Kreu Letërsi Bibliotekë “Nata pa hënë”, poezi nga Rexhep Polisi

“Nata pa hënë”, poezi nga Rexhep Polisi

Dy fjalë për ciklin poetik, “Ftohtë në Tiranë” nga ROLAND GJOZA, New York

Kam në duar një cikël me poezi dhe si rëndom në këto raste ndiej një emocion të veçantë. Poezitë m’i ka sjellë miku im, Ylli Dosku. “Roland, më tha, lexoji, janë të shokut tim të ngushtë, Rexhep Polisit”.
Nuk e njihja Rexhepin si njeri, por e kisha lexuar fare pak si poet. Nuk i kisha kushtuar shumë vëmendje, sepse sot shkruhet shumë, po një farë përshtypje disi të vagullt ruaja nga një cikël i tij në një gazetë të Tiranës ku kisha botuar edhe unë. Për fat të keq vëllimi i tij i fundit me poezi “Përditë më vrasin nga pak”, nuk më kishte rënë në dorë.
I lexova me një frymë poezitë që mbaja në duar dhe nuk e di pse u kaplova nga keqardhja për fatin e mbrapshtë të poetit dhe ëmbëlsira e trishtë që buronte nga ajo tufë e vogël lirikash.
Ishte një poet që vuante. Si duket e shikonte jetën me sytë e poetit dhe për këtë shkak i humbte shanset… Dhe sigurisht që sytë e një poeti janë sytë e një engjëlli, por jeta është e mbushur me demonë. Në këtë dyluftim deri tani të humbur në rrafshin e egzistencës e shikoj këtë poet delikat që s’di të fshehë asgjë nga përjetimet e veta.
Duke lexuar këtë cikël intim përplot ndjesi të holla, më kaploi një mall i thellë i dhembshur për dy poetë të mëdhenj: Eseninin dhe Poradecin.
Ngjashmëria me ta nuk ka të bëjë me imitimin, jo aspak, po me afrinë shpirtërore, shijen poetike, spontanitetin, gjendjen emocionale përplot ngjyrësi që krijohet.
Rexhep Polisi ka profilin e vet origjinal. Shqetësimi i tij ka një kahje qytetare; ai është i mbërthyer nga dhimbja e përhershme njerëzore dhe revolta kryeneçe.
Vargu intim, i drejtëpërdrejtë, muzikal, me ngjyra të larushitura, plot piskamë, ndjenja e masës; veçanërisht kjo e fundit, bëjnë atë që ne t’i rikthehemi poezisë së tij dhe të themi me bindje: Është e bukur, e ndjerë, e sinqertë. Tashmë jam bërë mik me Rexhepin si njeri dhe si poet. S’më mbetet gjë tjetër, veçse t’i uroj fat poezisë së tij.


FTOHTË NË TIRANË

Ftohtë, ftohtë në Tiranë…
Mbi Dajt bora po rigon;
Si krah zogu më ngjan,
Malli që më hënëzon…

Mbuluar me tis trishtimi,
Dita zvarritet e mpirë;
Ti ndrin si rreze agimi,
Si pikë vese e dlirë…

Bën ftohtë në Tiranë…
Dajti zbardh i përlotur;
Flokët e borës savan
Mbi heshtjen e ndrojtur…

MES MIJËRA DIEJSH

Ti trishtohesh kur nuk e gjen
Rrugën e përtejme;
Trishtohesh për vesën
E mëngjesit kur avullon
Në të tjerë diej
Dhe nuk arrin as ta prekësh…
Por harron se ka një diell
Që edhe ty të ndriçon.
Ndaj mos u ndal
Në mes të udhës,
Mos e vra ëndrrën
Që mes mijëra diejsh
Ty të kërkon…

* * *

Është po ajo rrugë ku ecëm bashkë,
Janë të njëjtat pemë anës së saj
Dhe lokali i bukur, me verandë,
Gumëzhin autostrada më në skaj.

Të gjitha janë në të njëjtat vende,
Por ajri sot nuk më mjafton.
Çdo send e ndjen mungesën tënde.
Askush në rrugë nuk më shikon.

Ec i vetëm mes katër rrugëve,
Gjithë ditën endem kuturu.
Kot kërkoj mes horizonteve
Të më shfaqen sytë e tu…!

LIRI

I burgosur jam
Në të njëjtën qeli me ty
Dhe nuk mund të të prek
E as të të shoh në sy!

I burgosur jam brenda teje…
As emrin të ta thërras
S’paskam fuqi…
Liri!

NËNË!

M’u lagën mendimet
Nga shiu i lotëve
Që pa pushim
Bie prej qiellit të vrenjtur.

Fjalët
Më janë tharë nga dhembja.
Duart
Më dridhen si mështekna
Nga erërat…

S’reshtin për asnjë çast
Pendimet…

Është dimër
Dhe fjalët kanë ngrirë,
Nga qielli
Si breshër më bëhen…

Në ajrin e qelqtë
Vizatoj portretin tënd
Dhe thellë,
Thellë, së brendshmi
Ndjej puhizën e ngohtë,
Buzëqeshjen tënde
Që më ngroh
Në këtë natë polare…

NJË QERSHIZË

Një qershizë e brishtë buzë rruge
Paska çelur pa pritur muajin maj.
Lodrojnë petalet në ditën e murrme;
Unë s’di pse ndjehem si i zënë në faj…

Harruar në shkresat mbi tavolinë
Më ikën ditët krejt pa kuptuar…
Sot kjo qershizë më solli freskinë
E një stine që më kish munguar…

GURGULLIMA E LUMIT TONË

Këtu ndjehem si i huaj, në dhe të huaj,
Ndjehem bosh. Pikë gjaku s’më lëvrin
Nën lëkurë. As dielli nuk ngroh si aty
Në viset e tua, në viset tona të bukura…

Si i huaj ndjehem dhe paskam mall
Për gurgullimën e lumit tonë që na mban
Ndezur përherë dashurinë kristal,
Që shkrin edhe borën në mal…

SARANDË

Mbrëmë
Të kisha aq afër,
Aq pranë,
Saqë dorën, po të zgjasja
Do të prekja
Buzëqeshjen tënde,
Që edhe detin
E lë pa frymë…
Do të prekja
Ajrin që ti thith
Dhe gjithë
Madhështinë…
Por dora nuk m’u bind
Dhe u futa nxitimthi
Në lumin e njerëzve,
Mes dallgëve
Pa kthim,
Duke lenë pas
Dhembje
E trishtim…

NATË PA HËNË

Lotët e tu më mbetën në faqe;
Si kristal u thye mbrëmja…
Nuk ka hënë brenda kësaj nate;
Pylli ndanë lumit oshëtin nga dhembja.

Iu luta ëndrrës të mos ikë këtë mbrëmje,
Ëndrrës jetime në botën e hirtë.
Nata e trishtë si gjysmë hëne
M’u ul të banojë në timin shpirt…

AROMË GRUAJE

Ka ditë, muaj e vite që ec në ajër drejt teje.
Ec bashkë me mendimet e bukura për ty,
Ec dhe përndrihem nga mijëra diej
Si një mal i lartë deri në yjësi…

Lumi që gjarpëron në trupin tënd,
Më mbyt, më zhyt në drithërime.
Kjo lojë e çmendur krejt më çmend
Nën rrahjet e zemrës me gjëmime!

DET QIELLOR

Vështrimi yt, det qiellor…
M’u shkri si borë në pranverën e syve,
Si shtangia e trishtë mbetur në dorë
Në hendekun e thellë mes ne të dyve…
Dhe koha ndali ritmin e saj,
Atë çast kur tërmet ra, e ndjeve dhe ti?
Ishte vjeshtë, ëndrrat tona lageshin në shi.

FJALËT

Fjalët po më digjen së brendshmi…
Duan të dalin dhe të fluturojnë të lira,
Të marrin frymë e të përcjellin dashuri.

Tash gjthë këtë grumbull fjalësh,
Që kanë shpëtuar nga djegia,
Po i nis drejt kaltërsive…

Si pëllumba fluturojnë ato hapësirave
E unë marr frymë lirisht
Dhe ndjej se jam gjallë…

Exit mobile version