Nga Anthony Cummins, The Guardian
Botim i ri nga Onufri,
përkthyer nga Durim Taçi
Romani që e bëri të njohur Sally Rooney-n, “Njerëz normalë” – me më shumë se 1 milion kopje të shitura vetëm në Mbretërinë e Bashkuar – e tregoi atë si një krijuese të pakrahasueshme të personazheve prej mishi e gjaku, me një sy të mprehtë për emocione, dëshirë dhe ndërlikimet e seksualitetit dhe dëshirës. Megjithatë, pavarësisht suksesit të saj, ajo dukej sikur nuk i besonte plotësisht talentit të vet, duke i shërbyer lexuesit në romanin e saj të kaluar, Beautiful World, Where Are You – një histori me një katërkëndësh dashurie – dhuratat e zakonshme të saj, por me një dozë vetëdijeje të tepruar, sikur të donte të ishte e para që ia ulte vetes vlerën.
Ndryshe nga BWWAY (siç u quajt më pas), romani i ri nuk e shfaq kaq hapur shqetësimin për vlerën e vet në një botë që digjet dhe, për këtë arsye, duket më serioz. Dhe jo vetëm më serioz: Intermexo është i përsosur – vërtet i mrekullueshëm – një roman i ndjerë dhe komik për çrregullimet që sjell pikëllimi dhe trajtimi më i pasur që ka bërë Rooney deri tani për ngatërresat e ndërlikuara romantike. Në qendër nuk kemi më një miqësi të vjetër, por dy vëllezër rivalë, çka i jep autores një histori të përbashkët më të rëndë për të krijuar emocione të forta e komedi që të nxjerr të qeshësh me zë të lartë.
E vendosur në Dublin, në vitin 2022, nga fundi i verës deri në Krishtlindje, historia ndjek dy vëllezër: Piterin, 32 vjeç, avokat, dhe Ivanin, 22, shahist (dhe analist të dhënash me punë të dyshimtë), përparimi i të cilit në renditjet e shahut kishte ngecur që kur babai i tyre, që vdiq së fundmi nga kanceri, u sëmur për herë të parë kur Ivan ishte adoleshent. Ivani nis ngjarjet e romanit kur, pas një gare rikthimi që e fiton, përfundon në shtrat me menaxheren 36-vjeçare të vendit ku u zhvillua turneu, Margareta, e cila – gjë që Ivan ende nuk e di – ka një bashkëshort të larguar, të alkoolizuar, që ende s’ka dalë plotësisht nga skena.
Jeta dashurore e Piterit është edhe më e ndërlikuar. Ai ende ndan shpesh shtratin me ish-partneren e tij në debatet universitare, Silvian, një akademike letrare. Janë dukshëm shpirtra binjakë, por megjithatë janë ndarë – me nismën e saj – pas një aksidenti rrugor që e la atë me dhimbje të përhershme, të patrajtueshme, çka e bën seksin të pamundur – një situatë që romani e trajton me një seriozitet pa bujë. Pas kësaj, Piteri ka kaluar në një periudhë të sthurur, por tashmë është me Naomin, një studente në moshën e Ivanit, në prag të të mbeturit pa shtëpi; ajo arrin të mbijetojë me snape raciste online, shpërndarje droge dhe ndonjë ndihmë nga Piteri – çka i lë të dy duke i rënë rrotull pyetjes nëse fleksibiliteti i saj në shtrat është thjesht një strategji mbijetese.
Nga personazhet kryesorë, Rooney nuk shkruavetëm nga këndvështrimi i Naomit n. Ajo kalon në mënyrë të qetë në paragrafë nga monologët e brendshëm në vetën e tretë të Ivanit, Margaretit dhe Piterit, pjesët e të cilëve janë një rrjedhë e pandërprerë mendimesh dhe fjalësh, në stil pothuaj xhojsian. Shihni këtë pasazh, kur Piteri, pas një dehjeje të fortë, bie pa ndjenja përballë të dyja dashnoreve: “Ndoshta je dehidratuar, thotë Naomi. Ti nuk pi ujë kurrë, fare. Jam çuditur që nuk të bie të fikët më shpesh. Ajo është ulur në tavolinë, ai e kupton nga drejtimi i zërit, edhe pse nga aty ku qëndron mund të shohë vetëm tavanin dhe një pjesë të murit përballë. Dëgjon edhe zhurmën e lugës së çajit që godet filxhanin. Nuk e di, thotë Silvia. Mendoj se ishte tronditja pse na pe bashkë në të njëjtën dhomë.”
Shpejt futesh në ritmin e stilit të romanit, edhe pse të bën të mendosh se sa shumë mund të ketë urryer Rooney kritikat për thjeshtësinë e xhamtë të prozës së saj (ashtu si përqendrimi tek dy vëllezër mund të të pengojë ta lexosh Intermexon si një autobiografi të koduar, siç janë interpretuar romanet e mëparshme). Ka edhe një shtojcë që e bën të qartë se cilat rreshta janë huazuar nga Wittgenstein, Hamlet, Henry James, Uliksi dhe të tjerë, por kjo është e vetmja vetëdije e hapur këtë herë. Ndryshe nga eksperimentimi i ftohtë dhe i jashtëm i BWWAY, që dukej sikur Rooney i shihte personazhet me kamera sigurie, këtu ajo futet plotësisht në talentin e saj: më shumë personazhe, më shumë ndërlikime, “më shumë jetë”, siç mendon Margaret, ndërsa përpiqet të përqafojë mundësinë për një lidhje me Ivanin.
Si rrëfimtare, Rooney është një mjeshtre e farsës: kur Piteri ndahet me Naomin, ajo nuk ka ku të shkojë, dhe as qeni i Ivanit, pasi nëna e tyre është lodhur duke u kujdesur për të. Por shtëpia e babait në Kildare është ende bosh… Është një bashkim që pret të ndodhë dhe Rooney nuk ngurron ta shfrytëzojë. Po kështu edhe potenciali për keqkuptime, kur Pteri reagon përçmuese kur Ivani i rrëfen për Margaretin, sidomos kur sheh se vëllai i tij po sillet si hipokrit për lidhjet me diferencë moshe, çka sjell shpërthimin e një mllefi të vjetër që rrjedh nga divorci i prindërve të tyre kur Ivani ishte vetëm pesë vjeç. Një rikthim mes Piterit dhe Silvias e trazon edhe më shumë, i zhytur në vodka dhe Xanax, por sërish në gjendje të fitojë një çështje gjyqësore që merr vëmendje të madhe.
Ajo që e bën Rooney-n kaq magnetike është mënyra se si i qëndron një skene dhe e zgjat, shpesh thjesht në kërcimin delikat të fjalëve mes dy personave në një dhomë (edhe pse jo vetëm me fjalë, personazhet përfundojnë në shtrat thuajse çdo 50 faqe). Në fakt, drama më e madhe këtu vjen nga biseda të zhvilluara nën presionin e ngjarjeve që kanë ndodhur më parë. Jo vetëm ato të mëdhatë, si aksidenti i Silvias, por edhe ndodhi si ajo kur Ivani, ende adoleshent, largohet në heshtje e konfuzion të frikshëm kur vëllai i tij, dhjetë vjet më i madh, kishte nevojë për një shpatull ku të qante. Lexuesi ndien gjithnjë shtresa të ndryshme pikëllimi në lojë – dhimbje të fshehura që dalin në sipërfaqe nga plagë të reja – në një mënyrë që tingëllon çuditërisht e vërtetë.
Në libër ka vend gjithashtu për dashuri të shumëllojshme: Margaret dhe shoqja e saj më e mirë që qahen për nënat e tyre me limonadë në pub; Piteri që kthehet tek e ëma për të parë televizor i shpërqendruar; Ivani që më në fund merr përsëri kujdestarinë e qenit të tij. Këto janë skena të ndjeshme emocionalisht, por edhe shumë gazmore, plot me prekje të vogla komike që të bindin plotësisht për kuptueshmërinë e thellë të Rooney-t për njerëzit dhe botën. Shihni momentin kur Ivani dhe Piter kujtojnë veçmas një të dashur që Piteri dikur e solli në darkë me tre pullat e sipërme të këmishës të zbërthyera – një kujtim dehës për të dy, siç rezulton.
A ka ndonjë romanciere më të mirë sot për sot? Kjo s’ka rëndësi për suksesin e Intermexos, por s’është çudi që pyet: pse nuk është përzgjedhur për Booker-in – as në listën e gjatë? U paraqit vallë ndonjëherë për çmimin? Ndoshta fuqia e romanit sfidon çdo përmbledhje të lehtë – “më shumë jetë”, jo spiunazh, hapësirë apo skllavëri – por sidoqoftë, Rooney, autore e katër librave në vetëm shtatë vjet, ka krijuar tashmë më shumë personazhe të paharrueshme se shumica e romancierëve gjatë gjithë jetës së tyre. Dhe – duke shkatërruar një rresht nga libri – ajo është çfarë, 33 vjeç? Zot i madh.