Kreu Letërsi Bibliotekë “Kaq i gjatë harrimi”, cikël poetik nga Olimbi Velaj

“Kaq i gjatë harrimi”, cikël poetik nga Olimbi Velaj

1. Anijet e mbytura

Anijet e mbytura
janë më interesante
se anijet sipër, nëpër limane
dhe përjashtojnë njëra-tjetrën
duke qenë në brigje të ndryshme
e sajime vendndodhjesh
që janë funebre e të qarta
kur ti del në ndonjë gadishull
të bredhjes sime me delfinë
e bëhësh keq nga indiferenca

Si është e mundur që një i ikur
të jetë kaq i llahtarshëm…?

Ti kërkon nëpër bimët e oborrit
me gishta të paralizuar
e sy të lëvizshëm
që shqyejnë ajrin
dhe më përfton nëpër pllaka të lëngëta
ku rrafshohen këmbëzbathur
gjithë vjetët e mi pas dere
ku mbin mjekra jote që kurrë s’e pashë
dhe fashitet e qeshura si një lodhje
mbi grinë e gërmadhave
Pastaj do më tregosh për plagë
për kocka të thyera në ndonjë lëngatë
për karafilë të vjedhur
dhe të tjera paradokse dhuratash…

Po gjithmonë anijet e mbytura më të mira janë
se ato që duken, që i kemi afër

Dhe ka kohë që unë s’e di më si qahesh
s’mbaj mend drejtimin e shfaqjes sate
që mbeti një pikë e pavëmendshme koordinatash
ose inerci daljeje
Për kaq shkaqet përfundojnë
më përtej lëkurës sime
që s’do të digjet kurrë
dhe s’do të lëvizë nga njollat e saj
as do të ndërrohet
veç disa qelizave, që të pavarura
bëjnë të dyshimtë
sosjen time të gjatë


2. Kaq i gjatë harrimi

Kaq i gjatë harrimi
dhe me bimë që s’rriten
as thahen si gjithherë
Është një e ftohtë e bukur
kjo braktisje ndaj vetes
me rrathë ferri në qafë
e tinguj që pa kufij përhapen
E mban mend
atje ka qenë rëra
e verdhë si të gjitha vdekjet
dhe e rrëshqitshme
dhe ne ecnim detyruar ngadalë
dhe në të njëjtën pjesë kohe
diku tjetër do kishim shkuar larg…
Kaq i gjatë harrimi dhe i zbehtë
si një diell dimri kontinental
dhe pa harqe
duke u varur përtej vetes
nëpër stinë të thata
Po trupat kanë ikur
pa ditur të mbeteshin
te njëri-tjetri sadopak
Dhe gjithë kjo zhdukje
është pa kuptim
sidomos për logjikën normale
Unë e di
harrimi mund të jetë i pafundmë
përpos i gjatë
Po më jepet etja jote e fshehtë
nëpër pohime të reja
Sepse e vërteta s’ka lidhje me mbresat
dhe shqyrtimet e tyre
në kohën e mëpasme


3. Gjithçka në të shkuarën qe….

Gjithçka në të shkuarën qe
Bora e mbetur nëpër pullaze
mejhanet e lodhura të natës
këngët e çuditshme dhe të lehurat
thellë yjeve të largët
rrugët ku kemi ecur
nën tymin e athët të çative
dhe xhamat e veshur me avull
Nëpër të gjitha këto shkuam
si dy të huaj që i mungonin njëri-tjetrit…
Por është ngrohtë
bora si ujë rrjedh nga çatitë
dhe vetmueshëm kundroj këto vende
pa sytë e ty që kurrë s’i kuptova
pa dehjen tënde të thellë
në ato netë boreale…
Tani të tingullt jemi
Si një jehonë hapash
që gabimisht u ndalën
në pragun e një porte pa kanate


4. Lumturia e të tjerëve

Rrethanat hapen
si gropa, pa interpretime të mëparshme
këtu njerëzit sulmohen thjesht
duke treguar historitë e tyre të lumtura
mes veti
Ai tjetri përballë buzëqesh
duke qarë përbrenda
për rrethanat e veta munguese
Këtu nis hamendja rreth të vërtetave
sepse rrëfyesit e historive të lumtura
sajojnë e përsërisin
për t’u vetëbindur
në prani të të tjerëve
Lavdia e tyre ngrihet
në anën tjetër
nëpër imagjinatën e atij tjetrit
si pirg i madh dheu
gjersa ai bie në një nga gropat
duke rrëshqitur vazhdimisht
për në botën e shpikur
ku s’është më
as lumturia e të tjerëve.


5. Moment

Pa asgjë vjen nata, përpara syve
duke mësyrë brenda
Aty bien në terr
fundet e dëshirave
në rastin më të keq
ngjizur midis mobiljesh
që gjithashtu humbin
nëpër ngrehinat e zvetënuara,
ndriçimit që bjerret…
Një grua u shfaq midis dritareve
në një shtëpi të largët
zëri iu shua në zhurmën e rrugës
mes njerëzish që rastësisht
së bashku jetuan atë çast
Nata kish hipur mbi gjithçka
kur ajo ra nga dritarja
dhe u plandos mbi trotuar
Jetoi në mes të rrugës sekondën e fundit të saj
ndërsa njerëzit
me idenë imune të përjetësisë
u keqardhën pak
Nata mbërriti brenda kokave
në vazhdimin e ecjes
përgjatë kembësorësh normalë


6. Burri në kafene

Moshë e papërcaktueshme…
mund të gabosh një dyzinë vitesh
teksa ky njeri i zakonshëm në kafene
ngre sytë e të përplas vështrimin
hutueshëm dhe bosh, si mbi sende.
Atentat mbi praninë
mund të quhet ndjesia që përftoj
Pak burra falin idiferencë kaq të pastër…
Një hamendje e vagullt
nis në hapësirën midis syve e mesazheve…
Ky i panjohur pa moshë të saktë
pa asnjë interes dhe kaq afër
nuk është se ka shprishur kodin e natyrës.
Në çastin më pas ai nxjerr nga xhepi
kuti ilaçesh
e nis të prekë me gishta
relievin tërë vrima të shkronjave në Brail.


7. Kohë të vjetra

Edhe ti i mban mend
ato kohë të vjetra
me lajmthirrje e kartolina naive
Vera kish shkuar si apokalips
mbi trupat tanë dhe ëndrrat
përmbytur nga ankthi qe pritja
ndërsa nën klithma gërvinin ambasadat
S’mund ta harroj bindjen tënde
dhe dritën e pastër
nën qiellin e orëve të ikjes…
Pastaj erdhën shirat
malli ynë u bë i largët
dhe ankthi zbehej
si një kub akulli me qoshe të shkrira
Të tjera gjendje ranë mbi shqisa
dhe mbresat u bënë të mjegullta
si një etje që i largohet vëmendjes.
Tani vetëm rastësisht të kujtoj
pa e pasur mendjen, si pjesëmarrësit
në rituale përvjetorësh, ku harrohet arsyeja.


8. Gjyshes

Varri i saj është nën një mimozë të vjetër
në anën veriore të varrezave
Mbi pllakë ka një foto të hershme me gjyshin
ditën kur morën letërnjoftimet
Dilte rrallë nga shtëpia
një herë në muaj, për të tërhequr pensionin në bankë
Koha tjetër shkonte midis dhomave tona gjysmë të ndriçuara
dhe igrasisë që na shoqëroi me vite
Gjithmonë e pat pengun e shtëpisë në kodër
korijen, përroin e kishës, lopën…
Patëm jetuar gjatë bashkë
por jo mjaftueshëm për të ndier dhimbjen e saj
që mbartej nëpër apartamente
Kur ndjeu sa pak i kish mbetur, na e kujtoi ikjen:
“Atë ditë shtëpinë lyejeni me gëlqere
e më varrosni vetëm, pa plakun.
Janë të ngushtë varret në qytet
të merret fryma vet’ i dytë…”
Qemë çuditur e patëm qeshur me frikën e saj…..
Tani prehet nën mimozën e vjetër
me gjyshin përkrah
njëlloj si atë ditë kur u nisën për të dalë në fotografi
e unë i vështroja deri në fund të rrugës
gjersa u shndërruan në dy pika, atje larg…

Exit mobile version