Kreu Letërsi Bibliotekë “Udha e kometës”, tregim nga Xheladin Mjeku

“Udha e kometës”, tregim nga Xheladin Mjeku

Befas m’u shfaqën në ëndërr.

Në asnjë rast nuk u bindem këtyre hijve që ikën shpejt dhe nuk bëjnë veçse prishjen e gjumit dhe ndjellakeqjen e mendimeve. Nuk e kam për shpirt besimin në ëndrra, as zbërthimin e figurshëm të ngjarjeve a bëmave që parafytyrohen si hije fantazmash, si figura engjëllore apo, në mos më keq, me fytyra përbinshi, që shembin shkëmbinjë e djegin fusha të pafund përtej shtatë bjeshkëve, si në përralla me kuçedra e dragonjë të çartur.

Derisa po kaloja një natë të mundimshme, me një gjumë të përqartë, parreshtur rrrethi vicioz  kishte krijuar një boshllëk ngjarjesh pa prolog dhe epilog të definuar mirë. Gjithnjë e më shumë ma shtrëngonte krahërorin një angështi që më kishte mbërthyer të tërin. Aq fort më shtrëngonte, sa frymëmarrja kishte arritur në pikën kritike, apo ashtu me parafytyrohej, derisa përpëlitesha ta largoj nga vetja gjithë atë ankth të papërshkruar dhe enigmatik. Kaherë kisha dëgjuar se rreth planetës sillen trupa të padefinuar mirë, as nga format, as nga madhësitë, po gjithnjë me dyshimin se në ato supozime mund të ketë gisht njeriu. Gjithmonë kisha bindjen se ishin veç pretendime që të krijohet huti te njerëzit me paralajmërime për ekzistimin e trupave të tillë të padefinuar qartë, që herë besohej se ekzistojnë, herë krijohej dyshimi se ishin sajesa që tregoheshin si qenje shumë të frikshme, të shpejta dhe të paarritshme nga dora e njeriut, madhësia e të cilave kishte përmasa të ndryshme, por gjithnjë me dallime të shumta nga homo sapiensi i planetit tonë; flitej edhe për forma të rrumbullakta, si pjata fluturuese, që zbresin nga ndonjë planet tjetër ende i pazbuluar. Se universi është fushë e pafund, kjo më ishte e njohur që nga mësimet  e hershme të gjeografisë, por kur ishte çështja e numrit të planeteve dhe fushës së pasaktë të meteorëve në  Kashtën  e Kumtrit, këtu më mbështillej fija e lëmshit dhe asnjëherë nuk e kam kuptuar atë pjesë të mësimeve për galaktikën.   

Pse më kishte zënë situata të përballem me ato probleme këtë natë, për asnjë çast nuk e kam të zbërthyer plotësisht, por gjithmonë dyshimi më shpie në një pistë paksa më të qëndrueshme, te parafytyrimi i asaj ngjarje që mund të ketë lidhje me një bisedë, që e konsideroj edhe debat të nxehtë mes disa shokësh të gjeneratës, gjatë pasdrekës së djeshme, kur po takoheshim në orarin e rregullt javor që mbanim prej vitesh. 

 Angështia po përpëlitej me mua, si dy kundërshtar të paepur…

*   *   *

Fluturakja po kthehej ngadalë dhe bënte përshtypjen se ishte po ajo që mund të kishte qenë para shumë kohërash, siq e tregonin njerëzit, kur flitej për këta trupa qiellor të padefinuar dhe të pa adresë; aq enigmatik dhe të trishtë, për faktin se nuk u dihej asnjë veprim dhe qëllim i saktë. Nuk e kisha të qartësuar mirë pamjen e jashtëtokësorëve, edhepse kishte filluar të flitej gjithnjë e më shpesh për ta, por askush nuk gjente një përcaktor të saktë, se kujt mund t’i përngjajnë. Edhe më tutje kishin mbetur trupa të padefinuar, edhepse në ndonjë rast, shkarazi  kishte shkruar edhe shtypi i kohës, ku e shpiente afërsinë me diçka që supozohet se mund t’i ketë paraprirë paraardhjes së njeriut. Madje kishin shkuar deri atje, që t’i paraqesin sa më bindshëm, si dhuruesit më të vullnetshëm të arritjeve planetare, që ne ende nuk po ia gjejmë gjenezën asaj fuqie të ndërtimit të një bote krejtësisht larg nesh, me shumë avansime në arritjet teknike e jetësore, që na bëjnë lakmitarë të papërfunduar të asaj epoke, që nuk e njohim as pas kaq shekuj ekzistimi.

Një rikthim i dytë i kometës, (që tashmë e kujtoja emrin e saj), sikur ma trandi trollin ku po qëndroja! Isha stepur i tëri dhe po shikoja se çfarë do të ndodhte më tutje, ku përveç një hije që e përshkonte rreth e çark hapësirën, as dëgjohej uturimë motorësh, as hetohej ndonjë presion ajri përreth. Pastaj vinin zëra si nga nëntoka, po asgjë nuk kuptohej, nëse ishte bisedë apo turma që dyndeshin nga palët e qiellit dhe po kërkonin vende të reja qëndrimi. Gjithë ai vorbull ngjarjesh ndodhte në hapësirën e qiellit mbi shtëpinë time. Unë tulatesha në palcën e frikës, i mbledhur kruspull, me dyshimin e ndonjë parafytyrimi hijenash, që mund të ndodh në kohën mes ëndrrës dhe zhgjandrrës, e përshkuar nga një kllapi përgjumjeje. Nuk mund të përcaktoja  satësisht, ishte gjendje transi, apo koha po jargavitej në ndarje të dritës nga errësira.

 – Po përmbyset bota, apo kam humbur arsyen e mendimit? – më përftohej në mendje, anipse nuk isha esëll ta kuptoja se ku ndodhesha në këtë vorbull ngjarjesh.

Humbellë ishte gjithkah. Edhe shpirti ishte bërë një humbellë e pafund, ku ishin fundosur të gjitha shpresat për jetë. Qielli më bëhej se kishte filluar të  hapej nga kjo situatë e trazuar nga qenje të gjalla a meteor të rebeluar, që mund ta kenë shpërthyer hapësirën e universit dhe nga çasti në çast do të përplasen në tokë, për të fundosur gjithçka ekzistonte përreth. 

*   *   *

Ditën që lamë pas ishte paksa e tensionuar.

Ndoshta nuk duhej të ndodhte ajo që prishi gjithë imazhin e ditës, por kur ndodhesh mes mburravecësh dhe koprracësh, patjetër se do të humbasësh drejtpeshimin, sadoqë mundohesh ta krijosh një ambientim miqësor. Mes vrushkujve të kafes e ndonjë rrufitje që dallohej nga tjetri, që mund të ketë qenë shenjë e një shqetësimi eventual, po zhvillohej një debat, siç jemi mësuar t’i quajmë bisedat tona mes shokësh, sa herë na rastisë ta skalisim një temë që dikujt mund t’i ketë vluar në bark për një kohë. E tillë ishe dita sot; e përshkuar me biseda e mospajtime si rrallë ndonjëherë. Biseda e mbetur në gjysmë një ditë më parë, sikur ishte harruar, meqë Bardhosh Shpuzës, që mbrëmë kishte mbetur deri vonë para ekranit duke përcjellur një reportazh shkencor, i duhej ta zbërthente në tryezën tonë atë që i kishte shkaktuar shumë paqartësi, duke na vënë të gjithëve në sprovë. Nuk është se ka njohuri gjë nga astronomia, por as nuk bindet me mendimet e tjetrit, sadoqë mundohet t’ia shpreh një mendim të përafërt. Unë, në të vërtetë e kisha parë kalimthi atë reportazh, po nuk më zgjoj interesim dhe e kalova pa ndonjë vëmendje të veçantë.

– Po çfarë mund të kuptosh nga gjithësia, kur nuk i dallon dot as këto bjeshkë para nesh, përmes atyre  syzeve me xhama si fund kavanozi? – ia përmbysi bisedën Zeka, i cili gjatë tërë kohës krijonte bindjen se është në qendër të vëmendjes në bisedën që po zhvillohej. Si duket, qëndrimi tekanjoz i Bardhylit duhet ta ketë prekur në durimin e tij, që din t’i shpërthej për një çast.

Bisedat po nxeheshin tashmë, kur dikujt i kujtohet edhe një ngjarje e përfolur sa herë për disa gjallesa që po mbahen fshehur larg syve të njerëzimit.

– Alienët! – u ndërlidh në bisedë Bardhyli, sikur e përforcoi dijen e tij në këto çështje, anipse shpeshherë dinte të mbante inate për cikërrima. Këtë herë si duket ka ndarë mendjen ta çonte bisedën deri në triumfimin e mendimit të tij, i bindur se ka njohuri aq shumë sa mund ta trondiste një dyzinë ekspertësh. Është paksa i çuditshëm ky soj njeriu. Këmbëngul në asgjë të zotëruar, që pastaj të  arsyetohet se ishte inati i të tjerëve që ia përmbysën mendimet e tij.

Nuk ia kisha ngenë kësaj bisede pa kripë. Nuk ishte se nuk ka ndonjë rëndësi kjo që po bisedonim, por me njerëz të një kalibri që as përtej hundës nuk mund ta hedhin predhën e mendimeve, e lëre më ta arrijnë cakun që kishin marrë në shënjestër, nuk ia vlente të humbas kohë.

      Po largohesha, gati me një gjysëm proteste pa u lënë as natën e mirë, si herave tjera.

 *   *   *

Gjithë ai justifikim kishte burimin nga ajo vorbull bisedash për çështje të shumta, që mbaheshin pezull në galaktikën e pafund, mbërthyer për universin e paanë dhe në vrapim hapësirave të Kashtës së Kumtrit, që aq pak kishim njohuri grupi ynë, tashë plotësisht e kuptova. Nuk ia vlente të humbasim kohën për ata meteor që shëtisin në paanësinë e galaktikës, me njohuritë tona aq të mangëta, të shumtën nga kujtimet e pakta të një apo dy orë mësimi nga gjeografia, pa asnjë mjet konkretizimi. Largpamësisë sonë i mungonte qoftë edhe një teleskop shkollor ta kapnim atë univers të paarritshëm nga mendja jonë, por ja që edhe në ahengje të tilla, në shoqërim të një pije dyzetë gradëshe mes qejfeve e avazeve u përplasëm  pahetueshëm nëpër ato labirinthe të pazbërthyera me kaçikun tonë për njohuritë shkencore të kësaj lëmie.

– Mirë bëra që u ktheva në shtëpi! – i dhash kurajo vetës. Tashmë po e ndieja lodhjen në palcë dhe dalngadalë po këndellesha. Derisa isha shtrirë mbi kanape, hetova se edhe muskujt e qafës kishin zënë të lodhen nga ajo stërzgjatje për ta kapur fijen e perit të bisedave, që gjithnjë e më shumë na largohej drejt të së panjohurës, për të cilën na ishte bërë mendja tapë. Instinktivisht më shkoi dora në raftin përbri dhe arrita ta zbres Frojdin, që si dy miq të mirë të zbërthejmë bashkë “Interpretimin e ëndrrave”, derisa pjesa tjetër e pakuptimësisë do të nënkuptohej vetë. Në çast mu bë sikur dëgjova një zë nga afër, që po na bashkohej në bisedë për ta zgjidhur këtë enigmë. Ishte Fiziologu i vjetër, Burdahu mendjehollë. Ai menjëherë iu ças bisedës me kontributin e tij prej mendimtari të njohur: “Jeta e ditës me ato telashet e përjetimet e saj, me gëzimet e hidhërimet nuk riprodhohet asnjëherë në ëndrrat, po përkundrazi, ëndrrat që shohim përpiqen të na shkëpusin nga kjo jetë. Madje edhe kur i gjithë shpirti juaj është i mbushur me një mendim të vetëm, kur një dhimbje e madhe jua copëton shpirtin, ose kur ndonjë qëllim a pikësynim e pushton tërësisht arsyen tuaj, pra madje edhe në këto raste ëndrra ringjall diçka krejtësisht të veçantë të realitetit, ose më në fund përshtatet me gjendjen tonë shpirtërore  dhe simbolizon realitetin”. – sikur e përkufizoi mendimin e tij për ëndrrat që më kishin shqetësuar pafundësisht.

Derisa po dëgjoja mendimin e tij, më mjaftuan ato pak fjalë ta kuptoj sadopak se, ka mundësi që në një masë kanë të drejtë edhe bashkëbiseduesit e mi në pijetoren që braktisa para pak çastesh, me disa përjashtime të vogla!   

– I di udhët e veta kometa! – u ngushëllova, duke menduar në atë që përflitej kaherë, se ato fluturake kanë shtigjet e trasuara tashmë, pavarësisht pengesave që mund t’iu dëftohen në kohë të ndera.

Exit mobile version