Kreu Intervista José Carlos Rodrigo Breto: Kadare, ashtu si Servantesi, ka një humor disi...

José Carlos Rodrigo Breto: Kadare, ashtu si Servantesi, ka një humor disi të trishtuar dhe të errët

Shkrimtari dhe studiuesi José Carlos Rodrigo Breto që gjendet këto ditë në Tiranë, ka zhvilluar dje një takim në ambientet e shtëpisë-studio “Kadare”, ku ka folur për studimin e tij të gjerë kushtuar shkrimtarit të madh shqiptar. Në këtë bisedë për “ExLibris”, ai rrëfen raportin e studiuesit dhe shkrimtarit, duke diskutuar si për krijimtarinë e tij, ashtu edhe për qasjen e letërsisë ndaj shoqërisë.

Bisedoi Andreas Dushi

A është kjo hera juaj e parë në Shqipëri? Sa nga Shqipëria e Kadarese keni gjetur në Shqipërinë reale?

Kjo është hera ime e dytë në Shqipëri. Hera e parë ishte dhjetë vjet më parë, kur u ftova nga Universiteti i Prishtinës për një kongres mbi letërsinë dhe gjuhën shqipe dhe e shfrytëzova rastin për të vizituar Shqipërinë dhe për të ndjekur gjurmët e Kadaresë në Tiranë dhe, natyrisht, në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastër.

Nga Shqipëria e Kadaresë kam gjetur shumë në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastër, pasi romani i tij Kronikë në gur është i pranishëm kudo që të hedhësh sytë në atë qytet. Në Tiranë kam gjetur tipare të karakterit shqiptar që Kadare i pasqyron në romanet e tij, por, fatmirësisht, asgjë nga ato që përshkruan për vitet e tmerrshme të diktaturës.

Cila mendoni se është veçoria e letërsisë së Kadaresë që e habit lexuesin e huaj?

Shqipëria, edhe pse gjithnjë e më pak, mbetet një vend ekzotik dhe i largët, sidomos për spanjollët, kështu që letërsia e Kadaresë ka bërë që një Shqipëri shumë e veçantë dhe një imagjinar i caktuar të afrohet me lexuesit. Kadare ka krijuar atë që unë e quaj “letërsi antisolare”, një letërsi që synon të pasqyrojë të ftohtin e brendshëm të qytetarit gjatë regjimit totalitar. Kjo ka dhënë një imazh të Shqipërisë si një vend gjithnjë i mbuluar nga dëbora dhe i ftohtë, ndërkohë që në realitet Shqipëria është një vend po aq mesdhetar sa ne. Ky konstruksion i një imagjinate ndryshe për Shqipërinë ka ndikuar shumë në mënyrën se si është pritur letërsia e Kadaresë në Spanjë.

Dhe për ju personalisht, cili aspekt i veprës së tij ju bëri të angazhoheni kaq shumë në studimin e saj?

E kisha lexuar Kadaresë para se të filloja doktoraturën, por ishte gjatë atyre studimeve që zbulova se letërsia e tij lidhet dhe ndërthuret me atë që ai i quan “shefat e tij”. Në veprën e Kadaresë gjejmë shumë nga Shekspiri, Kafkë, por mbi të gjitha nga Servantesi dhe Dante. Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes Kadaresë dhe këtyre shkrimtarëve të mëdhenj ishte ajo që më tërhoqi vëmendjen dhe më bëri të përkushtohem në një studim të thellë të një vepre kaq të pasur.

Duke qenë edhe shkrimtar edhe studiues, si funksionojnë në ju dinamikat që dalin nga marrëdhënia shkrimtar-studiues?

Puna e shkrimtarit dhe studiuesit shkojnë paralelisht. Kur shkruaj një roman, nuk ndaloj së kërkuari dhe kur shkruaj një ese, nuk mund të rezistoj pa futur letërsi në të. Për mua, gjithçka që shkruaj nuk është gjë tjetër veçse letërsi, dhe kjo bën që çdo ese apo kërkim të jetë i mbushur me letërsi.

Nga sa kam parë, keni studiuar edhe Mircea Cărtărescu, gjë që do të thotë se njihni letërsinë ballkanike. A mendoni se letërsia e Ballkanit ka elementë të përbashkët?

Sigurisht që ka shumë të përbashkëta. Imagjinarët që krijojnë shkrimtarët dhe temat që trajtojnë janë shpesh të ngjashme, si për shembull, obsesioni për autoritetin dhe mënyrat se si e sfidojnë atë, si dhe mekanizmat për të shmangur censurën e regjimeve shtetërore. Në rastin e Cărtărescut, është onirizmi (ëndrrat dhe surrealizmi), ndërsa te Kadareja, është ajo që quhet “nata osmane”, pra vendosja e ngjarjeve gjatë Perandorisë Osmane. Letërsia ballkanike ndan një imagjinar të pasur dhe një mënyrë të veçantë të të shprehurit, që e bën unike dhe që nuk gjendet në asnjë letërsi tjetër të vendeve të tjera.

Duke pasur parasysh prejardhjen e dy shkrimtarëve që përmendëm—të lindur dhe rritur në vende komuniste—dhe letërsinë e sotme që trajton çështje sociopolitike bashkëkohore, deri në çfarë mase mendoni se konteksti aktual ndikon në procesin krijues të një shkrimtari?

Konteksti ndikon plotësisht në procesin krijues të një shkrimtari, sepse romanet janë produkte dhe bij të kohës në të cilën shkruhen. Prandaj, Kadare dhe Cărtărescu thjesht po i përgjigjen shoqërisë në të cilën jetojnë. Çdo shkrimtar flet, shkruan dhe shprehet gjithmonë për shoqërinë që e rrethon.

Dhe ju personalisht, cilat çështje të aktualitetit ju motivojnë të shkruani apo të zgjidhni një temë studimi?

Interesi im përqendrohet në çdo temë që lidhet me humanizmin, nga studimi i diktaturave që kanë shkatërruar qenien njerëzore gjatë shekullit XX, deri te reflektimi mbi mënyrën se si ajo që mund të ishte njeriu, është kthyer në një distopi. Rruga e gjatë nga mrekullia që ishte Komedia Hyjnore deri te versioni fatkeq në të cilin jemi shndërruar.

A mendoni se letërsia duhet të ketë një funksion njohës, domethënë t’i japë lexuesit mundësinë për të njohur një vend apo një situatë të re? Nëse po, a ka arritur Kadare ta bëjë këtë për lexuesin e huaj në raport me Shqipërinë?

Pa dyshim, letërsia e madhe duhet të hapë një hapësirë të re, moderne, të freskët dhe të gjerë në mendjen e lexuesit. Kjo është funksioni kryesor i romanit: të na bëjë të reflektojmë mbi aspekte konkrete që përndryshe nuk do t’i merrnim në konsideratë. Në këtë kuptim, Kadare e ka arritur këtë. Letërsia e mirë bën që ai që fillon një libër të mos jetë më i njëjti person kur e përfundon atë. Ky është ndryshimi i vërtetë, oferta e një situate të re, një mënyrë e re të menduari.

Kur mori çmimin “Princi i Asturias”, Kadare përmendi me admirim të veçantë Don Kishotin. Në një intervistë, Kadare tha se nëse ka humor në veprat e tij, kjo vjen nga Don Kishoti. Si e shihni këtë lidhje mes Kadaresë dhe “Kalorësit të Vetmuar”?

Shumë shkrimtarë duan të jenë servantesianë, por pak e arrijnë këtë. Pa asnjë dyshim, Kadare është një shkrimtar servantesian, sepse në veprat e tij përdor dy elementë thelbësorë të Don Kishotit: humorin dhe inteligjencën. Sidomos këtë të fundit, që është motori i romanit modern. Kadare, ashtu si Servantesi dhe vetë Don Kishoti, ka një zgjuarsi të pakufijshme dhe një humor disi të trishtuar e të errët, që pasqyron rrugën e dëshpërimit në të cilën ka ecur njerëzimi.

Së fundi, çfarë planesh keni për të ardhmen?

Në fund të vitit të kaluar shkrova dhe botova një roman mbi Kafkën. Këtë vit do të përqendroj të gjitha përpjekjet për të shkruar dhe botuar një ese mbi Michel Houellebecq.

Exit mobile version