U shua edhe një yll nga yllësia e shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë, poeti mallakastriot Xhevat Beqaraj, liriku i ëmbël dhe fin që në vargje vizatonte tablo të shumëngjyrëshme të natyrës, duke i parë ato me syrin e mrekulluar dhe naiv të fëmijëve, që i antropomorfizonte kafshët duke i shndërruar në personazhe të gjallë, që gjente harmoninë e përshtatshme për vjershat dhe poemat e tij, përmes një larmie metrash dhe rimash tingëlluese.
Që nga vëllimi i parë që u takon viteve gjashtëdhjetë, “Kam një harmonikë” (1965) e deri në “Rruazat e vesës” të vitit 2005, Xhevati kishte gjetur vetveten si poet të afërt me shpirtin e fëmijës që sillte në krijimtarinë poetike për të vegjëlit përvojën e vet si mësues, njohës i moshës fëmijërore. Veçse, ky autor nuk sillte aspak në shkrimet e veta frymën didaktike, përkundrazi aspektin e pastër fëmijëror të shpirtit të vet që u bënte të fliste fëmijëve pa u shtirur dhe duke komunikuar natyrshëm me ta. Xhevati kishte një individualitet krijues të spikatur që e dallonte ndër sivëllezërit shkrimtarë për fëmijë. Qe poet i detajit dhe i figurave (metafora, simboli, epitete) të thjeshta e befasuese, qe poeti i gjetjeve të goditura që e çudisin dhe e bëjnë të mendohet lexuesin e vogël. Qe poet i lirikave të shkurtëra dhe i poemave. Qe poet që dinte të ndërthurte imtësitë nga realiteti me elementin fantastik që përputhet me magjinë e vështrimit fëmijëror mbi botën, pra poet i vjershës përrallë dhe poemës përrallë.
Qe poet që dinte të vendoste dukuritë e përjetshme kozmike pranë dukurive të teknologjisë moderne. Xhevat Beqaraj e shtriu poezinë e vet në dy periudha, madje në dy shekuj, nga dyzetvjeçari i fundit i shekullit të njëzetë në fillimin e shekullit të njëzetenjëtë, duke e përtërirë vetveten nga vëllimi në vëllim dhe duke i qëndruar besnik thelbit të vet, botës së vet poetike. Ai diti të ishte i thjeshtë, pa rënë në atë thjeshtëzim që dëmtoi një pjesë të poezisë sonë për fëmijë, të shkruante një poezi të pasur me mesazhe, me vlera njohëse dhe edukuese, pa rënë kurrë në atë retorizëm apo didaktizëm që e largojnë instiktivisht fëmijën. Disa nga personazhet e tij kafshë të animizuara të mbeten në mendje, qofshin ato pozitivë si milingonat punëtore të poemës “Elefanti dhe milingonat”, mësuesja sorkadhe, e dashur dhe komunikuese me nxënësit, apo negativë si dhelpra e vjershës “Ku di qeni të lexojë”, dinakja që kapet në vetë lakun e dinakërisë së vet ose elefanti mëndjemadh që beson vetëm te forca fizike te “Elefanti dhe milingonat”, po mposhtet papritur nga guximi dhe mençuria e kundërshtarëve që ai i gjykon si të dobët. Gjithashtu të mbeten në mendje personazhe fëmijë si vogëlushja e dashur Keti që e animizon në mënyrë naive hënën dhe kërkon të gjejë mënyrën për ta shpëtuar se mos mbytet në pus, vogëlushja Dritë që hedh tullumbacen me figurën e maces dhe shqetësohet a do të fluturojë dot pa krahë, djali i vogël që bëhet merak për rosën që lahet në shi, Eneida e dashuruar pas natyrës, e mençur, po edhe naive, e tregimit në vargje “Çuditë e Eneidës”.
Poeti e rizbulon natyrën bashkë me fëmijët që janë personazhe ose bashkëbisedues në poezinë e tij. Ai poetizon edhe lodrat përmes të cilave fëmijët zbulojnë realitetin dhe aktivizohen, po edhe përpjekjet e tyre të para për dije në sferën e shkollës.
Një gjetje befasuese e autorit është shkolla për kafshë e shpezë që fillon në pranverë dhe jo në vjeshtë (“Nuk qeshin të gjithë”). Poeti i përdor personazhet kafshë të antropomorfizuara për të simbolizuar tipa të ndryshëm fëmijësh dhe marrëdhëniet e tyre me mësimin dhe mësuesit.
Një tipar i artit të Beqarajt është ndërthurja e lirizmit me humorin e këndshëm, dy çelësa për të hyrë në botën e lexuesit të vogël. Xhevati është një poet konçiz, një poet që sintetizon, një poet që gjen fjalën e duhur për të vizatuar portrete dhe tablo ose për të ndërtuar dialogë shprehës.
Xhevat Beqaraj bën pjesë ndër ata autorë që dëshmuan për thellësinë dhe nivelin e lartë estetik që mund të arrijë letërsia për fëmijë, e nënvlerësuar dhe e mënjanuar gjatë nga kritika jonë. Ndarja e tij nga jeta ka hapur një boshllëk që s’do të jetë e lehtë të mbushet.
Po trashëgimia letrare që ka lënë është një pasuri e paçmuar në thesarin e poezisë për fëmijë, në veçanti dhe tërë poezisë shqiptare në përgjithësi. Përmes saj poeti rron dhe do të vazhdojë të rrojë.
S’po i rikthehem metaforës së yllit që, siç dihet, edhe i shuar mund të rrezatojë dritë. Është një metaforë që ka humbur bukurinë e origjinës nga stërpërdorimi. Veçse drita e poezisë së Beqarajt shkëlqeu që në të gjallë të tij në dy periudhat krijuese në të cilat u zhvillua dhe i arriti lexuesit fëmijë dhe të rritur, gjithnjë origjinale, gjithnjë e freskët dhe e gjallë.
Jemi të bindur që kjo poezi do t’u arrijë edhe brezave të tjerë.