Kreu Opinion Zylfi Tola: Zija Çela, një shok i praruar e shkrimtar universal në...

Zylfi Tola: Zija Çela, një shok i praruar e shkrimtar universal në epokën tonë

Ka qënë fillimi i shtatorit të vitit 1970. Unë isha Drejtor i shkollës 8 vjeçare në katundin Buzmadhe të krahinës së Bushtricës, kur ende pa filluar nësimi, vjen një ushtar nga posta e kufirit, i cili më tha që, – Komandanti më njoftoi me telefon, që të hënën të paraqitesh në komitetin e partisë së rrethit. Në vetvehte shpreha habi, përse kërkohem dhe për këtë vë në dijeni edhe kolektivin si dhe familjen. Nisem nga Buzmadhja në këmbë, se në ato vite s’kishte rrugë automobilistike. Ende pa zbardhur dita, kaloj nga malet e bjeshkët e katundit Fshat, Lusën e të Kolesjanit. Në Bicaj, për fatin tim, gjej një makinë të rastit dhe arrij në Kukësin e Ri, që sapo ishte ndarë nga ai i vjetri dhe drejtohem për nga komiteti partisë. Pa vonesë më shoqërojnë për në zyrën e sekretarit të parë, Izet Dyrmishi, i cili më priti me përzemërsi, i pranishëm në këtë takim dhe Hajdar Kastrati, sekretar i komitetit të partisë që mbulonte edhe krahinën e Bushtricës.

Në fillim më pyeti për familjen, punën në shkollën e Buzmadhnë dhe në vijim doli në temë, për atë që pritej të bënim, nxjerrjen dhe botimin e gazetës lokale, siç e kishin dhe disa rrethe të tjera. Kemi përzgjedhur anëekënd rrethit, vazhdoii biseda, ata djem që janë të njohur dhe kanë shkruar në shtypin e kohës. Kështu mes tyre, pra që të jeni pjesë e  stafit, redaktor, ju kemi emëruar edhe ju, Zylfi Tola, që keni shkruar vazhdimisht në disa gazeta qendrore dhe ke bashkëpunuar vazhdimisht me Radio Kukësin. Ai pastaj e porositi punonjësen e vet që të më shoqërojë deri te zyra e kryeredaktorit.

Këtu gjeta Hamdi Shllakun, që ishte emëruar kryeredaktor, si dhe redaktorët Zija Çela, Bajazit Cahani, Qemal Mata, korrektorin Bislim Cenën, si dhe daktilografisten Violeta Haxhiun. Kryeredaktor Hamdiu, shkurtimisht na prezantoi me njeri tjetrin dhe tek Zijai u ndal disi më shumë, që është prej Shkodre, ka punuar mësues në Helshan e Krumë të Hasit, e të tjera pjesë të karakteristikës së tij që e kishte përpara. Aty mësuam se gazeta do të quhej “Kukësi i Ri”. Dalim nga zyra e tani përshëndetemi nga afër me njeri tjetrin dhe së bashku shkojmë në kafe, që ishin të pakta, pasi ende jetonte Kukësi i vjetër, atje mes dy drinave shekullor. Zijaj mes nesh ishte më pak i njohur, pasi ne të tjerët njiheshim dhe ishim takuar dhe herë të tjera. Pasditen e asaj dite, mbidhemi në zyrën e kryeredaktorit, ku kishte ardhur dhe Xhafer Dobrushi, korospodent i gazetës “Zëri i Popullit” për qarkun e Kukësit dhe Ibrahim Çavolli, redaktor në gazetën “Puna”, të cilët do të ndihmonin fillimisht për botimin e numrit të parë të gazetës tonë lokale “Kukësi i Ri”. Pasi diskutuam pak edhe si gjatë, ndamë edhe rubrikat, për seicilin redaktor, duke u nisë nga aftësitë që kishim. Kështu unë, duke qënë se banoja në fshat dhe e njihja më mirë këtë sektor, mora pra fshatin, Zijai arsimin kulturën dhe traditat, ndërsa Bajaziti ekonominë. Së bashku me Ibrahimin e Xhaferin, aty ndamë detyrat për numrin e parë të gazetës lokale. Unë bëra dy informacione të shkurtëra po nga fshati, të cilët mi redaktoi Ibrahimi dhe hynë direkt në faqet e gazetës sonë të re, po kështu edhe Zijai e Bajaziti përgatitën disa artikuj dhe kështu me 13 shtator 1970 doli numri i parë i gazetës lokale “Kukësi i Ri”. Atë ditë ajo u shpërnda falas në qytet dhe në disa qendra pune, institucione, shkolla, reparte ushtarake etj. Gazeta po atë ditë, me anë të postës, shkoi në të gjitha lokalitetet, pa harruar edhe gjeologët e barinjtë atje mes maleve e në bjeshkë. Ibrahim Çevolli qëndroi gati një muaj mes neve, ndërsa Xhafer Dobrushi, veç detyrës së vet, ishte i pranishëm edhe në çdo analizë për problemet e ndryshme të gazetës.

Zija Çela një shok i çiltër

Me Zijain nisëm një shoqëri të thjeshtë e të çiltër. Unë mësova shumë gjëra nga jeta e tij, gjithashtu dhe ai për mua. Veç të tjerave i pata treguar se jam nga një fshat i largët i Kukësit Buzmadhja e Lumës, për familjen, fëmijët, nënën, gjendjen ekonomike si dhe ku kisha shërbyer edhe si mësues edhe si drejtor shkolle.

Zijai, pas mbarimit të universitetit, së bashku me bashkëshorten, u emëruan mësues në Helshan, të Hasit, me gjithë ato halle e peripeci dhe pastaj në qytetin e Krumës. Më tregonte vazhdimisht për nënën e moshuar në Shkodër, për Dritanin, vëllezërit, jetën e hallet e tij, shkollën e mesme e atë të lartë. Ato qenë tregime letrare të vërteta. Që në fillim tek Zijai, zbulova shumë cilësi e tabijate të mira. Ai ishte tepër i komunikueshëm, i sinqertë, më fliste hapur. Ai ishte 10 vjet më i ri se unë, por koha në Has, madje edhe vështërsitë e kishin afruar më shumë me botën e malësisë dhe problemet e saj.

Zijai me të gjithë shkonte mirë, dhe në gazetë fjala e tij kishte peshë. Të gjithë e pyesnim dhe konsultoheshim për shkrimet që përgatisnim. Shumë herë, veçanërisht unë, gjeja vështërsi e ngecje për vendosjen e titullit në ndonjë shkrim  e reportazh. Zijai me dashamirësi ma merrte atë e lexonte dhe pasi merrte edhe mendim tim, me dorën e vet, pa kaluar në makinën e shkrimit e vendoste në krye të faqes.

Pasi mbyllnim gazetën, orar e pa orar, e ajo kishte kaluar në shtypshkronjë, mblidheshim të gjithë bashkë. Tani edhe të lirë, pinim kafe e ndonjë gotë raki etj. Çdo të hënë bënim analizën e dy numrave, të mërkurës dhe të shtunës kur botohej gazeta. Të gjithë diskutonim për rubrikat, më shumë për ndonjë të metë, për faqosjen, diçiturat, titujt e gjatë, “ujin” e tepërt etj. Shoku ynë, Zijai, fliste nga të parët, por me shumë takt e me çiltërsi na kritikonte e ndonjëherë edhe debatonim, veçanërisht për faqen e fundit, ku ishin vjershat apo ndonjë tregim.

Shkrimet e Zijait, kryesisht për shkollën dhe ecurinë e saj, lexoheshin me shumë interes nga kolektivat pedagogjike, portrete mësuesish, por edhe kritikën e kishte mjaft të mpreftë dhe të vazhdueshme. Nuk do ta harroj kurrë një portret për Hamza Sokolin, fillimisht mësues në Has e Shtiqën dhe pastaj drejtor i shkollës së mesme të qytetit. Një shkrim që vërtet të befasonte, pasi vetë Zijai kishte qënë mes nxënësve me ditar dhe regjistër në dorë. Gazeta jonë botohej në shtypshkronjën që ndodhej në Kukësin e vjetër. Kur unë kisha dezhurnin, Zijai vinte nga qyteti i ri dhe zbriste në këmbë nga Ramhasi e më gjente duke korigjuar bocet. Më ndihmonte, e kur ndonjë shkrim ishte më i gjatë dhe nuk e zinte faqja, ai e shkurtonte, gjithashtu edhe në ndonjë titull, por sipas nevojës, edhe shtonte dy tri fjali. Ne e konsideronim njeri tjetrin jo vetëm koleg por edhe si vëllezër, pasi ai ishte një shok i praruar. Me Zijain qëndruam gati 5 vjet së bashku, pastaj ishim edhe në një lagje.

Zija Çela një shkrimtar i shquar

Sa e sa kujtime kemi, jo vetëm në punë, së bashku në Buzmadhe, Shishtavec, Krumë e Kalis. Ai transferohet në Radio Kukësi, unë mësues në fshatin Përbreg. Patjetër çdo mbrëmje në atë lokalin pranë bustit të heroinës Shote Galica, pinim kafe e qanim hallet e dertet e ditës.

Ai “shtegton” në Tiranë, kryeredaktor i gazetës “Drita”, e përsëri pranë njeri tjetrit, pa harruar edhe një natë në shtëpinë e tij, atje pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Pastaj vitet ecën, por mes nesh ato pa u lodhur dhe plakur, si gjithnjë me atë respekt dhe nderim, me shumë mall dhe nostalgji,  ai mbetet përjetësisht një shok i praruar, i çmuar dhe i rrallë në këtë trase me shumë kthesa, sfiduese e të veçanta.

Unë Zija Çelën, shokun tim të praruar, nuk e kam njohur vetëm si gazetar, që punuam disa kohë në një zyrë, në një tavolinë, por edhe si shkrimtar. Në vitet 70 të shekullit të kaluar ai nisi të shkruajë, kryesisht tregime, që i botonte në shtypin e kohës, si në gazetën “Drita”, revistën “Ylli” etj. Ne së bashku i lexonim ato me dëshirë, me shumë endje sepse ato kishin vlera, por edhe se ato ishin të Zijait tonë. Ashtu si ai edhe ne ndjenim gëzim dhe e uronim me gjithë shpirt. Pastaj Zijai e zgjeroi korsinë, jo vetëm me tregime, por ai hyri në vallen e hapur, me romane, që u pritën kudo me interesim të madh dhe kështu dalëngadalë u fut në gjirin e shkrimtarëve të njohur të Shqipërisë e më tej. Them se i kam lexuar të gjitha këto krijime.

Do të ishte e tepërt të përmendja çdo titull të romaneve të Zijait, por nuk mund të lë pa thënë diçka më shumë edhe për vëllimin me tregime “Thika pa gjak”. Librin ma dërgoi një shok i imi, i cili e dinte lidhjen që kisha me Zijain. Atë natë korriku, nga më të bukurat e asaj vere, deri vonë bisedova jo vetëm me librin, por pranë meje sikur pata edhe Zijain. Të nesërmen kam udhëtuar për në Krua të Bardhë, bjeshkë e njohur në Lumë e më gjërë, dhe tregimet “Hëna në Tigan”, “Burgu i peshqëve” e “Shkurre me lepuj” i kam lexuar hipur mbi kalë, e pastaj në vazhdim të 54 tregimet e këtij libri.

Që të lexosh librat e Zija Çelës, duhet të jesh shumë i qetë, pastaj rreth e rreth të mos kesh halle e probleme, ndryshe sipas mendimit tim, nuk futesh mes personazheveze, episodeve, ngjarjeve. Nëntor 2022, tek lexoja gazetën letrare kulturore “Exlibris”, pa hyrë në gjërësinë e saj, lexoj- Zija Çela nderohet në Podgoricë me çmimin “Teuta” për vepër jetësore. Ndjeva një kënaqësi të veçantë për arritjet e shokut tim të praruar, Zijain.

Gjithashtu edhe unë, si shumë lexues të rruzullit tonë, them që për Zija Çelën, ka ardhë koha, mes 30 veprave të tij, e të fundit për romanin “Ora e Zooparkut” ti akordohet çmimi “Nobël”, për vlerat artistike, novatorizmin, risitë e çmuara dhe humanizmin e veprave të tij.

E pra, nga larg të përshëndes dhe të uroj i dashur Zija, vite e vite, duke kapërcyer edhe shekullin, si një yll e planet plot dritë, qëndrestar dhe oqean i thellësisë së mendimit.

Këto ishin disa mendime për shokun tim, në vitet e kahershme, mësuesin, redaktorin dhe shkrimtarin me një gjërësi dhe hapsirë të madhe mendimi, sa universi në epokën tonë. Madje mes shumë e shumë të tjerave, të gjitha me një forcë e peshë magjike, them se Zijai nga madhështia qëndron aq afër hënës, por edhe pranë diellit, e kështu e mbyll gjithçka me një fragment rrëmbyer në faqet e vëllimit “Thika pa gjak” ku thuhet – Por eja, eja tek unë, shpend i dritës!  Dhe bashkë me gjëmbin vdekatar, atë gjëmbin e trëndafilit që pak nga pak në zemrën tënde depërtoi. Por megjithatë ti nuk ndalove. Me një kurorë gjaku në krahëror, derisa u fike, për ne këndove.

Exit mobile version