Kreu Opinion Zylfi Tola: Shkrimtarë dikur të rinj, Ridvan Dibra dhe Xhahid Bushati, ish-mësues...

Zylfi Tola: Shkrimtarë dikur të rinj, Ridvan Dibra dhe Xhahid Bushati, ish-mësues të çmuar në Grykën e Çajës

Gryka e Çajës është krahina ndër më të njohurat në Lumë të Kukësit. Tani kur të katër katundet e saj kishin shkollë 9 vjeçare, në vitin 1976-1977 në katundin Fshat, nisi për hërë të parë shkolla e mesme me profil bujqësor. Kjo ishte një ngjarje nga më të mëdhatë dhe historike të kësaj treve të shquar e të largët, thellë prapa e matanë maleve.

Në këtë institucion arsimor do të vazhdonin mësimet fëmijët e Buzmadhes, Çajës, Fshatit dhe Shkinakut. Dy katundet, Buzmadhja e Çaja ishin pak më larg, por edhe në kufi dhe brez i tij. Themelet e shkollës së re, pra qenë në qendër të Fshatit, pasi ky katund është i njohur në të shtatë bajraqet e Lumës për luftën dhe vendosmërinë e malësorëve për shkollën, dijen dhe gjuhën shqipe. Në vitin 1901 qe hapur një shkolla turke, që pati vlerat e veta për kulturën e malësorëve. Me kërkesën e vendosmërinë e banorëve të Fshatit në 1927 nisi për të parën herë shkolla shqipe. 

Shkolla e mesme e Grykës së Çajës ka pasur në rrjedhën e saj shumë titullarë dhe mësues të aftë, me përgatitje të gjithanëshme arsimore e shkencore, me figurë të lartë morale, por edhe të përkushtuar për detyrën e tyre. Fillimisht drejtor qe Ali Shehu, gjërësisht i aftë, pa ortak në jetën e tij. Vuri bazat e shkollës së mesme, të plotë e me prespektivë për ecurinë e saj. Edhe cuca e bijë e katundit Hide Mezini, drejtore, e lartësoi emrin e saj me punë e djersë, pastaj Ilia Kondi nga Vlora, Feim Tota, Mevlan Lushi, Isuf Palushi, Ilirian Ganaj, Myftar Toleni etj., jo vetëm e ruajtën këtë traditë, por edhe ecën e i pasuruan më shumë.

Në Grykën e Çajës dhe në shkollat e saj, kanë punuar edhe shumë arsimtarë të ardhur nga qytete të tjera të vendit që në amzat e dokumentat e kësaj shkolle janë dhe emrat e tyre të skalitur e me germa të mëdha.

Në shkollën e Grykës së Çajës, qoftë ato 9 vjeçare dhe të mesme, kanë pasë fatin, që ti kenë në gjirin e tyre, jo vetëm drejtues të shquar, por edhe mësues me prirje dhe talent të rrallë edhe në fusha të tjera. Disa prej tyre posa kishin hedhë hapat e parë në fushën e krijimtarisë letrare. Të tillë qenë mësuesit dhe krijuesit e ardhshëm, Ridvan Dibra dhe Xhahid Bushati, me origjinë nga Shkodra, djepi i shkrimësisë, i kulturës dhe artit anë e mbanë Shqipërisë. 

x

Kështu Ritvan Dibra emërohet mësues për të parën herë në shkollën e mesme të katundit Fshat në vitin 1982. Siç tregonte ai më vonë, se kur mu dha emërimi në seksionin e arsimit në Kukësin e Ri, u shtanga dhe u habita, nga fjala “Gryka..” e më mbeti në mendje, jo vetëm sa punova atje në ato vise, por edhe sot që jam në Shkodrën time. Çaja dhe Gryka e Çajës kanë mbetur për mua hyjnore dhe të çmuara, pjesë të shpirtit dhe të zemrës time. Ridvani kishte lindur dhe rritur në qytetin e Shkodrës, ku pati përfunduar dhe studimet e larta për Gjuhë-Letërsi. Dosjen me të gjitha karakteristikat, vlerësimet e biografinë e tij i erdhën më parë në Kukës dhe Ridvani emërohet mësues në Fshat, në Grykë Çajë. Do të punonte në një zonë e trevë të thellë e larg qyteteve, por e njohur e me emër të shquar e të përveçëm për gjithçka mbante dheu në butësinë e vetë të brishtë.

Shkolla e mesme e Fshatit, por edhe ajo 9 vjeçare dhe i gjithë katundi e pritën Rdvan Dibrën me kënaqësi e krah hapur. Për Ridvanin ishte diçka më shumë, pasi ai gjithashtu ishte dhe djalë e shkrimtar i ri dhe niste një “trase” të re , të veçantë e të bukur edhe atë të letrave. Në ato vite e më vonë, pasi u njohën nga afër me profesor Dibrën nxënësit e tij shpreheshin se ne kemi pas fat që na mësoi letërsinë dhe gjuhën, gramatikën së bashku me gjithë elementët e saj të shumtë. Ai e njihte si askush tjetër në shkollë, lëndën e tij, gjërësisht e në thellësi.

Mësuesi dhe shkrimtari Ridvan Dibra gjatë pesë viteve me ditar e libra në dorë u shqua për një mësimdhënie të shkëlqyer, duke u treguar një talent të rrallë edhe si shpjegues i lëndës, e mes saj edhe shkrimtar. Ishte kënaqësi e veçantë të ndiqje organizimin e përsosur dhe zhvillimin e një ore mësimi, qoftë të gjuhës ashtu dhe të letërsisë. Ndonëse larg familjes e të afërmëve, por edhe vendlindjes, me kulturën, horizontin, pjesë e një familje të nderuar e me emër në Shkodër, ai shpejt iu përshtat dhe u ambientua me traditat e të folmet dialektore të zonës, e mes tyre zgjidhte sa e sa fjalë, shprehje, i përdorte e lidhte bukur e këndshëm, duke i bashkuar me gjithë të tjerat. Mbante një ditar duke mos lënë ti ikte diçka që ishte e veçantë dhe e çmuar.

Ridvani hyri dalngadalë e i sigurt në të gjithë hullsinë e zonës dhe katundit. Nga Fshati mësoi të kaluarën e tij, në të gjithë krahët, por më shumë për shkollën, mësuesit dhe jetën sociale dhe ekonomike. Tani mes pesë viteve, dinte hollësisht “dosjen” e lagjes Darsi, Shtini, Mezini, Shehu, Seferi, por gati edhe emrat e të gjithë banorëve, jo vetëm të atyre që vinin në mbledhje si prind të nxënësve. Nuk harron, por edhe përjetësisht, shitësin Tasim Shtini, nd/mjekun Nexhat Seferi, që peshën dhe vlerat i pati më tepër se një mjek i plotë, Muharrem Mezinin, Teki Shehun, Ajet Bicin, atë burrë plotë afarizma, batuta e gojë ëmbël. Ridvani ishte ngjitur edhe lart në bjeshkë, në stane, tek barinjtë e deleve rudë. Tani dinte edhe emrat e bjeshkëve, burimeve, pyjeve e shumë toponimeve, por edhe kufijtë e çdo katundi. Ai së bashku me mësuesit e tjerë jabanxhi, ftohej në dasma, festa, gjithashtu shkonte në çdo rast fatkeqësie, i pranishëm e duke u dhënë dorën të gjithëve sipas zakonit e traditave. Erdhi koha që Ridvani të ishte pjesë e të mos dallohej nga intelektualët e tjerë të zonës e të Fshatit. Larg zhurmës së kohës, me durim i vendosur dhe trim, me mendje të ndarë, ai hyri në botën e brendëshme të nxënësve dhe prinërve, duke punuar, pa e peshuar dhe ndjerë lodhjen, me qetësinë e brishtë që e karakterizonte kudo e vazhdimisht.

Mësuesi e shkrimtari i njohur tashmë, nuk i harroi asnjëherë vitet e kohën mes nxënësve të katundit të largët dhe banorëve të çiltër dhe bujar të Grykës së Cajës. Madje edhe në krijimet e tij letrare, ajo e mësuesisë, atje në shpatinat e brezaret e arave me misër e fasule, por edhe shkëmbi i madh sa gjysma e hënës përballë shkollës, kanë ndikuar direkt në krijimtarinë e tij të gjithanëshme letrare. Këtë e ka shprehur edhe vetë shkrimtari për ato vite atje larg ku citon:” Katundit  Fshat dhe njerëzve të mirë aty e për rreth tij u jam mirënjohës për gjithë jetën, sepse jo vetëm më garantuan një mbijetesë të dinjitetshëme por edhe më falën romanin tim të fundit “Gjumi mbi borë”.

xx

Secila shkollë në Grykën e Cajës ka historinë dhe rrugëtimin e saj, veçanërisht pas viteve 1944. Shkolla 9 vjeçare e katundit Buzmadhe ka edhe diçka të veçantë, pasi piketat e themelet e saj i ka vendosë një Shkodran, Zef Kraja, në atë Dhjetor të ashpër dhe plotë borë të vitit 1946.

Xhahid Bushati kur erdhi në Buzmadhe mësues, në takimin e parë me burrat e katundit, ata i përmendën emrin e patriotit të tij, Zef Krajën, bile Selim Durra, ai malësori me qise e kapuç të bardhë, i pat thëne: “Orë djalë e kemi pasë një mësues, më duket andej nga je ti, djalë i ëmbël, i shartuar me pipa thane, i urtë, bujar, i zgjuar e i thjeshtë. Punoi me takat e pa u lodhur me mësue djemtë e cucat tona. Atë që përgatiti ai, qenë fytyra e ndritur e tij, mendoj e uroj se edhe ti je nga ajo anë dhe pak a shumë do ti ngjajsh”.

Xhahid Bushati në atë Shtator 1978 e nisi detyrën e re në Buzmadhe me shumë besim në vetvete. I pëlqeu pamja, peisazhi i larmishëm i trevës, vëçanërisht i Buzmadhes. Një fshat i vendosur mes tre maleve mbi 2000 metra lartësi, Tërfojës, Lerës së Madhe dhe Malit të Tartarit. Një terren i thyer, me kodra, lugina, pyje, bregore, shkëmbinj, por edhe me ara të mbjella me misër, grurë, patate e më tej e lart në kodra e bjeshkë edhe qershiglat, boronicat, të shumta dhe me vlerë. Lumi dredha dredha futej mes shkëmbenjëve dhe zalleve, dukej si një gjerdan i artë. Të gjitha këto përbënin tamam hyrjen ose parathënien, për të ardhmen, në një libër letrar.

Që ditët e para kur u ngjit në fshat, përshtypje të mëdha gjithashtu i bënë ato përshëndetjet e banorëve, burra e gra, kaq bukur dhe hijshëm që Xhahidi qe befasuar. Fillimisht qe sistemuar te familja e Gani Lalës, matanë lumit, atje ku pati vendlindjen shkolla, kur nisi rrugën e saj për herë të parë. Në këtë familje, mes fëmijve dhe pjestarëve të tjerë, gjeti një ambient të ngrohtë, të këndshëm, tamam si tek prindërit e tij në Shkodër. Pastaj së bashku me kolegun e tij, mësues Pushkin Sotirin nga Gjirokastra, do të banojnë në një dhomë të veçantë, në qendrën shëndetësore afër xhamisë. Në çdo mbrëmje, tek duqani i fshatit, me shitës Halim Hodën, mblidheshin malësorët që ktheheshin nga puna. Kur largoheshin dhe do të shkonin pranë banesave të tyre, secili me dashamirësi dhe respekt i ftonin për në shtëpitë e tyre. Edhe kjo më bënte përshtypje të madhe, që se harroj edhe për atë kohë edhe sot – shprehet Xhahidi.

Një herë, ka qënë 25 Gusht 1980, Xhahidin e pat ftuar në shtëpi Bajram Hoda. Një pritje për miq së pari, për nga vlerësimi. Atë natë për fat, Zadja, gruaja e Bajramit lindi djalë. Sipas zakonit të Lumës, djali do të kishte emrin e mikut, Xhahidit shkodran, kështu duke qënë dakort të gjithë por edhe miku, djalit të vogël iu vu emri i bukur Xhahid. Tani Xhahidi kukësian është 46 vjeç, por edhe blegtori më i njohur në Grykën e Çajës me një tuf dele rude rreth 300 krerë. Verës i kullot në stanet e Kroit të Bardhë, ndërsa dimrit i zbret në rrethinat e Durrësit. Edhe kjo një suprizë befasuese, që kujtohet përherë në Buzmadhen e magjishme.

Në vitet 80 të shekullit të kaluar shkolla 9 vjeçare “Mersim Bresa” zinte një nga vendet e para në të gjithë krahinën e Anës së Epërme. Pati mbi 160 nxënës, 10 mësues, një bazë mësimore didaktike të bollëshme, por mbi të gjitha dëshira, këmbëngulja, pasioni dhe vullneti i nxënësve, mësuesve dhe prindërve, për të mësuar sa më mirë. Nga bankat e kësaj shkolle, në rrjedhën e kohëve, kanë dalë sa e sa mësues, mjek, ushtarak e të profesioneve të tjera. Më vjen keq dhe më dridhet dora ta shkruaj, pasi kam qënë nxënësi i parë, që sot shkolla e Buzmadhes ka vetëm 4 mësues, Sokol Hoda, Azemine Hoda, Eduart Mata dhe Ermal Bresa dhe vetëm 23 nxënës.

Në shkollën e Buzmadhes Xhahid Bushati shpejt u ambientua dhe ishte nga mësuesit më të dalluar. Në klasat e larta të 9 vjeçares, sipas orëve, jepte letërsinë dhe gjuhën shqipe. Një mësues dhe intelektual me virtyte dhe cilësi të veçanta. Ai shquhej për dijet, me horizont të gjërë, jo vetëm në lëndët e tij, për të cilat kishte mbaruar dhe universitetin, por ai veçohej për gjërësinë dhe në mendime, debate, kundërshti, i hapur dhe i çiltër.

Drejtoresha, kur qe mësues Xhahid Bushati, në Buzmadhe, Fadile Muja, ka shumë për të thënë e përmend për kolegun mësues Xhahidin, por mes të tjerave veçon: Mësuesi i gjuhës shqipe në shkollën tonë, Xhahid Bushati shquhej edhe si mësimdhënës edhe si edukator. E para dhe mbi të gjitha thjeshtësia e tij në veshje e në paraqitje si dhe në komunikim. Asnjëherë nuk dëgjova nga ai fjalën “unë”, por vetëm “ne”. Kjo më bënte të mendoja se kisha përpara një person të hapur, të saktë dhe në hullinë njerzore, me një botë të brendëshme të mrekullueshme. Ora e mësimit, kur e kontrolloja, njëherë ose pak më shumë në muaj, më bënte që të isha vetë nxënëse e ta dëgjoja me vëmendje. Harroja sinqerisht etapat e ndarjes së orës së mësimit, kontrollin me gojë dhe në dërrasë të zezë. Xhahidi ishte mjeshtër e brilant. Nxënësit e dëgjonin me shumë vëmendje, pasi i rrëmbente me frazologjinë e pasur e shprehjet e gjithçka tjetër. Në hartimet, pasi vetë ishtë krijues dhe në rrugën e bukur të shkrimësisë, zgjidhte tema interesante këtu nga ambienti ku jetonte ai dhe nxënësit, mes bjeshkëve, staneve honeve, por edhe për të ardhmen, nesër të rritur e me ëndrra.

Ora e letërsisë ishte vetëm një pjesë e programit, pasi bisedat letrare, Letrari i ri, Ta duam librin, Ta duam poezinë, qenë vërtetë të këndëshme dhe të paharruar. Edhe me të rinjtë e fshatit, që dikur kishin qënë nxënës në bankat e kësaj shkolle, Xhahidi zgjidhte kohën, do tu fliste për zhvillimin e letërsisë, shkrimtarët e shquar të hullisë së vet, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Petro Markon, Zija Çela dhe për shokun dhe kolegun e tij Ridvan Dibrën. Nxënësit u tregonin prindërve të tyre për mësuesin e letërsisë dhe gjërësisht për lëndën e këndëshme të gjuhës. Xhahidi porsa mbaronte mësimin, pasdite nuk do të mbyllesj në dhomën e tij. Ai tamam si një djalë i Buzmadhes, kalontë gjithandej, takohej e bisedonte veçanërisht me burra të vjetër, Rifat Lalën, Hasan Vellkun, Sherif Hodën, Qazim Bresën, Jahe Sabri e Liman Tolën  e me shumë gra e vajza të kësaj treve të largët.

Mes këtyre njerëzve të thjeshtë e bujarë, gjente temat e motivet për tregimet e novelat e romanet  që prisnin të ardhmen. Letërsia qe shpirti e bota e veçantë e tij e që do e transmetonte dhe tek fëmijët e tij të dashur Marjeli dhe Lindita.

Në këtë katund të largët djaloshi i ri, mësuesi shembullor, por edhe shkrimtari i ardhshëm, dalngadalë, por me hap të matur, hyri dhe mësoi edhe historinë e djeshme dhe të sotme të Buzmadhes. Një fshat me malësorë të njohur për besë e trimëri në të gjithë Anën e Epërme. Të ashpër, besnik, se duronin hilen, mashtrimin dhe dredhat. Xhahid Bushati historinë e ngjarjet e këtij katundi i hodhi në shënimet që mbante në blloqet e tij, shkurt e të sakta, burimore. Mësoi se Hafuz Bresa dhe Etem Lala, duke u përlesh me serbin gjakatar, qenë vrarë në këto beteja, pastaj dhe për historinë tragjike të pushkatimit pa gjyq të 21 burrave buzmadhas, në prerje bese e cdo norme lufte, tradite e kanuni, nga Shefqet Peçi në luftën e tyre për pushtet, jo vetëm e patën tronditur e mallëngjyer pa kufi, por kur e kujtonte nuk e zinte as gjumi për disa netë.

Buzmadhja është vend tepër malor, e ato orteqet e shumta, anë e kënd shpateve, i mësoi tepër i befasuar. Cen Krruqin në 1976 e mbuloi ortegu dhe tri netë e ditë, u kërkua nga e gjithë zona, por u gjet i ngrirë. Por mësoi dhe për gratë e Hasan Vellkut e të Selim Durrës  që i mbuloi trashësia e borës në lagjet e tyre si dhe ortegu në Panjet, ku Hysen dhe Sabri Danit ortegu i mbyti 14 dhi, tri lopë, kuajt, dy qen, dhe pulat, pasuria e familjes së tyre. Të gjitha këto ngjarje e të tjera që ia tregonin, e patën ngjesh e afruar më shumë me rrugëtimin e katundit në vite e shekuj.

Përgatitja e lartë në fushën e mësuesisë si dhe talenti i spikatur në “brezaret” e letërsisë, sidomos për të vegjëlit, ndikuan tepër e saktësisht që Xhahidi të afrohej e të njihej më gjërësisht nga kolegët, nxënësit e tij dhe fshatarët e katundit. Gjatë kësaj kohe, padyshim e me plotëshmëri ai mbeti një mik, shok, koleg dhe vëlla i vërtetë, me ata që ulej këmbëkryq, këmbënte dy llafe, larg dhe afër, jo vetëm për Buzmadhen, por tejpërtej Grykës së Çajës.

xxx

Së bashku me shokun e tij të dashur e të rrallë Ridvan Dibra, si dy yje argjendi mbi qiellin e kaltër të Grykës së Çajës dhe Lumës, qenë larguar nga këto vise të brishta, si askush tjetër, duke marrë me vehte dashurinë, miërnjohjen dhe respektin pa kufi të nxënësve të tyre të virgjër e të malësorëve të shquar, por edhe ushtimin dhe jehonën e maleve plotë dritë e hijeshi, pra këta janë dy shkrimtarë dikur të rinj, ish mësues të çmuar në Grykën e Çajës të Lumës, Kukësit.

Exit mobile version