“Nuk është se s’kemi çfarë rrëfejmë por, lutemi, mos na pyesni shumë për fshehuritë tona. Si zakon, si komb nativ, ne s’merremi me gjërat e fshehta”, provoi të shpjegohej shoqëruesi, para se të arrinim si vizitorë në vendbanimin e njerëzve të tij.
S’ishte e para herë që i përgjigjej vet pyetjeve që ai vet i bënte. I sigurt, mbase që ne donim dhe bënim mirë ta pyesnim dhe të merrnim përgjigje pikërisht kështu.
“S’ka lidhje të drejtpërdrejtë mes vetëvrasjeve ndër ne, me heshtjen që mbahet më pas për to. Vetëvrasjet mes njerëzve të mi janë shtuar, por ajo që do meritonte përgjigje është pse gjithnjë e më shumë njerëz nga ne po marrin rrugën për tu zhvendosur në Jug…”
‘Ju shqetësojnë më shumë ikjet se vetëvrasjet?’
Do donim ta pyesnim kësisoj por pritëm që ai vet të bluante diçka në mokrat e mendjes së tij, që ne të merrnim përgjigjen si jehonë e saj.
“Ne lindemi e rritemi duke mësuar e pranuar të besojmë se kur mendojmë e flasim shumë për të fshehtat, ato na prekin dhe ofendojnë shpirtin tonë’”, tha ai më në fund.
Na kishte treguar, pak më parë, se edhe ai vet s’ishte dot në mes ‘entuziastëve të pandreqshëm’ për hapjen, integrimin e njerëzve të tij në jetë që u ofrohej më në Jug.
Në krye, dyshuam se një person i tillë nuk do duhej të na rekomandohej si shoqërues e, megjithatë e kishim pranuar. Mjaft të na bënte të mundur t’i dëgjonim me veshët tanë qëndrimet e vërteta të vendasve. Nuk vonoi dhe e kuptuam se ai ishte i vetëdijshëm për detyrën që i besuan dhe e gjykuam të tepërt t’i kujtonim, aq më pak t’i luteshim apo kërkonim që, gjatë ndërmjetësimit me vendasit, njerëzit e vet, të përpiqej të ishte sa më asnjanës dhe sa më korrekt në përkthim. Sidomos, nuk hezituam t’i thoshim këtë, natyrisht duke qeshur, se s’ishte e thënë ta shprehte skepticizmin e vet për zhvendosjen e premtuar për në Jug, në sy të të vetëve!
* * *
“Ti duhet ta ngrohësh më shumë trupin e tët shoqi”, i tha ai, shoqëruesi ynë, një gruaje, sapo hymë në bisedë me një tufë grash në një punishte lëkurësh, ku punonte edhe gruaja e tij.
Ne të ardhurit e dëgjuam të befasuar, me ndrojtjen e rastit se mos merrej si interesim prej nesh.
“Unë s’jam dot e ngrohtë për vete…”, u përgjigj ajo.
Nga çfarë arrinim të vështronim dhe më shumë të merrnim me mend, ajo grua nuk po shtirej në çfarë thoshte, edhe pse s’ishim aq të sigurt nëse kështu thjesht shfajësohej. Në kuriozitet të plotë tonin, biseda e ndërmjetësuar prej shoqëruesit nisi e vazhdoi në sy të gruas së tij, edhe pse ajo vetëm dëgjonte, kryeulur, si të mos ishte aty.
“S’besoj se im shoq është ankuar për mua!”, kërkoi të dinte tjetra aty për aty.
“Jo, por s’ka pse presim që ju të tëra të jeni gra burrash të vdekur”, nguli këmbë përkthyesi ynë.
“Siç ai, edhe unë isha e ngrohtë kur u lidhëm.”
“Rëndësi ka të mos jemi me mendje diku tjetër.” shtoi shoqëruesi.
“Nuk jemi kurrë tjetërkund, ne gratë…”, ngulmoi ajo.
“Atëherë s’duhet të jetë as ai…”
“Kam frikë se jo…” , tha ajo.
Tridhjetë metra më tej, pasi u mbyll ky takim i parë dhe po largoheshim, morëm vesh se, në të njëjtën kohë që mes nesh po flitej, supozohej e hamendësohej për shkrirjen e akujve të Arktikut, ftohtësinë e brendshme të banorëve në këto vise, ai njeri i heshtur perëndie, pikërisht i shoqi i gruas me të cilën sapo bisedoi shoqëruesi ynë për llogari tonën, kishte vrarë veten.
Më keq akoma, ajo që na la pa mend neve të ekspeditës, asnjë tension nuk ndjehej mes njerëzve aty. Sikur të mos kishte ndodhur kurrgjë. Ashtu si për varfërinë, që shihej si diçka pothuaj e virtytshme, edhe për vetëvrasjet heshtej si për ato fshehtësitë e thella që s’kishte pse trazoheshin, përderisa kurrë nuk reshtnin.
“Nuk di a mund të pyesim diçka më shumë, për këtë rast?”, lutëm shoqëruesin.
“Përpara pak javësh, burri i saj zbriti në Jug për të parë me sytë e vet nëse mund të zbrisnin më pas, familjarisht, por u kthye shpejt. Vazhdoi të ankohej se ndjente të ftohtë, madje se i ftohti e mundoi edhe në Jug, kur ai arriti atje ku dielli digjte. Të dridhurat më vazhduan edhe atje, këmbëngulte ai duke shpërfillur të qeshurat e atyre që e dëgjonin. Nuk qëndroi dot gjatë në Jug. Tashmë s’është më, as këtu ku ishte lindur…”
Ekspedita jonë kishte mision të vëzhgonte trojet ku thuhej me trishtim se njerëzit lindnin të vdekur por, për të qenë etikë, ishim këshilluar të mos e përdornim këtë cilësim. As të pyesnim më shumë për probleme të tjera që shqetësonin vendasit…
Ngaqë mos-pyetja jonë si drojë, shëmbëllente rreptë me pa-dëshirën e vendasve për të rrëfyer në detaj të fshehtat e tyre, më shumë fliste ai, përkthyesi e shoqëruesi ynë. Pa ia kërkuar ne, por edhe pa ia qortuar, kur biseda endej në fill të perit.
Më në fund ai u ndje i shteruar, i lodhur. Nuk foli më për njerëzit e tij. Pa kërkuar lejen tonë, tregoi për një lule, një nga lulet e Arktikut që mbinte e rritej, çelte e thahej, brenda pak javëve.
“Ajo lloj lule jeton aq ditë sa ndjen diell…”, tha ai. “Por, kush na bind dot neve se, duke qenë kjo lloj luleje që është këtu, do të mund të jetonte më gjatë diku tjetër?!”
Gjatë tërë rrugës për të arritur aty ku do strehoheshim atë natë, vijoi heshtja, si hije e ftohtë.



