Kreu Letërsi Shënime mbi libra Anxhela Pashaj: Mbi tregimin “Gjenerali” nga Primo Shllaku

Anxhela Pashaj: Mbi tregimin “Gjenerali” nga Primo Shllaku

“Acaroheshin marrëdhaniet me fqinjët, me traktatin, me blloqet kundërshtare dhe unë lulëzoja nga shpresat e ringjalluna se ma në fund do të kisha shansin e nji beteje, do të provohesha si ushtarak dhe mbase edhe do të vdisja edhe unë. Mbase…Sigurisht që do të vdisja edhe unë. Ky asht profesioni ynë me vra dhe me u vra.”

Tregimi  “Gjenerali” nga autori Primo Shllaku, i cili gjendet në përmbledhjen me tregime “Nata e qejve”, botuar nga Onufri sjell në vëmendjen e lexuesit kotësinë e jetës së një ushtaraku në një kohë kur mungon lufta. “Gjenerali” i Shllakut është një burrë i shkuar në moshë, i cili endet parqeve të një qyteti të paemër ku e kalon kohën duke vrojtuar lojën e shahut të disa bashkëmoshatarëve të tij. Ata lëvizin gurët mbi fushën e shahut ndërsa Gjenerali njëjtë si personazhi i Cvajg luan një lojë tjetër në kokën e tij, lojën e paluajtur ende. Megjithatë, duhet dyshuar në lojën e luajtur në mendjen e gjeneralit, a është një lojë shahu apo një lojë ushtarake?

Një gjeneral fjalëpak, i cili ka shpresuar gjithë jetën luftën, betejën e madhe që do ta ndihmojë të  tregojë zotësinë, talentin e tij. Betejën që do ta rritë mes ushtarakëve të tjerë dhe do ta bëjë të mundur qëndrimin krenar para komandantit të tij. Një personazh që të kujton Xhiovani Drogon e Dino Buzzatit  te “Shkretëtira e tartarëve”.  Të dy janë në pritje, njëri në pritje të armikut ndërsa tjetri në pritje të urdhërit të komandantit për një vërshim brutal ndaj armikut, që as këtu nuk duket në ndonjë anë të horizontit. Edhe pse pritja e tyre është e ngjashme, tharmi i tyre është shumë i ndryshëm.

Primo Shllaku sjell një gjeneral që është në kërkim të kuptimit të jetës, ekzistencës së tij. Një gjeneral që nuk ka qenë ndonjëherë në luftë, ama lufta është specialiteti i tij. Një gjeneral që është në pritje të një urdhëri, i cili nuk vjen kurrë. Një gjeneral në kërkim të një komandanti, i cili në mungesë nis të fantazohet prej tij. Një gjeneral që ka bërë disa gjëra jo të këndshme për disa emra të përveçëm, sikurse shprehet ai. Një gjeneral që e mundon e shkuara, por edhe e ardhmja. Një gjeneral që ka humbur prekjen me realitetin ku jeton dhe ia ka nisur të vdes heroikisht në mendjen dhe fantazinë e tij.

 Ky gjeneral të ngjall mëshirë kur e sheh të ulur në qoshet e parqeve dhe lulishteve, të humbur në mendimet e tij, njëkohësisht të bën edhe kureshtar. A të jenë të vërteta ato që ai rrëfen në kohën e përhumbjes së tij mendore? Deri ku mund të shkojë vetëmohimi i një ushtaraku për hir të dashurisë për atdheun?

Ky gjeneral tashmë është në pension, gjithë çka mund të bënte në jetën e tij ushtarake ka shkuar, ka humbur. Ai nuk ka pse të pres më për betejën e madhe, për vdekjen e lavdishme. Kjo në të tashmen e tij është e pamundur për t’u arritur. Narratori i këtij tregimi na ofron copëza  pasazhesh nga jeta e Gjeneralit, i cili nuk ka një emër të përveçëm. Ai është një gjeneral si çdo ushtarak tjetër në kohë paqe. Një personazh, të cilit nuk ja ndiejmë freskinë e rinisë edhe kur lundron nëpër kujtime, por vetëm rënimin e brendshëm shpirtëror. Ndihet si një degëz e thatë në dorë që po ta shtrëngosh pak mund të thyehet e copëtohet në çikërima të panumërta. Pikërisht këto e dallojnë mjaft nga personazhi i Drogos, i ri, i fuqishëm, me ambicje dhe pritshmëri, i duhet të kalitë durimin sepse armiku i tij është atje në distancë, thjeshtë duhet ta pres atë. Koha e pritjes është tejskajshmërisht më e madhe se segmenti jetës së një njeriu. Drogo nuk vuan vetëm pritjen, por edhe pasigurinë nëse është një armik në anë tjetër, nëse ai ekziston apo jo. Kur armiku duket në distancë, Drogo është i rënuar nga jeta dhe pritja aq sa nuk mund t’i jepet më mundësia e një vdekje të lavdishme dhe me kuptim sipas botëkuptimit ushtarak. Gjenerali i Shllakut nuk shfaqet në këtë lloj gjendje. A ka qenë në jetën e vet në një gjendje të tillë? Medoemos që po, por makthet që e torturojnë atë janë aq të fuqishme sa për të tronditur shpirtin e cilitdo lexues.

 Në atë gjendjen e përhumbur Gjenerali zbulon një copëz të së shkuarës së tij, ku ai na tregon se si ka lejuar komandantin të hyjë në dhomën e nuses së djalit dhe se si kjo ka ndikuar në  ndërprerjen e marrëdhënieve me të birin. Një zakon i shëmtuar primatësh (kujtojmë rastet e kohëve të harruara kur i pari i fisit ishte ai që shkonte për herë të parë me nusen e sapo martuar) që nuk pritet mes radhëve ushtarake shokon lexuesin dhe provokon dyshim për moralin e atyre që supozohen të mbrojnë atdheun. Një shëmti që nuk mund të arsyetohet sepse është e parsyetueshme.

E bëra nga dashuria për atdheun dhe për ndonjë emër të përveçëm.

Ky është gjithë arsyetimi që Gjenerali i lë lexuesit për aktin e tij. Dashuria për atdheun dhe ndonjë emër i përveçëm. A nuk merr atdheu mjaftueshëm prej ushtarakëve që të kërkojë edhe jetën dhe paqen e të dashurve të tyre? Po këta emra të përveçëm? A janë detyrues ndaj ushtarakëve apo thjesht adhurohen? Vetë uniforma ushtarake e detyron gjeneralin, ushtarakun të ndjek verbërisht çdo urdhër, kërkesë që vjen nga hiearkitë më të larta, por edhe rebelimi ndër ushtarakët është thuajse i pa qenë. Ata binden, nuk dyshojnë. Mirëpo, në këtë rast Gjenerali nuk është brenda radhëve ushtarake dhe i duhet të bindet. Ai është jashtë këtyre radhëve, strukturave dhe nuk është më një gjeneral, por një baba. Na lihet të mendojmë se ky gjeneral është i dështuar si baba. Një baba nuk mund të vendos në tavolinën e lojës edhe birin e vet, cilido qoftë haraxhi i mosbindjes. 

Po narratori, një i ri që e ndjek me sy nëpër park Gjeneralin, e thellon absurditetin e mendësisë së tij edhe më tej, kur kallëzon se Gjenerali ndihet i fyer nga i biri, i cili i thotë, citojmë këtu “Ju ushtarakët jeni qyla të mëdhenj, asnji punë nuk bani, stërviteni dhe mbani trupin në formë, merrni rroga të majme dhe nuk keni asnji gërvishtje në trup të marrë në luftë a betejë, sepse po vdisni pa qitë nji herë tamam si në betejë.” – kjo fyerje që ai ndien dëshmon krenarinë që ka për mbajtjen e uniformës ushtarake, të qenit gjeneral.

Gjenerali nuk vetëdijësohet se fjalët e të birit janë mllefi i mbledhur në zemrën e tij për pa aftësinë e këtij burri për të qenë baba, të cilat njëkohësisht kumbojnë edhe të vërtetën që jeton Gjenerali. Nuk ka luftë, nuk ka pse duhet një gjeneral, nuk ka pse shpenzohet për diçka që nuk është aty. 

“Qyla, të padobishëm, frikacakë, parazitë” kështu e vazhdon “fyerjen” e tij i biri. Ironikisht këto mbeten në fuqi si të vërteta dhe Gjenerali duhet t’i ketë dëgjuar edhe nga të tjerë përveç se prej birit të tij, ndaj tregon “Ai nuk e dinte se kisha kaq e kaq vjet që kërkoja të vdisja, por ata prej të cilëve na merrnim urdhëra, nuk po hapnin luftë me askënd.” Këtu gjenerali u hedh dritë maktheve të veta, ai ka kohë që ka vdekur së brendshmi, rron vetëm si trup dhe do që t’i jap fund edhe kësaj forme të të qenit gjallë. Ai nuk ka qenë në jetën e tij as burrë, as baba, as ushtarak i denjë. E gjithë jeta e tij ka qenë pluhur që mund ta shkundësh duarëve. Vetëm në këtë rast Gjenerali arrin të shprehë dëshpërimin e tij, mllefin e madh që ka ndaj atyre që merr urdhëra. Për pak sekonda ai e flak tej uniformën e gjeneralit dhe bëhet njësh si gjithë vdekatarët e tjerë, një njeri i revoltuar.

Pavarsisht këtij reflektimi fare të vogël, Gjenerali shumë shpejt i kthehet arenës së tij të përhumbjes dhe ëndërrimit. E ëndërron vdekjen heroike, e dëshiron fundin e vet të jetë në fushëbeteje. Po ashtu si Drogo i Buzzatit që vdes në shtrat, larg luftës, ashtu do të gjykohet të jetë edhe fundi i Gjeneralit tonë, në shtratin e paqes, por deri sa ky moment të vij atij do t’i duhet të vdes me mijëra herë në kokën e tij, ashtu lavdishëm.

Exit mobile version