Romani autobiografik” Porosia e kullës” ky rebeliim i kujtesës individuale dhe përtej saj në atë kombëtare është një udhëtim i bukur përmes vargmaleve të identitetit dhe trashëgimisë kombëtare. Me këtë vepër autori nuk vjen me të vërtetat shabllon por i servir ato si interpretim personal të çdo lexuesi. Ky roman” hartë” në “ legjendën e tij” prezanton qartë udhën e formimit shpirtëror të autorit i cili ka ndërtuar vetveten përmes sfidave, humbjeve, modeleve, krenarisë së origjinës, dhe përpjekjes për të mos e tradhtuar atë.
Që në hyrje, Dr Camaj në romanin e tij si ai çasti kur jeta të kalon para syve për një minutë, krijon kuriozitet, ankth teksa mbyll veten në bagazhin e veturës amerikane:
“Kur errësira e bagazhit të makinës gëlltiti diellin, më kapi paniku.”
Pikërisht ky fillim ishte rrëfimi më i sinqertë mbi emigrimin ilegal, si edhe një metaforë e pasigurisë për destinacionin final. Ky bagazh, simbolik ku pezullohej identiti u bë streha e pyetjes” Ku përkas unë” ?
Dhe vërtet “ Ku përket autori i gjendur atje brenda bagazhit të një makine me një shpirt që gufonte nga kujtimet?
Romani i ngritur mbi retrospektivën ka një ekuilibër mahnitës midis narracionit dhe autobiografisë. Sprova e udhëtimit drejt së panjohurës ndërpritet shpeshherë nga autori përmes kujtimeve të fëmijërisë, familjes dhe Malësisë. Kjo na parapregatit për dualitetin e udhëtimit nga ai fizik në atë psikologjik të kujtesës.
Forca më e madhe e romanit mbetet dialogimi i vazhdueshëm i autorit me vetveten. Ai analizon frikën, pasigurinë, ankthin dhe shpresën me një ndershmëri që rrallë shihet në prozën autobiografike shqiptare. Momenti kur ai qan në bodrumin e errët në Meksikë është një nga kulmet emocionale të romanit:
“Isha një i huaj në një tokë të huaj…”
Dr Pashko Camaj e zhvesh emigrimin nga miti romantik duke e shfaqur si retorikë” Ku përkas unë???”
Kujtesa personale bëhet histori kolektive. Suksesi amerikan mundohet nga malli shqiptar. Liria nuk e “ shpëton dot” nga detyrimet ndaj origjinës.
“Porosia e kullës”nuk nënkupton ndalimin e largimit nga atdheu por ruajtjen e kujtesës. Dhe protagonisti, megjithëse largohet fizikisht, mbetet shpirtërisht rojtari i asaj kulle.Kjo narrativë moderne ngrihet si një memorial ku emocioni i kujtesës ka përparësi krahasuar me kronologjinë reale të ngjarjeve. Kjo nuk mbetet pa përmendur edhe nga përkthyesi kur thotë.
“Vepra, edhe pse pa data të caktuara e pa kronologji, sjell kujtimet e autorit, në formë tejet të qëlluar artistike…”
Autorrëfimi në vepër për asnjë çast nuk precipiton në miklim të vetes. Përkundrazi, Dr Camaj e paraqet veten si qenie të brishtë, të pasigurt aq sa të duket se është pikërisht ky sinqeritet e kjo ndershmëri që shpëton romanin nga narcizmi për ta shndërruar atë në letërsi autentike.
Ajo çka trajton gjerësisht e përbën bërthamën filozofike të romanit është faji që ndien autori për largimin nga toka e të parëve. Dilema që e përndjek protagonistin nuk ka të bëjë me suksesin e ardhmërinë në Amerikë, por nëse largimi i tij përbën tradhti ndaj trashëgimisë familjare:
“A përfundoi trashëgimia e tyre, për mua dhe vendlindjen time, me largimin tim ?
A kam mëkatuar ndaj tyre?”
Kjo pyetje tejkalon romanin autobiografik drejt nivelit universal. Drama nuk është vetëm ekonomike por edhe metafizike. Protagonisti ndihet sikur ka këputur zinxhirin e brezave që kanë jetuar “në të njëjtën shtëpi dhe kanë punuar në të njëjtën tokë”. Kulla, kështu, nuk mbetet vetëm objekt fizik, por ngrihet si simbol i vazhdimësisë së gjakut, kujtesës dhe identitetit shqiptar.
Simbolika e kullës e vendosur edhe si titull është ndër elementet më të goditura të romanit pasi e degëzon narrativën në konceptin e saj
1-si shtëpi,
2-si fortesë identitare,
3–si kujtesë historike,
4–si amanet moral.
Vërtet protagonisti largohet fizikisht nga kulla, por gjithë romani dëshmon se ai nuk arrin kurrë të largohet shpirtërisht prej saj. Amerika i ka dhënë suksesin social por kulla i ka dhënë kuptimin moral përkatësisë së tij.
Një nga realizimet më të bukura artistike është personazhi i Dritës. Ajo nuk paraqitet vetëm si motra binjake e protagonistit, por si figurë shpëtimtare dhe tejet e ekuilibruar
“Do të shkojë mirë, mos u shqetëso, mendo pozitivisht.”
Drita përfaqëson forcën femërore shqiptare, intuitën dhe moralin e qëndrueshëm të saj. Në një roman ku burrat shpesh shfaqen të heshtur, të rënduar nga historia dhe emigrimi, figura e saj sjell ekuilibër.
Lexon romanin dhe kupton sa e pasur është gjuha e së vërtetës dhe e mallit por sa filozofik është stili i të shkruarit kur protagonisti “ gërmon përkatësinë e tij. Ai shmang retorikën patriotike dhe sentimentalizmin e tepërt duke na bindur për emocionin e tij. Një nga fragmentet më poetike do veçoja:
“Ishte i njëjti diell që ndriçonte ditët e mia në shtëpi…”
Kjo metaforë e fuqishme e identitetit dhe vazhdimësisë që mbijeton përtej kufijve është pikërisht drita që protagonisti besoi se do ta gjente edhe në Amerikë. Meditues dhe shpesh me elemente të esesë analitike, romani thjeshtëzon shumë të kuptuarin përtej rreshtave.
Shtresëzimi i romanit nga raporti me të atin, në përmasat historiko-filozofike, për te raporti sentimental me Irenën nxjerrin veprën nga kufijtë e një rrëfimi prej emigranti në roman të identitetit dhe të ndërgjegjes ku trashëgimia vjen si barrë morale.
Një nga linjat më të fuqishme të romanit është marrëdhënia e protagonistit me të atin. Edhe kur ai nuk është fizikisht i pranishëm, prania e tij morale përshkon gjithë tekstin. Ati mishëron botën tradicionale shqiptare tokën, nderin, vazhdimësinë e fisit dhe lidhjen e shenjtë me kullën. Protagonisti përballet me hijen morale të të atit duke sjellë njëherazi edhe dramën e birit shqiptar modern që do të largohet për të shpëtuar ardhmërinë, pa vrarë shpirtërisht botën që e ka lindur.
Ati në roman nuk vjen si figurë autoritare, por si vazhdimësi e historisë. Ai është njeriu i rrënjëve. Përballë tij qëndron biri, njeriu i lëvizjes, i emigrimit dhe i pasigurisë moderne. Këtu lind konflik duke e afruar romanin me atë të tragjedisë moderne ku protagonisti nuk mund të jetë plotësisht besnik as ndaj vetes, as ndaj trashëgimisë. Çdo zgjedhje mbart faj.
“Të parët e mi, të cilët për shumë breza… kanë jetuar në të njëjtën shtëpi dhe kanë punuar në të njëjtën tokë.”
Kjo fjali merr peshë biblike. Autori e paraqet trungun familjar si një rend pothuaj të shenjtë, ku largimi i protagonistit përjetohet si thyerje e një ligji të pashkruar historik.
Teksa në sipërfaqe kemi një histori emigrimi, në thelb kemi një roman filozofik mbi pyetjen: “Ku përkas unë kur largohem nga toka që më ka formuar?”
“Ky kërkim për të zbuluar lumturinë që më kishte rrëshqitur nga dora në vendlindje ishte forca shtytëse për udhëtimin tim.”
Kjo fjali e zhvendos romanin nga realizmi shoqëror drejt filozofisë ekzistenciale. Lumturia këtu është ideja që ai e ndjek si horizont. Amerika bëhet metaforë e kërkimit të vetvetes.
Në shumë nga linjat e romanit, protagonisti duket si ai heroi kamyjan, një njeri i hedhur në pasiguri e absurditet i detyruar të ecë përpara pa garanci. Pra pa kontroll mbi historinë, kufijtë, politikën apo fatin, por ka ende mundësinë morale për të zgjedhur qëndrimin e vet ndaj jetës.
Madje edhe frika për të fjetur në bodrumin e Meksikës merr përmasë filozofike:
“Nuk e di nëse nuk më merrte gjumi apo thjesht kisha frikë të bija në gjumë…”
Gjumi simbolizon dorëzimin për një çast. Përpjekja për të ndenjur zgjuar është përpjekje për të ruajtur vetëdijen dhe kontrollin mbi vehten.
Romani ka edhe një rëndësi të madhe si dëshmi historike. Ai pasqyron atmosferën politike të shqiptarëve në Jugosllavinë e viteve ’80, represionin, pasigurinë dhe ndjesinë se historia po mbyllej mbi ta.
Kur autori flet për sloganin “Kosova-Republikë”, ai nuk e përdor thjesht si kujtim politik, por si shenjë identitare. Romani dokumenton historinë e shqiptarëve në Jugosllavi e në Mal të Zi, traumat historike si edhe aspiratat kombëtare nëpërmjet të vërtetës së një familjeje. Episodi i “Kosova-Republikë” nuk ofrohet si propagandë politike, por si pjesë e klimës së kohës duke e kthyer protagonistin në përfaqësues të një brezi të tërë emigrantësh shqiptarë.
“Kosova-Republikë u bë një thirrje tubuese, një simbol nderi…” Këtu romani ndërthur fatin personal me fatin historik të kombit. Emigrimi nuk paraqitet vetëm si zgjedhje individuale, por si pasojë e drejtpërdrejtë e një historie shtypjeje dhe pasigurie. Në këtë mënyrë, protagonisti bëhet figurë përfaqësuese e shqiptarëve të shpërndarë në diasporë , njerëz që u detyruan të ndërtonin jetë të reja, ndërkohë që mbanin mbi supe historinë e një atdheu të copëzuar.
Autori arrin të tregojë se historia nuk është diçka abstrakte, ajo futet në familje, në kujtime, në dashuri dhe në vendimet më intime të njeriut.
Linja e dashurisë me Irenën vjen si rikthim te vetvetja dhe si një nga linjat më delikate dhe më humane të romanit. Irena nuk ndërtohet si personazh romantik konvencional. Ajo është portë drejt rikthimit emocional të protagonistit te vetvetja.
Dashuria me të nuk është pasion romantik por proces njohjeje, besimi dhe shërimi. Pikërisht për këtë arsye, linja sentimentale e humanizon romanin. Simbolikisht, Irena vjen si kundërpesha e emigrimit. Nëse emigrimi e copëzon identitetin , dashuria përpiqet ta ribashkojë atë.
Autori e ndërton këtë marrëdhënie të matur, plot sakrifica e të ndjeshme por pa sentimentalizëm artificial. Në shumë momente, dashuria duket si e vetmja hapësirë ku protagonisti mund të harrojë peshën e historisë dhe të kujtesës.
“Porosia e kullës” nuk është thjesht patriotizëm por thelb “mos harro kush je e nga vjen” Vlen për tu përmendur mënyra si romani e trajton kohën në raport me kujtimet që nuk pushtojnë rastësisht të tashmen. Kjo ndodh nga pamundësia e shkëputjes së autorit nga vendlindja!
Porosia e kullës ky roman i kujtesës, identitetit shqip, i filozofisë mbi fajin dhe përkatësinë, i historisë mbi fundin e Jugosllavisë, i dashurisë dhe shpëtimit shpirtëror ku drama personale dhe drama kombëtare bashkëjetojnë kaq organikisht përbën vlerë të madhe artistike e kaq ndryshe në romanet autobiografike.
Unë e mora përgjigjen e autorit “ Ku ai përket” por pasi e lexova romanin e Dr Pashko Camaj riciklova kujtesën e rrugëtimit tim si një problem që kërkon zgjidhje” Po unë ku përkas?
Do t’i ndodhë kujtdo që e lexon këtë vepër!



