1
Tablotë kushtuar qëndresës arbërore, përbëjnë një koleksion të madh veprash arti të realizuara nga disa prej autorëve më të njohur europianë midis shekujve XVI-XIX. Pjesa më e madhe prej tyre i kushtohet figurës së Gjergj Kastriotit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Në këtë studim po ndalemi në atë pjesë të koleksonit që merr fill nga rrethimi i Shkodrës dhe disa vite më pas. Grupimin e parë të kësaj ndarjeje e kryeson afresku i mjeshtrit Paolo Veronese dhe disa punime të tjera që i kemi paraqitur në një studim të mëparshëm.
Brenda këtij grupimi përfshihen edhe disa tablo, vizatime dhe gravura që nuk janë paraqitur në studimin e sipërpëmendur. Gati 100 vjet më pas nga krijimi i Andrea Zucchi-t me këtë temë, që ruhet në fondin e Muzeun Britanik në Londër, më 1820 piktori Antonio Lanzani ka gdhendur gravurën me titullin Mbrojtja e Shkodrës (La difesa di Scutari). Në këndvështrimin e parë imazhi i saj të kujton relievin e vendosur te Shkolla e Shqiptarëve në Venecia, ku pushtuesit paraqiten në plan të parë dhe mbrojtësit më pas, por më lart. Në gravurën e Lanzani-t ka më shumë personazhe. Ndryshe nga imazhet e qeta që duken te relievi, figurat e armiqve këtu paraqiten duke sulmuar. Tabloja pasqyron një nga betejat e egra të asaj kohe. Mbrojtja nga kështjellarët sipër bedenave duket e fuqishme dhe e sigurt. Muret e larta të kalasë, në këtë rast të Rozafës në Shkodër, janë paraqitur aq të forta dhe të pacenueshme, sa imazhi i tyre solid na bën t’i shohim edhe më të shtrembëruar ushtarët pushtues, madje jo vetëm të vrarët dhe të plagosurit në plan të parë, por edhe kalorësit e tjerë që po afrohen.

Museo Civico, Treviso, Itali
Rreth katër shekuj pas rrethimit të Shkodrës, midis viteve 1845-1847 është krijuar piktura në përmasa të mëdha me këtë motiv. Titullohet Antonio Loredan dhe rrethimi i Shkodrës (Antonio Loredan e l’assedio di Scutari/ siege of Scutari). I takon piktorit italian Vincenzo Giacomelli, i njohur për trajtimin e temave historike. Në të njëjtën periudhë kur realizoi tablonë për Shkodrën, Giacomelli ka pikturuar edhe një cikël prej gjashtë pikturash kushtuar mbrojtjes së qytetit të Venecias nga sulmet e ushtrisë austriake. Pikturimi në vitin 1848 i tablosë Rrethimi i Shkodrës, pra rikujtimi i qëndresës heroike në Kështjellën e Rozafës gjatë shekullit XV, pikërisht në atë vit kur në Venecia po luftohej kundër pushtimit austriak, është një analogji e qartë midis të dyja ngjarjeve, respekt dhe homazh ndaj luftëtarëve të lirisë. Vetë artisti Giacomelli ka marrë pjesë në luftimet për mbrojtjen e Venecias në vitin 1848, si toger i Gardës Kombëtare Veneciane.
Një nga personazhet kryesore në plan të parë të tablosë së Giacomelli-t për Shkodrën ngjan me Skënderbeun. Pikturimi i heroit kombëtar në ngjarjen e vitit 1479 (ndërkohë që ai realisht kishte vdekur më 1468, pra 11 vjet para ngjarjes së paraqitur në tablo) mendoj se në këtë rast është si simbol i qëndresës disavjeçare të shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Pikturime të imazhit të Gjergj Kastriotit gjenden edhe në tablo të autorëve të tjerë të kësaj periudhe1. Vepra e Vincenzo Giacomelli-t kushtuar rrethimit të Shkodrëska shumë personazhe: luftëtarë, gra me fëmijë, banorë të plagosur. Përmes karaktereve të ndryshme, aty shprehet qëndresa e luftëtarëve, si dhe mundimi dhe vuajtjet e banorëve në ditët e fundit të atij rrethimi. Origjinali i kësaj pikture ruhet në Muzeun Civico në Treviso të Italisë.
Nga mesi i periudhës midis viteve 1845-1860, në kohën kur piktorët Giacomelli dhe Gatteri krijuan veprat e tyre në Venecia për të rikujtuar qëndresën e shkodranëve gjatë shekullit XV, në Kalanë e Rozafës kishte ardhur për të pikturuar Richard Woodville, një nga mjeshtërit më të njohur të Britanisë. Pikërisht në vitin 1885 ai realizoi gravurën Në kështjellën e Shkodrës, Shqipëri (On the Castle at Scutari, Albania) dhe e botoi në revistën The Illustrated London News. Në një gravurë tjetër ka paraqitur disa gra në Kalanë e Rozafës, që sipas një riti tradicional hedhin lule në nderim të Skënderbeut. Imazhe nga Kalaja e Shkodrës dhe adhurimi i shqiptarëve ndaj Gjergj Kastriotit pasqyrohen edhe në disa krijime të tjera të këtij piktori. Gjatë pikturimeve në Shqipëri si korrespondent i revistës së njohur londineze, Woodville realizoi dhjetëra vizatime, gravura, akuarele dhe tablo me ngjyra vaji kushtuar shqiptarëve.
Për mbrojtjen e Shkodrës janë krijuar edhe vepra të tjera që u përkasin viteve të mëvonshme. Autori i tablosë së njohur Gratë shqiptare luftojnë përkrah burrave në mbrojtje të vendit të tyre, A. Bianchini, ka pikturuar një skenë nga betejat e viteve 1912-1913. Ndërsa piktori Edmondo Abbo përmes akuareleve të tij paraqet skena nga luftimet e ashpra gjatë rrethimit të Kalasë së Rozafës dhe një grup shqiptarësh të armatosur që vëzhgojnë lëvizjet e armikut nga malet pranë qytetit. Akuarelet janë riprodhuar në kopertinat e revistës La Tribuna Illustrata që botohej në Romë. Të kësaj periudhe janë edhe një numër i madh vizatimesh, ilustrimesh, gravurash dhe litografi nga autorë të ndryshëm europianë. Ekziston gjithashtu edhe një cikël karikaturash, ku demaskohen qëllimet, ndërhyrjet dhe veprimet luftarake të shteteve shoviniste për pushtimin e Shkodrës, si dhe dështimi dhe dëbimi i tyre nga muret e Kështjellës së Rozafës. Pjesa më e madhe e këtyre krijimeve u botuan në disa prej gazetave dhe revistave të njohura të kohës, si Kikeriki, Die Muskete, Le Monde illustré, Wiener Caricaturen, Simplicissimus, The Punch, Illustrirte Zeitung etj.
2
T’ikunit e Zojës së Shkodrës është një nga pikturat e hershme të mjeshtrit Kol Idromeno. Mbështetur në legjendën e moçme, ai paraqet fluturimin e ikonës Virgjëresha me fëmijën nga kisha në rrëzë të Kalasë së Rozafës drejt Italisë, në vitin 1467, pikërisht në kohën kur ushtritë osmane po dyndeshin për pushtimit e plotë të Arbërisë. Sipas legjendës, ikona Zoja e Shkodrës arriti në qytezën Genazzano, pranë Romës, më 25 prill të vitit 1467 dhe u vendos në altarin e Kishës Madre del Buon Consiglio.
Lule nga Kalaja e Shkodrës, në nderim të heroit të Shqipërisë, Scanderbeg, The Illustrated London News, August 18, London, 1906
Lule nga Kalaja e Shkodrës, në nderim të heroit të Shqipërisë, Scanderbeg, The Illustrated London News, August 18, London, 1906
Në vendin ku mbërriti ikona, në Itali, janë realizuar dy nga tablotë më të bukura kushtuar kësaj legjende. Nisja i afreskut nga Shqipëria dhe Mbërritja e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, të pikturuara nga Prospero Piatti, e krijojnë më të plotë përfytyrimin e të gjithë legjendës, nga fillimi i udhëtimit midis dy brigjeve të Adriatikut, deri te zbritja e ikonës pranë faltores në Genazzano. Në tablonë e dytë, ikona e ardhur nga Shqipëria, e rrethuar me figurat e engjëjve midis reve të bardha, ka pushtuar të gjithë horizontin duke tërhequr vëmendjen e banorëve të qytezës, të cilët shohin të habitur zbritjen e saj pranë Kishës Madre del Buon Consiglio. Para kësaj pikture të vjen ndër mend edhe fundi i legjendës, ku thuhet se në mbrëmjen e 25 prillit të vitit 1467 ikona e Zojës së Këshillit të Mirë u shfaq në qiell si një rrufe që çan tisin e natës për t’u vendosur në murin e ri të ngrehinës së kishës së sapondërtuar në Genazzano2. Duke e parë legjendën nga këndvështrimi i besimtarëve në vendin pritës, piktori Piatti e ka paraqitur si një triumf hyjnor mbërritjen e Zojës së Shkodrës në Itali, si shpëtim të saj nga rreziku i shkatërrimit prej pushtueseve otomanë.
Ndërkohë, çastin e largimit nga Shqipëria të ikonës Idromeno e ka pikturuar duke pasur parasysh edhe dëshpërimin e bashkëqytetarëve të tij. Në një intervistë të vitit 1910 mjeshtri është shprehur se me largimin e ikonës “trishtimi mbuloi gjithë Arbërinë dhe tërë Shkodra ra në zi”.Gjatë pikturimit të plotë të tablosë, për të kapërcyer dëshpërimin e atyre që mendonin se largimi i ikonës do të ishte fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhte qytetit të tyre; se do t’u mungonte bekimi i saj që u jepte shpresë për të jetuar, zemër për të luftuar apo sy për të ëndërruar, Idromeno shprehet se “Zoja e Këshillit të Mirë, Zoja e Shkodrës, kishte pasur një motiv të fortë dhe bindës për të kaluar në anën tjetër të Adriatikut. Në fund të fundit, a nuk kishte ikur Zoja e Shkodrës nga kisha e Shën Mërisë në kishën e Genazzano-s në Itali për t’i mbrojtur, që të ruanin për atë të njëjtin përfytyrim dhe të njëjtin adhurim që kishin pasur etërit, gjyshërit, stërgjyshërit dhe katragjyshërit e tyre për shekuj me radhë? Cili nga qytetarët shkodranë do të duronte dhe do të pranonte që afresku i Shën Mërisë me Jezusin fëmijë të përçudnohej, të dhunohej, të merrte plagët e ushtave e të thikave dhe sytë e Shën Mërisë të kullonin gjak nga fyerja dhe poshtërimi?”3
Siç shprehet në vazhdim të intervistës së mësipërme, mjeshtri ynë, para se të rikrijonte imazhin e ikonës Zoja e Shkodrës për Katedralen si dhe të pikturonte tablonë që paraqet largimin e vitit 1467, ishte njohur me pikturat e Prospero Piatti-t. Kjo kuptohet qartë edhe nga ngjashmëria në kompozimin midis tablove Nisja i afreskut nga Shqipëria (nga P. Piatti) dhe T’ikunit e Zojës së Shkodrës (nga K. Idromeno). Dallimi qëndron në stilin e pikturimit dhe në këndvështrimin e legjendës. Në përcjelljen e ikonës drejt Italisë, krahas dy adhuruesve shkodranë që e ndjekin nga poshtë, bien në sy pesë engjëj që e mbajnë me kujdesin engjëllor. Mjedisi natyror mbas dy figurave që po ndjekin udhëtimin e Zojës së Shkodrës në pikturimin e Idromenos paraqitet më pranë realitetit. Aty jepen imazhe të sakta të Kalasë së Rozafës dhe i të gjithë mjedisit rreth e qark. Në pjesën fundore duket qartë ndërtesa e kishës ku ndodhej ikona, si dhe shtëpitë me kopshte të gjelbëruara midis Drinit dhe Bunës. Është një imazh i bukur piktorik që i ka munguar artit shqiptar të asaj kohe, një peizazh real i Shkodrës para vitit 1910.
Muzeu Diocezan, Shkodër
Nga piktorët europianë janë realizuar gjithashtu edhe disa vepra të tjera me motivin e largimit të Zojës së Shkodrës. Tabloja e piktorit Giovanni Antonio Catani është një nga krijimet e shekullit XVIII. Punimet e tjera kryesisht janë vizatime, gravura dhe litografi që u përdorën për ilustrimin e librave kushtuar kësaj legjende. Ndër më të njohurat janë gravurat e piktorit austriak Franz Leopold Schmittner. Vizatimet e tij, të gdhendura në bakër, janë gjithashtu ndër krijimet më të hershme me këtë temë. I takojnë vitit 1756, pra rreth 100 vjet më herët se tablotë e mësipërme. Gravurat e Schmittner-it u përdorën për të ilustruar një nga botimet e hershme austriake kushtuar largimit të ikonës nga Shkodra në Genazzano4.
Krijimet e mësipërme të Idromenos, Piatti-t, Catani-t, Schmittner-it dhe ato të autorëve të tjerë kushtuar Zojës së Shkodrës mund të cilësohen si imazhet pararendëse të tablove dhe gravurave kushtuar luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës në vitin 1479. Betejat e atyre ditëve u zhvilluan edhe pranë kishës, aty ku dikur ndodhej ikona Virgjëresha me fëmijën, si dhe në pjesën e sipërme të kodrës shkëmbore, rreth mureve të larta të Kalasë së Rozafës.
3
Në Milano gjendet vepra më e veçantë nga të gjitha krijimet e deritanishme me temë arbërore. Një altar i vendosur në katedralen më të madhe të Italisë, në Duomo, i kushtohet shqiptarit Aleks Tarketa. Si një prej ushtarakëve më të aftë të kohës, Tarketa arriti të jetë në krye të gardës që mbronte Dukën e Milanos Francesco Sforza. Në nderim të tij, vetë Duka porositi altarin kushtuar kapedanit shqiptar, që u quajt Monumenti Tarketa (Monumento Tarchetta).
Altari u vendos në Duomo të Milanos në vitin 1480. Në qendër të tij është gdhendur relievi Virgjëresha me fëmijën. Një vit para se të ngrihej ky monument, më 1479, kur në atdheun e kapedanit Tarketa sapo ra Kalaja e Rozafës, të gjitha trojet u pushtuan nga osmanët dhe shumë arbërorë të tjerë emigruan drejt brigjeve italiane. Jehona e këtyre ngjarjeve kishte mbërritur edhe në Itali. Vendosja e Virgjëreshës në pjesën qendrore të altarit, që të sjell ndër mend Zojën e Këshillit të Mirë, Zojën e Shkodrës që fluturoi nga Shqipëria për në Itali, duket si një bekim për të gjithë bashkatdhetarët e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut që morën rrugën e emigrimit drejt Italisë. Vetë Tarketa ka shkruar për largimin e tij nga Shqipëria.
Rreth realizimit të altarit është përmendur edhe fakti se skulptori Giovanni Amadeo, i porositur për ngritjen e altarit, para se të fillonte gdhendjet në mermer ia ka paraqitur skicat dhe vizatimet e tij Tarketës5. Kjo na bën të mendojmë se vendosja e imazhit të Shën Mërisë brenda altarit ka qenë zgjedhje e kapedanit shqiptar. Edhe në vargjet e shkruara nga Tarketa, të gdhendura pranë altarit, shprehet adhurimi i tij ndaj asaj ikone.
Nga kërkimet në Koleksionin Artistik të Kështjellës Sforza në Muzeun e Arteve Antike si dhe në Koleksionin e Grafikave dhe Fotografive të Kabinetit të Vizatimeve në Milano na krijohet më e qartë dhe më e plotë puna parapërgatitore për realizimin e altarit. Kështu, krahas Monumentit Tarchetta brenda Katedrales Duomo, në koleksionet e mësipërme gjendet vizatimi origjinal Virgjëresha me fëmijën i Marchesi-t që u përdor për gdhendjen e relievit, si dhe dy fragmente nga relievet e hershme që ishin krijuar për t’u vendosur në të dyja niket e vogla anësore. Aty ruhet gjithashtu edhe një pllakë drejtkëndëshe mermeri ku janë gdhendur fjalët e tekstit poetik për Virgjëreshën Mari nga Alessio Tarchetta, i njohur si Albanese.
Altari që ekziston tani në Duomo është rikrijuar në vitin 1835 nga skulptori i njohur Pompeo Marchesi. Siç shkruhet në guidën e plotë të Katedrales6, për realizimin e saj Marchesi është mbështetur në një nga skulpturat e Amadeo-s. Në të dyja niket e vogla anësore brenda altarit qëndrojnë statuetat e S. Giovanni Battista-s dhe S. Giovanni Evangelista-s të skulptorit Monti di Ravenna. Ndërsa në dy pllaka të veçanta, të vendosura në të dyja anët e altarit, janë gdhendur fjalët për Virgjëreshën dhe për kapedanin Tarketa, të cilit i është kushtuar monumenti. Nisur nga origjina e kapedanit, kjo vepër përmendet edhe me titullin Altari shqiptar.
Ndonëse kanë kaluar 545 vjet prej ditës kur u ngrit për herë të parë, si dhe 190 vjet nga koha kur u rimodelua prej skulptorit Marchesi, altari i quajtur Monumento Tarchetta në Duomo mbetet një nga nderimet më të mëdha që i është bërë një arbërori në ato vite, si dhe vepra më e vizitueshme midis të gjitha krijimeve me temë arbërore, nga kohët më të hershme deri në ditët e sotme.
* * *
Siç del nga përshkrimet e mësipërme, veprat kushtuar betejave në Kështjellën e Rozafës, fluturimit të Zojës së Shkodrës drejt Italisë si dhe altarit shqiptar në Milano, të realizuara nga disa autorë të shquar europianë, i bëjnë jehonë të përjetshme botës arbërore gjatë shekullit XV. Ato dëshmojnë gjithashtu për lidhjet e ngushta midis shqiptarëve dhe italianëve në të dyja anët e Adriatikut. Që nga koha e realizimit, këto punime artistike vazhdojnë të soditen nga vizitorë të shumtë në disa prej muzeve dhe galerive më të rëndësishme të Europës. Përveç Pallatit të Dozhëve në Venecia, ku është pikturuar afresku nga Veronese, veprat e tjera ndodhen në Muzeun Ashmolean të Oksfordit, në Muzeun Britanik në Londër, në Katedralen Duomo të Milanos, në fasadën e Scuola degli Albanesi në Venecia, brenda Kishës Madre del Buon Consiglio në Genazzano, te Galeria Mesta në Bratislavë të Sllovakisë, në Muzeun Civico në Treviso, si dhe në koleksione të ndryshme në Itali, Angli dhe nëpër vende të tjera.
Bibliografi:
1. Nadin, L.: Figura e Skënderbeut në jetën kulturore dhe artistike të Venedikut, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2018
2. Fjalët e fundit të legjendës në këtë artikull janë perifrazuar nga libri i Italo Sarro-s, Zoja e Këshillit të Mirë. Historia e një shtegtimi të jashtëzakonshëm, përkthyer nga Arben Ndreca, Onufri, 2017, f. 24.
3. Isaj, K.: Udhëtimi i mbramë i Helene dhe Eugene Pittard në Shqipëri – Në gjurmët e krijimit të Kryqit të Kuq Shqiptar në Gjenevë, botues Les Livres Rama, Tiranë, 2023, f. 33.
4. Sipas artikullit të Pjetër Logarecit, gravurat janë botuar si ilustrim i librit Sittliche Erwegungen von Übertragung der wunderreichen Bildnuß Marie von guten Rat, aus Albanien nach Genazzano, Vjenë, 1756. Logareci, P.: Zoja e Shkodrës në arkivat austriakë,Konica, Tiranë, 10 dhjetor 2018.
5. Studiuesi Ilia Karanxha, mbështetur në Società Storia Lombarda, Giovanni Antonio Amadeo “Documenti/ I documents” Ed. New Press, 1989, f. 114, doc. 49, ka shkruar: “Me kërkesën e A. Tarketës, G. A. Amadeo paraqiti vizatimet për ngritjen e monumentit, të cilat mbajnë datën 9 nëntor 1478.” Karanxha, S. I.: Barleti apo Biçikemi. Tiranë, 2010, f. 89.
6. Duomo di Milano, a cura di Ernesto Brivio. Veneranda Fabbrica del Duomo di Milano, Milano, 1989, f. 126-127. Në këtë botim shkruhet: “Quanto restò del quattrocentotesco monumento, fato erigere da Francesco Sforza nel 1480 in memoria del proprio capitano, l’albanese Alessandro Tarchetta, fu sommariamente ricomposto da Pompeo Marchesi nel 1835.”