Nuk ka gjuhë të botës që nuk merr fjalë nga gjuhët e fqinjëve apo të popujve të kulturave të mëdha. Janë nevojat e emërtimit të dukurive dhe të sendeve të reja që e bëjnë të domosdoshëm huazimin. Përderisa një gjuhë nuk ka fjalë të vetat për këto dukuri e sende, doemos që do t’i marrë hua nga të tjerët, të paktën derisa të krijojë fjalët e saj to. Por krahas këtyre huazimeve të diktuara nga nevojat e komunikimit gjuhësor në rrafshin intelektual, në kohën e sotme po ndodh që, si pasojë e kontakteve të drejtpërdrejta ose virtuale me popuj dhe kultura të tjera, të futen në përdorim edhe fjalë që gjuha shqipe i ka tashmë, dmth. huazime të panevojshme. Këto gjuhësia i quan “huazime absolute” dhe gjuhëtarët këshillojnë që të shmangen nga përdorimi, sepse prishin natyrën e gjuhës.
Të tilla huazime të panevojshme janë edhe një varg fjalësh të huaja që sot kanë vërshuar në shtypin tonë të folur e të shkruar, sidomos në televizione. Këto fjalë të huaja, që po lënë në hije dhjetëra e dhjetëra fjalë të vetë shqipes, janë si një lloj çelësi kopil që hap shumë dyer. Prandaj, për analogji, po i quajmë “fjalë kopile”. Kemi zgjedhur këtë togfjalësh për të ndihmuar lexuesin ta kuptojë më lehtë objektin e këtij shkrimi dhe shqetësimin tonë për këtë dukuri tejet negative që ka marrë një përhapje të gjerë në ligjërimin e sotëm.
Ajo që e bën tepër shqetësues përdorimin e “fjalëve kopile”, është jo vetëm shtimi i numrit të përdoruesve të tyre, po depërtimi i këtyre fjalëve në të gjitha rrafshet e ligjërimit, duke përfshirë edhe nivelin më të lartë të tij, ligjërimin libror. Ato po përdoren në publicistikë, në tubime, në aulat akademike dhe në mediet audiopamore. Madje, kanë depërtuar edhe në vepra letrare të disa shkrimtarëve të rinj, që kanë filluar të shkruajnë pa kaluar më parë në shkollën gjuhësore të Fan Nolit, Jakov Xoxës, Ismail Kadaresë, Rexhep Qoses dhe të mjeshtrave të tjerë të shkrimit shqip. A do t’i shkruante një letrar i familjarizuar me këto fjalë të huaja vargjet e bukura të komedisë “14 vjeç dhëndër”: “Dhe djalën e parë/ e kam bërë nd’arë…/ Burri u mahnit,/ vjerra u çudit”, ku Çajupi përdor mjeshtërisht foljet sinonime për të dhënë shkallë të ndryshme të përjetimit të këtij rrëfimi të Tanës nga dy personazhet? Pikërisht këtu qëndron bukuria e ligjërimit – te sinonimet që shprehin ngjyrime të ndryshme kuptimore të dukurive dhe gjendje të ndryshme emocionore të njeriut, të cilat fjalët kopile i mjegullojnë e i rrafshojnë.
Si helmëza që mbyt jonxhën, edhe këto fjalë po i zënë frymën shqipes, duke helmuar leksikun dhe sintaksën e saj. Nga qindra syresh, sot kanë marrë të përhapur sidomos dy a tri duzina fjalësh që kanë hyrë së fundmi në shqipe ose që janë rikthyer nga syrgjyni i merituar, si: agravoj, agravim, i agravuar e agravues; alokoj, alokim, i alokuar; akses, aksesoj, i aksesuar, i aksesueshëm; benefit; disponoj, disponim, i disponueshëm; fokus, fokusoj, fokusim; impakt, impaktoj; investigoj, investigim, investigativ; live e direkt; realizoj, realizim e i realizuar; suport e suportoj; shok, shokoj, shokim, shokues e i shokuar; tentoj e tentim; total e totalisht etj. Siç do të shihet më poshtë, për secilën prej tyre gjuha jonë ka përgjegjëset e veta, madje për shumë prej tyre edhe vargje të tëra fjalësh.
Mendojmë se lexuesi do të arrijë ta kuptojë rëndësinë e problemit që po trajtojmë, duke u ndalur qoftë edhe vetëm në fjalët e mëposhtme, të cilat po i shoqërojmë edhe me pak shembuj për të kuptuar sa të panatyrshëm e bën ligjërimin shqip përdorimi i tyre.
Kështu, për akses shqipja ka fjalët: hyrje, qasje, mundësi, pranim, dalje, lidhje, pranim etj.; për aksesoj – hyj, lidhem, gjej, përdor, pranoj etj.; për i aksesueshëm – i arritshëm, i përdorshëm, i lejuar, i hapur, i kapshëm, i kuptueshëm, i mundshëm etj.:
“Çdokush që ka akses në internet”, “i afroi akses në literaturë profesionale”, “kushtet për akses të lirë në tregun e punës”, “Në portalin zyrtar duhet të aksesojë çdo qytetar shqiptar”, “Pse duhet të aksesojmë tregjet europiane?”; “nuk aksesojnë dot fondet e IPARD”, “kudo ku aksesojmë hapësira të mbyllura publike”, “mund të aksesohen lirisht”; “turizëm i aksesueshëm për të gjithë”, “a është i aksesueshëm ashensori?” dhe mijëra raste të tjera të përdorimit të këtyre fjalëve.
Për agravoj kemi fjalët rëndoj, thelloj, acaroj, përfundoj; për agravim – rëndim, acarim; për i agravuar – i rënduar, i acaruar; për agravues – rëndues, acarues.
“debati agravoi”, “agravon në dhunë protesta”, agravimi im veçse rritej”, vendosi të sheshonte gjithë agravimin me D.”, “do vazhdojmë me hapa të agravuar”; “faktorë agravues”, “për të shmangur sa më tepër momente të tilla agravuese”, “ka disa që janë të agravueshëm” (?!) etj.
Për suport kemi fjalët ndihmë, mbështetje, përkrahje; për suportoj – ndihmoj, mbështet, përkrah; duroj, përballoj etj.; për suportues – ndihmues, mbështetës, përkrahës; për i suportueshëm – i përballueshëm:
“Jeni suport për njëri-tjetrin”, “ofrohet suport financiar”, “suport psiko-social”, “të jepja suportin tim për Shqipërinë”; “suporton uljen e kileve të tepërta”, “doganat franceze kanë suportuar doganat shqiptare”, “e suportuar nga disa portale”, “nuk është akoma e suportuar”, “mbështetja dhe suportimi i çdo tipi”; “Gjermania është vendi i dytë suportues i OKB”, “gjithmonë suportues dhe mbështetës”, “shuhet gradualisht efekti i masave suportuese” etj.
Për shok kemi fjalët goditje, tronditje etj.; për shokoj – çudit, habit, mahnit, çmerit, emocionoj, lë pa mend, lë me gojë hapur etj.; trondit, hidhëroj, pikëlloj, helmoj etj.; për shokim – çudi, habi, mahnitje; tronditje, pikëllim, helmim etj. për i shokuar – i çuditur, i habitur, i mahnitur; i tronditur, i hidhëruar, i pikëlluar, i helmuar etj.; për shokues – tronditës, pikëllues, mahnitës, i çuditshëm etj.:
“po përjeton shokun dhe tronditjen e thellë”, “Si jetohet në një terminal pas shokut për këtë lajm”; “po shokohem me ty”, “shqiptarja që ka shokuar botën”; “I shokuar shpërthen në lot”, “Jemi të shokuar, nuk e duam këtë luftë”, “të shokuar dhe të tmerruar”; “moment shokues i ndarjes nga jeta”, “humbje shokuese”, “pyetje shokuese”, “fitore shokuese”; “imagjino shokimin tim”, “kjo solli shokim të politikës”, “shokimi ynë është ulëritës” etj.
Këto fjalë mungojnë në fjalorët e shqipes, me përjashtim të fjalës shok dhe rrjedhojave të saj, që në fjalorët e fundit të gjuhës shqipe janë përfshirë të gjitha. Kjo fjalë ka çarë rrugë si term në mjekësi dhe në psikologji, duke marrë edhe kuptim të figurshëm. Po përse duhet të hyjë në fjalor e gjithë çerdhja e saj, kur as si folje, as si mbiemër nuk sjell gjë të re? Nëse është marrë si kriter frekuenca e përdorimit, ky kriter jo gjithnjë mund të përbëjë arsye për përfshirjen e një huazimi në fjalor kur ai nuk sjell kuptime të reja në gjuhë. Kjo është arsyeja pse në fjalorë të gjuhëve të mëdha të Europës ka hyrë ose vetëm emri shock, si në fjalorin akademik të gjuhës spanjolle dhe në rusishte, ose vetëm mbiemri shocking, si në frëngjishte e rumanishte, ose emri shock dhe mbiemri shocking, si në gjermanishte, pra jo e gjithë çerdhja e kësaj fjale të anglishtes.
Arsyeja e përdorimit të fjalëve kopile është kryesisht kultura e mangët gjuhësore, mosnjohja e leksikut abstrakt të gjuhës sonë, karakteristike për njerëz që kanë lexuar pak letërsi shqipe. Ata që i hedhin në qarkullim të parët këto fjalë – folësit televizivë, gazetarët dhe politikanët – ua dinë kuptimet nga gjuha e huaj që zotërojnë. Ata janë individë që kanë jetuar gjatë jashtë a që janë shkolluar në Perëndim dhe që për këtë shkak nuk e njohin mirë leksikun abstrakt të shqipes, ose njerëz të shkolluar në vend, po që kanë mësuar më mirë gjuhët e huaja në kurset ku i kanë çuar prindët, sesa gjuhën shqipe, që e kanë bërë si lëndë mësimore të paktën 12 vjet në shkollë. Por ka edhe nga ata që e njohin mirë leksikun e shqipes, po i përdorin këto fjalë për snobizëm apo për t’u hequr si të dijshëm. Të ndikuar prej këtyre dhe televizionit, i përdorin edhe folës me pak shkollë. Kështu, mund të dëgjosh një zonjë të thotë “jam shokuar”, “nuk e suportoj dot” ose një të moshuar të thotë “nuk kam akses” etj.
Megjithatë, edhe për ata që njohin gjuhë të huaja, edhe për ata që nuk dinë gjuhë tjetër veç shqipes, përdorimi nga folësi i fjalëve “kopile” sjell paqartësi e pakuptueshmëri të mesazhit që u kumtohet, pa folur për rrafshimin e ngjyrimeve kuptimore dhe emocionore që përcjellin fjalët e burimit shqip. Në këtë mënyrë, prodhohen fjali që “gëlltiten” pa i tretur mirë, pa ua marrë vesh kuptimin e saktë, duke rezultuar në një ligjërim të vagët dhe pa shije e pa hije, në një ligjërim të “drunjtë”.
Tregojnë në formë anekdote se 70 vjet më parë një oficer i shkolluar në Rusi gjatë stërvitjes u thoshte ushtarëve: “Do të rrethojmë këtë kvartall”. E kishte fjalën për “bllok” (pjesë e një lagjeje), po oficeri nuk e dinte se shqipja kishte një fjalë për këtë objekt, kështu që përdorte fare natyrshëm fjalën ruse. Mirëpo ushtarët, të cilët nuk dinin rusisht, s’e merrnin vesh çfarë u thoshte oficeri dhe nuk lëviznin. Mu këtij oficeri i ngjajnë sot shumë folës të radios e të televizionit, por edhe të tjerë që përfshihen në ligjërimin publik.
Pra, pasoja e parë negative e përdorimit të fjalëve kopile është se nuk kuptohet mesazhi që synohet të përcillet prej tyre. Po, përtej vlerësimit subjektiv, çka e bën tepër shqetësuese këtë dukuri që ka marrë përhapje të gjerë, janë pasojat e shumëfishta negative të përdorimit të fjalëve kopile. Kuptimi i fjalive ku përdoren këto fjalë, në mjaft raste rroket me vështirësi, sepse lexuesi a dëgjuesi nuk e kanë kuptimin e fjalës të ngulitur në tru si për fjalët e tjera të shqipes dhe nuk i gjejnë këto fjalë as në fjalorët e shqipes. Si rrjedhim, ata i referohen kontekstit, duke harxhuar kohë dhe energji mendore për të nxjerrë një kuptim të vagullt të tyre. Si rrjedhim, kemi fjali që nuk arrijnë të shprehin as atë që do të thotë folësi, as atë që duhet të përkapë bashkëbiseduesi, për shkak të kuptimit të mjegullt të vetë këtyre fjalëve në shqipe, gjë që nuk do të ndodhte, po të përdoreshin fjalë të brumit të shqipes.
Ana tjetër negative e përdorimit të fjalëve “kopile” është se e rrudh shumë inventarin e fjalëve të fjalorit aktiv që përdoren në të folurit e përditshëm. Po, me kalimin e kohës, një praktikë e tillë, nëse do të depërtojë edhe në letërsinë artistike, që është kulla e fundit e sintaksës, ka për të nxjerrë jashtë përdorimit fjalët e shqipes, duke i syrgjynosur ato në fjalorë, si në një arkiv ku nuk hyn kush. Dhe në këtë mënyrë do t’u japim shkas edhe pohimeve se shqipja është gjuhë e përzier.
Dëmi tjetër i madh që i sjell shqipes përdorimi i fjalëve kopile, është në fushën e sintaksës. Sepse fjalë të tilla bartin në shqipe edhe strukturat e gjuhëve nga janë marrë, dmth. sintaksën e gjuhëve të huaja. Po sjellim si shembull fjalën akses dhe rrjedhojat e saj. Në gjuhën e vet të origjinës ky emër lidhet me shprehjen parafjalore to something “në diçka”, p.sh. “(have) access to internet”. Këtë strukturë të anglishtes ky emër e bart edhe në shqipe: “(kam) akses në internet”, si në fjalinë: “Rreth 50% e popullatës është pa akses në internet”, kuptimi i së cilës shqip mund të jepet shkurt: “Rreth 50% e popullatës është pa internet” (ose “nuk ka internet”). Edhe më larg shqipes janë fjali të tilla, si: “aktualisht të gjithë banorët kanë akses në rrugën kombëtare”, në vend që të thuhet “aktualisht, të gjithë banorët e përdorin rrugën kombëtare” etj.; ose “qytetarët kishin akses në muzikën e huaj…”, në vend të: “qytetarët dëgjonin muzikë të huaj…” etj.
Ashtu si emri, edhe folja access, që në anglishte kërkon një emër kundrinë: access the market, këtë strukturë e ruan edhe në shqipe: “aksesoj tregun”,duke u përftuar kështunjë ndërtim hibrid që të vret veshin. Domethënien e këtij togu fjalësh shqipja e jep fare natyrshëm me togun “hyj në…” Kështu që, në vend të fjalisë “Greqia do të aksesojë… tregjet”, mund të thuhet shqip “Greqia do të hyjë … në tregjet”, ku folja “hyj” e shqipes merr një emër me parafjalë.
Në vend që të pyesim “A është i aksesueshëm ashensori?”, që është si të zësh veshin e djathtë me dorën e majtë, mund të themi shkurt “A punon ashensori?” Ose një fjali e tillë e alambikuar, si: “Vetëm duke i bërë të drejtat e njeriut më të aksesueshme, shoqëria bëhet më e fortë”, mund të thuhet thjesht e shkurt shqip “Vetëm duke respektuar të drejtat e njeriut shoqëria bëhet më e fortë”.
Pra, një fjalë e huazuar nga një gjuhë e huaj bart me vete edhe skemat e lidhjeve të saj me fjalë të asaj gjuhe dhe këto skema ia imponon edhe shqipes, çka rezulton në ndërtime të panatyrshme si këto më sipër. Fjalitë “shallvaregjera” që ndërtohen me këto struktura të huaja kanë kuptime të errëta, pa folur për ngjyrimet kuptimore e emocionore, që u mungojnë. Ato e shëmtojnë frazën shqipe, duke ia humbur asaj bukurinë që i japin strukturat e veta sintaksore.
Nga çdo anë që ta shohësh këtë çështje, përdorimi i fjalëve kopile infekton fjalorin e shqipes, po edhe strukturën e saj sintaksore me skema ndërtimesh të huaja, që përzihen me strukturat sintaksore vetjake të gjuhës sonë dhe, madje, dalëngadalë i zëvendësojnë ndërtimet origjinale të gjuhës sonë. Kjo shpie në përdhosje të shqipes, të kësaj pasurie të madhe që na ka ruajtur si një popull i veçantë i Ballkanit.
Sikur përdorimet e “fjalëve kopile” të ishin sporadike, kjo nuk do të përbënte kurrfarë rreziku për gjuhën tonë. Po puna është se këto fjalë kanë një frekuencë të lartë në ligjërimin e shkruar e të folur (vetëm akses dhe fjalët që rrjedhin prej saj, hasen në mbi 5 mijë raste në një korpus të shqipes prej 160 milionë fjalësh).
Kjo denduri e lartë e huazimeve të tilla kërkon që përdorimit të tyre t’i vihet fre. Institucionet shkencore që merren me gjuhën shqipe duhet të reagojnë. Akademia franceze boton çdo vit listën e fjalëve të reja që hyjnë në gjuhën frënge, që është edhe një miratim zyrtar i përdorimit të tyre. Akademitë tona këtë gjë nuk e bëjnë dot, sepse nuk kanë korpus elektronik të shqipes siç kanë francezët. Po të paktën një listë me “fjalë kopile” që duhet të shmangen, mund t’u dërgohej elektronikisht redaksive dhe institucioneve. Ky do të ishte një shërbim i mirë për të ruajtur sadopak pastërtinë e gjuhës sonë.