Kreu Letërsi Bibliotekë “Trishtimi i Dafinave”, poezi nga Jonida Hitoveizi

“Trishtimi i Dafinave”, poezi nga Jonida Hitoveizi

***

Pastaj është ndjesia e trenit
E mijëra trenave që ti i shkëmben
larg, në Indinë pa priftërinj budistë
nën tingujt e një kënge që quhet thjesht “never give up”
Hëna fundoset në kraharorin vetmitar
si një det i hapur që pret të lundrohet
Asgjë nuk ka atë shije
për t’i lënë pas puthjet, përqafimet, portretet që njeh
vajzën që të deshi, duart që ia shtrëngove fort atë natë
Të deshi!
Ti e di, duhet ta dish
Fytyrën e tij ia dorëzon pasqyrimit të xhamit
Veç dritëzat që hyjnë nga dritaret e një treni të panisur
mund ta zvogëlojnë trupin e tij
Fundja nuk ke pse ta mbash me vete si mëkat!


***

E kuqtë
siç orkidet gjakojnë dëshira mishtore ndonjëherë
Ndonjëherë edhe gjaku yt prej njeriu mbin papritmas trungjeve të pemëve
e trupi të dridhet si një syth i brishtë që kërkon të çelë parakohe në mars
Duhet thënë
se ajo kohë, në atë bark, nuk ish krejt pa gjë
Po ti njeri, a më pe tek linda nga vdekja
si iu dorëzova atij barku kohësh të liga?!


Qyteti

Qyteti im s’ka shtigje për ëndrrimtar
Kohë, që e mban peng një copë dritë!


Humbje

Një gjethe peme shpirti yt bleron,
bleroi dje
Përtokë e gjeta
Sërish ti e vë gjethen mbi një trëndafil
Simbiozë e pamundur
Kërce njeri, kërce!
Gëzoju humbjeve!


E tashme

Ç’rëndësi ka tani
nëse je rrotulluar njëmijë herë rreth vetes
dhe vijon,
si për të vërtetuar aksiomën se vetëm duke u rrotulluar nuk do të prekësh tjetër kënd
Ç’rëndësi ka nëse
ke përfunduar sërish tek i njëjti vend
shtëpia që rrit në dhoma, shkurre harrese
dorën e munguar të të zotit,
të zonjës që mban në kokë shamin e qëndisur me dorë
Vajza-grua që plaket diku tjetër
lahet ndoshta në një det ishullor
a ndoshta askund.
Ç’rëndësi kanë tani
miqtë me hungërimën e bishave
pranë një dreri të plagosur
ose miqtë që përgjonin përtej xhamit rrotullimin tënd
Ç’rëndësi ka ajo grua
Që ka humbur trëndafilin
Asgjë nuk është hapur klithmave të saj!


Mungesë

Prej kohe njeri, prej kohe!
Strukturë monolitike
gdhend dhoma ditë pas dite
me dritën që nuk e mbërthen dot kurrë
Çekiç i artë dhimbjeje drita në ty
trup-shkëmb, shkëmb-shpirt
Ndoshta dikur, prej asaj që nuk mbajmë mend
të ngjizur në Ellora a Petra vallë
vazhdojmë ende ritualin e brerjes së vetes
 tak-tak-çang..
A mos ramë prej qiejve ?!
Prej kohe, mik, prej kohe
Edhe çasti që do të ag’!


Kozmike

E kuqërremtë shtjella ku humbet
një trup Vitruvian
I joti nuk është!
Mbetje prej galaktikash të largëta
ose dritëz e një ylli të shuar mijëra vite larg
Si rrjedh koha mik?
Pa më thuaj! Cila është rrjedha e saj?
Gjymtyrët tanë janë krejt memec për të na thënë diçka udhëve
Në mbretërinë  e kurrkundit
kemi humbur të gjithë
Hutuar kërkojmë lidhjet, nyjet, fatin
Pastaj muzika bie mbi ne
Ahh!
Oshëtim, mik i dashur!
Asgjë më shumë
Kot mos shpreso!
Jemi perëndime të përditshëm
e lindje të përjetshme…


E trishtë vij

Kurora dafinash prej shekujve të thara
Hëna një copë jastëku e rrudhosur
për ëndrrat që do të stisen netëve
Si gozhdët e kryqit, trupi mbërthyer fort
E vetmja shenjë e sigurt ekzistence
Vij e trishtë
rrëkeve të shpirtit!

Exit mobile version