kristoforidhi  “ka marrë ca fjalë këtu-këtje nga një rradhua që ka bërë Hahni, po s’i ka as me rradhë, as të shuma”, por ata që e kanë parë përkushtimin e tij në fushë të terminologjisë, mbase edhe do ta mirëkuptojnë shqetësimin e tij. Naim Frashëri me gjasë kishte krijuar dy koncepte për fjalësin e shqipes: i pari, që në fushë të letërsisë leksiku i shqipes duhej të ishte autokton dhe pasuri materiale e shpirtërore e popullit shqiptar; ndërsa i dyti, në fushë të leksikografisë, se fjalësi i shqipes duhej të ishte i zgjedhur, terminologjik dhe nënkuptueshëm shkencor, i krahasueshëm edhe me fjalorët leksikorë, do të shprehej ai, të popujve të qytetëruar. Në këtë rrjedhë, ne përjashtojmë idenë e përsëritur prej kohës në studimet gjuhësore e historiko-letrare, se ky kundërshtim i Naimit vjen si rezultat i mënisë a zilisë për punën paralele që po bëhej në dy fjalorë të shqipes.

Studimet e kësaj fushe përmbyllen me vëzhgimet përgjithësuese për karakterin leksikor  dhe gramatikor të Naim Frashërit, nga studiuesit Behar Hoxhaj dhe Idriz Metani. I pari për veprën e Naim Frashërit si tërësi dhe i dyti me theks veprën “Istori e Skënderbeut», në veçanti. Sigurisht me njohjen e arritjeve të mëparshme dhe me dijen moderne shkencore të kohës sonë, këto dy studime sjellin qasje të re më këto tema.

V. Gjuha e veprave të Naim Frashërit dhe raportet e saj me dialektet

E ndërlidhur gjithnjë me trashëgiminë historike dhe me modernizimin e gjuhës si perspektivë bashkëkohore, vepra e tij letrare, përkatësisht gjuha artistike e realizimit të saj, është trajtuar edhe në kontekstin dialektor. Janë shumë studime në të cilat gjuha e Naimit është trajtuar në rrafshin dialektor të toskërishtes dhe janë në mënyrë të veçantë shumë studime e fragmente brenda teksteve dialektore, në të cilat gjuha e Naim Frashërit është ndërlidhur në kontekstin fonetik, gramatikor, leksikor e stilistik edhe me gegërishten.

Një studim të kësaj natyre mbi ndihmesën e Naim Frashërit për lëvrimin e gjuhës shqipe, duke e parë atë edhe në kontekstin dialektor dhe të krahasuar me bashkëkohësit e tij Kristoforidhin, Sami Frashërin etj., në këtë vëllim ka botuar profesor Shaban Demiraj, ndërsa ne këtu po i theksojmë dy përbërës, fjalorin: “Dëshira për të shkruar në një gjuhë të pastër e të punuar i nxiti ata që në radhë të parë të bënin përpjekje për ta njohur mirë fjalorin e shqipes së folur, ndërsa shkrimet e Kristoforidhit, të Naimit e të Samiut tregojnë qartë se sa mirë e njihnin ata gjuhën amëtare, të cilën e çmonin shumë”; të cilën e kurorëzuan edhe me ortografinë: “Pra, ortografia e shkrimeve të Samiut, të Naimit e të shkrimtarëve të tjerë toskë të shekullit të kaluar, ishte më tepër një ortografi fonetike; veçse në të ruajturit e zanores -ë në fund të fjalëve proparoksitone, e nganjëherë edhe në trup të fjalëve, ata ndoqën edhe parimin historik-etimologjik. Por ata nuk janë treguar gjithënjë konseguentë në ortografinë e tyre”.

Pedagogu i përkushtuar i gjuhës në Prishtinë Prof. dr. Abdullah Zymberi, në këtë sinor ka shkruar rreth disa ndajfoljeve të kohës në veprat e Naimit, krahasuar me “Fjalorin” e Kristoforidhit dhe me disa të folme të Kosovës. Sistemin ndajfoljor kohor në veprat e Naimit Profesor Zymberi e konsideron shumë i pasur. Një dorë syresh Naimi, thekson ai, i përdorte me dy e edhe me tri forma, në mënyrë që të pasuronte edhe me këtë kategori gramatikore. Naim Frashëri sistemit ndajfoljor kohor, e ka haur më tej duke u mbështetur në brumin popullor e duke e përdorur atë përsosmërisht edhe në veprat e veta. Naim Frashëri, në dallim prej shkrimtarëve të tjerë, në krijimtarinë është ndikuar  pak prej gjedhesh të huaja, ndryshe nga shkrimet tona, po edhe në mjetet e tjera të informimit, ku sistemi ndajfoljor kohor ka filluar të vërshohet me fjalë të huaja, megjithëse në disa të folme popullore ato janë të frymës së gjuhës shqipe, të gurrës së saj. Materialin e trajtuar këtu Profesor Zymberi e ka krahasuar dhe e ka kundruar në trekëndëshin – Naim Frashëri, Konstantin Kristoforidhi edhe me disa të folme popullore. I kësaj natyre është edhe studimi tjetër i Prof. Zymberit tani me shtrirje më të hapët dialektore, për fjalësin me burim të shqipes në veprat e Naim Frashërit krahasuar me disa të folme të Kosovës dhe të Malit të Zi.

Dy studime posaçërisht të karakterit specializues janë ato të Haki Ymerit, nga fusha e fonetikës dhe morfologjisë. E para ka karakter sintetik dhe merret me bazën dialektore (fonetike) të gjuhës së Naim Frashërit, ndërsa e dyta merret ekskluzivisht me një dukuri, natyrën e togjeve në gjuhën e Naim Frashërit.

VI. Tekste për gjuhën e tij dhe shqipen standarde

Po të bëhet një sintezë e teksteve përgjithësuese, artikujve publicistikë, studimeve me karakter të veçantë gjuhësor, studimeve krahasimtare brenda shqipes dhe në raport me gjuhët tjera, teksteve eseistike e publicistike dhe madje atyre me përqendrim, poetikën e veprës letrare, nuk është vështirë të konstatohet se numri më i madh i tyre janë të ndërlidhur me pasurinë gjuhësore, që na e ka lënë në funksion të realizimit të ëndrrës së shumë brezave: shqipes standarde.

Studimet e kësaj natyre nuk i kanë shkruar vetëm gjuhëtarët, përkatësisht standardologët, po edhe pedagogët, publicistët, studiuesit, kulturologët, shkrimtarët, gjuhëtarët me përvojë modeste shkencore, përkatësisht dashamirët e gjuhës, studiuesit e thelluar me përvojë të gjatë kërkimore e shkencore etj. Numri i artikujve të kësaj natyre është i gjatë dhe i shumanshëm, për të shtuar se ata janë shkruar për përvjetorë të Naim Frashërit, për përvjetorë të gjuhës shqipe, të shkollës shqipe, të kulturës kombëtare, krahasuar edhe me kultura të tjera, të Rilindjes Kombëtare dhe bashkëkohësve të tij, të personaliteteve vendore e ndërkombëtare, të ndërlidhura me jetën, personalitetin dhe veprën letrare të tij, të familjes së tij etj.

Në këtë vëllim janë botuar vetëm ato tekste të cilat nxjerrin në plan të parë rolin e Naim Frashërit si personalitet unifikues të brezit të tij dhe shumë brezave të tjerë deri në kohën tonë dhe rolin përkushtues të veprës së tij për një gjuhë kombëtare. Teksti më i hershëm i këtij kërkimi del të jetë artikulli i intelektualit, gjuhëtarit e historianit të letërsisë Karl Gurakuqi, sikur shprehet ai “për nevojën e një Komisioni letrar”. Studimi orientues e themeltar i Profesor Idriz Ajetit, Ndihmesa e Naim Frashërit për formimin e gjuhës letrare shqiptare, do të mund të quhej themeltar edhe në këtë botim për arsye historike dhe shkencore. E para, autori i këtij teksti, Profesor Ajeti dhe idhujtari i tij janë bartës të një procesi historik të standardizimit të saj brenda dy shekujve të fundit XIX-XX, si dhe për arsye shkencore, identifikimit të përbërësve themeltar të shqipes letrare,  brenda të cilit konstatonte se Naim Frashëri “vuri një gur të rëndë e me peshë në hartimin e teksteve të historisë kombëtare, po mbi të gjitha vinte gjuhën shqipe, për kujdesin dhe zotërimin e së cilës i porosiste shqiptarët, të madh e të vogël, gjithherë e kudo, ta pasurojnë e ta pastrojnë atë. Për ata që ndaj gjuhës shqipe silleshin shkujdesur, për ata që gjuhën shqipe nuk e kishin gjithherë në qendër të vëmendjes e që e trazonin me shprehje e fjalë të huaja, që e shëmtonin”. I kësaj natyre është edhe studimi i Profesor Shaban Demirajt, Ndihmesa e Naim Frashërit për lëvrimin e gjuhës shqipe. Po këtu botohet edhe studimi i Androkli Kostallarit, Vepra e Naimit për gjuhën letrare të kombit, brenda të cilit veç tjerash thekson se: “Shkrimet e Naimit, sidomos shkrimet diturore e mësimore, tregojnë se ai i njihte mirë arritjet kryesore të antropologjisë e të shkencës gjuhësore të shekullit XIX dhe çmonte drejt rolin e gjuhës në shoqërinë njerëzore. (…); Ai u la një trashëgim ta pakrahasueshëm breznive të sotme e të nesërme dhe një mësim të madh historik: gjuha ua zbulon vlerat e bukuritë e veta atyre që e duan dhe e nderojnë dhe ai që e do Atdheun e gjuhën amtare duhet t’u kushtojë atyre gjithë jetën e vet. Lëvrimi i shqipes ishte për të një kënaqësi e thellë, por edhe një mundim i madh, të cilin e njohin vetëm krijuesit e vërtetë.”; Ky vëllim do të ishte i varfër edhe pa përfshirjen e studimeve të Jorgo Bulos, Gjuha e Naimit: e tashmja dhe e ardhmja e shqipes; të Gjovalin Shkurtajt, Disa mendime të Naim Frashërit për gjuhën, Naim Frashëri dhe gjuha letrare shqipe, Naim Frashëri luftëtar për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe, të cilin e përmbyllë me sintezën largvajtëse: “Gjuha e Naim Frashërit është e pasur në fjalor, përfshirë këtu edhe leksemat e gurrës popullore dhe ato që ai i farkoi mbi gjedhet e saj, por është, gjithashtu, shumë e begatë dhe me vlera larmia e nuancave kuptimore që marrin ato në ligjërimin e tij poetik, prandaj, ai, edhe pas gati njëqind vjetëve pas vdekjes, vijon të mbetet, pa dyshim, poeti ynë kombëtar më frymëgjatë dhe më i lexuar”; tëValjer Peshkëpiajt, Naimi dhe shqipja letrare; si dhe Profesor Emil Lafes, Porosia e Naim Frashërit për gjuhën shqipe, e cila do të shquhet këtu veç tjerash edhe për sjelljen e një përshëndetjeje të indoeuropianistit të madh Holger Pedersen, në 100-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit, të cilën po e sjellim edhe këtu: “Një gjuhëtar i huaj, që është mësuar ta dojë qysh i ri kombin fisnik shqiptar, është i gëzuar të bashkohet me këtë korale nderimi që i bëhet këtij apostulli të idesë kombëtare… si gjuhëtar ai e di plotësisht vlerën që ka gjuha amtare për jetën dhe zhvillimin e një kombi. Asnjë gjuhë nuk mund të lulëzojë pa një letërsi. Prandaj patriotët që kanë krijuar letërsinë shqipe janë nga bamirësit më të mëdhenj të popullit shqiptar. Dhe kjo lidhet në radhë të parë me Naim Frashërin. Kryeveprat e tij në prozë dhe në poezi u kanë dhënë shijen e leximit bashkatdhetarëve të tij dhe kanë nxitur të tjerët ta ndjekin këtë shembull të lavdishëm.”;Të kësaj natyre janë edhe studimet e Remzi Nesimit, Koloriti gjuhësor në poezinë e Naimit, Diçka rreth kontributit të Naimit për shqipen letrare; të Tomor Osmanit, me dy artikujt për Naim Frashërin dhe gjuhën shqipe, si dhe Naimin e parë nga aspekti gjuhësor; Qazim Qazimit, për veprat e Naim Frashërit dhe gjuhën shqipe. Së fundi botohen dy nga kryestudimet, ai i Profesor Ethem Likajt me sintezën nga gjuha e Naimit te gjuha e sotme letrare si dhe ai i Profesor Valter Memisha për gjuhën e veprës së Naim Frashërit dhe shqipen standarde, parë në kontekst të zhvillimeve të sotme të shqipes letrare dhe të mendimeve njëshekullore për vlerësimin e ndihmesës së tij për krijimin e shqipes standarde, të cilin Profesor Valter Memisha e ka parë në pesë përbërës: Së pari, Naim Frashëri, me krijimtarinë e tij që u realizua në fund të shekullit XIX (dhe që është e shtrirë pak më shumë se në 10 vjet) e ngriti në shkallën më të lartë ligjërimin letraro-poetik të kohës, i dha letërsisë dhe gjuhës shqipe përmasë të paparë deri në atë kohë. (…); Së dyti, Naim Frashëri me gjuhën e veprave të tij e kombëtarizoi shqipen, gjuhën e nënës. (…);Së treti, njihet tashmë se një nga tiparet cilësore të shqipes së sotme standarde është karakteri i saj i theksuar popullor, nga që ajo është ngritur mbi gjuhën e folur të popullit. (…); Së katërti, vepra e N. Frashërit e popullarizoi gjuhën letrare shqipe të përpunuar artistikisht, të pasuruar, të latuar e të zhdërvjelltësuar prej tij si askush deri kur ai jetoi dhe shkroi. Ajo ishte vepra më e përhapur dhe u bë vepra më e lexuar për kohën, çka ndodhi edhe për dekada të tëra më vonë (ashtu si vazhdon dhe sot!); Së pesti, Naim Frashëri krijoi në mënyrë bazale gjedhe pune për më tej në procesin për krijimin e shqipen letrare të njësuar. Ai tregoi se si një gjuhë mund të përpunohet letrarisht në një shkallë shumë të lartë dhe si mund të punohet që ajo të bëhet e të jetë shumëfunksionale. Në këtë linjë, theksojmë se ndihmesa e poetit tonë kombëtar shpërfaqet fuqishëm dhe e frytshme në prurjet e tij për të krijuar një strukturë të saj të përpunuar në të gjitha nënsistemet”. (…) Si përfundim, Naim Frashëri i ngriti gjuhës shqipe përmendore të përjetshme. Ai është vetë shqipja dhe gjuha e sotme standarde e ka bërë të vetën pjesën dërrmuese të asaj që ai krijoi, por edhe gjedhet e pasurimit, të pastrimit, të përpunimit e të latimit të saj, të modeluara prej këtij biri të Frashërit e të mbarë Shqipërisë. Naimi jetoi pak e bëri shumë. Le ta kujtojmë atë, por le të punojmë përherë me mesazhin e tij të madh, ku janë shkrirë në një tërësi të pandarë mëmëdheu, kombi, gjuha dhe njeriu: “Ndero mëmëdhenë dhe kombinë tënt edhe gjuhënë tënde… M›i dashurë se kombi, m’i dhëmpshurë se mëmëdheu, m’e ëmbël, se gjuh’ e ti s’ka gjë tjatërë për njerinë”)”!

VII. Poetika e gjuhës së veprës letrare

Nëse në artikujt publicistikë, kulturorë, normativë, deskriptivë e shkencorë për gjuhën e veprave të Naim Frashërit dhe të shqipes së sotme janë trajtuar këto marrëdhënie kryesisht në sensin iluminist, kulturor, e kombëtar, tekstet për poetikën e gjuhës së veprave letrare të Naim Frashërit janë shumë më koherente dhe më të arrira. Autorët e këtyre teksteve përveç me dijen për gjuhën si dije normative, si përmbajtje historike dhe si përpjekje për standardizimin e saj janë formuar edhe me dije elementare mbi probleme të stilistikës së gjuhës, të teorisë së letërsisë dhe të retorikës. Autorë të këtyre teksteve janë jo vetëm gjuhëtarët, po edhe studiuesit e thelluar në fushë të stilistikës së gjuhës, letërsisë, shkrimtarë me njohje akademike në fushë të teorisë së letërsisë dhe retorikës etj.

Siparin e këtyre teksteve e hapin: Skënder Luarasi, me mendimet e tij për gjuhën e edukatorit të kombit; Eqrem Çabej, me përcaktimin e vendit të Naim Frasahërit në hapësirën europiane e ballkanike të romantizmit, si Lëvizje letrare e nacionale; dhe Aleksandër Xhuvani, me dy konceptet e tij për Naimin: “patriot i madh dhe edukator i popullit, (…) nuk âsht vetëm vjershëtor, por edhe prozator i mirë, që ka shkrue nji gjuhë popullore të pastër shqipe, si pakë kush. Si e pamë mâ nalt, prej kësaj gjuhe të Naimit mund të fitojmë mjaft na sot, me gjithë përparimin që ka bamë gjuha jonë në këto kohë të fundit). Studimet vazhdojnë me studimet e thelluara nga studiuesi Rexhep Qosja me temat mbi zhvillimin dhe përsosjen e gjuhës nga Naim Frashëri, për tekste e shkruara në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, për rëndësinë e krijimtarisë gjuhësore të Naimit për gjuhën gjithëkombëtare. Le të thuhet këtu se Profesor Qosja në monografinë për krijimtarinë letrare të Naim Frashërit me titull Porosia e madhe (1986), pjesën më të madhe të saj ia ka kushtuar gjuhës së tij, vlerave stilistiko-gjuhësore të krijimtarisë së tij dhe strukturës teoriko-letrare e retorike të poezisë së tij. Prej leximit të këtij vëllimi, ndërkaq mund të shihet se Profesor Qosja është studiuesi më i cituar i teksteve të shkruara gjatë gjysmëshekullit që lamë.

Duke shkruar për gjuhën dhe stilin e Naim Frashërit, Profesor Qosja ka shkruar për trajtat e ligjërimit, duke i parë ato edhe në raport me përmbajtjen, me mendimin, me fjalët e urta, me ndjenjën dhe veçoritë tjera të kësaj natyre, sikur janë: lavdërimi, urimi, mallkimi dhe lutja, pyetja retorike, thirrja dhe pasthirrma; duke shkruar për përsëritjet dhe radhitjet, ai ka shkruar për përsëritjet e tingujve e të fjalëve, po edhe përsëritjet anaforike, për ta përmbyllur këtë diskutim edhe me çështjet tjera, sikur janë radhitjet lidhëzore dhe palidhëzore, si dhe përsëritjet si parim kompozicioni; duke shkruar për veçoritë gjuhësore e teoriko-letrare prej krahasimit deri te zmadhimi në veprën letrare të Naim Frashërit, Profesor Qosja, ka shkruar për trajtat e krahasimeve, për krahasimet e zgjeruara, për vlerat e krahasimeve për trajtat e cilësorëve, për vlerat e cilësorëve, për shtrirjen e zmadhimeve, për rolin zmadhues të leksikut, për shqiptimin si mjet zmadhimi, për marrëdhëniet e zmadhimit dhe të zvogëlimit etj.; duke shkruar për çështjet teorike të veprës letrare të Naim Frashërit, të cilat Profesor Qosja i identifikon nga metafora deri te miti, shkruan për metaforën, trajtat dhe rolet e metaforave, metaforat dhe frazeologjitë, simbolet, simbolet dhe shpirtëzimet, shtrirjen e mitit, figurat dhe prapakujtimet mitologjike, mitemat, mitet dhe botëkuptimin, si dhe rolin estetik të miteve.

Brenda këtij vëllimi është botuar i plotë kapitulli Zhvillimi dhe përsosja e gjuhës, në të cilin janë trajtuar çështjet gjuhësore si: gjuha kombëtare dhe fjalët e huaja, fjalët e reja të gjuhës diturore, fjalët plaka dhe krahinorizmat, shprehësia kuptimore dhe stilistike e fjalëve, rëndësia e krijimtarisë gjuhësore për gjuhën gjithëkombëtare. Në sintezën e madhe të monografisë së Profesor Qosjes, ndërkaq janë trajtuar edhe dy tema të rëndësishme për ndërtimin rrokjesor dhe ritmik të vargjeve në krijimtarinë letrare të Naim Frashërit. Në të parin janë diskutuar çështjet: vargu i tij dhe vjershërimi i përparshëm shqip, llojet e vargjeve, këmbimet e vargjeve të gjatësive të ndryshme, si dhe thyerjet dhe lidhjet e vargjeve; ndërsa në të dytin çështjet, si: larmia ritmike e vargjeve, bartjet dhe kapërcimet, rimat dhe strofat, prej trokeut deri te jambi, si dhe ndikimi në vjershërimin e mëvonshëm shqip.

Megjithëse është shkruar pas botimit të monografisë për Naim Frashërin, studimi i Profesor Qosjes për rëndësinë e krijimtarisë gjuhësore të Naimit për gjuhën gjithëkombëtare, në këtë vëllim enciklopedik shquhet për natyrën gjithëpërfshirëse të studimeve të kësaj fushe në veprën letrare të Naim Frashërit në studimet e kësaj natyre në përgjithësi dhe në studimet e Profesor Qosjes për Naim Frashërin në veçanti.

Në vazhdim botohen tekstet e studiuesve, si ai i Xhevat Lloshit, për fjalën shqipe në poetikën e Naimit, studimi i Sabri Hamitit për gjuhën poetike dhe përkushtimin; eseja e Profesor Ruzhdi Ushakut, “Fjalët e qiririt” si interpretim gjuhësor i frymëzimit dhe vizionit poetik, studimi i Vehbi Kadriut për frazeologjinë naimiane, trajtesa brilante e studiueses Shefkije Islamaj, Poezia “Qielli” e Naimit – një model i gjuhës poetike; trajtesat dhe parathëniet e Emil Lafes për ribotimin e poemthit “Bagëti e Bujqësia”, leksikun e poemës “Bagëti e Bujqësia” në vështrim statistikor e semantik, si dhe fragmenti i një studimi më të gjerë mbi gjuhën e veprave kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Të kësaj natyre, përmbajtjeje, përkushtimi e vlerësimi janë edhe studimet mjaft të thelluara të Bajram Qerimit, mbi koncepti dhe kultin iluminist të gjuhës së Naim Frashërit dhe mbi disa veçori dhe vlera të gjuhës poetike naimiane; studimi i bashkautorëve  Vilma Bello & Migena Balla për frazeologjinë e Naim Frashërit në veprën «Qerbelaja”, trajtesa e Kujtim Shalës pa Naim Frashërin nuk do të kishte letërsi shqipe, studimi i Merita Gjokutaj-Shehut kodi i ligjërimit popullor te Naimi, studimi i thelluar i Ardian Vehbiut mbi tiparet e enumeracionit në poezinë e Naimit, studimet e shquara për një qasje mjaft të veçanta në hulumtimet naimiane të Moikom Zeqos, Firdusi në shqip para 100 vjetësh, si dhe Naimi, përkthyesi i këngës së parë të “Iliadës”.

Tekstet përgjithësuese mbi gjuhën poetike të Naim Frashërit, tekstet publicistike, studimet dhe sintezat e botuara në këtë vëllim përmbyllen me dy studime të Profesor Jani Thomait, një vështrim mbi leksikun e ligjërimit poetik të Naim Frashërit dhe për një tipologji leksiko-semantike të ligjërimit naimian. Leksikolog e leksikograf, studiuesi më i thelluar i semantikës së fjalës, togfjalëshit e frazeologjisë, Profesor Jani Thomai ligjërimit të Naim Frashërit i është qasur si askush më parë dhe më gjithanshëm. “Thelbi i kthesës së madhe, -shkruan Profesor Thomai, – që sendërton Naimi me veprën e tij letrare, është formuluar tashmë në studime serioze. Tri ide spikatin më shumë në pohimet e studiuesve: “Naimi i ngriti vlerat e fjalës shqipe në rrafshin e gjuhës së poezisë e të artit të vërtetë”, “… duke vënë në bazë të gjuhës së poezisë gjuhën popullore”1) dhe se “forca e fjalës në poemën e Naimit nuk qëndron në kuptimin e drejtpërdrejtë të saj, por në ato marrëdhënie asociative ose tek aureola emocionale që u jep atyre konteksti në të cilin përdoren”2). Prej këtej kuptohet që studimi i ligjërimit mund të përfshijë dy rrafshe: rrafshin gjuhësor dhe atë letrar. Lidhja e ngushtë e të dy rrafsheve do të ishte më e frytshme dhe kjo kërkon si dorën e gjuhëtarit, ashtu edhe mendjen e dorën e studiuesit e të kritikut letrar. E kemi pohuar më parë që “ligjërimi poetik i Naimit mund të vështrohet në rrafshin gjuhësor dhe në rrafshin stilistik”3) . Ç’mund t’i japë studimi i mirëfilltë gjuhësor atij letrar e zbulojnë studimet për nënsistemet e gjuhës në ligjërimin e Naimit. Ndërtimi, fjala vjen, i një tipologjie leksiko-semantike të ligjërimit naimian do të jepte lëndën që futet në ato marrëdhënie asociative ose në struktura emocionuese, a të figurshme në krijimtarinë poetike të Naimit”.

Le të thuhet prandaj, se nëse tekstet e para për Naim Frashërin përfaqësojnë njëkohësisht dokumente të rëndësishme për jetën dhe kohën e tij, studimet për poetikën e gjuhës së veprave të tij nga Profesor Qosja, Lloshi, Thomai, Memisha, Vehbiu e ndonjë tjetër, përfaqësojnë arritjet më të mira dhe tekstet bazë prej të cilave mund të kurorëzohen studimet monografike.

 VIII. Edukatori i gjuhës shqipe

Në personalitetin e Naim Frashërit historiografia, gjuha dhe kultura shqiptare kanë parë para se gjithash edukatorin e kombit, të kujtimit të tij personal e kolektiv, edukatorin e gjuhës së bukur, të vjerëshërimit të bukur tingullor. Fjala është për tekstet e Sevasti Qiriazi Dakos, me titull Një pjekje me Naim Bej Frashërin; studimit mbi arsimin shqip të pedagogut Faik Ymeraj, me titull Mësimi i gjuhës shqipe në Vlorë, artikullit të profesorit Nexhat Abazi, me titull Naimi mbi vlerën edukative të gjuhës amnore, artikujve programatik të gjuhëtarit Qemal Murati, Naim Frashëri – poeti që krijoi gjuhën dhe Gjuhëpraruari i Frashërit; sintezës së madhe shkencore të filozofit Zija Xholi për iluminizmin, gjuhën shqipe dhe shkollën kombëtare, brenda të cilit përbërëset gjuhë dhe iluminizëm identifikohen qartazi: “Është e qartë se meritat e Naim Frashërit ndaj gjuhës shqipe janë të mëdha dhe të gjithanshme. Ai e shkroi atë dhe e bëri gjuhë të shkruar. Ai çeli shkollën kombëtare dhe e bëri atë gjuhë mësimi. Krijoi poezi dhe poema në gjuhën e bukur shqipe dhe hodhi themelet e gjuhës letrare të njësuar shqipe, atë gjuhë të shkruar që përdor edhe sot shkolla, letërsia, publicistika, shkenca dhe e gjithë kultura anë e mbanë vendit. Për rëndësinë e veçantë që ka gjuha letrare e njësuar shqipe ia vlen të ndalemi pak më gjerë. Në letrën dërguar De Radës, më 1881, Sami Frashëri midis të tjerash i shkruan për nevojën e një “gjuhe shqip të pandame e të njëjtë”, një gjuhë ku “gjithë dialektet do të gjenden të gjitha të bashkuara e të përziera”, me një fjalë, një gjuhë letrare të vetme e të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Mesazhin e Samiut, që ishte edhe mesazhi i epokës, e kapi Naimi dhe, si gjithnjë me intuitën e atdhetarit, me një ndriçim gjenial, diti të zbulojë në pasurinë e dialekteve të gjuhës shqipe atë që është e qëndrueshme, e qenësishme dhe e bukur në to dhe nëpërmjet tyre arriti në një gjuhë të vetme, në një gjuhë letrare të njësuar. Atë e dha në poezitë dhe në poemat e tij të mrekullueshme. Në to, gjuha shqipe e Naimit nuk flet, por këndon, rrjedh e bukur dhe e pastër, siç rrjedhin ujërat e kulluara të burimeve malore që ai u këndon me aq pasion dhe talent”.

Të kësaj natyre janë eseja e shkrimtarit të shquar Xhevahir Spahiu, për shpëtimtarin e shqipes, artikulli i Frymëzim Dautit për Naim Frashërin dhe gjuhën e bukur shqipe, studimi ynë mbi Naim Frashërin, engjëlli mbrojtës i gjuhës, identitetit dhe shkollës shqipe; dhe shënimi i shkrimtarit Agim Shehu, për gjuhën amtare në kontekst të kujtesës së Naim Frashërit. Cikli i këtyre teksteve për nga ana kronologjike mbyllet me trajtesën shumëplanëshe të gjuhëtarit dhe profesorit Nexhip Mërkuri, me titull Tingëllimi i bukur i fjalës naimiane në mijëvjeçarin e ri, të cilën e përmbyllë me një rezultat përkimi me studentët në fondin leksikor të Naim Frashërit, sipas të cilit: “Fondi i pasur i mjeteve gjuhësore që janë përdorur për formimin e fjalëve, termave – fjalë, tipat e ndryshëm të kompozitave janë aktive e prodhimtare dhe në gjuhën e sotme. Prandaj del e nevojshme që t’i kthehemi dhe t’i rikthehemi kësaj pasurie, fjalëve të ndërtuara me mjetet e shqipes dhe sipas natyrës së saj. Ka fjalë që jehojnë papritur, që duhen rivlerësuar e duhen futur në përdorim me këndvështrimin si pasuri kombëtare”.

Vëllimi mbyllet me dy dokumente të rralla, të cilat janë përgjigje për të gjitha ato që janë thënë për historinë e jetës së tij, të gjuhës së tij, të poetikës së tij, të stilit gjuhësor të tij, të misionit të tij, të mesazhit për të dhe sidomos për trashëgiminë që ka lënë. Fjala është për dy dokumente historike, me të cilat popullit shqiptar ia ka dhënë përgjigje kryeatit të tij të gjuhës, e këto janë dokumentet me të cilat ka kurorëzuar standardin më të lartë të gjuhës shqipe, një kërkesë e Naim Frashërit dhe rilindësve të tjerë për fatin e shqipes moderne sot. Janë sjellë të skanuara dokumenti i Delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Le të thuhet së fundi, se botimi i këtij korpusi paraqet një vlerë të madhe shkencore me interes shumëplanësh për lexuesit, prandaj presim që Akademitë tona ta përkrahin kurorëzimin e saj sa më parë, jo vetëm për Naim Frashërin po edhe për rilindësit e tjerë.

Prishtinë, mars 2023


[1]  Me qëllim referimi e njohjeje të botimeve të Naim Frashërit, me të cilat merren autorët e këtyre studimeve, por të referuara në botime të ndryshme, këtu po e sjellim të plotë bibliografinë e botimeve të para të veprave në gjuhën shqipe. 1886: Bagëti e Bujqësija. Bukuresht, 1886; 1886: E këndimit çunavet. Këndonjëtoreja. Copë e parë. Bukuresht 1886; 1886: E këndimit çunavet. Këndonjëtoreja. Copë e dytë. Bukuresht, 1886; 1886: Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para. Bukuresht, 1886; 1886: Vjersha për mësonjëtoret të para. Bukuresht, 1886; 1888: Dituritë për mësonjëtoret të para. Bukuresht, 1888; 1890: Luletë e Verësë. Bukuresht, 1890; 1894: Mësime. Bukuresht, 1894; 1894: Parajsa dhe fjala fluturake. (Bashkë me veprën Mësime), Bukuresht, 1894; 1895: Gjithësia. Bukuresht, 1895; 1896: Fletore e bektashinjët. Bukuresht, 1896; 1896: Iliadh’ e Omirit. Këngë e parë. Bukuresht, 1896; 1898: Istori e Skënderbeut. Bukuresht, 1898; 1898: Qerbelaja. Bukuresht, 1898; 1899: Istori e Shqipërisë. Sofje, 1899; 1902: Shqipëria. Vjershë, Sofje, 1902.

[2]  Prej Bibliografisë,  në të vërtetë prej Kronologjisë së shkrimeve për jetën dhe veprën e Naim Frashërit botuar në monografinë e Rexhep Qosjes, Porosia e madhe (Vepra e Naim Frashërit), Prishtinë, 1985, kuptojmë se artikujt e parë janë shkruar para vdekjes së tij, duke filluar me vitin 1898: Istori e Skënderbeut.(Shënim i shkurtër). Shqipëria (Bukuresht), 1.X.1898; 1898: Qerbelaja dhe Histori e Skënderbeut. (Shënime). Albania, nr. 3, 1898; 1899: Naim bei Frashëri. La Nazione Albanese (Catanzaro), 30.V.1899; 1900: Naim beg Frashëri. La Nazione Albanese, 31.X.1900; 1900: Vdekja e Naim Frashërit. Albania, nr. 11, 1900.

[3]  Prej tekstit të parë të vitit 1898 janë shkruar shumë artikuj, vepra e konferenca shkencore, ndërsa studimet, monografitë dhe konferencat më me ndikim, parë në kontekstin kronologjik janë: Konferenca Naim Frashërit. Vjershëtorit dh’edukatorit kombëtar. Kushtuar me rastin e mbushjes së 25 vjetëve pas vdekjes së tij. Graz 1925; Dhimitër S. Shuteriqi, Naim Frashëri. Histori e letërsisë shqipe për shkolla të mesme. Tiranë 1955; Naim  Frashëri. Në Historia e letërsisë shqipe II. Tiranë 1959; Jup Kastrati, Naimi për gjuhën shqipe. Shkodra, 1970; Jup Kastrati, Naimi për gjuhën shqipe. Studime filologjike, nr. 3, 1971; Naim Frashëri (Sesion shkencor), Tiranë, 1972; Seminari ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare (Sesioni shkencor për Naim Frashërin). Prishtinë nr. 5, 1979; Dhimitër S. Shuteriqi, Naim Frashëri. Jeta dhe vepra.Tiranë 1982; Rexhep Qosja, Porosia e madhe (Krijimtaria letrare e Naim Frashërit), Prishtinë, 1986.

Exit mobile version