Kreu Opinion Feride Papleka: Shuteriqi dhe libri

Feride Papleka: Shuteriqi dhe libri

Shkrimtar dhe studiues i përmasave të mëdha Dhimitër S. Shuteriqi është ndër të rrallët që nuk iu nda deri në frymën e fundit, librit, kësaj “forme të madhe në lëvizje”, ashtu si e quan Jean-Paul Sartre. Madje, në ato orë të pakta, të fundme, kur e kishte humbur kuptimësinë e botës së jashtme, një gjest i tij, i cili mund të quhet i madhërishëm, lidhet me komunikimet e hershme që ka pasur me librin. Ai risillte në mjegullnajën e kujtesës dritën e diturisë që u kishte rrëmbyer librave. Dhe mes kësaj bisede mistike ai ngrinte dorën në ajër dhe e lëvizte, duke imituar aktin e të shkruarit, me fjalë që askush nuk mund t’i kuptonte. Kjo është metafora e librit ideal, e atij libri që ëndërron të shkruajë çdo shkrimtar.

Ky është edhe imazhi më i vërtetë i këtij personaliteti të shquar të kulturës shqipe. Ky imazh bëhet më i dukshëm kur viziton dhomën e tij të punës, të qarkuar me libra që ishin njëkohësisht edhe biblioteka e tij, një ndër më të pasurat e Shqipërisë për fushën e letërsisë e të studimevbe shqipe. Një botë e gjallë, e populluar me botime shqipe e të huaja, me ekzemplarë koleksionesh të revistave më të rëndësishme shqiptare, me vepra shkencore të gjuhësisë e letërsisë, me botime të “Pléiade-s” franceze, me albume pikture, me komentarë muzike, me botime të tjera që paraqesin një karakter të përbashkët, fjalorë, enciklopedi e libra pune. I gjithë ky thesar ishte ndihmës i studimeve të tij shkencore në fushë të letërsisë si dhe i kërkimeve të tij të suksesshme për të hedhur dritë mbi lashtësinë e shkrimit dhe të kulturës shqipe. Lashtësinë e shkrimit të shqipes Shuteriqi e shihte si një dukuri kulturore që ishte në zanafillë të formimit të kombit. E përtërirë me vepra të autorëve të shquar, biblioteka e Shuteriqit të krijon në mënyrë të vetvetishme një ndjesi adhurimi për librin. Aty rrinë pranë e pranë: Homeri, Platoni, Aristoteli, Virgjili, Dante Alighieri, Shekspiri, Paskali, Montenji, Servantesi, Khajami, Dekarti, Spinoza, Miltoni, Gëtja, Shopenhaueri, Volteri, Didëroi, Rusoi, Hegeli, Marksi, Engelsi, Bergsoni, Uellsi, Edgar Poe, Bodleri, Floberi, Hygoi, Emersoni, Uitmani, Folkneri, Gogoli, Balzaku, Prusti, Pastërnaku, Brehti, Kazanzaki, Xhojsi, Kafka, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, De Rada, Naimi, Noli, Mjeda, Migjeni, Ismail Kadare, Rexhep Qosja e të tjerë shkrimtarë e filozofë sipas brezave krijues, por edhe më të rinj. Sepse ai ishte një lexues i madh. Gustav Floberi, shkrimtar francez i shekullit XIX, një ndër themeluesit e prozës moderne, në një nga letrat e tij shkruan se për ciklin romanesk Bouvard et Pécuchét që e la pa mbaruar, iu desh të lexonte 1500 libra. Dhimitër S. Shuteriqi i përket kësaj race shkrimtarësh, të cilët quhen njeri-bibliotekë. Libri ishte e vetmja përparësi e jetës së tij. Qindra e mijëra libra të lexuar, mijëra faqe me shënime që dalngadalë kanë krijuar paralelisht veprën e tij shkencore. Libri ishte bashkëbiseduesi, fryma e artit të tij rrëfimtar, arkeologjia e tij shpirtërore. Duke qenë njohës i librit në përgjithësi dhe i teksteve shqipe në veçanti, ai e ka parë librin si një objekt jetësor me synimin fisnik për të ushqyer veprën e tij dhe për t’u endur në dijen kulturore të njerëzimit. Ata që e mbajnë mend në mësim në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, kujtojnë profesorin e ri që hynte në klasë me një stivë librash, për të konkretizuar me tekste në praktikë, ato që shpjegonte teorikisht.

 ***

Fillimisht ai u rrëmbye nga pasioni i të lexuarit duke u frymëzuar nga i ati, Simon Shuteriqi, Mësues i Popullit, që e ktheu shtëpinë në një skenëz të vogël romantike ku recitonte poezi të Naimit, De Radës, Darës, Çajupit, Vaso Pashës, Mjedës, Asdrenit, Fishtës e më vonë të Poradecit apo të ndonjë tjetri. Prandaj, kur sillte në mend kujtimet e fëmijërisë, ato kishin brenda mrekullimin për librin. Kujtimi i parë i tij për leximin, ishte për një libër jo të zakonshëm dhe që s’ishte për fëmijë. Është fjala për tekstin e parë Historia e Skënderbeut, të Fan S. Nolit. Ai tregonte se i kishte lexuar gjyshes disa pjesë. Mund të kishte qenë fundi i klasës së parë, sepse, ashtu si thoshte, disa fjalë i shqiptonte me vështirësi. Madje aq shumë u lidh me këtë libër, sa një ditë kërkoi të dilte në fotografi. Ide e çuditshme fëmijërore. Dhimitri ka dalë në fotografi me libër në dorë, paksa krenar, si njeriu që ka fituar diçka që të tjerët nuk arrijnë ta vlerësojnë. Dhe, vërtet, ata nuk mund ta kuptonin atë marrëveshje të heshtur me librin që kishte filluar ta ndriste shpirtin e tij.

 Në vitet e mëvonshme pasioni për librin u bë një realitet i prekshëm. Dhe, doemos, u shndërrua në një natyrë të tij të dytë kur vajti në liceun francez të Korçës më 1927. Aty nga fundi i vitit të parë ai nisi të lexonte libra të vegjël dhe broshura praktike si: Le petit Poucet (Gishtoja), Sindbad le marin (Sinbad detari), La lampe d’Aladin (Llampa e Aladinit ) etj., të përshtatur për moshat e reja. Vitin e dytë porositi në Francë një listë librash që i lexoi në një kapak libri. I ati nuk kursehej kur ishte fjala për librin. Ai e nisi kërkesën me postë sipas adresës dhe priste me padurim përgjigjen, por një ditë mrekullia u realizua. Liceistit të ri i vjen një kuti e madhe plot me libra me kapak ngjyrë trëndafili nga “Librairie Larouse”. Megjithëse shumë prej tyre ai ua fali shokëve, prapëseprapë mbetën aq sa t’i shërbenin si fillesa e një biblioteke vetjake. Në kapakët e tyre ai mësoi tituj të tjerë si  La lanterne magique (Feneri magjik ), Les aventures de Pinocchio (Aventurat e Pinokut), Mille et une nuit (Një mijë e një net ) etj., që u pasuan me lexime të tjera të pafundme.Në një ditar të hershëm të liceut lexojmë: “1932. Jam në klasën ‘e katërt’, d.m.th. në të pestën e liceut të Korçës. Literatura frange më tërheq fort. Posa filluem të shpjegojmë në klasë “Les plaideurs” të Racine-it dhe “Le Cid” të Corneille-it. I shijoj pak megjithatë… Kam lexuem tanë bibliotekën e internatit dhe sa e sa libra të huajtura nga shokët, pa farë rregulli : Dumas père, – natyrisht Sue, Balzac, Sande, Hugo, Feuillet, Alphonse Karr, Théophile Gauthier, Chateaubriand, Eugène Fromentin ( “Dominique”, “Les Maîtres d’autrefois”), Flaubert (“Mme Bovary”), Zola (“Le rêve”), Maupassant, W. Scott, F. Cooper, Dickens, Ibsen (“Edda Gabler”), Tolstoi (“Ana Karénine”), Turgenief (“Eaux printanières”), Grazia Deledda (“Elias Portolu”) etj., plot që s’më kujtohen. Po në atë kohë filloj me lexue edhe shkrimtarët e sotëm francezë: Gide, J. Romains, R. Roland, Lacratelle, Esthaunié, Alain Furnier (“Le grand Maulne”), Colette, Duhamel, Bourget, Mauriac, Maurois, etj., etj. Poezi? Vetëm copa të zgjedhura […][1]

Duke kujtuar vitet e liceut atij i dukej se dëgjonte ende zërin e George Aguesse-it, një profesor i letërsisë frënge nga më të dashurit, duke recituar poemën Balada e të varurve të François Villon-it. Ai e kishte si të gjallë emocionin e tij, kur u tha nxënësve, se të lindte një Villon, duhej të punonin e pakta pesë shekuj letërsie franceze të Mesjetës. Liceisti i ri në atë kohë kishte filluar të shkruante vargjet e para i tronditur nga libri Les Fleurs du mal i poetit Charles Baudelaire. Por poezia franceze ishte një det i tërë. Profesori i njohu me emra të tjerë të para dhe pas Mesjetës si me Racine, Corneille, Charles D’Orléans që pati jetuar njëzet e pesë vjet rob lufte në Angli në kohën e Jeanne D’Arc-ës. Duke i nxitur liceistët ndër lexime, ai u pati përmendur poemën e famshme epike La Chanson de Roland (Kënga e Rolandit) dhe poetin e Pléiade-s, Du Belley me sonetin e tij të shkëlqyer për Francën që fillon France, Mère des arts, des armes et des lois…” (Francë, Mëmë e arteve, e armëve dhe ligjeve”, që liceisti e përafronte me vargjet e Naimit për Shqipërinë. Në vitet e fundit të liceut, ai u njoh me poezinë humaniste të Ronsard. Lexoi pastaj Molière, La Fontaine, Hugo që i bëri përshtypje me La légende des siecles (Legjenda e shekujve), Verhaeren, Whitman, Majakovski, Apollinaire, Aragon dhe bashkëkohorë të tjerë të Aragon-it. Në Arkivin e Shtetit ruhen dokumente të liceut ku emri i Dhimitrit është herë i pari e herë i dyti si nxënës i dalluar, por gjithnjë i pari si lexues shembullor.

***

Kur vajti në universitet në Francë, ai kishte një listë të tërë me emra autorësh, veprat e të cilëve do t’i lexonte me shënime. Studimet e larta për Filozofi e Drejtësi në të cilat u regjistrua, si dhe leksionet e lira në kurse speciale për letërsinë, pikturën dhe muzikën e futën atë në botën e vërtetë të librave. Me dhjetëra tituj që kishin të bënin me letërsinë e lashtë greke e atë mesjetare në Europë, me romantizmin, klasiçizmin, realizmin, realizmin kritik, syrrealizmin, me filozofinë dhe drejtësinë dhe pastaj të tjerë që përfshinin: logjikë, metafizikë, moral, sociologji, etikë e psikologji, ishin një bibliografi e përditshme që e shtynin atë në lexime të tjera. Letërsia niste me Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin e vazhdonte me Virgjilin, Danten, Shekspirin, Servantesin, filozofia niste me Talesin e Miletit dhe me Anaksimandrin e Ionisë, vazhdonte me eleatët, me Parmenidin e me Zenonin dhe me paradokset e tij të famshme, për t’u ndalur në shkollën e Athinës. Në atë kohë i njohu ai edhe dy poetët e shquar mistikë spanjollë të shekullit XVI, shenjtoren Terezë të Avilës dhe Shën Janin e Kryqit dhe i lexoi e i rilexoi poezitë e tyre disa herë.

Përballja e tij me Francën dhe me kulturën që transmetonte ajo, e vuri, si të thuash, në një garë të heshtur me historinë që kishte qenë aq e padrejtë me atdheun e vet të varfër. Ai thoshte se kishte lexuar Homer e të tjerë autorë antikë, parasokratikë e sokratikë, platonianë e neoplatonianë si Plotin dhe Porphire, mistikët e mëdhenj të Mesjetës Shën Agustin e Shën Thoma d’Aquin, dhe pastaj Averroes, Bacon, Spinoza, Kant, Scheling, Schopenhauer e të tjerë në botime të plota. Kuptohet që materialisti i ri pavarësisht se zhvillonte filozofi idealiste, do të rilexonte pastaj Aristotel, Descartes, Voltaire, Diderot, Rousseau, Hegel, Feurerbach, Engels, Marx e të tjerë. Veprat kryesore të shumicës së tyre do t’i gjesh edhe sot në bibliotekën e tij. Ato janë të lidhura me pasionin për arsyen filozofike që u bashkua me pasionin për të bukurën dhe sublimen në letërsi. Ai mbahej si frekuentuesi më i madh i bibliotekës së Universitetit të Grenoblës. Si një nga bibliotekat më të pasura të Francës, me 300 mijë libra, ajo ishte një parajsë e vërtetë për studentin shqiptar.

Në universitet ai fitoi një admirim të veçantë për romantizmin francez me: Hugo, Lamartine, De Vigny, Musset, Théophile Gauthier, Theodor de Banville gjer te Anne de Noailles. Kurse romantikët anglezë Byron, Shelley, Keats i lexonte në botime dygjuhësh, frëngjisht-anglisht, por edhe në origjinal ashtu si paraqiten disa edhe sot në raftet e bibliotekës së tij. Shelley-t, ai madje i kishte marrë pseudonimin “Ariel”, qëkur ishte në lice, pasi kishte lexuar jetëshkrimin Ariel ou la vie de Shelley (Arieli ose jeta e Shellit), shkruar nga André Maurois. Lexonte edhe autorë rusë, spanjollë, anglezë, amerikanojugorë.

Që në vitet studentore filloi të formohet ai që do ta çmonte shumë në vitet e mëvonshme traditën tonë, veprën e rilindësve. Ja si i shkruan ai së motrës në një letër të vitit 1940: “Due të më dërgosh të gjitha veprat e botueme shqip të Naim Frashërit, nga të cilat ma të randësishmet janë këto: Bagëti e Bujqësia, Lulet e Verës, Fjalët e Qiririt, Iliadha e Omirit, Qerbelaja, Skënderbeu”.[2]  Dhe vërtet vepra e tij studimore nis me një projekt të madh për autorët e Rilindjes Kombëtare si dhe për autorët e parë të letërsisë shqipe. Në harkun e dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetëve pas Çlirimit, duke përjashtuar tekstet teorike për shkollat e mesme dhe Institutin e Lartë Pedagogjik që përbëjnë mijëra faqe të shkruara, ai botoi studime për Naimin, Çajupin, Mjedën, De Radën, Seremben, Kristoforidhin, Todrin, duke vazhduar më vonë me Veqilharxhin, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Martin Segonin, Dhimitër Frëngun e me autorët e parë të letërsisë shqipe, Buzukun, Budin, Bogdanin e Bardhin e të tjerë.

Ai solli nga Franca rreth 600 e ca libra letrarë e filozofikë dhe la atje rreth 400 e ca të tjerë, i detyruar nga censura. Sado që biblioteka e Dhimitrit është cunguar, sipas bisedave të tij, prapë aty do të gjesh klasikë të vjetër e të rinj të letërsisë, traktate psikologjike, metodologjike, manuale e fjalorë filozofikë, sociologjikë etj. Madje nga këto të fundit aty do të gjesh shumë, sidomos vepra nga Durkheim. Në vitet ’30, kur ishte në vitin e fundit të liceut, ai pati përkthyer disa pjesë të librit të tij Shkolla dhe Kombi, që i botoi Branko Merxhani te revista “Përpjekja shqiptare”.

***

Në një bisedë të qershorit 2001 duke folur për librat që patën krijuar bibliotekën e tij, ndër të tjera ai tha: « Biblioteka u dëmtua që në kohën e Turgut pashës e të Haxhi Qamilit, sepse disa libra i dogji vetë im atë, Simoni, për mos t’ia gjetur. Edhe në vitin ’36 kur më dëbuan nga liceu, në kohën e arrestit, në shtëpi i zhdukën librat marksistë si të August Bebel dhe Roza Luksemburg që m’i pati dhënë Esad Dishnica. Rrënimi ka qenë i vazhdueshëm. Më 1943-44 kur shtëpia u zu me forcë nga ballistët, librat u shkatërruan, sepse u përdorën për të ndezur zjarr. Qe një katastrofë e vërtetë. Kështu e pësoi thesari i shqipes, libra e shtyp i grumbulluar me kujdes. Humbën edhe disa dorëshkrime të Gurakuqit”.

Si një enciklopedist i jashtëzakonshëm i kulturës, librat në duart e Shuteriqit kanë marrë ngjyrat e universalitetit. Ai i ka bërë një analizë të hollësishme veprës së disa protagonistëve me emër, që janë aktorë qendrorë në skenën pesëshekullore të letërsisë e të kulturës shqipe, që kanë vënë në lëvizje procesin historik të letërsisë. Shuteriqi ka hyrë në rrugën labirintike të shkrimit shqip, e cila e ka çuar pastaj edhe në studime të thella të historisë sonë mesjetare. Duke i ushqyer dijet dhe informacionet me librin shqip dhe të huaj, ai thoshte se ndjehej mirë, sidomos kur ishte mes librave. Ai kujtonte se që i vogël kishte parë në shtëpinë e të atit dy kopjet e librit Dhjata e Re, njëra shqip dhe tjetra greqisht që gjyshi i tij i pati blerë në Greqi. Me nostalgjinë e tij të veçantë për librat e moçëm, Shuteriqi pohote se ato dy libra ishin gurët e themelit të ndërtesësë së ardhshme librore që do të ngrinte puna e tij e palodhur, sistematike dhe e pasionuar për kulturën shqipe.

 Ai lëvdohej se kishte siguruar botimet e para nga Ovidi, Lukiani, Fransua Vijoni (një botim shumë i hershëm MDCCLIV); Pirandelo, Renani, por edhe nga De Rada, Dora d’Istria, Serembe, Jul Variboba; Naim Frashëri, Çajupi, Fishta, Poradeci, Gjeçovi etj. Ai rilexonte në vitet e fundit edhe libra me format të madh në formë enciklopedie, që përfshijnë disa fusha të mendimit si dhe libra të veçantë si: Lënguistik Balkanik (Linguistique Balkanique), botuar më 1930 nga një shoqëri linguistike; Letteratura italiana, botim i vitit ’39; Etruskët; Antologji të poezisë kineze, angleze, frënge, italiane, çeke; Fjalë të urta shqiptare; Visaret e kombit; Zëri i Arbëreshëve etj. Ai punonte me librat dhe me koleksionet e disa revistave shqiptare e të huaja për t’i pajisur studimet e tij me informacione burimore.

***

Po t’i vështrosh me vëmendje librat e letërsisë së orientuar me të cilat punonte ky punëtor i palodhur i kulturës shqipe, do të shikosh vizime dhe shënime të shumta, të bëra me laps me një shkrim të vogël e të kujdesshëm që duken si qëndisma. Kështu ka ndodhur që në fillim me botimet e para Bagëti e Bujqësia dhe Lulet e Verësë, të Naim Frashërit, apo me  Këngët e Milosaos të De Radës që janë në dosjen e librave të rrallë. Librat dhe dorëshkrimet e rralla në bibliotekën e Shuteriqit, janë një gjë që ai e quante nga më të çmuarat. Ashtu si tregonte, ato kanë qenë shumë, por disa « janë dhënë e nuk e kanë gjetur prapë rrugën e kthimit ». Aty përfaqësohen autorë si: Kostandin Kristoforidhi me “ABETAR SKIP” (1872), botuar në Kostandinopol; Psallte, Katër katekizma, Ungjilli sipas Mateut; Fjalë të urta nga Bibla ; Naim Frashëri me: Bagëti e Bujqësia (1886), Histori të përgjithshme (1886), Lulet e verësë (1890), Parajsa dhe fjala fluturake (1894), botuar në Stamboll, si dhe Fletore e bektashinjve apo Moisiut; një jetëshkrim Naim be Frashëri” (Bukuresht, 1900); Sami Frashëri «Dheshkronja”, (Bukuresht,1885) ; Një “Alfabet i Stambollit”; Kanonizma (1884) ; Rregullore e Klubit shqiptar (Shkup, 1888); Mali Kokojka ( Sofje, 1901) ; shoqëria “Dituria” (Stamboll, 1902) ; Simon Shuteriqi, Jetëshkrim për Kristoforidhin (Manastir, 1904); Sami Frashëri Komiteti i shqiptarëve për lirinë e Shqipërisë (Stamboll,1908); Kangët shqipe (Sofje,1909); Risveglio albaneze (New York, 1911), që ilustrohet me ca foto të shqiptarëve të asaj kohe; Istori e shqiptarëve  (Sofje, 1914); Juvenilia e Mjedës (Vjenë,1917); “Kanuni i Lek Dukagjinit” (Shkodër,1933), botim i shtypit françeskan, në format të madh, me parathënie nga at Gjergj Fishta etj. Mes tyre është edhe fotografia e faqes së parë të abetares së Naum Veqilharxhit, botuar më 1845. Janë pastaj një libër i vogël fetar, Vjersha malli (1917) dhe Epopeja komtare (1925), botuar prej etërve jezuitë; Kanti popolari (1927); Artikuj për gjuhën shqipe, Ndre Mjeda (1934); disa vëllime Visaret e Kombit, ai nga Bernardin Palaj dhe Donat Kurti si dhe ai nga Karl Gurakuqi, botime të vitit 1937, të cilat dolën me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë; disa libra albanologjikë në gjuhë të ndryshme të Europës, botime të hershme që flasin për Shqipërinë dhe për çështjen shqiptare. Eshtë edhe revista Liceum (1936), me krijime të liceistëve kur ai vetë ishte në arrest shtëpiak, kopja e parë që mbeti unike, se nuk doli më; pastaj, Këngë e vajtime (Shkodër, 1940); një Cid të shekullit XVII nga Corneille; Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane, në shqip nga Gjon Nikollë Kazazi etj.

Në një nga raftet e bibliotekës tani janë radhitur edhe librat e Shuteriqit, një vepër e shumanshme, në të cilën përfshihen libra me krijimtari letrare: poezi, tregime, tregime historike, romane; libra me studime të periudhave të ndryshme të letërsisë shqipe e për autorë humanistë e autorë të Rilindjes Kombëtare; historia e shkrimit dhe e kulturës, histori e letërsisë shqipe; studime letrare shkencore dhe të historisë mesjetare; publicistikë; pastaj letra e dorëshkrime me kujtime, me portrete si dhe mendime të ndryshme për jetën e tij si shkrimtar dhe studiues.

***

Libri ushtron një pushtet të jashtëzakonshëm te njeriu ; ai bashkon botët, të tashmen dhe përjetësinë, duke i siguruar atij një mënyrë tjetër të jetuari. Ai bëhet pasqyrë vertikale e ekzistencës sonë dhe shndërrohet në një univers intim. Librat e mëdhenj janë si testamente. Me librin mëson të jetosh, por edhe si t’i ikësh realitetit, përditësisë. Leximi ishte vërtet një lumturi për Shuteriqin. Emersoni, eseist, poet dhe filozof amerikan i shekullit XIX thotë se biblioteka është njëlloj kabineti magjik. Idenë e një kabineti magjik të krijon edhe Biblioteka me librat që ka studiuar Shuteriqi e që nuk mund të kuptohet pa Skedarin, të cilin ai e ndërtoi për interesat e punës së tij shkencore, por që duhet të konsiderohet tashmë si pasuri kombëtare. Aty studiuesit e rinj të letërsisë do të gjejnë shpesh herë më lehtë atë që dëshirojnë, për të përfundur punët e tyre kërkimore e shkencore.

Tryeza e punës së këtij njeriu të jashtëzakonshëm, e vendosur pranë njërës prej dritareve, e që hapte dikur një panoramë të malit të Dajtit që e frymëzonte, ashtu si thoshte shpesh, është ashtu si e ka lënë ai kur ishte gjallë. Ajo qarkohet nga libra që ishin pjesë e ushqimit të tij mendor e shpirtëror të përditshëm.

Jam e mendimit, të cilin e kam shprehur edhe më parë, por edhe së fundmi, në një letër drejtuar Znj. Margariti, Ministre e Kulturës, që emri i tij të përjetësohet me institucionin qendror të librit, me Bibliotekën Kombëtare, e cila duhet të mbajë emrin “Biblioteka Kombëtare Dhimitër S. Shuteriqi”. Kjo është një praktikë e njohur në vendet europiane. Këtë mendim e kanë përkrahur edhe disa intelektualë të vendit. Po ashtu në një letër tjetër drejtuar njëkohësisht z. Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe komisionit të Kulturës në Bashki, propozoj që studioja e tij e punës të kthehet në Dhomë-muze. Edhe Skedari i tij i punës, pasi të pajiset me disa elemente të domosdoshme profesionale, pa ia dëmtuar origjinalitetin, duhet të vendoset në Bibliotekën Kombëtare. Askush si Shuteriqi nuk e kaloi nëpër duar librin e shkruar shqip dhe askush si ai nuk punoi për kulturën shqipe. Me këto veprime ne do të kryejmë një detyrim të madh atdhetar ndaj tij, por edhe do të tregojmë se vlerësimi i personaliteteve të kulturës është çështje kombëtare dhe aspak çështje e ngushtë partish. Kombi dhe kultura qëndrojnë mbi partitë, mbi grupet dhe individët. Kombi dhe kultura e tij janë të përjetshme.


[1]  Arkivi familjar.

[2]  Arkivi familjar.

Exit mobile version