Kreu Letërsi Bibliotekë Visar Zhiti: Për atë mund të shkruaj vetëm në tetor

Visar Zhiti: Për atë mund të shkruaj vetëm në tetor

Elips për poetin Sherif Bali

Nga kokrra e shegës, çarë përgjysmë,
pikë-pikë pikon tetori…

Vërtet është shegë apo metaforë? Pse më kanë mbetur në mendje që nga rinia e parë këto vargje?  A kanë ndonjë kumt të fshehtë? Një shegë e çarë dhe muaji që pikon. Mund të jetë dhe një plagë e madhe e bukur me ato pikat e një stine shpirtërore. Gjithçka ndodh në heshtje poezie. Asnjë britmë, edhe pse ka një çarje, asnjë akuzë, kur ndjehesh më lart se ato, madje dhe i gëzuar.

Është lirika e Sherif  Balit, poetit eseninian, kështu i thoshim në rininë e parë, që sigurisht shkruan ende dhe tani në burrërinë e vonë, atje në Lushnjën e tij.

Dua ta kujtoj jo vetëm nga malli dhe për ç’shkruante, por edhe për atë që nuk mundi të shpalosej dhe të bëhej. Dhe kur t’i pakësojnë mundësitë për të shkruar, më saktë kontaktet me lexuesin, botimet, shkollimin, libratv e botës, humbasin dhe vargjet q:e do t:e shkruaje, pak nga pak humb dhe nga vetvetja.  

Këtë lirik të mrekullueshëm nuk e lanë të bëhej poeti që mund të ishte. Imazhinist me ndjeshmëri, në atë afërsi me natyrën si rrallë kush, me dhuntinë që ta kthente një pamje të vogël në një gjendje të madhe shpirtërore, sendet jashtë tij flisnin gjuhën e tij.

Do desha të flas për lirikun Sherif Bali, ai ishte talenti përballë pengesave të një kohe aspak lirike, madje ashpërsisht revolucionare, absurde, pa ndonjë revolucion, por që shkatërronte vetveten, me luftë klasash, kur s’kishte më klasa, në një vend të vetmuar e të mbyllur, gjithnjë e më të varfër, etj, etj,  dhe të gjitha këto  duheshin të pasqyroheshin si suksese në letërsinë sunduese të Realizmit Socialist.

Sherifin e njoha që fëmijë në Lushnjë, pastaj në gjimnaz kur unë isha në vitin e parë, ai ishte në të fundit dhe na tregonte poezitë. Mahnitesha. Vinte në shkollë nga larg, nga fshatrat kodrinore, nga Balaj, çdo ditë në këmbë, me çizme, 2-3 orë rrugë, edhe në të ftohtin e dimrit, në shi e baltë, mësonte rrugës, hapte librat, shkruante, në shtëpi arrinte në të errur dhe prapë të nesërmen ngrihej herët që të vinte në orar në shkollë, ndodhte që nxënësit të gjithë të ishin të rreshtuar në oborr dhe bënin fizkulturën e mëngjezit, kinezërira të revolucionit kulturor dhe ai shfaqej dhe e përzinin se kishte ardhur me vonesë. Shkolla një herë në vit kishte të programuar një marrshim të gjatë dhe gati i afroheshim fshatit të Sherif Balit, rrugë të cilën ai e bënte për ditë.

Si talent e zbuloi mësuesi i tij në fshat, Bilbil Cami, një studiues fin, ai po e ushqente me libra Sherifin. Në gjimnaz iu bë mbështetje shoku i tij Bardhyl Sade, si një Horat në tragjedinë Hamleti, shok dhe me tim vëlla, Ilirjanin. Ata më njohën me Sherifin. Dhe e adhurava. Pastaj mësuesi dhe poeti lushnjar, me njohje, Faslli Haliti, do të bëhej mecenati shpirtëror i tij dhe i ne, nxënësve, që na mbante pranë.

Poeti Faslli Haliti i merrte poezitë e Sherifit dhe i çonte për botim në Tiranë në gazetën “Drita” e revistën “Nëntori”, i prisnim me padurim. Unë  e ruaj një cikël me poezi të Sherfit me autografin e tij. Mësues Faslliu ia tregonte poezitë e Sherifit në Tiranë edhe poetëve me famë, Kadaresë dhe Dritëroit dhe sillte prej andej fjalë të mira e lëvdata.

Dhe befas Sherif Balit nuk i boton më. Se merrej vesh kush ishte a dërgonin letra lart, në udhëheqje, në Komitetin Qendror. Ai ishte me biografi të keqe. Familja e tij nuk i kishte “triskat e frontit”, gjyshi ishte shpallur “kulak”, madje përflitej se Xhafë Bali, komandant i një çete të Ballit Kombëtar, që fitimtarët e kishin shpallur si “kriminel lufte” ishte vëllai i gjyshit të tij, etj, etj.

  Gjithsesi të gjitha këto shërbenin që Sherif Bali të mos botonte më, madje të mos lejohej të ishte poet. Por ai kishte lindur i tillë dhe përpiqej të gjente një rrugë, të hynte në letërsi, por vetëm e nxirrnin.

Ç’të them për atë, ai besonte edhe kur zhgënjehej, ja, ashtu si ne, por gjithmonë kishte diçka ndryshe, më siperane se përreth, edhe pse fati e sprapste, shkruante vazhdimisht, i begatë madje, pa asnjë njollë nga jeta e tij, me një gëzim të natyrshëm, më saktë si natyra dhe kjo më habiste, si nuk ka asgjë nga biografia e tij ai në poezi. A kishte poezi të tjera të fshehta për një kohë tjetër? Këtë nuk e mora vesh asnjëherë, edhe pse me Sherifin bisedoja çdo gjë, edhe “kunder” siç thuhej atëhere dhe pasi shkoi ushtar ai, ushtar p;er atdheun mund t;e ishte, por jo poet, dhe unë, student, i jepja fletoret e mia me përkthime poetësh të pabotuar ose emrash të ndaluar, Lorkën, Jevtushenkon, që ishte më i rrezikshmi, se kishte shkruar një poezi edhe kundër Enver Hoxhës si Stalinist i egër.     

Paritur Sherifi nisi të shkruajë ngjashëm me poezitë me strofë të rregullt të Kadaresë, edhe të Dritëroit, jo vetëm pse i pëlqente, por ndoshta dhe duke besuar se kështu do të mund t’i botonin. E donim dhe poezinë e Fatos Arapit, të treshes emblematike që nxori ajo kohë.

 Pastaj, për çudi, në një periudhë më të vonë, Sherifi po na tregonte poezi si të Faslli Halitit, jo kritik si ai, të cilat i dhanë dhe njohje për origjinalitetin e tyre, por ashtu sentecial, edhe cerebral, por për mua Sherif Bali shkëlqente veçse kur ishte lirik, me vargun e rregullt, gjithë muzikë e ndjenjë e rima të bukura.

Nuk dua ta gjykoj. Përkundrazi, dua të kuptoj. Kur një poet, sidomos i ri, jeton në një mjedis ku botimi nuk është vetëm çështje e talentit, por edhe e përshtatjes, ai mund të fillojë të dyshojë te vetja. Mund të mendojë se nuk mjafton të shkruash mirë, duhet edhe të shkruash siç duhet, sipas shijeve të kohës, sipas pritshmërive të atyre që vendosin. Dhe atëherë fillon drama e tij e padukshme: përpiqet të fitojë të drejtën për t’u dëgjuar, duke rrezikuar të humbasë pikërisht atë që e bën të veçantë.

Rreziku më i madh për një shkrimtar, mendoja, nuk është të ndikohesh nga një poet tjetër. Letërsia ka lindur gjithmonë edhe nga takimi, nga adhurimet, nga trashëgimia. Rreziku është të mos e dallosh më kufirin mes asaj që merr prej të tjerëve dhe asaj që duhet të mbetet e jotja.

Harold Bloom në teorinë e tij mbi ankthin e ndikimit e sheh marrëdhënien e poetit me pararendësit si një përballje të vështirë për të fituar zërin e vetes. Por në rastin e Sherifit tim, kjo përballje nuk ndodhte vetëm me letërsinë. Ndodhte edhe me kohën, me mjedisin, me varfërinë, me mungesën e përkrahjes, me provincën e mbyllur që mund të bëhej bota e internimeve.

Sherif Bali nuk e tregoi atë ndjenjën e hidhur të padrejtësisë. Kur shikonte të tjerët, që sigurisht i gjykonte më pak të talentuar se veten, të botoheshin, të vlerësoheshin e të kishin sukses, duhet t’i ketë dalë si mërm;erimë mes buz:eve ajo pyetja e pamëshirshme: Po unë, pse jo?

Është një pyetje njerëzore. Por, po të mbetet pa përgjigje shumë gjatë, mund të kthehet në vrer. Njeriu fillon të krahësojë fatin e tij me fatin e të tjerëve, jo më me mundësitë e veta. Ajo që dikur ishte mahnitje për poezinë, mund të shndërrohet në pakënaqësi ndaj poetëve, dëshira për të shkruar mund të zëvendësohet nga dëshira për të mos mbetur pas.

Dhe kështu, ndonjëherë, ai që është lënduar nga padrejtësia, rrezikon të bëhet vetë më i ftohtë, më i mbyllur, madje edhe më i padrejtë në gjykimin e të tjerëve. Jo sepse ka lindur i tillë, por sepse zhgënjimi, kur nuk gjen një rrugë për t›u shndërruar në krijimtari, mund të kërkojë një shteg tjetër.

Nuk e di nëse kështu ndodhi me Sherifin tim. Nuk do të doja ta shndërroja bisedën me të në një lloj gjyqi si me një mik të rrallë. Dua vetëm të mendoj se çfarë i bën njeriut një jetë pa përgjigjen që pret, pa vlerësimin që shpreson, pa mundësinë për t’u zhvilluar ashtu siç e ndien veten.

Aristoteli, në një formulim të njohur të Etikës Nikomake, e lidh lulëzimin njerëzor jo vetëm me cilësitë e brendshme, por edhe me kushtet në të cilat ato mund të marrin jetë. Talenti është i domosdoshëm, por nuk mjafton gjithmonë. Duhet edhe hapësirë, kohë, punë, kulturë, liri, një mjedis që nuk ta shndërron çdo përpjekje në një betejë për mbijetesë.

Miku im mbeti i varfër si dhe unë, pa përkrahjen që do t’i duhej, larg qendrës, ku vendosej fati letrar. Provinca nuk është faji i askujt. Ka lindur letërsi e madhe dhe larg kryeqyteteve, larg akademive, larg salloneve ku shpërndahen çmime dhe lavdata përkujtimoreje. E keqja fillon kur provinca bëhet jo vendi ku jeton shkrimtari, por kufiri përtej të cilit vepra e tij nuk arrin të shihet. Kur largësia gjeografike kthehet në largësi kulturore, kur mungesa e lidhjeve ngatërrohet me mungesën e vlerës.

Dhe sa e padrejtë është që një poet të ketë nevojë për suksesin e të tjerëve që të besojë te vetja!

Dua të kthehem sërisht në moshën tonë të artë, në gjimnaz, kur poezia na dukej një mrekulli e afërt. Rrinim me Sherifin  dhe na dukej se poezinë mund ta bënte kushdo. Jo sepse ishte e lehtë, por sepse ai e bënte të dukej e natyrshme, sikur një ndjenjë e bukur, një mendim i papritur, një pamje e zakonshme mund të bëheshin vargje pa ndonjë mundim të madh.

Ai na e afronte poezinë. Mbase ky ishte një nga virtytet e tij më të çmuara, të na bënte të besonim se  mund të hynim në atë mbretëri të fjalës. Por me atë e kuptova se nuk ishte ashtu, jo kushdo mund të bëhet poet, qoftë dhe me biografi të mirë. Poezia kërkon dhe një vështrim të keq, mendoja, jo vetëm një marrëdhënie të rrallë me gjuhën, një vesh për heshtjen, aftësinë për të gjetur në një gjë të vogël diçka që u përket të gjithëve. Ishte koha e heronjve pa heroizma.

Besonim se talenti do të gjente rrugën e vet, se ajo që ishte e bukur do të njihej, se jeta, sado e vështirë, nuk mund ta pengonte përgjithmonë një njeri të bëhej ai që ishte.

Sa shumë naivitet kishte në atë besim! Dhe sa i bukur ishte ai naivitet!

Sepse rinia nuk është vetëm mosha kur nuk e njeh ende botën, por koha kur beson se bota mund të jetë më e mirë nga ç’është. Por mësuam se koha mund ta lodhte një talent, se zhgënjimet mund të binin si pluhur mbi një dorëshkrim, se sa më shumë të botoje, aq më shumë largoheshe nga vetja.

Dhe nuk humbeshin emra nga letërsia, por dhe marrëdhënia e mundshme mes një njeriu dhe të tjerëve. Humbet ajo që mund të na ishte dhënë, ajo që mund të kishim zbuluar te vetja.

Këtu fillon dhimbja ime.

Nuk mund të them se, po të kishte pasur një jetë tjetër, ky apo ai shkrimtar do të ishte bërë medoemos i madh. Nuk mund të gjykohen jetët me hamendje.

Për Sherifin tim mund të them se kishte një dhunti që na bënte ta kërkonim, se në poezinë e tij kishte një freski që nuk ishte te të gjithë, madje as e zakonshme, se ajo shegë e çarë dhe ai tetor pikojnë ende, pik-pik, një retiçensë në shpirt.

Ka edhe një padrejtësi tjetër, më të hollë, më të vështirë për t’u dalluar. Ne flasim shpesh për poetët e ndaluar, për librat e censuruar, për shkrimtarët e vrarë. Por duhet të mendojmë edhe për ata që nuk i ndaloi një urdhër i vetëm, një censurë e vetme, një derë e mbyllur përgjithmonë, plumbi a telat me gjëmba.  Për ata që u lodhën duke trokitur. Për ata që, në vend që të shkruanin atë që u vinte nga thellësia e tyre, filluan të shkruanin atë që mendonin se do t›u hapej rruga. Një formë më e heshtur e humbjes. Pa një proces gjyqësor, pa dosje, pa ndonjë mbledhje të rëndësishme e vendim.

Dhe mbase kjo është dhe drama e vetes ashtu si dhe e shumë miqve tanë. Jo se nuk shkruanim më, por nuk bëheshim dot vetja, duke mos e humbur medoemos aftësinë për të shkruar, por me rrezikun e humbjes së lidhjeve me zërin e vetes.

Duke dashur të bëhesh si të tjerët në pararojë, e dhimbëshme, humb dhe veten në prapavijë.

Të mos bëhesh si të tjerët nuk është dështim. Përkundrazi, ai do të ishte dështimi, ndërkaq përpjekja për t’u bërë dikush tjetër të ka larguar nga ai që mund të ishe. Megjithatë njeriu nuk është vetëm vepra që arrin të bëjë, as poeti nuk është vetëm libri që boton. Një jetë nuk është një bibliografi. Ka vuajtje të paditura, rrethana që nuk i njohim, përpjekje pa dëshmi. Nuk kemi të drejtë t’ia zvogëlojmë jetën dikujt vetëm sepse letërsia nuk e njohu aq sa do të donim.

Mbas rënies së perandorisë komuniste dhe zhbërjes së diktaturës edhe në vendin tonë,  Sherif Bali botoi disa përmbledhje me poezi, me lirikat e tij të mrekullueshme, por dhe me manierat e tij. I pritëm me dashuri. Madje dhe shkrimtari Koço Kosta shkruajti me entuziazëm të madh. Krahas gëzimit, ishte dhe ai pengu që ato nuk ndjeheshin dhe aq si në kohën e tyre. Aq m:e mirë n:e pakohësi. 

Po unë dua të shoh dritën e tyre të fillimit, atë dhunti që na mahniste, poezinë që ishte përpara përpjekjeve për të gjetur një vend mes të tjerëve.

Mos ka formën e shegës të çarë përgjysmë? Nga pjekuria apo nga goditjet? Kokrrat e kuqe janë së bashku, secila e veçantë, të gjitha pjesë e së njëjtës jetë.

Dhe tetori pikon. Nuk ka pse ta kthejmë çdo pikë në gjak, çdo frut në plagë, çdo stinë në alegori të fatit. Poezia e mirë nuk e shteron kuptimin e vet në një shpjegim. Ajo na lë përpara një pamjeje dhe na kërkon të qëndrojmë aty pak më gjatë.

Mua më duket se shega e poetit Sherif Bali është edhe një kujtesë e asaj që mbeti brenda tij, një bukuri që nuk ka humbur.

 Zemra është ajo shega e çarë,  një botë e hapur në mes. E kuqja e saj vërtet të sjellë ndër mend gjakun. Pjellorinë dhe ripërtëritjen, E çara ruan brenda mundësinë e vazhdimit, të një fillimi të ri. Tetori pikon. Jo thjesht si kohë kalendarike, por me një tjetër mister. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe simbolika e lirisë, të jesh i mbyllur dhe të ruash brenda vetes të kuqen e gjakut, të vërtetën e së gjallës si një zbulim i gjithmontë.a

Exit mobile version