Treni u rras në tunel. Uturima mbi shina ndihet më fort. Kaplon errësirë e dyfishtë, e tutshme. Vajza jonë e vogël cijat: mami! Ndizet një llampë e hajthme në fund të vagonit. Të tjerat me gjasë janë djegur. Ose është dëmtuar rrjeti.
Vagoni ka disa ndarje të vogla, si punë kabinash.
Rrugina mes ndarjeve, e muzgët.
Nëpër rruginë nis me u rrokullisë një hije e stërmadhe, rrumbullake. Hija ndalet te ndarja jonë. Re lëmshore, na e zë edhe atë pikë dritë që kullon prej llampës në fund të vagonit. Shtyn derën, ka vend këtu? Zëri i vorbët. Nuk dihet kah del.
Nga ndarja ngjitur dikush bën dritë me telefon. Hija e stërmadhe qenka thes. I nxirë. Në shpinë të një burri. I është kapur diku nën zverk, mbi një palë shpatulla, që nuk shihen. Nën të duken vetëm dy këmbë të gjera, kërcinjtë e thatë deri afër gjunjëve. Këmbët eshtërore, futur në dy këpucë të çafaretuna, si korita. Përlyer me baltë të vjetër.
Mullar vetëlëvizës.
Ime shoqe zverdhet. Në ngultë këmbë me hy në ndarjen tonë, ky na shtyp të tre. E mbështjell vajzën me krahë, e fsheh në parzëm. Të ka mami shpirt.
Për fat masa e vrugët ndërron mendje. Kthehet shllap-shllup rruginës së vagonit. Në të djathtë shtyn një derë. Aty janë dy studentë të përgjumur, djalë e vajzë, me kufje në vesh. Hija shqipton ka vend këtu? Djali lëviz buzët. Nuk ndihet çka thotë. Ose nuk thotë gjë fare, këndon karaoke. Afron buzët te vajza.
Përmjedis vagonit rrokulliset një send i verdhë, bija jonë përplas duart: portokalle! Kokrrat e verdha shkëputen nga thesi i stërmadh, nga një, nga dy. Rreknehen përmes ndarjeve me udhëtarë të rrallë. Portokalle s’ka tregu qyshkur, nuk gjinden në asnjë shitore. Janë të xhaxhit, thotë ime shoqe. Të blen mami kur të zbresim. Ajo e rren vajzën. Ajo s’ka dëshirë me e rrejtë.
Njeriun nën thes nuk e shqetësojnë kokrrat që pikin. Mos po i hedh vetë? I lehtohet barra.
Treni tundet nëpër tunel. Tuneli tundet nëpër terr. Terri tundet nëpër botë.
Një portokall kapërcen derën e ndarjes sonë. Vajza e vogël zgjatet me e marrë, pasi këqyr si fajtore nga ime shoqe e nga unë. Ime shoqe hap gojën me i thanë prapë jo, janë të xhaxhit. Kokrrat e ndezura rrumbullake vazhdojnë me u rrëzue, hija lëmshore kthehet mbrapsht e largohet. Disa qenie zgjatin duart me i kapë, u shihen vetëm gishtat, lëvizin si hardhuca. Mes duarve portokallet ndërrojnë pamje. Bëhen ngjyrëguri, ngjyrëplumbi. Qeniet i lëshojnë, s’i mbajnë dot. Portokallet bien duke kërcitur në fundshtrojën e vagonit. Njerëzit që i prekën marrin frymë të lehtësuar. Janë shumë të rënda, tepër, apo shumë të nxehta, tepër? S’e vumë re ngjyrën e peshën e tyre, jemi të lodhur e të përgjumur. Jemi të uritur. Kokrrat e rrumbullakëta, të rënda tepër ose të nxehta tepër, hovin si me magji. Drejt e në thes, ku patën qenë!
Treni del prej tunelit. Merret vesh nga zbutja e zhurmës. Zhurmën e thith ajri, si sfungjer. Jashtë tunelit e njëjta errësirë. Zbresin do udhëtarë, hipin do të tjerë. Hija kataroshe afrohet me zbritë, ka vend këtu? Terri nuk përgjigjet. Gjithçka ka ndryshuar, thotë hija. Nuk njoh kurrgjë. Nuk njoh kurrkënd. Dhe nuk shoh.
Treni hyn prapë në tunel. Tuneli është i gjatë.
Mes për mes vagonit një patrullë policie. Hija e hutuar përballë tyre. Ti pse nuk zbret, i thonë policët. E ke kryer dënimin, je i lirë. Nuk e di, thotë hija. Vitet i kam të gjitha këtu. Më kanë zënë përfund. Vitet e burgut leri prapa krahëve, ke mbaruar punë me to. Nuk e di cilat janë të burgut, thotë hija. Më janë përzier. Në këtë thes janë bashkë vitet e burgut dhe vitet pas burgut. Janë bërë njësoj. Lëshoje atë thes dhe fillo nga e para. Ah, po. Po e lëshoj, por nuk po më lëshon!
Thesi i rrumbullakët, i haparavun, afrohet prapë te ndarja jonë. Brumbull i nxirë, fryhet e fryhet, e mbush krejt hapësirën e vagonit. Ka vend? Ku ka vend aty, o rob, ia kthen dikush. S’i ke sytë në ballë? As këtu s’ka vend. Jo, jo, s’ka.
Rrakazhdak treni.
-Zbrit në tokë me tërë atë thes, na lemerise!
-Ku është toka?
Tuneli gjarpër i gjatë.