Më datë 12 dhjetor 2025, ditën përkujtimore të 86-vjetorit të ndarjes nga jeta e artistit shkodran Kol Idromeno (1860-1939) në Bibliotekën e qytetit Shkodër, u organizua ceremonia e prezantimit të Monografisë“Idromeno – Kostumografia” e Dr. Merita Tocila. Të pranishëm në këtë takim ishin znj.Teuta Qyteza Shala N/Kryetare e Bashkisë, znj. Sara Smaja, drejtore e Bibliotekës; znj.Majlinda Laçaj, drejtore e Muzeut Historik, Shkodër, z.Helidon Sokoli, drejtori i TrashëgimisëKulturore, znj.Elena Zorba; artdashës e intelektualë si dhe artistët Ikbal, Kalaja, Ferid Kola, Andi Hila dhe Shpëtim Garuci. Gjithashtu morrën pjesë nxënës dhe studentë të qytetit të Shkodrës.Mbas përurimit të Monografisë kushtuar themeluesit të artit realist laik shqiptar Kol Idromeno – z. Benet Beci, Kryetar i Bashkisë, Shkodër – priti në zyrën e tij autoren e MonografisëDr. Merita Toçilën, organizatorëte këtij takimi si dhe dy Recensuesit znj.Arta Marku Qëndro – gazetare e njohur e kulturës dhe z.Ylli Drishti Historian & Kurator Arti.
Kur flasim për artin realist shqiptar, është e pamundur të mos ndalemi tek figura e Kolë Idromenos. Ai nuk ishte vetëm piktor, por një krijues i gjithanshëm: fotograf, arkitekt, skenograf, operator i hershëm filmik. Një personalitet i cili, me vizionin dhe pasionin e tij, shënoi një epokë të re për kulturën dhe artin shqiptar. Vepra e tij, përveç vlerave estetike, përbën një dokument të gjallë historik, ku ruhen zakone, rite dhe mbi të gjitha – veshja shqiptare, me të gjithë pasurinë e saj simbolike. Studimet për Idromenon janë të shumta. Kujtojmë monografinë e hershme të Mikel Prenushit, kujtimet e Simon Rrotës, apo analizat e Ferid Hudhrit, Odise Paskalit, Eleni Laperit e të tjerë. Në lidhje me kostumografinë shqiptare, vepra e Andromaqi Gjergjit “Veshjet shqiptare në shekuj” (2005) përbën burimin themelor, të plotësuar nga studimet e Agim Bidos dhe Kahreman Ulqinit mbi artin popullor dhe veshjet tradicionale.
Po ashtu, autorë të huaj si Aleksandër Degrand, Franz Nopcsa, Edith Durham apo Hyacin the Hecquard kanë dhënë dëshmi të vyera për jetën e Shkodrës në fundin e shekullit XIX. Megjithatë, përmasat kostumografike të veprës së Idromenos mbeteshin ende në hijen e studimeve. Këta autorë, vendas dhe të huaj, krijojnë së bashku një kornizë të pasur interpretimi, mbi të cilën është mbështetur studimi – MONOGRAFIA e Dr. Merita Toçilës “Idromeno – Kostumografia”, duke i dhënë dimension të ri ndërthurjes mes artit dhe identitetit kulturor shqiptar. Pikërisht këtu qëndron vlera e monografisë së Dr. Merita Toçilës, që për herë të parë e sheh Idromenon si një kronikan të veshjes tradicionale shqiptare.
Figura e Kol Idromenos (1860–1939) është ndër më përfaqësueset e kulturës pamore shqiptare në pragun e modernitetit, ai mbetet një emër i shumëdimensionuar, që e tejkaloi kufirin e profesionit për të qenë dëshmitar e njëkohësisht krijues i shpirtit të qytetit të Shkodrës. Në qendër të vëmendjes sonë është sidomos kontributi i tij në pasqyrimin e kostumografisë, një fushë ku arti vizual bëhet dëshmi historike dhe etnografike.
Pikërisht këtu lidhet vepra e Dr. Merita Toçilës me titull “Idromeno – Kostumografia”, një studim i mirëfilltë albanologjik që sjell një qasje të re për leximin e artit të Idromenos. Ky libër nuk është thjesht një Monografi artistike, por një udhëtim kërkimor, ku përmes analizës së tablove, shkrimeve të kohës dhe dokumenteve arkivore, rikthehet një pasuri vizuale me vlerë të shumëfishtë. Botimi i ri , na jep rastin të kuptojmë se si arti shndërrohet në mjet të ruajtjes së kujtesës dhe identitetit kombëtar.
Shkodra e shekujve XIX–XX përfaqësonte një qendër të gjallë kulturore, ku ndërthureshin traditat vendore me ndikime të Europës së kohës. Ishte qyteti ku takoheshin tregtarët e huaj, konsujt, udhëtarët dhe intelektualët shqiptarë, duke krijuar një hapësirë të pasur të shkëmbimit kulturor. Pikërisht në këtë mjedis, Idromeno gjeti terrenin për t’u formuar dhe për të zhvilluar një krijimtari që bashkonte traditën e vendlindjes me përvojën e tij në Venedik. Në këtë kontekst, arti nuk kishte vetëm funksion estetik, por edhe edukues e dokumentues. Tablotë e Idromenos, të mbushura me skena të jetës qytetare dhe fshatare, bëhen dëshmi të pakontestueshme të tipareve shoqërore, të ritualeve dhe, mbi të gjitha, të kostumografisë. Çdo element i veshjes, çdo detaj i zbukurimit popullor, çdo kombinim ngjyrash merr vlerën e një dokumenti kulturor.
Nëse peizazhet e Idromenos bartin frymën poetike të natyrës, portretet dhe skenat e jetës përditshme ngërthejnë një thesar të pashtershëm etnografik. Kostumografia, si pjesë e pandashme e këtyre tablove, është trajtuar nga Idromeno jo vetëm me saktësi të syrit realist, por edhe me ndjeshmëri estetike. Ai e shihte veshjen popullore si shprehje të identitetit dhe të dinjitetit njerëzor. Në tablotë e tij hasim larmishmërinë e veshjeve të Shkodrës, të Malësisë, por edhe kostume të qyteteve të tjera, duke i bërë ato një enciklopedi vizuale të kohës. Ky dimension e shndërron pikturën e Idromenos në burim të vlefshëm për studiuesit e artit, të historisë, të etnografisë dhe të antropologjisë kulturore. Monografia “Idromeno -Kostumografia” shoqërohet me ilustrime cilësore dhe është e ndarë në katër kapituj të menduar me kujdes.

Kapitulli i parë – “Dy rrugët”
Autorja na udhëheq nëpër parakalimin madhështor të mbi 260 figurave, ku çdo kostum, çdo ngjyrë, çdo detaj është shenjë e identitetit shoqëror e kulturor. Autorja Tocila i bën një analizë të detajuar tablosë, llojeve të kostumeve dhe larminë e dekoracioneve Ajo ndalet në përshkrimin artistik të veshjeve: kostumeve të burrave dhe ndikimin venecian, bën krahasimin e veshjeve nga veriu në jug të Shqipërisë. Ajo me shumë kujdes sipas skenave të ndryshme në tablo përshkruan mënyrën e realizimit të veshjeve deri në detaje, por edhe ndalet në përshkrimin e veshjeve sipas shtresave të popullsisë, ngjyrat e veshjeve dhe simbolika e tyre. Duke u ndalur tek veshjet si të grave por edhe të burrave autorja bën krahasimet e nevojshme me veshjet e vjetra. Duke kaluar centimetër për centimetër në tablo gjatë analizës artistike ne njihemi dhe me grupet “mëkatare” të plagëve të shoqërisë: si prostitucioni, gjakmarrja. Në tablo nuk mungojnë dhe figurat e klerikëve me veshjete tyre ceremoniale. Studjuesja gjithmonë e vëmëndëshme ndaj historisë së qytetit sjell dhe fakte të nivelit të zhvillimit të artizanëve që merreshin me realizimin e këtyre kostumeve që arrinin në mbi 100 punishte.
Kapitulli i dytë – “Motra Tone”
Portreti i famshëm shndërrohet në një dëshmi të gjallë të veshjes shkodrane, ku veli, stolitë dhe qëndrimi i gruas bartin një botë të tërë simbolesh. Tek kjo tablo, studjuesja Tocila ofron me shum inteligjence të dhëna mbi rolin e Velit – Degermisë që mbulon pjesërisht portretin e Tones, rolin e këtij elementi në veshjen e gruas shkodrane,. Ajo ndalet tek stolitë, hedh një vështrim mbi llojshmërine e kostumit femëror sipas moshës etj. Ajo -studjuesja Toçila, me një kërshëri jo të zakonte ka shfletuar e skeduar botime, arkiva, muze e pavione etnografike me këto lloj veshjes dhe sjell fakte dhe detaje për herë te parë nën këndvështrimin e saj artistik si artiste dhe kostumografe.
Kapitulli i tretë – “Alla franga”
Kostumi i ri ne mjediset shqiptare, na flet për depërtimin e modës perëndimore në Shkodër, për ndryshimin e shijeve dhe për ndikimin e borgjezisë së re. Në këtë kapitull jepet dhe panorama ekonomike dhe historike e lindjes së borgjezisë së re në qytetin e Shkodrës dhe fillimet e veshjes perëndimore. Braktisja graduale e kostumeve me ngjyra dhe dominimi i ngjyrave të errëta ku evidentohet imazhi i mashkullit të shekullit te ri. Studjuesja analizon mjaft qartë se çfarë përfaqsonte veshja e re dhe si siguroheshin blerjet jashtë vendit, duke cituar dhe konsullin francez Degrand. Në fakt realizimi në këto vite i disa portreteve me këto veshje përveç vlerave piktorike sigurisht kanë dhe informacionin e një dokumentacioni historik. Kështu autorja përmend disa nga këto punime si: “Portet Burri”; “Portret Plaku”, ajo i referohet dhe vizatimeve të Idromenos për këto veshje që ruhen në Arkivin e Shtetit, Tiranë. Gjithashtu janë dhe disa portrete të tjera me këto veshje si: “Andrea Skanjeti”; “Mati Kodheli”. Duke vlerësuar dhe analizuar dhe veshjet perëndimore te Idromenos, autorja ndalet tek “Motra” (1920) dhe “Mbesa” e Idromenos dhe “RROBAQEPSJA” e Simon Rrotës. Artisti na ka lënë në pikturë dhe imazhe të njerëzve të thjeshtë si punimi me titull ”Plaku i Postribës” apo “Rrobalarsja” – Akuarel.
Ndërsa në kapitullin e fundit, “Shenjat” – Kujtesa E Veshjes., autorja ndalet tek portretet historike, si ai i Skënderbeut, duke na treguar se si Idromeno i përdorte kostumet si shenja kujtese dhe si mjete të identitetit kombëtar. Në këtë kapitull autorja ndalet tek motivet kryesore të pikturuara nga Idromeno në tablotë e tij, por ajo ndalet tek portreti i SKENDERBEUT – veshja e tij dhe elementet përbërës në ngjyrat, dekoracionet dhe burimi nga u mbështet autori.
Monografia e Dr. Merita Toçilës sjell një qasje të veçantë. Ajo nuk ndalet vetëm në përshkrimin artistik të tablove, por i vendos ato në një rrjet më të gjerë të burimeve historike, etnografike dhe dokumentare. Duke konsultuar arkivat, katalogët e ekspozitave dhe literaturën shkencore, autorja arrin të ndërtojë një panoramë të saktë të vlerës së kostumografisë në veprën e Idromenos. Metodologjia e saj është ndërdisiplinore: arti shihet si dokument, por pa i humbur dimensionet e tij estetike. Ajo evidenton sesi artisti Idromeno ka shërbyer njëkohësisht si piktor dhe etnograf i pashkruar, duke e fiksuar trashëgiminë e veshjeve tradicionale në një moment kyç kur modernizimi dhe ndërhyrjet e kohës po e ndryshonin dukshëm fytyrën e shoqërisë.
Ky botim monografik sjell një risi të qartë: na e kthen Idromenon jo thjesht si piktor, por si dëshmitar dhe arkivues të një bote që tashmë po humb. Përmes metodës krahasuese, duke lidhur tablotë e tij me burimet etnografike, studjuesja Toçila arrin të rindërtojë një panoramë të gjallë të jetës shkodrane të shekullit XIX-XX. Kështu, arti bëhet një arkiv i gjallë i kujtesës, dhe piktura një mënyrë për të ruajtur atë që shoqëria e kohës e kishte të përditshme, por që sot është pjesë e trashëgimisë. E gjithë kjo na kujton se Idromeno nuk ishte një figurë e zakonshme. Ai ndërtoi tavane e arkitektura, ekspozoi në Budapest, Romë, Bari, madje edhe në Nju Jork. Ai jetoi në një qytet si Shkodra, në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe ia doli të sjellë në telajo jo vetëm portrete, kompozime, por edhe kohë, zakone dhe shpirtra. Në fakt, Idromeno shfaqet si një artist multidisiplinar, ndoshta më i plotësuari që ka njohur arti ynë i shekullit XX.
Ky libër vjen në një kohë kur albanologjia ka nevojë për studime të thelluara që bashkojnë artin me identitetin kulturor. Toçila nuk kufizohet vetëm në interpretimin e një artisti, por na tregon se si arti shqiptar i shek. XIX–XX mund të lexohet si kronikë e një shoqërie në tranzicion. Përmes Idromenos, ne shohim jo vetëm një qytet apo një epokë, por një proces të tërë të formimit të vetëdijes kombëtare. Në këtë kuptim, libri i Dr. Merita Toçilës nuk është vetëm një studim për artin, por një urë që lidh historinë, etnografinë dhe kulturën materiale. Ai fton studiuesit e brezave të ardhshëm që të shohin artin jo vetëm si krijim estetik, por si një burim i çmuar për njohjen e shoqërisë.
Kol Idromeno mbetet një figurë qendrore e artit shqiptar, jo vetëm për talentin e tij të gjithanshëm, por edhe për rolin e tij në dokumentimin e jetës dhe kulturës së kohës. Vepra e tij është një testament i gjallë i identitetit shqiptar, ku kostumografia merr përmasën e një gjuhe të heshtur, por të fuqishme.
Monografia e Dr. Merita Toçilës “Idromeno – Kostumografia” e bën këtë trashëgimi të flasë me një gjuhë të re, duke i dhënë studimeve akademike shqiptare një kontribut të rëndësishëm. Nëpërmjet këtij libri, Idromeno nuk mbetet thjesht një emër i njohur i pikturës, por shfaqet si një dëshmitar i historisë së jetës shqiptare. Ky botim i ri është një homazh dhe vlerë e shtuar për artin e Kol Idromenos si dhe një vlerësim për punën serioze shkencore të autores që i sjell lexuesit shqiptar nje vepër unikale Monografike të një niveli të lartë shkencor dhe artistik.
23.12.2025