Kreu Letërsi Botime të reja Vëllimi i fundit i trilogjisë për Tomas Kromuellin, “Pasqyra dhe drita”, një...

Vëllimi i fundit i trilogjisë për Tomas Kromuellin, “Pasqyra dhe drita”, një tjetër kryevepër

Romani Pasqyra dhe drita, që shtëpia botuese DITURIA e botoi në prag të Panairit të 24-t të Librit, fokusohet në katër vitet e fundit të jetës së Kromuellit, i cili është gjithnjë e më i fuqishëm, pas prerjes së kokës së Ana Bolenës, por vazhdimisht në mëshirën e pasigurisë. “Të jesh njeri i Mbretit do të thotë të fluturosh çdo moment pranë diellit, i ndritshëm dhe përvëlues, me rrezikun e djegies.”

Kohët janë të vështira: kontetë e Veriut ngrihen në revoltë, duke kundërshtuar prishjen e manastireve dhe taksat e reja, të vendosura nga Kurora. Rendi rivendoset për hir të vendosmërisë, mprehtësisë dhe këmbënguljes së Kromuellit, dhe Henri VIII e shpërblen duke e bërë kalorës të Urdhrit të Zhartjerës. Mbreti është i lumtur, megjithëse fillon të ndiejë peshën e viteve. Gruaja e tij e re është e kundërta e së mëparshmes. Për më tepër, ajo arrin t’i japë trashëgimtarin e lakmuar. Edhe familja Kromuell ka kënaqësitë e veta: Gregori, djali i madh, martohet me motrën e mbretëreshës dhe Lordi i Vulës zbulon se ka një vajzë. Por gëzimet nuk zgjasin. Xhejn Sejmuri, mbretëresha e re, vdes pak pas lindjes së trashëgimtarit dhe mbreti, edhe pse zemërthyer, ka nevojë për një nuse tjetër. Kromuelli i futet punës, por armiqtë tashmë e ruajnë dhe ylli i tij nis të bjerë…

Historia na mëson se këto vite do të shënojnë rënien e Kromuellit, deri në ekzekutimin e tij në korrik 1540. Por ndoshta bukuria e trilogjisë “Salla e ujqërve” është pikërisht këtu. Alessandro Barbero është shprehur se Kromuelli “është një shembull i mobilitetit social” në Anglinë e shekullit të 16-të. Ngritja e tij bazohet në aftësitë dhe talentet e tij të pakrahasueshme  që ai i vë me mjeshtëri në shërbim të shtetit, duke mbërritur (nga djalë i një farkëtari) t’i shërbejë vetë Henrit VIII. Por, siç na mësojnë shumë ngjarje historike, një pushteti madh mbart gjithmonë me vete një anë tjetër të medaljes, me armiq politikë dhe kundërshtarë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të të rrëmbyer atë që tani është jotja.

Në fund të romanit të parë, Salla e ujqërve, në trilogjinë e Tomas  Kromuellit, një Kromuell i lodhur reflekton shkurtimisht për vdekjen, në tryezën e tij të punës, siç bëri poeti Petrarka. Ai kujton fjalët e poetit: “Midis një ngjyerjeje të penës dhe tjetrës, koha kalon: dhe unë turrem e vrapoj dhe shpejtoj drejt vdekjes. Ne të gjithë po vdesim – unë tek shkruaj, ti tek lexon dhe të tjerët tek dëgjojnë apo zënë veshët; të gjithë janë duke vdekur.”

Në fund të romanit të tretë, Pasqyra dhe Drita, Kromuell vdes, jo tamam në tryezën e tij, por as shumë larg saj. Megjithëse jo më favorit i Henrit, ditët e tij në Kullën e Londrës janë ende në shërbim të mbretit: ai bën një përshkrim të detajuar të negociatave që ka kryer për martesën me  Anën e  Kleves. Pasi ka bërë martesën, nevojiten argumente për ta zhbërë atë, dhe përpara se fjalët e fundit të përshkrimit të tij të jenë tharë, Parlamenti debaton dhe harton projektligjin për ekzekutimin e tij. Në fund të këtij tregimi të gjatë, Kromuelli e kupton atë që lexuesi e ka ditur gjithmonë: se ai, gjatë gjithë kësaj kohe, veç ka nxituar me shpejtësi drejt vdekjes. Roli i tij ishte vërtet vendimtar në provokimin e një prej ngjarjeve më domethënëse në historinë angleze, ndarjen nga Kisha Katolike Romake, por në nivel personal ky revolucion e çon vetëm në evokimin e dështimeve të dy mentorëve të tij, Kardinalit Wolsey dhe Sër Tomas  Morit. Pavarësisht prej trazirave, rebelimeve dhe ekzekutimeve të dekadës së fundit, me gjithë punën dhe reformat e tij, asgjë thelbësore nuk duket se ka ndryshuar në çastin e ekzekutimit të Kromuellit. Mbreti është ende mbret, vret e martohet sa herë të dojë. Heretikët digjen ende, ose për respektimin e rreptë të dogmës katolike, ose pse janë larguar shumë prej saj. Bota lëviz ende me urdhrin e njerëzve në hije, të përkulur mbi penat e kallamarët e tyre. Dhe Kromuelli është ende Kromuell, deri në goditjen përfundimtare.

Romani, i shkruar në pjesën më të madhe në kohën e tashme, në formën e një dialogu midis Kromuellit dhe personazheve të tjera, ka përshkrime poetike të mrekullueshme dhe një pasuri të jashtëzakonshme leksikore, për sjelljen e së cilës në shqip do t’i jemi mirënjohës përkthyesit Korab Hoxha dhe redaktores, Mariana Ymeri. Të paharrueshme janë faqet e fundit ku Tomas Kromuelli, i mbyllur në Kullën e Londrës, takon akuzuesit dhe disa nga bashkëpunëtorët, dikur beniaminë të tij, që po e tradhtojnë. Nuk ka asgjë sentimentale në fundin e Kromuellit, vetëm njerëzimi është më shkatërrues, duke e lënë lexuesin me frymëmarrje të ndalur dhe një ndjenjë habie, që bota reale po vazhdon jashtë.

“Njerëzit nuk duan të jetojnë me detyrime”, mendon Kromuelli. “Preferojnë të shesin miqtë… sepse favoret që nuk mund të shpaguhen, të hanë shpirtin.”

Dy fjalë për autoren: Hilary Mantel ka lindur në Glossop, Derbyshire, në vitin 1952. Debutimin e parë letrar e ka bërë në vitin 1985 me Every Day is Mother’s Day. Shumë nga romanet e saj kanë qenë finaliste për çmime të mëdha letrare, sidomos për Orange Prize. Hilary Mantel konsiderohet një nga shkrimtaret më të talentuara, më të vlerësuara dhe më të njohura të Britanisë së Madhe. Është autore e pesëmbëdhjetë librave. Salla e ujqërve dhe Ana Bolena, një çështje familjare janë vlerësuar të dy me çmimin Man Booker. Librat janë botuar në shqip nga Dituria. Libri i tretë i trilogjisë, Pasqyra dhe Drita, u botua në vitin 2020. Tashmë libri është përkthyer në 27 gjuhë, përfshirë edhe shqipen.

Është e tepërt të thuhet se Pasqyra dhe drita është një kryevepër. Me këtë trilogji, Hilary Mantel ka rivlerësuar romanin historik; i ka dhënë atij lëndën dhe emocionin, i ka zgjeruar qasjen dhe ka krijuar një stil të prozës lirike e bisedore, besnik ndaj kohës së vet dhe krejtësisht të njohur për ne. Të marra së bashku, romanet e saj për Kromuellin janë, sipas shumë kritikëve, romanet më të mëdha angleze të këtij shekulli.

Exit mobile version