Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xheladin Mjeku: Kuvendim me Sulejman Krasniqin

Xheladin Mjeku: Kuvendim me Sulejman Krasniqin

Nga leximi i monografisë letrare “Për Sulejman Krasniqin”

Qasje tematike

Sulejman Krasniqi, si asnjëri nga shkrimtarët tanë, që nga vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar ishte gjithkund me ne, në Shqipëri, në Kosovë, në mërgatë e kudo ndodheshin shqiptarët. Ai konsiderohet ndër autorët më të pranishëm dhe më i lexuari në ilegalitet, duke e krijuar kështu opinionin e tij lexues pothuajse të të gjitha moshave, meqë nga situatat e krijuara politike na imponohej që të kemi sa më shumë njohuri e kontakte me veprat e tij, veçanërisht të atyre që trajtonin tema nga histora, personalitete kombëtare, heronjë, etj. Shumë herët, që kur botoi romanet: Prisja e komitëve, Mic Sokoli, Pushka top, Bajram Curri, Oso Kuka, etj. do të krijonte publikun e vetë, qoftë atë nga Shqipëria, nga ilegaliteti dhe shumicën dërmuese nga të gjitha trevat e Kosovës, ku çdo libër i tij kalonte nga dora, në dorën tjetër, për tu lexuar dhe absorbuar në tërësi gjithë ajo lëndë që reflektonte mesazh të fuqishëm dhe përcillej gjithandej ku ishin vënë në lëvizje intelegjenca dhe veprimtarët e çështjes kombëtare dhe liridashëse. Këto libra lexoheshin, siç thuhet, “me një frymë”, meqë jehona e tyre kishte arritur majat e interesimeve te lexuesit e të gjitha moshave. Për të relativizuar këto situata po përmend disa fakte të pamohueshme nga botimi dhe ekspozimi i literaturës me tematikë historike dhe kombëtare, pastaj jehonën e këngëve që transmetoheshin nga radiot dhe Televizioni shqiptar, ekspozitat dhe botimi i librave nga poetë të dëshmuar. Veçanërisht, do të veçoja botimin e librit “Epikë”, me poezi të zgjedhura nga katër autorët: Ndoc Paplekaj, Xhevahir Spahiu, Hamit Aliaj dhe Skënder Buçpapaj, e cila bëri jehonë te lexuesi kosovar, ku për një kohë të shkurtër pjesa dërmuese e atyre poezive u mësuan dhe filluan të recitoheshin gjithandej nga nxënës, studentë, krijues e lexues të shumtë. Sidomos poezitë: “Dada Shotë”, “O Azem, Azem Galica”, “Te Shpellë e Dragobisë”, “Goxhupi i plakut”, “Bjeshkët janë mbiemri im”, etj. nga Hamit Aliaj, ishin bërë vetë kushtrimi i lirisë. Gjithë këto vepra letrare krijuan një opinion të fuqishëm motivues, për të vepruar si një trupë e bashkuar kundër okupatorit të paskrupullt serbo-sllav. Tashmë ishin vënë në lëvizje pothuajse të gjitha forcat intelektuale, të cilat frymëzoheshin edhe nga veprat e Sulejman Krasniqit dhe autorëve e krijuesve tjerë të kulturës, artit skenik, muzikës dhe pikturës. Sidomos, vlen të kujtohen ekspozitat e njohura nga piktorë e skulptorë të kohës, të cilat vizitoheshin me shumë interesim nga njerëz të moshave të ndryshme, të cilët krijonin radhë të gjata në pritje para galerive e foajeve të institucioneve të kulturës gjithandej nëpër qytetet e mëdha të Kosovës.

Vepra e Sulejman Krasniqit shtrin krahët përtej mesazhit për lirinë e atdheut

Vepra e Sulejman Krasniqit shtrin krahët përtej mesazhit për lirinë e atdheut. Ajo u bë fuqi lokomotore për brezat e rinj, ëndërrat e të cilëve tashmë ishin zgjuar dhe me çdo çmim do të   bëheshin realitet. Në atë periudhë kohore parreshtur shtoheshin edhe krijime tjera, të cilat i përpinte koha me shpejtësi marramendëse, meqë Sulejmani ishte bërë shkrimtari më i dashur dhe më i kërkuari i asaj kohe për të gjitha shtresat e lexuesve. Kështu, paralelisht me intere-simin e lexuesit për këto vepra letare, shtoheshin edhe interesi-met e studiuesve që sa më shumë të mësonin për vlerën dhe rëndësinë e këtyre botimeve që po bënin jehonë të madhe. Në vazhdën e këtyre zhvillimeve u shkruan shumë vështrime letrare, studime e analiza për këtë krijimtari, pa mos e anashkaluar edhe interesimin për vetë autorin, jetën, veprimtarinë dhe kushtet e punës së tij të pandalur. 

 Në kohën kur po i përmblidhte një pjesë të konsiderueshme të këtyre shkrimeve për t’i botuar nën titullin e përbashkët, “Për Sulejman Krasniqin”, Prof. dr. Shyqri Galica në “Prologun” e tij, që i paraprinë kësaj përmbledhje punimesh për këtë figurë të rëndësisë së veçantë, ndër të tjera, do të përkufizonte mendimin e tij: “Të jetosh midis dy poleve që bëjnë një botë, i dyjëzuar midis besnikërisë ndaj shqiptarisë dhe detyrimit t’u nënshtrohesh absurdeve ideologjike të një kohe të shkuar, i përballur me akullsinë e një lufte sa të ftohtë, aq të zjarrtë, që ndahej me një kufi të hekurt, i përmalluar për erën e tokës, dashurinë e nënës, i etur për lirinë e Kosovës, i revoltuar për këtë ndarje të dhunshme dhe me përkushtim për t’i ndryshuar gjërat, këto ishin rrethanat e zanafillës së shkrimtarit. Si për ironi të fatit, ai është shëmbëlltyrë e fatit të kombit.” (po aty, fq. 13).

Në këtë libër takojmë 15 zëra që aderojnë me shkrimet e tyre, ku çdonjëri ka kontribuar me shkrime e analiza të ndryshme për veprat e Sulejman Krasniqit, për të dhënë një pasqyrë më të qartë për vlerat letrare dhe mesazhin e tyre. Tashmë është e kjartë se cili është në të vërtetë Sylejman Krasniqi, veprat e të cilit kishin bërë jehonë të madhe që në ditët e para të daljes së tyre në dritën e botimit. Ato po kalonin nga një dorë, në dorën tjetër, nga një vend, në vendin apo  regjionin tjetër, duke shtrirë krahët e veprimit si shqiponjat në kaltërsinë e paanë, për të takuar emra e lexues të rinj. E gjërë ishte rrezja e veprimit të këtyre librave, po edhe rreziku ishte permanent, meqë këta lexues e studiues në çdo hap përcilleshin nga pushteti dhe, çdonjëri prej tyre veprimtarëve po të zbuloheshin, do të përballeshin me tortura të paskrupullta dhe burgosje të rënda.  Pikërisht këtu ishte esenca dhe rëndësia e këtyre veprave, që kishin përvetësuar lexuesin, sa vështirë mund të ndaloheshin, qoftë edhe me dënime e persekutime drakonike, siç edhe ndodhnin në vazhdimësi. Ato gjithmonë kishin ndikim pozitiv në kuptimin e përmasës efektive të motivimit të gjërë.  

Kjo përmbledhje punimesh nga autorë të sprovuar, shquhet për vlerat e këtyre studimeve dhe fakteve nga fushëveprimtaria e Sulejman Krasniqit. Derisa autorët Prof. dr. Emin Kabashi, Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, Porf. Zija Vukaj, Prof. dr. Sali Bytyçi, Mr. sc. Bedri Zyberaj, Mr. Zeqir Bekolli, Prof. dr. Begzad Baliu, Dr. sc. Besa Hoxha-Beqiri dhe Agim Vinca, për lexuesin sjellin njohuri të shumta për veprat letrare, autorët tjerë, si: Elez Osmani, Smail Latifi, Sheremet krasniqi-Godeni, Saime Isufi dhe Ramadan Rexhepi do të evokojnë kujtimet e tyre nga takimet me Sulejman Krasniqin, që si tërësi shkrimesh krijojnë dëshmi të qëndrueshme për autorin dhe veprimtarinë e tij krijuese dhe intelektuale.

Është vështirë të veçohet ndonjëri nga këto shkrime e kumtesa, po aq sa edhe rëndësia e ndonjërit prej tyre, meqë kemi një galeri të gjërë veprash e personazhesh që kanë ndërtuar veprat e tij, ku çdonjëri prej tyre paraqet rëndësinë e vetë për kohën dhe ngjarjen që trajtohet. Pothuajse të gjitha romanet janë botë ngjarjesh e dëshmi kohore të rëndësisë së veçantë, me një narracion të përkushtuar dhe mirë të realizuar. 

Është vështirë të veçohet ndonjëri nga këto shkrime e kumtesa, por, megjithatë, ia vlenë të ndalemi te disa nga këto vështrime për veprat letrare, që pothuajse të gjitha kanë për temë historinë, çështjet kombëtare, personalitete të kohës që veprojnë në kushte e rrethana të rënda dhe të ndërlikuara, në përballje të vazhdueshme me pushtuesit e ndryshëm. Romani historic “Mic Sokoli”, që për kryepersonazh e ka Micin, në studimin e Emin Kabashit do të trajtohet me kujdes figura e këtij personazhi dhe zhvillimet e ngjarjeve historike të Lidhjes së Prizrenit, njërën nga periudhat më të ndritshme të historisë, që në roman pasqyrohet strumbullari i kësaj ngjarje të rëndësishme në përpjekjet për të mbrojtur trojet etnike dhe krijimin e mundësive të bashkimit të tyre në një etni të vetme. Në këtë rast studiuesi e përkufizon bindshëm mendimin e tij: “Duke e shndërruar heroin e romanit në simbol të guximit dhe të trimërisë, del se Mic Sokoli është një nga personazhet më të realizuara të krijimtarisë së Sulejman Krasniqit” (po aty, fq. 25), për ta krijuar kështu figurën e kryepersonazhit në heroin e përmasave kombëtare.

Pikërisht mbi këto vlerësime e gjejmë edhe profilin e veçantë të “Oso Kukës” në studimin “Një vepër elitare e letërsisë sonë” të Zija Vukës. Ai do ta veneroj me kohë këtë figurë heroike në romanin e Sulejman Krasniqit, siç do të shprehet: “Vepra ka në fokus një figurë mjaft interesante dhe komplekse, atë të Oso Kukës. Ky individ me aureolë thuajse legjendare u stampua në memorien historike dhe kolektive të Shkodrës dhe të gjithë shqiptarisë për bëmat epike, që kulmojnë me aktin sublim të vetësakrifikimit” (po aty, fq. 35).

Zeqir Bekollit ia zgjon kërshërinë e trajtimit figura emblematike e heroinës, Shotë Galica. “Prijësja e komitëve”, në studimin “Aftësitë strategjike dhe gatishmëria e Shotë Galicës për t’u flijuar për Atdhe” dëshmon heroizmin e saj që krah me bashkëluftëtarin dhe shokun e jetës, Azem Galicën do të përballen në shumë beteja me hordhitë sllave jo vetëm në Drenicë, ku kishte zënë fill rezistenca e tyre, por gjithnjë në zgjerim të mbrojtjes së trojeve etnike.

 Ndërkaq, Agim Vinca ka zgjedhur të analizoj një tjetër roman, që dallon nga të tjerët për tematikën që shtjellohet aty. Mbijetesa, një fenomen i rrallë i trajtuar në letërsi, në romanin “Njeriu dy herë i pushkatuar” për temë ka Tivarin famëkeq të masakrimit të shumë shqiptarëve.   

Sa ishte i veçantë në jetë Sulejman Krasniqi, edhe më të veçantë e bëjnë veprat e tij të zhanreve të ndryshme, por gjithnjë në fokus të përballjes me realitetet e njeriut të kohës, duke ia atribuar frymën liridashëse dhe heroizmin. “Dyluftimi i njeriut, Sokolit të plagosur, me ujkun te vendi i quajtur Honi i ujqërve, ku fitues del, megjithatë, njeriu, është ndër pjesët më të bukura e më plastike të romanit. Shikuar në kontekstin e përgjithshëm të veprës, ky episod mund të thuhet se ka kuptim simbolik; njeriu di të jetë edhe më i keq se ujku! Të tillë janë vrasësit dhe masakruesit e djemve të rinj shqiptarë në Tivar” (po aty, fq. 105).

      Për veprimtarinë atdhetare, zhvillimin kronologjik dhe vështirësitë e botimit të romaneve të Sulejman Krasniqit kanë shkruar e vlerësuar edhe Sabile Keçmezi-Basha (“Veprimtaria atdhetare e shkrimtarit Sulejman Krasniqi”), Sali Bytyçi (“Romanet historike të Sulejman Krasniqit”), pastaj Bedri Zyberaj (“Afirmimi i kujtesës historike”, “Onomastikoni i romaneve të Sulejman Krasniqit” nga Begzad Baliu, një studim interesant dhe me mjaft interes për lexuesin. Me “Trajtimin e veprave të Sulejman Krasniqit” me përkushtim do të merret edhe Besa Hoxha Beqiri, e cila në një vështrim më të zgjeruar sjell njohuri të shumta nga prodhimtaria letrare e Sulejman Krasniqit.

Pak biografi letrare dhe personaliteti i tij

Po cili ishte në të vërtetë Sulejman Krasniqi? Njeriu që u përball që në rinin e tij me pushtuesin sllav, i cili nuk pushonte në gjuajtjen e intelektualëve të kohës. Në mesin e këtyre njerëzve që kishin filluar ta kuptonin qëllimin e pushtetit monist u gjend edhe Sulejman Krasniqi, të cilin do ta persekutojnë në mënyra të ndryshme, duke e rrezikuar edhe ekzistencën e tij fizike. Për t’i ikur këtyre situatave të tmerrshme që sa vinin e merrnin përmasa të gjëra edhe te shumë emra e personalitete të kohës, Sulejman Krasniqi detyrohet të kaloj në Shqipëri për tu përballur me një jetë tjetër, jo edhe aq të lehtë, por me qëndrimin e tij stoik ia del të mund të keqen që e ndiqte si hije gjithandej kah vepronte e frymonte ai. Në këto rrethana do ta kalonte jetën, duke punuar me zell të madh në ndriçimin e të vërtetës historike dhe kombëtare, kryesisht të popullit të Kosovës. Ai u gjend në një situatë dyluftimesh, ku për armë mbrojtëse dhe luftarake zgjodhi penën për të shkruar e krijuar në vazhdimësi veprat e tij letrare, kryesisht në prozë, për t’na lënë një thesar të çmur dhe shumë të vlefshëm për brezat.

Në vazhdën e kësaj që u potencua, për Sulejman Krasniqin kanë dhënë kontribute të çmuara shumë personalitete nga jeta kulturore, miq e adhurues të autorit dhe veprave të tij. Disa nga këto shkrime i gjejmë edhe në këtë përmbledhje punimesh. Të tillë janë Smail Latifi, me “Parathënjen” e tij do të zgjëroj gamën e njohurive për këtë kolos të letrave tona (“Sulejman Krasniqi – Emër i përveçëm në historinë e kulturës kombëtare”), Elez Osmani vjen me shkrimin e tij biografik “Me shkrimtarin Sulejman Krasniqi”, ku shpalos mbresa e kujtime nga takimet me shkrimtarin. Me një shkrim të kësaj natyre “Si e njoha shkrimtarin Sulejman Krasniqin” për të vazhduar me kujtimet tij vjen edhe Sheremet Krasniqi-Godeni.

 I veçantë për trajtimin tematik, shpalosjen e ngjarjeve dhe qëndrimet stoike të Sulejman Krasniqit shquhet shkrimi biografik “Ende nuk po e shikoj fundin e jetës…!”, shkruar mes adhurimit dhe emocioneve nga Saime Isufi.

 Gjatë takimeve me veprat, por edhe nga shpjegimet e njerëzve të njohur, edhe Fitore Malaj evokon kujtime të paharrura “Me Sulejman Krasniqin”, për t’i përcjellur si mesazhe te brezat e rinj.

 Dhe krejt në fund, Ramadan Rexhepi me intervistën që do të realizon me Sulejman Krasniqin për Radio ABC, me një“shoshitje” të kujdesshme shpalos botën e brendshme dhe atë letrare të autorit, që tejkalon edhe biografinë e tij të njohur. Aty do të preken mjaft ndjeshmëri nga jeta, veprat dhe përballja me pushtetin, derisa fryjnë erërat e ndryshimeve të demokracisë ku do të hapen mundësitë e reja për ta prekur me zemër atdheun e tij të lindjes, për t’u prehur i qetë në tokën e Kosovës, për të cilën frymoi me tërë qenjen e tij prej atdhetari, krijuesi dhe luftëtari me penën e tij, që të përjetësoj veprat e shkruara me përkushtim të pashembullt.

Ngjashmëri kohërash

 Në përmbledhjen e shkrimeve “Për Sulejman Krasniqin” zhvillohet një bashkëbisedim me personazhet e romaneve të shumtë, të cilët janë trajtuar nga kritika dhe mendimi intelektual i lexuesit të kujdesshëm dhe vigjilent. Aty janë shpalosur shumë aspekte të ndërtimit dhe zhvillimit të tyre, shtrirjes kohore, rëndësisë tematike dhe shumë veçori të tjera. Ky rikthim i sërishëm i  takimit dhe çmalljes përmes rileximit dhe kujtesës reflekton dashuri dhe pietet për këtë kolos të veçantë të prozës sonë, i cili në më shumë se njëzet veprat e tij  të botuara sa ishte gjallë, dëshmon për punën e pandalur gjatë tërë jetës në fushën e letërsisë, duke realizuar veprat e tij me shumë përkushtim qoftë në aspektin letrar, qoftë në atë të dëshmive dhe fakteve të panumërta, për t’i ngritur një tempull të lartë kulturës sonë kombëtare.

  Paralajmërimi se pas kësaj përmbledhje shkrimesh dhe analizash për krijimtarinë letrare të Sulejman Krasniqit, së shpejti do të kemi edhe blenin e dytë me shkrime e intervista nga shumë autorë tjerë, poaq të rëndësishëm për nga personaliteti dhe pesha e vlerësimeve që i bëjnë kësaj prodhimtarie, është po aq interesante dhe me interes për lexuesin. Kjo ardhje e re, si vazhdimësi e punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm të studiuesit për njohjen dhe studimin e veprës letrare të këtij kolosi të letërsisë sonë Meriton për tu duartrokitur në frymën e gëzimit dhe nga dëshira që sa më shpejt ta shijojmë kënaqësinë e leximit të saj.

Përjetësimi i kësaj krijimtarie letrare, Sulejman Krasniqit përfundimisht ia siguron vendin meritor në aureolën e letrave shqipe.

Exit mobile version