Kreu Arte pamore Pablo Pikaso u nderua me Çmimin “Lenin”. Për çfarë?

Pablo Pikaso u nderua me Çmimin “Lenin”. Për çfarë?

1. Koleksionistët

Veprat e Pikasos në shtëpinë e Shçukinit. Në vitin 1908, në atelienë e Pikasos erdhi Anri Matisi — dhe me vete solli një blerës rus. Ai zgjodhi dy piktura, mes tyre edhe “Mbretëresha Izabo”, dhe pagoi bujarisht për to.

Për artistin, i cili në atë kohë jetonte në varfëri të skajshme, shfaqja e Sergej Shçukinit (pikërisht ai ishte) u bë shpëtim. Brenda gjashtë vitesh, mecenati rus bleu më shumë se 50 vepra të Pikasos nga periudha kubiste, si edhe nga periudhat “rozë” dhe “blu”, përfshirë “Gruaja me ventilator” dhe “Adhuruesja e absintit”. Në fakt, kjo ishte përmbledhja më e madhe e pikturave të artistit në botë.

Për krijimtarinë e tij u interesua edhe një koleksionist tjetër i njohur rus — Ivan Morozov. Ai bleu dy piktura të jashtëzakonshme: “Vajza mbi top” dhe “Arlekin dhe shoqja e tij”.

Pas revolucionit, koleksionet e Shçukinit dhe Morozovit u shtetëzuan dhe mbi bazën e tyre u krijua Muzeu i Artit të Ri Perëndimor. Ai funksionoi deri në vitin 1948, pas së cilës koleksioni u nda midis Muzeut Pushkin dhe Ermitazhit.

2. Monografia “Pikaso dhe rrethinat. Me dymbëdhjetë gravura mezzotinto nga pikturat e mjeshtrit.” 1917.

Monografia e parë në botë për artistin u botua në Rusi që në vitin 1917.

Poeti dhe kritiku Ivan Aksjonov, pjesëmarrës i grupimit futurist “Centrifuga”, në veprën e tij “Pikaso dhe rrethinat”, sipas shprehjes së vet, donte të paralajmëronte se çfarë nuk duhej kërkuar në krijimtarinë e spanjollit dhe si duhej parë puna e tij.

Me shumë gjasa, pak para fillimit të Luftës së Parë Botërore, Aksjonovi kishte qenë në Paris dhe ishte njohur me artistin, ose kishte marrë njohuri nga avangardistja Aleksandra Ekster (ajo, meqë ra fjala, realizoi kopertinën e librit të tij), e cila jetonte në Paris dhe njihte mirë nuancat e kritikës artistike vendase.

3. Nxënësit Vladimir Tatlin.

Avangardistët rusë e admironin krijimtarinë e Pikasos, megjithëse mund ta adhuronin vetëm nga larg — spanjolli ishte një figurë pothuajse e paarritshme.

Por çfarë do të thotë fjala “jo” kur bëhet fjalë për artin?

Artisti Vladimir Tatlin në vitin 1914 u nis për në Berlin — në një ekspozitë të artit rus ai luante në një ansambël banduristësh, por ky nuk ishte qëllimi i tij kryesor. Tatlini ëndërronte Parisin dhe një takim me idhullin e tij.

Kjo iu realizua: sipas një versioni, falë Mark Shagalit; sipas një tjetri — falë zgjuarsisë së vet. Tatlini, i veshur me rroba sa më të spikatura, u vendos me bandurën e tij pranë studios së Pikasos. Ai tërhoqi vëmendjen e mjeshtrit, i cili e ftoi të pozonte.

Sapo spanjolli doli nga dhoma, Tatlini u hodh menjëherë të vizatonte atë që shihte përreth. Por pronari i shtëpisë u kthye shpejt dhe e përzuri menjëherë “modelin”.

Ekzistojnë edhe versione të tjera të ngjarjes: Tatlini e admironte aq shumë Pikasos, sa që gjatë takimit i ofroi menjëherë veten si shërbëtor — vetëm për të pasur mundësinë të zbulonte sekretin e gjeniut të tij.

Sido që të ketë ndodhur, Pikason ai e konsideronte mësuesin e vet dhe, pas udhëtimit në Paris, u përqendrua në krijimin e kundërrelieveve.

4. Baleti. Kostume sipas skicave të Pikasos për baletin e Djagilevit, 1917.

Në pranverën e vitit 1917, në teatrin parizian “Châtelet”, Baleti Rus i Sergej Djagilevit dha premierën. Impresarioja i famshëm këtë herë vendosi të bashkonte pikturën, baletin dhe poezinë — baleti njëaktësh “Parada”, bazuar në poezitë e Zhan Koktos, u krijua nga koreografi Leonid Mjasin dhe kompozitori Erik Sati, ndërsa dekoret, kostumet dhe perdja me motive cirku u konceptuan nga Pablo Pikaso.

Rezultati i tejkaloi të gjitha pritshmëritë: në vend të tutuve klasike të baletit, artistët mbanin kostume voluminoze prej papier-mâché, druri dhe metali — aq të papërshtatshme sa lëvizjet e tyre dukeshin mekanike dhe të ngurta.

Në sfondin kubist, valltarët shndërroheshin në fragmente lëvizëse të një kolazhi. Kështu, për herë të parë, kubizmi doli në skenën teatrale, ndërsa vetë “Parada” u bë një nga shfaqjet e para të surrealizmit.

5. Kompozitori Stravinski në sytë e Pikasos.

Për përgatitjen e dekoreve dhe kostumeve të “Paradës”, Pikaso udhëtoi drejt Romës — aty ai u njoh me Igor Stravinskin. Mes tyre lindi një miqësi që vazhdoi edhe në skenë: Pikaso realizoi skenografinë për baletin e tij “Pulçinella” dhe krijoi disa portrete të muzikantit.

Njërin prej tyre Stravinski e mori me vete në Zvicër. Në kufi, autoritetet e pyetën gjatë se çfarë ishte ajo vepër dhe nuk donin të besonin se bëhej fjalë për një vizatim me laps nga një artist i njohur. Ajo dukej më tepër si një plan teknik.

Kompozitori u pajtua me idenë se puna e Pikasos nuk ishte gjë tjetër veçse “plani” i fytyrës së tij. Megjithatë, portreti u desh të dërgohej përmes ambasadës britanike me postë diplomatike.

6. Gruaja dhe djali. Pikaso dhe Hohlova në Londër, 1919.

Në Romë, Pablo Pikaso u njoh edhe me Olgë Hohlovën, balerinë e trupës së Djagilevit.

Në verën e vitit 1918, Pikaso dhe Hohlova u martuan në një ceremoni në katedralen ortodokse ruse në Paris. Në mesin e të pranishmëve ishin edhe Gertrude Stein dhe Sergej Djagilev.

Në vitin 1921 lindi djali i tyre, Paulo. Në vitin 1935, artisti dhe balerina u ndanë, megjithëse divorci nuk u formalizua kurrë zyrtarisht.

7. Shkrimtari Ehrenburg

Me shkrimtarin Ilja Ehrenburg, artisti ishte mik që nga viti 1914. “Forca shkatërruese” e krijimtarisë së Pikasos e mahniste atë, dhe me gjysmë shaka e quante spanjollin një djall të mirë.

Një herë, artisti vendosi të pikturonte portretin e mikut të tij, por sapo ai u ul në kolltuk, Pikaso shpalli se gjithçka ishte gati. Ehrenburgu u habit nga shpejtësia, ndaj së cilës Pablo qeshi: ai e njihte mikun e tij prej më shumë se dyzet vitesh dhe gjatë gjithë atyre viteve kishte mësuar të vizatonte portrete — për pesë minuta.

8. Ekspozita e pare e avangardës perëndimore në BRSS. Ekspozita e Pablo Pikasos në Moskë.

Ishte pikërisht Ehrenburgu ai që ia prezantoi publikun sovjetik artistin Pikaso dhe ndihmoi në organizimin, në vitin 1956, të ekspozitave të tij në Muzeun Pushkin dhe në Ermitazh.

Ajo ekspozitë u bë një premtim i “shkrirjes” (periudhës së liberalizimit kulturor). Entuziazmi ishte aq i madh, sa njerëzit prisnin në radhë të gjata gjatë gjithë natës për të hyrë në muze.

Publikun duhej ta qetësonin:
“E keni pritur këtë ekspozitë 25 vjet, prisni edhe 25 minuta”, i qetësonte të mbledhurit Ehrenburgu.

Portreti i Stalinit

Në BRSS artistin e quanin “shoku Pablo” – në vitin 1944 ai u anëtarësua në Partinë Komuniste Franceze. Kështu Pikaso e shprehte protestën e tij kundër luftës dhe tmerrit që regjimi i Frankos po shkaktonte në Spanjën e tij të lindjes.

Kur në vitin 1953 vdiq Josif Stalini, Pikaso e vizatoi portretin e tij – për zemërimin e komunistëve, ai e paraqiti sekretarin e përgjithshëm të ri në moshë. Madje shpërtheu edhe një skandal: shokët francezë u indinjuan nga ky imazh jokanonik. Ndërsa Lui Aragon, poet dhe kryeredaktor i Les Lettres Françaises, ku u botua portreti, e qortoi mikun e vet: “Stalini nuk mund të shpiket.”

Çmimi Lenin

Pëllumbi i Pikasos (varianti i parë). Poster i Kongresit Botëror 1949,
Legion Media

Në vitin 1949, në Paris u zhvillua Kongresi i Mbrojtësve të Paqes. Për të, Pikaso vizatoi një poster me imazhin e një pëllumbi. Shumë shpejt ai “fluturoi” në gjithë planetin – këtë simbol lehtësisht të dallueshëm artisti e përsëriti disa herë.

Ndërsa në vitin 1962, atij iu dorëzua Çmimi Lenin për Paqen. Çmimin në Mougins të Francës ia solli Ilja Ehrenburgu.

Përgatiti dhe përktheu: B. Hudhri

Exit mobile version