Duke kalur rastësisht nga stadiumi, mbi posterin e vendosur diku në hyrje të tij, lexoj se sonte në mbrëmje, te kinemaja e re, jepet një çfaqje teatrale. Aktorët janë nga kryeqyteti. Për këtë aktivitet më vuri në dijeni gjithashtu dhe një mikja ime, agronome. Veç orës kur fillon çfaqja dhe titullit me korotacion filozofik të dramës, asgjë tjetër nuk mu fiksua nga posteri. Dhe deri sa të vej ora, kam kohë të merrem e përfundoj edhe ndonjë punë tjetër.
Mbrëmja që erdhi si shpejtë, është e mrekullueshme, ndoshta është një nga ato mbrëmje që s’të lenë asnjëherë në vetmi. Por kuptova se pas asaj drame të mrekullueshme, mendimet dhe perceptimet mbi realitetin më janë bërë të dyshimta. Mbi treçerek ore përjetova brenda asaj skene fuqinë e njeriut tek zotron planetin, ndoshta dhe fare kozmosin, por që për fat të keq, jo vetveten. Gjithsesi, përjashta vërej se qielli është i pastër e me yje, por ajri duket se është pak i hidhur e i pa mëshirshëm në ftohtësinë e vet. Era që nuk kuptohet sa nga vjen, e bën ambjentin edhe më të ftohtë. Siç duket, ftohtësia në këtë qytet vjen nga kudo. Por sikundër salla e çfaqjes edhe Pazari është krejtësisht i shkretë, i zhveshur nga njerzit e përditshëm, por edhe nga turistët. Edhe ndriçimi që mbulon çdo rrugë e dyqan e vitrinë, vërtet është i bollshëm, por si të thuash edhe ky është i zbehtë, i mjegullt e pa aspak tharm kënaqësie. Po fundja ç’më duhen njerzit e ndriçimi? Jam larguar disi nga godina e gurtë e kinemasë, që dhodhet pak më poshtë se “Rose Garden” hotel, dhe eci i vetëm përgjatë rrugës “Shezai Çomo”. Mandej hyra te rruga “Gjin Bue Shpata”, nga ku po zbres qetësisht e me duar në xhepa drejt Qafës së Pazarit. Shalli i pambuktë rreth qafës sime nuk e lejon të ftohtin e hidhur e të thatë të shkurtit, të hyjë me lehtësi brenda ngrohtësisë së trupit. Sidoqoftë, ideja se po e përshkoja i vetëm rrugën, nuk pati jetë. Për fat, dhe pa e ndier aspak, krah meje po ecën dikush. Pavarësisht mosnjohjes që kam me të, nevoja për të komunikuar në këto momente me dikë, më nxiti ta përshëndes me mirësjellje njerëzore.
-Mirmbrëma!
-Mirmbrëma, zotri!
-Ishit në çfaqje? -e pyeta.
-Po, patjetër, tha. Dhe sikur të kishte kuptuar edhe ajo dëshirën time, më pyeti menjëherë: -Të pëlqeu drama? Ishte pjesë shumë e bukur! Mbajta vështrimin mbi sytë e saj. Më bëri përshtypje. Zonjusha nuk është më shumë se tridhjet vjeç.
-Po, shumë, iu përgjigja. Në vazhdim po ecim në krah të njeri tjetrit e me të njëjtin ritëm. -Por ama salla thuajse bosh më bëri që ta ndjej veten keq e të urrej për këtë ftohtësi dikë, po se di se kë, i thashë në vazhdim.
-Më vjen mirë që kemi të njëjtat mendime. Të pëlqen arti? – -Pooo, bëra. -Arti dhe letërsia. Por nga ç’po kuptoj edhe ju keni shumë njohuri e shije, e ngacmova. Duket se zonjusha është mjaft komunikuese.
– Nga je? – më pyeti.
-Këtej.
-Këtej?! Si këtej! Nuk të njoh, çudi!
-As unë. Por…ndoshta…dhe diku të kam parë, i thashë. Po ç’rëndësi ka. Ti nga je?
-Këtej dhe unë. Nejse miku im i mirë, ja u njohëm. Na mbyti injoranca e pandjeshmëria ndaj artit, tha pastaj.
-Tamam. Mendoj se faj për pjesmerjen e pakët kanë dhe organizatorët. Marketing i dobët. Ndoshta është faktor edhe xhelozia e aktorve të qytetit. Fundja bën edhe pak ftohtë. Kohë griprash. Tek më pa në sy, përsëriti dy herë: “Ke te drejtë, ke të drejtë. Mundet”.
Që nga çezma e “Premtes”, që ndodhet pranë godinës që dikur ka qënë posta e qytetit e që më pas ato zyra u kthyen në zyrat e një komande ushtarake, na u deshën pak sekonda që të mbrinim në kryqëzimin e rrugve të Pazarit karakteristik. Kemi ndalur.
-Mund ta bëjmë rrugën bashkë? -më propozoi. -Unë nuk e kam problem të jem në miqësinë e njerzve si ju, më tha teksa kuptoi se po mendoja t’i thoshja “natën e mirë”. -Pse nuk vjen këtej? I biem këtej? Në fillim mbeta paksa i habitur, pastaj pranova duke larguar aty për aty edhe mendimin për t’i rënë nga lagjia Meçite.
-Me kënaqësi, thashë.
-Shiko sa mirë u kuptuam. Ja pra fuqia e artit si i bashkonë njerzit e ndjeshëm edhe pa qënë të njohur më parë. Që në vështrim të parë, pashë me kë kam të bëj, tha. Edhe unë i shpreha në çast falenderimet e mia për përshtypjen e krijuar. Pastaj zbritëm nga tha ajo. Lamë pas shpinës sonë kalanë e qytetit dhe morrëm rrugën e Varoshit. Ecim me kujdes për shkak të pjerësisë që ka kjo rrugë. Tek e dëgjoj duke folur për jetën kulturore të qytetit, njëkohësisht po e shikoj edhe çuditshëm, por edhe me shumë hamendësime të pakuptimta, por që realisht pa aspak djallëzi mashkullore. E vështroja me kuriozitet atë vajzë të padjallëzuar e të çiltër, ku herë herë sytë e thellë e gjithë zjarr i marrin një shkëlqim të këndshëm, ndërsa buzët e plotë e simetrikë i vishen e i shkëlqejnë nga një lagështi e lehtë prej afshit që i del përbrenda shpirtit.
-Mund të mbahesh edhe tek unë, i them. Biseda me të vazhdon të jetë e natyrshme. Gjithsesi jemi në zemër të lagjes Varosh. Vazhdoj dhe e dëgjoj me vëmendje. Ajo qesh, pastaj hesht dhe përsëri vazhdon të flasë. Edhe unë qesh si ajo. Por shumë shpejt u mësova me revoltën e brendëshme dhe pengjet e saj. Më tha se asnjë nga prindrit nuk i jeton më. Në vazhdim më flet për gjëndjen e vështirë e për punën me orar e pa orar që i duhet të bëj për të nxjerë të ardhurat mujore.
-Ç”mund të fitosh nga lajmet, sondazhet dhe intervistat që ju dërgoj stacioneve lokale apo ndonjë televizioni kombëtar, miku im? Apo si moderatore e ndonjë eventi fasadë? Ma thuaj ti. Si mund t’ja dal me të ardhura spontane dhe qesharake? Tek e fundit edhe unë dua të jetoj në mënyrë të virtytëshme si kushdo tjetër. Kujt vallë duhet t’i përulem e t’i kërkoj ndihmë për këtë? E shikon pra i dashur që jam veçse një refugjate në qytetin tim. Heshta. I rash në shpatulla me përkëdheli dhe e ngushëllova duke i shprehur se brenda vështirsive duhet të gjejë shpresën, dhe jo t’i hedhi benzinë urrejtjes, që ndoshta, me të drejtë i ka lindur përbrenda.
-Ti e di si është jeta…
-Çfarë të bëj, më thoni ju, çfarë? Po shoh që atë e ka mbuluar një trishtim i hidhur.
-Nuk është koha për tu demoralizuar. Nuk ka arsye pse duhet të mbetesh një paciente e zhgënjimeve dhe pesimizmit. Pavarësisht se disa gjëra jo të këndëshme njerëzore janë të pashmangshme, e mira ekziston, ndërhyra. Sidoqoftë, në çaste heshtjeje apo ndonjëherë ende pa u thënë fjala e fundit e mendimit, ajo më kalon krahun dhe njëkohësisht me gishtrinjtë e butë të dorës tjetrës më kap ëmbëlsisht nga mjekra, mandej po ato gishtrinjë delikat i ndjej të më përkëdhelin fytyrën, duke i shoqëruar veprimet e saj edhe me një shprehje e mimikë provokuese. Të paktën kështu më duket mua, ose më e shumta fantazisë sime.
-Sa i ndjeshëm e i mirë që je! Je njeri flori. Pse nuk janë të gjithë kështu? Një mllef e bashkbisedim trishtues. Kisha në krah një të demoralizuar, nga se? Nga i buron ky mllef? Vërtet çaste të dhimbëshme, por dashtë Zoti e paska me njerzit dhe jo me veten, pavarësisht se unë përbrenda meje ndjeja se ajo jetonte nën peshën e përherëshme të një dyshimi e zhgënjimi të sëmurë. Sidoqoftë, brenda pengesave të etikës, duke shkelur mbi gurët e zinjë të kalldrëmit të pjerrët të Varoshit, pata për momentin vërtet edhe një dëshirë të madhe për ta përqafuar çiltërsisht. Por ndërkohë për të fillova të ndjej gjithashtu edhe një dhëmshuri, që nuk e di pse kjo ndjenjë më pengoi të bëja veprimin dashamirës. Ndërkohë, përgjatë zbritjes, përjetoj xheste impulsive e sjellje të përsëritura të saj. Aty-këtu bëjmë edhe batuta, prej të cilave ajo qesh me zemër. Herë herë më afrohet aq sa më prek dukshëm. Por në vazhdim as unë nuk i shmangem asgjëje që mund ta lumturoj. I përkrah mendimin e ja shoqëroj të qeshurat me buzëqeshje. Gjithashtu më vjen mirë që ndërkohë nuk trembet nga prezenca ime edhe kur në ndonjë moment i marr dorën për t’i lehtësuar emocionet. Vetëm kaq mund të bëj. Fundja nuk kam arsye pse duhet ta zhgënjej e të shkel kufijtë e besimit. Për një çast mbajmë këmbët. Vështrimet tona u përplasën.
-E di çfarë, miku im…Oh, lëre fare! Dëgjoj një rënkim të pakuptueshëm. Do ishte gabim në mos çmenduri të mendoja se duhej ta pushtoja. Sidoqoftë, në kufirin midis dy lagjeve e qetësisë së mbrëmjes, aty ku bashkohet kalldrëmi me asfaltin, mbritëm pa e kuptuar. Kur mbritëm para disa lokaleve ajo nguli këmbë disa herë të më jepte një kafe. Këtë ftesë s’kisha arsye pse duhet ta kundërshtoja.
-Patjetër, me kënaqësi, por do të paguaj unë, ndryshe nuk vi. Ramë dakort. E ndoqa nga pas. Ora është thuajse dhjetë e mbrëmjes. Realisht është pak si vonë, por gjithsesi ndjeva se duhej t’i nënshtrohesha dëshirës së sinqertë të tjetrës.
-Ja, këtu më pëlqen. U futëm te coffee-bar “Classic”. S’kisha qenë ndonjëherë. Hapa derën e jashtme dhe i bëra rrugë të kaloj. Dëgjova: “Faleminderit”. Pastaj në heshtje ngjitëm shkallët e ngushta e me një ndriçim eksitues. Me të hyrë përzgjodhi një nga tavolinat bosh dhe menjëherë u ulëm. Është një ambjent aspak i mërzitshëm, por mjaft i qetë, i këndshëm e intim. Diku në faqe të murrit më kapi syri një një nga pikturat më të bukura të Renoir-it, të Pierre Renoir.
-Çaj, kakao, kafe, verë… çfarë do të pish? Ajo kërkoi një kakao të madhe, ndërsa unë porosita një makjato, të cilës, kur e pata përpara, i hodha dy bustina me sheqer.
-Gëzuar, miku im! I bëra urimit të saj një xhest miratimi.
-Je e martuar? -e pyeta pasi largoi buzët nga gota e kakaos dhe e vendosi me delikatesë mbi pjatë.
-Që të ndodh kjo duhet ta ngresh fundin shumë më lartë mbi gjunjë. Më kupton se deri ku? E parafytyron? E di që më kupton. Më fal, po se bëj dot. Ja, kë të përzgjedh nga këta si bashkshort për të kaluar jetën? Atë verdhacukun aty që po pi alkool! E shikon atë tjetrin me xhinse të grisura e gjithë tatuazhe tek tavolina në këndin tjetër? Shikoji dhe më thuaj. Ndjeva që po irritohet përsëri. Por sidoqoftë unë po e dëgjoja zonjushën me durim. Dhe pavarësisht se shembujt e saj mu dukën argumenta të arsyeshme, i thashë:
-Nuk është nevoja t’i shikoj, por qyteti tonë ka edhe djemë të mirë e me kulturë. Ajo buzëqesh. Nga ndonjëherë i them t’i përsërisë ato që thotë. I vjen mirë që e vlerësoj. E bën. Pastaj vazhdon:
-Kam qejf vetëm të eci mbi ato kalldrëme e të pi një kafe, ja kështu si me ty, e qetë dhe e paparagjykuar për ç’ka jam. Ndërsa ajo hesht, vazhdoj unë e i flas. Ajo më vështron. E vështroj dhe unë. Por ama ndërkohë ndjeva se besimin tek zhgënjimet e veta e ka disi me tepri. Dhe si një mënyrë për ta qetësuar, i thashë:
-A ke lexuar diçka interesante që mund ta lexoj dhe unë?
-Kur kam kohë i jap kohë dhe leximit, më thotë. Pastaj ajo hedh shikimin brenda sallës. Filxhani im i kafesë është bosh. Ajo merr gotën e saj dhe kalon disa gllënka të njëpasnjëshme me kakao, sikur të jetë ujë.
-Mos u nxito, i them.
-Jo nuk nxitoj, s’kam arsye. Por më shijon dhe kështu. Pas pak, në mes të bisedës, i them:
-Sikur vajti vonë, dalim?
-Të ikim! Kaq shpejt! Ndoshta ke të drejtë. Ju keni një familje. Të pengova? Je një njeri me zemër të pastër. Veç muzikës që mbush në heshtje mendimet tona, asnjë zhurmë njerëzore, asnjë vështrim të dyshimtë nuk shikoj të ndihet mbi ne. Akrepi i minutave të orës duket sikur sikur nuk ekziston. Ç’them kështu! Fundja ç’lidhje kanë akrepat me mendimet?
-Si thua, ikim, i them pas një heshtjeje tjetër të vogël.
-Ku?
-Ku të duash ti.
-E di ç’ke ti…ik. Ti, ik. Unë po qëndroj dhe pak. Diku ka ngulur vështrimin. -Ai atje mos është gjë kryetari? Unë kthej kokën. -Ai është, thotë zëulët. Tani sa e vura re. E di që askush nuk e çanë kokën. Askush nuk do t’ja dijë për mua, e di, por dua ta takoj patjetër, ndoshta më ndihmon. Po e dëgjoja zonjushën me vëmendje dhe në heshtje. Ajo po dridhet nga dëshpërimi. Pavarësisht se nuk është një njeri i vetmuar dhe e shkëputur nga jeta e gjallë e qytetit, të krijihet përshtypja sikur padrejtësia e vetmia janë ndjenjat e vetme që e shoqërojnë. Sidoqoftë, e ndjeva veten keq që jam një i huaj para kërkesave, dëshirave e nevojave të saj. Ndërkohë para syve më erdhën imazhe nga çfaqja e përbashkët. Iu revoltova vetvetes, por për fat të mirë mërzitja nuk më zgjati shumë. Iu gëzova për këtë cilësisë së vetëpërmbajtjes. Kalova qetësisht shikimin jashtë hapësirës së lokalit. Nga përtej xhamave të stërmëdha të tij, nuk dallohej asgjë konkrete, madje as vet errësira. Ishte bërë tepër vonë.
-Unë po iki. Besoj se nuk të mbetet qejfi, i them. Shty lehtas karigen dhe pa as më të voglën zhurmë, çohem.
-Më fal që të mbajta gjatë. Je shumë i mirë e me kulturë. Nuk dyshoj. Faleminderit!
-Ishte edhe për mua kënaqësi, i thashë. U pamë në sy. Jam në këmbë para saj. Aty për aty më thotë se: “A mundem të të përqafoj”? Dhe pa i dhënë ende përgjigje hapi vrullshëm krahët drejt meje. Nuk them se nuk e prisja. Më erdhi keq. Ndjej që dëshiron të ketë vëmëndjen e njerzve. Ngërsa ajo qëndron e ulur në karige, mua m’u desh të përkulem për t’i plotësuar dëshirën. Hapa krahët dhe u përqafuam. Ajo më përqafoi diçka më fort. Dhe pa e shkëputur përqafimin, pas veshit tim pëshpëriti: Sa i mirë që je! Je njeriu më i mirë që kam njohur. Fryma e ngrohtë e saj më rënqethi trupin. “Mos hiq dorë nga besimi tek vetja”, i pëshpërita dhe unë. U ndamë. Hodha disa hapa drejt daljes. Te banaku pres kamarierin për të bërë pagesën. Pa dalë nga lokali e dëgjova të thotë: Sa herë të më shohësh, mos haro të më flasësh.
-Patjetër.
Lëshova një psherëtim brenda vetes. Largohem. Qyteti ka rënë në një qetësi të plotë.
Çuditërisht, të nesërmet vinë shumë shpejt. Por edhe unë sa herë që përballem me të, nuk harroj ta përshëndes. Por asaj nuk i kujtohem.