Qëndroja drejt, me sytë te dera metalike që reflektonte një version të zbehtë të fytyrës sime. Ashensori po vonohej shumë. Dikush e kishte thirrur në katin e tretë dhe aty po qëndronte prej minutash. E dija atë ndalesë, më ishte ngulitur në kokë që aty do të ndalej.
Mendova se, kur të vinte radha ime, do të ishte i mbushur. Nuk di të qëndroj me shumë njerëz në ashensor, më zihet fryma. Përshëndetja me bezdis dhe bisedat e vogla pa kuptim ma mundojnë shpirtin.
Kur më në fund erdhi, dera u hap me zhurmën që t’i gërryen veshët.
Brenda nuk ishte askush.
U ndala për një çast, prisja që dikush të dilte me vonesë nga një cep i padukshëm. Asgjë. Vetëm drita e butonit të katit të tretë që qëndronte ende ndezur.
Hyra.
Shtypa butonin për në katin e fundit. Për një çast u ndez sërish treshi. Mendova se ishte gabim, një lojë fëmijësh, ndoshta. Ashensori u ndal përsëri në katin e tretë.
Dera u hap.
Korridori ishte bosh.
Qetësi e pazakontë, sikur aty të mos kishte jetuar kurrë njeri. Asnjë zë, asnjë lëvizje. Vetëm një ndjenjë se dikush po më qëndronte mbrapa.
Nuk u ktheva.
…..
Nëna më tha një ditë se unë kurrë nuk isha frikësuar nga asgjë.
Desha t’i thosha që gjërat kishin ndryshuar, nuk e bëra. Lava enët me ngut dhe i dhashë një buzëqeshje të shtirur.
“Ti ke ndryshuar shumë” – tha ajo.
Nuk e pyeta si e dinte. E dija që do t’më jepte një përgjigje me takt të cilën unë se honeps dot.
Ajo u afrua po merrte frymë te krahu im.
“Do të të ndihmoj”, -më tha.
Afërsia e saj më shqetësoi shumë. Raporti ynë s’e duronte këtë afërsi.
U mbështeta për një çast në krahët e saj dhe qava. Jo shumë. Aq sa për të mos u dukur që nuk shqetësohesha nga kujdesi i saj.
Kati i tretë?- më pyeti.
Si e dinte, nuk e kisha përmendur kurrë.
Çka, kati i tretë e pyeta.
Ai ka qenë gjithmonë problematik, më tha pa më dhënë shumë detaje.
……
E takova pranë shkallëve.
“Kam kohë që po të pres”- më tha.
Era e tij më goditi menjëherë e rëndë, nuk ishte larë prej ditësh.
“Në katin e tretë?”- e pyeta.
Pohoi me kokë.
Tha se kishte improvizuar një shtrat, se nuk ishte rastësi që ishte aty. Tha shumë gjëra që nuk më bindën, por as nuk më lanë të largohesha. Nuk pashë asnjë ndryshim as në sjellje, as në qëndrime, vetëm fytyra që i ishte plakur më shumë se sa vitet e tij. Energjinë s’ia kam duruar kurrë dhe në të gjitha rastet jam munduar të largohem prej tij. Çfarë rastësie që ta takoja prapë dhe atë në banesën ku unë jetoj.
Ndjeva që trupi po më djersitej nga mundimi kur më kapi për krahu.
Forca e tij ishte e papritur.
“Duhet t’i biesh ziles së kësaj dere”, më tha.
Nga shenjat para derës banesa dukej e braktisur. Megjithatë, e bëra.
Asnjë përgjigje.
“E sheh këtu nuk jeton askush”- i thashë.
Nuk foli, goditi derën me grusht.
Dera u hap. Nga errësira doli një fytyrë, e zbehtë, e thatë, pothuajse pa jetë.
M’u deshën disa sekonda për ta njohur.
Një shok i vjetër.
Sytë i ndriçuan kur më pa. Si të kishte pritur gjatë për këtë moment, pa e ditur pse.
Ata filluan të grindeshin menjëherë. Bënin fjalë për bashkëjetesë, për fëmijë, për një grua tjetër, për para. Biseda më vinte shkëputur, asgjë nuk po merrja vesh.
Hyra mes tyre për t’i ndarë. Një e gjallë mes dy të vdekurish.
Një dorë më kapi për beli.
“Ka ngecur koha për ty”, më pyeti. Buzëqeshi.
“Jo koha nuk ka qenë e mirë as me mua”, -ia ktheva.
Ia bëra të qartë që po largohesha se kisha punë të tjera. Do të takohemi i premtova.
Kur u largova, ashensori po vonohej përsëri.
Këtë herë nuk u ankova.
Dera u hap, hyra menjëherë. Brenda ashensorit një xham i thyer, njolla kafeje, një pako cigaresh në dysheme. Dhe në pasqyrë, një fytyrë që nuk e dija më e kujt ishte.
U ndala në katin tim.
Çelësi më dridhej në dorë. Edhe një rrotullim dhe gjithçka do të mbaronte. Kur futa çelësin në bravë, një dorë e nxehtë më kapi
“Ku the se po shkon?”.
“Në katin e tretë”.



